` . Qeveria e Kosovës emëron anëtarët e Komisionit për demarkacion të kufirit – TV-SHENJA

Qeveria e Kosovës emëron anëtarët e Komisionit për demarkacion të kufirit

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e saj të katërt me radhë, në të cilën ka miratuar disa projektligje, ka bërë edhe emërimin e anëtarëve të Komisionit për demarkacion të kufirit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës thuhet se Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror do të përbëhet nga: Shpejtim Bulliqi, kryesues dhe anëtarë Zejnullah Gruda, Martin Berishaj, Hamit Basholli dhe Florim Isufaj.

Në komision do të ketë edhe nga një përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Infrastrukturës; si dhe dy përfaqësues të komunitetit, pa të drejtë vote (Riza Smakaj dhe Zymer Neziri).

Kryeministri Ramush Haradinaj, në ditën e parë të detyrës së tij si kryeministër kishte propozuar krijimin e një tjetër komisioni për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, të cilin qeveria e miratoi. Haradinaj pastaj urdhëroi formimin e një komisioni të ri.

Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e kaluar nuk arriti të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin midis Kosovës dhe Malit të Zi, e arritur dy vite më parë, për shkak të kundërshtimit të opozitës, ndër të cilat ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kryeministrit Haradinaj. Ratifikimi i kufirit me Malin e Zi është kushti i fundit që Kosova duhet të përmbushë për të marrë liberalizimin e vizave nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri Haradinaj në këtë mbledhje po ashtu ka njoftuar kabinetin qeveritar se do të fillohet me procedimin e përzgjedhjes së bordit të “Trepçës”, me plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për përvojën e punës dhe procedimin me obligimet e Qeverisë ndaj kategorisë së grave viktima të luftës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për buxhetin e Kosovës për vitin 2017. Në mbledhjen e sotme, janë miratuar nismat për nënshkrimin e marrëveshjeve financiare trelaterale për Programin e bashkëpunimit ndërkufitar të IPA II me Shqipërinë dhe Malin e Zi.