` . Qeveritarët optimistë për arritjen e kompromisit me opozitën për PSP-në (Video) - TV-SHENJA

Qeveritarët optimistë për arritjen e kompromisit me opozitën për PSP-në (Video)

Kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Drejtësisë, Renata Deskovska janë optimistë që do të arrijnë gjuhë të përbashkët me VMRO DPMNE-në dhe partitë e tjera politike për Ligjin për Prokurori Publike, kur përfshihet edhe PSP-ja. Ministrja e Drejtësisë i bëri thirrje VMRO DPMNE-së që t’i thirrë ndërgjegjes dhe ta harrojë idenë për amnisti të fshehtë, pasi kështu vetëm do ta bllokojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt BE-së dhe sundimit të drejtësisë në shtet.

RENATA DESKOVSKA, MINISTRE E DREJTËSISË

“Kemi komunikim me të gjithë partitë. Uroj që të arrijmë konsenzus duke respektuar principet e Komisionit Evropian dhe sundimit të së drejtës në shtetin tonë. Shpresoj që tashmë tek partitë politike është pjekur vetëdija për atë që kërkesa për amnisti nuk guxon dhe nuk duhet të bëhet. Insistojmë që të përfshihen të gjithë principet e sundimit të së drejtës, që do të thotë, të përjashtohen të gjithë mundësitë për amnisti të fshehur. Nga ky princip nuk mund të bëjmë përjashtime. Përfundimisht VMRO DPMNE duhet t’i thirrë ndërgjegjes dhe të kuptojë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet nëpërmjet ligjit”

Kryeministri Zaev shpreson që këto ditë, të dy palët, pushteti dhe opozita, të dalin me njoftimin se është arritur marrëveshjes dhe ligji të kalojë për votim në Parlament. Edhe ai është optimist se grupet e punës do të arrijnë marrëveshje për tekstin e ligjit para datës 29 të këtij muaji, kur duhet të publikohet raporti i Komisionit Evropian mbi Maqedoninë e Veriut.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR

“Unë mendoj se të paktën do të duhet të arrijmë marrëveshje dhe të njëjtën ta publikojmë, e pastaj Parlamenti ta verifikojë ligjin. E dimë se raporti i Komisionit Evropian do të jetë pozitiv, por nuk duhet të lëmë asnjë njollë ose mundësi për prolongim të mëtutjeshëm. Dialogu nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë po vazhdon, ndonjëherë ka përfafrim e pastaj kthehet përsëri puna për ndonjë korigjim, detaj, megjithatë procesi po ecën. Besoj se gjatë këtyre ditëve, para publikimit të raportit të KE-së, do të arrijmë të rrumbullakojmë procesin, dhe të dy palët negociuese të dalim me njoftim se është arritur marrëveshje”

I pyetur lidhur me paralajmërimin e partive shqiptare në opozitë për kushtëzim të votës për ligjin e PSP-së në këmbim për rigjykim ose zbardhje të drejtë të rastit “Alfa”, Zaev tha se ka patur takime me partitë opozitare shqiptare dhe askush nuk ka bërë kërkesë të tillë pasi as nuk ka mundësi që të bëjë asilloj kërkesë, duke marrë parasysh se ai është kryeministër, një person politik, i cili nuk ka lidhje me gjyqësorin. E vetmja gjë që ai tha se ka mundësi të bëjë është që të apelojë deri tek gjykatat për gjykim të drejtë, të argumentuar mirë, dhe asgjë tjetër. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/