` . Qysh vdes njeriu, për me rrune! – TV-SHENJA

Qysh vdes njeriu, për me rrune!

Shkruan: Fjolla Spanca 

Rrugët po ndriçohen me zana njomakësh. Kanga çel prej fundit t’shpirtit. Gëzimi i tyne asht si ai qumështi i sapomjelë, i pastër, i dëlirë! Pleqtë janë mbërthy në lumtuni, të pakrahsueme. I shoh se si përgatiten… Ilaçet e coptume i kanë rendis në nji kutizë dhe i dallojnë sipas ngjyrave: për zemër, për diabet; për yndyrë; për tension; etj. etj. Pyes veten, qysh kanë me ja dal mbanë?! Të kërrys prej moteve, me mijëra kujtime e dhimbje n’krahnor… e sërish të pathyem! A thue e majnë këtë Ramazan? Si? Sa zor!

‘Janë kohna tjera kto’ – m’tha nji za i lehtë, si ai flladi n’prag iftari. ‘Kena agjinue atëherë kur s’kena pasë bukë! Kena agjinue arave me barrën te fyti! Kena agjinue dimnave t’gatë e vernave pa pikë uji! Me e lanë agjinimin tash që i kena sofrat si mreti?! Mos o Zot! Tek e mrama, agjinimi asht me u heshtu, me digju, me fal, me dhanë, me lexu, mos mu idhnu edhe mos me u lavdu.”

E ula kryet!

E jona dynja asht matematikë e gabueme! Ose na jena n’dert t’ngatërruem!

Ka ditë që t’përvëlon etja;
t’huton etja,
të tremb etja.

Etja, të shtyen me fol vet me vete!
Etja për paaaak ujë. Veç pak. Nji pikë…

 durim.

Dashnia për TY asht ma e madhe se krejt uji i botëve!

Malli për me u afrue me TY:

kur e rrok shpirtin, s’pyet ma për gjana t’imta!

 Në kohë trazinash, njeriu e ngushtoka Shpirtin e vet deri n’harresë. Na harrojmë lehtë se ç’Besë kemi dhanë në Zanafillë, pasi dëshmuam për Ekzistencën e Hyut! Harrojmë se si zemra jonë e përfshiu Dashninë për Krijuesin atëherë kur as Qielli e as Toka nuk patën forcë me e përthekue Amanetin. Pra, na e kena harru Fjalën, e kena pluhnos emnin e t’Dashtunit tuj bredhë shpërfillshëm udhëve me kalldrëm idhnimi. E kena harrue Andrrën për nji Ditë kur ndën nji flamur takohen shpirtnat e atyne që ulën shikimin, shtrënguen brezin e i shtuan përpjekjet teksa duar-ngritun prisnin Faljen dhe Dashninë!

se dashnija jote a e lehtë,

m’dhimsen sytë

nëse s’kanë me t’Pa!

Maj, 2018

Pranverë e vonë. Shi i prajshëm. Aromë blini, gjithanej. Po vjen … po vjen Ai. Ai që i sjellë tana stinët në buzën e thame. Po vjen Ai që e liron Tokën nga marazi! Nji muej i shtruem n’Lutje t’Heshtuna! Nji qiell po zbret n’zemrën e t’etunve për paqë! Asht tuj ardhë Kremta për të përmalluemit! Portat e Hapuna, puhiza e muzgut edhe agsholi… tanë po e presim! Aroma e gojës së agjinuesit e dëfton Mysafirin! Nuk asht jabanxhi! Ka qenë anëve tona edhe vjet! Na e llogarisim kohën dhe duket sikur s’asht largu asnjëherë prej nesh! Ka qenë Aty; tuj i vrojtu zemnat tona! Helbete!

Shpejt, shpejt! Ja, u ndezën kandilat. Buçet kanga e fëmijëve t’lagjes. “Jandi-Kandilar, për me bo Iftar”. Gati edhe pitalkat. Afroja miqve ujin e hurmat. Kush do llokume? Ja, ca petulla sa për fillim. Nji tas me sup? Patjetër, me pak long, djath dhe speca. Pilaf apo laknor? Shalqi a pjepën? Ah, sa kish shku edhe nji bardak çaj, me limon!

OH, ç’ngazëllim!

Vetmitare asht Jeta

për t’dashunuemin n’Ty

e akulltë asht Bota

për atë që kërko Drejtësi!

 ama, Dashnia asht

veç me Ty!

 Ndërkohë që orvatem me i mbledhë ca rreshta të hallakatun në mua, kujtoj që rreth e përqark janë mijëra frymë duke u orvatun për të mbijetu! Ky Muaj nisi me lotët e palestinezve! Lotët e atyne që i mësojnë botës se qysh vdes njeriu për me rrnue! Ramazani nisi tuj na e perkujtue madhninë e Librit dhe Fjalës! Ramazan siç thonë të moçmit, erdhi për me i paqtue të trazuemit; me i shkund të përgjumunit dhe me i bashkue të idhnuemit. Erdhi për me na e rikujtue se sa e lehtë asht jeta kur na falim; se sa e gjanë asht Bota kur na japim e marrim!

Ramazani i ktij vjeti, sikur don me na kallzue se asht e kot veç me jetue! Pra, asht pak me e kalue jetën n’huti. Shpirti asht ba për me i përthekue bukuritë dhe me i shoshitë dhimtë. Me i ngjye ato me bojnat e Kuptimit dhe Urtnisë! Ky Mysafir i Begatë, sikur asht tuj na e thanë se ka vend për të tanë, në nji dynja që zgjatë, sa ai pushimi ndën hije t’lisit!