` . Qeveria e Serbisë shpall të padëshiruar ministrin kroat të mbrojtjes – TV-SHENJA

Qeveria e Serbisë shpall të padëshiruar ministrin kroat të mbrojtjes

Qeveria e Republikës së Serbisë në mbledhjen e sotme ka vendosur për masat e reciprocitetit ndaj Kroacisë, sipas së cilës zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Damir Krstiçeviç, deri në vendimin e radhës është i padëshiruar në Serbi, transmeton AA.

Qeveria e Serbisë njofton se masa e reciprocitetit është marrë si përgjigje ndaj notës së Ministrisë së Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë për ndalimin e hyrjes të ministrit serb të mbrojtjes Aleksandar Vulin në Kroaci.

“Qeveria e Serbisë konsideron se veprimet e tilla të Kroacisë janë në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe respektit të vlerave themelore evropiane, ku bënë pjesë edhe lëvizja e lirë e njerëzve”, thuhet në kumtesë.

Poashtu më tej potencohet se Qeveria e Serbisë mbetet e përkushtuar në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kroacinë, duke u përmbajtur nga veprimet që mund të çojnë në prishjen e marrëdhënieve me fqinjët.

“Qeveria e Serbisë mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe respektit të parimeve dhe vlerave evropiane, në interes të të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe rajonit”, theksohet në deklaratë.

Ministria e Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, më 21 prill njoftoi se ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, nuk është i mirëpritur në Kroaci deri në njoftimin e mëtejshëm, sepse pas polemikave në opinionin kroat rreth vizitës së tij në Kroaci, pati deklaraur se në lidhje me të mund të vendos komandanti suprem i Ushtrisë së Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, dhe jo ministrat kroatë. Kjo u vlerësua si “përpjekje e pashembullt dhe e papranueshme për mohimin e sovranitetit të Kroacisë”.