` . Punë fushate! – TV-SHENJA

Punë fushate!

Ana tjetër paradoksale e kësaj fushate është fakti se shumë politikanë shqiptarë marshit të përbashkët i bashkëngjiten duke bartur flamurin e Maqedonisë, që njëherësh është edhe flamuri i maqedonasve, aty-këtu edhe flamurin e BE-së, ndërsa jo edhe atë shqiptar. Simbolet shqiptare mungojnë, edhe pse kontesti i Greqisë përkon përgjithësisht me emrin dhe simbolet maqedonasve

Shkruan: Iljasa Salihu, Kumanovë

Fushatat në Maqedoni zakonisht janë të mërzitshme, hipokrite dhe të kushtueshme. Kur është fjala për fushatë zgjedhore, partitë garojnë ndërmjet vete se cila më shumë po e akuzon tjetrën, po ashtu duke mos harruar të tregojnë se cila është më patriote e kombëtare se tjera. Emocioni dhe euforia lundrojnë sikur anijet nëpër ujëra të qeta. Pikërisht përmes këtyre ndjenjave arrihet të mposhtet dukshëm arsyeja, mposhtje kjo që do t’i ndihmojë shumë politikanët në shtrimin e rrugës së mashtrimit. Krejt të ndryshme paraqiten pasi të përfundojë fushata. Fillojnë përllogaritjet personale e partiake. Akuzat e mëhershme marrin arratinë. Ai që para një muaji i thoshte kundërshtarit partiak kriminel e hajdut, tani i afrohet me fjalë të buta, duke publikuar fillimisht ndonjë fotografi së bashku dhe, në fund, gjoja për hir të interesit të përbashkët shpallin aleancë dhe tutje assesi nuk e kritikon, e të mos flasim që të merret me akuzat e rënda të hedhura përgjatë fushatës zgjedhore. Harrojnë ata se akuza duhet të ndriçohet gjer në fund. Përndryshe, ai që akuzonte për krim e vjedhje dhe që tani hesht si hut, krimi dhe vjedhja parimisht i faturohen atij.

Për dallim prej fushatave zgjedhore, muaji shtator në Maqedoni karakterizohet me një fushatë tjetër, atë të referendumit për ndryshimin e emrit dhe hapjen e rrugës së integrimit. 1 milion e 300 mijë euro është shuma që parashihet të shpenzohet për fushatën e referendumit. Si rrjedhojë e kësaj atmosfere, Maqedonia po i ngjan një vendi të pelegrinazhit. Përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme të botës erdhën në Maqedoni për t’i dhënë mbështetje fushatës së referendumit. Kjo fushatë mori dhenë. Me këtë po dëshmohet se qytetarët mund të mos e përkrahin referendumin, ndaj fushata po shoqërohet me sa më shumë pluhur e zhurmë, duke pasur për qëllim të krijohet përshtypja se përkrahja e referendumit është shpëtim për shtetin dhe qytetarët. Sa më e dendur fushata, aq më i thellë dyshimi për sukses!

S’do mend se gjithë kjo furtunë në palën maqedonase mund të kuptohet, ngaqë një pjesë jo e vogël e maqedonasve kanë deklaruar haptas se nuk e përkrahin referendumit dhe një pjesë tjetër për arsye të ndryshme nuk e kundërshtojnë haptas, por më 30 shtator nuk do të duken para kutive ku votohet PËR ose KUNDËR referendumit. Kryeministri i Maqedonisë, këtë dështim të mundshëm, e nuhati, ndaj edhe seriozisht i përveshi llërët që të jetë sa më i gjallë përgjatë kësaj fushate.

Ata që janë kundërthënës të dukshëm në këtë fushatë janë politikanët shqiptarë. Në njërën anë thonë se nuk ka dyshim që shqiptarët fuqishëm dhe njëzëri janë për NATO dhe për BE, madje këtë orientim e kanë dëshmuar edhe në të kaluarën e afërt dhe të largët, ndërsa me gjithë mend përmes fushatës ftojnë në përkrahje të integrimit të vendit për në NATO dhe për në BE, edhe pse shumica e këtyre thirrësve, përpos eurove të vjedhura, nuk kanë asgjë të përbashkët me Evropën. Aq më tepër, nëse matet me standarde të Evropës, lloji i këtyre do të duhej të ishin pastrues nëpër burgje ose të privilegjuar si pastrues rrugësh. E habitshme, por këta janë të bindur se shqiptarët ose, thënë më ndryshe, shumica dërrmuese e shqiptarëve do të votojnë PËR në ditën e referendumit, por nuk ndalen së bëri fushatë thirrjeje. Kjo pa dyshim është tallje me mençurinë e qytetarëve që hiqen se i përfaqësojnë.

Ana tjetër paradoksale e kësaj fushate është fakti se shumë politikanë shqiptarë i bashkëngjiten marshit të përbashkët, duke bartur flamurin e Maqedonisë, që njëherësh është edhe flamuri i maqedonasve, aty-këtu edhe flamurin e BE-së, ndërsa jo edhe atë shqiptar. Simbolet shqiptare mungojnë, edhe pse kontesti i Greqisë përkon përgjithësisht me emrin dhe simbolet maqedonasve. Pavarësisht shkallës së lartë të ndjeshmërisë kundrejt Greqisë, maqedonasit sërish po dëshmojnë se identitetin dhe simbolet e veta kombëtare me krenari i përurojnë dhe i mbrojnë, për dallim prej shqiptarëve, të cilët kur është fjala për t’i joshur votuesit dalin vetëm me flamuj shqiptarë, kurse në sheshin e vendimmarrjeve të rëndësishme ngjasojnë me kohën e bashkim vëllazërimit të kohës së Jugosllavisë, koncept ky tashmë i dëshmuar si i dëmshëm dhe natyrshëm i dështuar.