` . “Qytetërimi Osman”, Një vepër madhore me interes të veçantë edhe për kulturën shqiptare! – TV-SHENJA

“Qytetërimi Osman”, Një vepër madhore me interes të veçantë edhe për kulturën shqiptare!

Shkruan: Zylyftar Hoxha

Si asnjë ent apo shtëpi tjetër botuese në Shqipëri, për Fondacionin e njohur Alternativa për të Ardhmen, ALSAR, ky gjysmë viti ka qenë një stinë begatshme dhe plot produktivitet, me një sërë botimesh të përzgjedhura me kujdes shkencor nga letërsia botërore, turke dhe shqiptare. Në këtë kolanë ka vepra të tilla autoritare dhe me peshë të nivelit botëror si“Historia osmane dhe institucionet”, “Vdekje dhe dëbim”, “Muslimanët e Ballkanit”, “Letrat turke”, “Çështja e paqenë e detit: një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, “Kalendari kombiar” etj.

Është për t’u përmendur puna e kujdesshme e bordit drejtues dhe editues të Fondacionit ALSAR dhe veçanërisht e kryetarit të këtij Fondacionit, zotni Mehdi Gurrës, që kanë ditur ku ta vënë dorën përzgjedhëse, në ato vepra që, që për shkaqe të ndryshme, ende janë të panjohura për lexuesit dhe sidomos studiuesit shqiptarë. Kështu, psh, në këta libra ka mjaft materiale pak të njohura apo aspak të njohura për të cilat Historia Shqiptare ka nevojë si për pasurim dokumentar ashtu edhe për interpretime faktesh e ngjarjesh historike.

***

Pas vëllimit voluminoz “Historia osmane dhe institucionet”, si një plotësim kuadri historik dhe enciklopedik, para disa ditësh erdhi vëllimi tjetër gjithashtu voluminoz me dy pjesë, “Qytetërimi Osman”.

Është dashur një punë e madhe dhe tepër e kujdesshme prej më shumë se tre vjetësh për përgatitjen e këtij libri, si përkthimi nga anglishtja, redaktimi, deri dhe te shtypi në një nga shtypshkronjat më të njohura të Stambollit për cilësi të lartë.

Për të githë ata që nuk kanë mundësi ta sigurojnë dot librin, por edhe për lexuesit e vëmendshëm, po japim disa të dhëna nga parathënia e tij brilante, që është hartuar si një kontribut i mirëfilltë shkencor i mbi tridhjetë  autorëve dhe ekspertëve,nën kujdesin e institucioneve përkatëse të shtetit turk,ish-ministrit të Arsimit të shtetit turk të kohës kur është shtypur për herë të parë libri, i cili ka në hyrje të vëllimit të parë edhe një fjalë përshëndetëse për hartuesit dhe realizuesit e veprës dhe veçanërisht për lexuesit vendës dhe të huaj.

Përgatitës kryesorë, bashkë edhe me parathënien e librit, janë Halil İnalcık dhe Günsel Renda. I pari, i ndarë nga kjo jetë dy vite të shkuara, është tejet i mirënjohur, një historian turk i jashtëzakonshëm, një shkrues veprash të shumta studimore mbi Perandorinë Osmane, me njohje të gjerë ndërkombëtare, në të gjallë të tij dhe lektor në universitetet më me prestigj të botës.

Është menduar që me rastin e promovimit të “Qytetërimit Islam” shqip, qëdo të zhvillohet së afërmi në Tiranë nga ALSAR si botues dhe organizator i aktivitetit, të ketë nderin të marrë pjesë edhe e bija e historianit Günsel Renda, po ashtu një historiane e njohur, e specializuar për artin osman, me botime të shumta si autore dhe bashkautore.

Trashëgimia osmane mbetet e fuqishme edhe njëqind vite pas fundit të perandorisë falë atij qytetërimi, të shtrirë në një pjesë të mirë të botës. Siç nënvizohet dhe në hyrje të kësaj vepre, 40 për qind e popullsisë së botës dhe mbi 76 shtete gjenden sot në hapësirën ku ka sunduar kjo perandori. Studime të panumërta ka mbi atë periudhë historike, të risjellë dendur në ditët e sotme në vëmendje dhe në analizë për shkak të spikatjes së Turqisë së kësaj dekade në arenën gjeopolitike dhe ekonomike globale. Diskutimet dhe ligjërimet mbi otomanizmin, neotomanizmin, mbi qytetërimin osman, janë herë-herë tendencioze nga qarqe të caktuara, me ngjyrime keqësuese. Duke e parë në këtë pikëpamje, duhet t’i jemi mirënjohës botuesit në shqip të veprës në fjalë, si një pasqyrë e gjerë e një qytetërimi mbresëlënës, të pasur, që ka vënë vulën në historinë botërore, aq më tepër në hapësirën shqiptare prej mëse 500 vjetësh.

Përpjekje të ngjashme për të sjellë në shqip vepra të së njëjtës temë ka patur dhe më herët. Ka mbizotëruar përgjithësisht një punë serioze, por qoftë cilësisht, qoftë nga këndvështrimi, nga tematikat, qoftë dhe nga përmasat e trajtesës, “Qytetërimi osman” është krejt diçka tjetër, tepër më kontribues për hedhjen dritë mbi atë qytetërim.

“Qytetërimi osman” ka nëntë kapituj, shkruar nga ekspertë në fushën e tyre të kërkimit. Veprës i paraprin një hyrje nga Halil İnalcık, për të vijuar me vëllimin e parë, ku ka trajtesa të historisë dhe shkencës, dhe vëllimin e dytë, në të cilin vendin e zënë kultura dhe arti. “Shteti, shoqëria, ekonomia”, “Feja dhe mendimi”, Shkenca dhe edukimi”, “Jeta e përditshme dhe komunikimi”, “Gjeneaologji, kronologji”, “Letërsi”, “Arkitektura dhe artet e bukura”, “Të performosh në art dhe muzikë”, “Europa dhe osmanët”, janë titujt e kapitujve, të ndarë brenda tyre dhe në nën zëra, si punime studimore të autorëve të ndryshëm.

Libri ka ilustrime fotografike të një cilësie të lartë, çka ndihmon lexuesin në zbërthimin më në detaje të lëndës.

Një rastësi krejt e çuditshme: Ndërsa ishim duke biseduar me kryetarin e Fondacionit ALSAR, zotni Gurrën, në zyrën e tij për librin në fjalë, hyn në derë një ndër punonjësit e institucionit me nje arkë letre goxha të rëndë, të cilën, me një buzëqeshje të veçantë, ia la Mehdiut në tavolinë. “Shef, sapo erdhi me avion pakoja e parë e librave – raportoi ai – pasnesër vjen e gjithë ngarkesa, që ka mbërritur në Selanik”…

Bëhej fjalë për një tjetër vepër voluminoze të botuar nga ALSAR, është lënda e plotë, në origjinal, e revistës “Diturija” të Lumo Skëndos, e viteve 1909-1929, e cila bashkë me “Kalendarin Kombiar” të Kristo Luarasit dhe Mit’hat Frashërit, që ALSAR e botoi vitin e kaluar, përbëjnë një dhuratë të veçantë dhe tepër të çmuar për studiuesit dhe lexuesit shqiptarë.

Shkruan: Zylyftar Hoxha