` . Psikoza e ikjes... nga sytë këmbët - TV-SHENJA

Psikoza e ikjes… nga sytë këmbët

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, sikurse në fjalorin “Le Petit Robert” të gjuhës frënge (por dhe fjalorë të tjerë) shpjegohet se me termin “psikozë” kuptohet një sëmundje mendore, pavarësisht se i prekuri prej saj nuk e kupton kështu gjendjen e vet. Me dhimbje dhe keqardhje duhet të pranojmë se kjo sëmundje e rëndë ka kapluar popullin e shoqërinë shqiptare gjatë tri dekadave të fundit

Abdi Baleta

*  *  *

Mjetet e informimit publik në Tiranë herë pas here tërheqin vëmendjen në disa simptoma të kësaj “prikoze të ikjes”. Sipas një sondazhi të “Gallupit”, 56% e shqiptarëve të pyetur janë shprehur se duan të ikin nga Shqipëria. Në gazetën “Dita” (22 shtator 2017) shënohet se 80,000 azilkërkues shqiptarë janë në pritje të përgjigjes në vendet e BE-së. Gazetari Lutfi Dervishi përmendi në një studio televizive se Shqipëria radhitet e dyta, pas Somalisë, për ikjen e njerëzve nga vendi. Në seancat e para të parlamentit të ri shqiptar, një deputet rishtar, kishte zgjedhur si subjekt të retorikës së tij pikërisht dukurinë e ikjes së shqiptarëve nga sytë këmbët. Studiuesi i problemeve demografike, Prof. Dr. Ilia Telo, në gazetën “Telegraf” (9 gusht 2017) shkruante se në vitin 1913 Shqipëria e sapo pavarësuar nga Perandoria Osmane kishte 740,000 banorë (që përbënin vetëm 38% të popullsisë shqiptare në Ballkan). Më pas numri i banorëve ka qenë si vijon: 814,000 (1923), 1,122,000 (1945), 3,182,000 (1989) dhe 2,800,000 (regjistrimi i vitit 2011). Sipas specialistit, deri në vitin 1945 popullsia e Shqipërisë është rritur 38%, kurse gjatë regjimit komunist pothuajse është trefishuar. Në vitet 1960 Shqipëria zinte vendin e parë në Europë për rritjen e popullsisë me 3%. Pas vitit 1990 lindshmëria ka rënë dukshëm, ndërsa në mjetet propagandistike thuhet se 30%-40% e shtetasve të Shqipërisë kanë përfunduar në emigracion. Por Shqipëria ende nuk ka të dhëna të sakta e zyrtare për numrin e të emigruarve. Vetëm tani po shtrohet “seriozisht” problemi i përgatitjes së listave të emigrantëve, sepse mendohet që ata të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pas katër vitesh.

Emigrimi ikanak i shqiptarëve jashtë vendit ka vite që është bërë si rrugëdalje e detyruar e njerëzve nga hallet e jetës dhe njëkohësisht temë e preferuar për demagogjinë politikanëve, qeveritarëve e opozitarëve. Ikja e shqiptarëve nga atdheu është kthyer tashmë në “hemoragji demografike”, që Shqipërisë i jep nam të keq në Europë. Shqiptarët tani janë kthyer përsëri nga “popull sedentar”, që gjalloi si i burgosur gjatë periudhës së sundimit komunist, në “popull ikanak” në dhera të huaja, siç kanë qenë historikisht. Politikanë e pushtetarë të lartë turq kanë pohuar se në Turqi jetojnë sot shtetas turq me origjinë shqiptare në numër më të madh sesa ai i shqiptarëve në Ballkan. Edhe në Greqi ka disa milionë qytetarë grekë, të quajtur arvanitas, me prejardhje të largët shqiptare, siç janë dhe arbëreshët në Itali apo diasporat shqiptare në shumë vende të tjera të afëta e të largëta. Shqiptarët kanë emigruar historikisht për arsye të ndryshme ekonomike, politike, psikologjike. Por ata edhe janë dëbuar nga trojet e tyre nëpërmjet genocidesh e spastrimesh etnike nga pushtuesit e armiqtë.

“Hemoragjia demografike” shqiptare bëhet më e dhimbshme se kurrë tani kur ekzistojnë dy shtete shqiptare. “Gjaku demografik” shqiptar po rrjedh si “transfuzion demografik” për popuj të tjerë në vendet e zhvilluara e të përparuara, që kanë nevoja të mëdha për transfuzione të tilla, pavarësisht se hiqen sikur janë të detyruara që për bamirësi të presin imigrantët që u behin në derë. Shqiptarët në botë po vështrohen më tepër si ai njeriu i shëndetshëm që për mbijetesë detyrohet të japë gjak.

Fatkeqësisht dukuria e “hemoragjisë demografike” po justifikohet si lehtësim për shqiptarët në kushtet e vështira ku ata janë, ndonëse pasojat e saj qysh tani janë dukshëm negative. Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor u njoftua se në klasën e parë të shkollës fillore sivjet regjistrohen përafërsisht 33,000 nxënësë. Deri para disa vitesh shifra e fëmijëve të regjistruar në klasën e parë kalonte mbi 50,000. Pra, ka një rënie të fortë në numrin e fëmijëve të lindur në Shqipëri, që në vitet 1960 ishte 5-6 fëmijë nga një nënë në moshë fertile (sipas I. Telo). Rënia është në radhë të parë rrjedhojë e emigrimit të të rinjve shqiptarë. Sigurisht ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si ndryshimet në psikologjinë e mënyrën e jetesës së çifteve të reja në Shqipëri, që duan të kenë më pak fëmijë, rritja e kërkesave për jetë më moderne apo më të rehatshme për prindërit dhe fëmijët. Pra, gërshetohen një numër faktorësh ekonomikë, socialë e psikologjikë që çojnë në ulje të lindshmërisë.

Dukuritë demografike në Shqipëri deri tani nuk janë trajtuar me shqetësimin që duhet. Më shumë është bërë demagogji e shpëlarë e retorikë e përciptë politike, pa analiza të thelluara e pa masa konkrete për parandalimin e regresit. Veçanërisht janë të pakta analizat e mirëfillta të faktorëve që kanë ndikuar në krijimin e psikozës për të ikur nga sytë këmbët. Ende nuk ka analiza të thelluara se si ka ndikuar e po ndikon në mbajtjen gjallë të psikozës së ikjes, neuroza e përgjithshme që krijoi në popullin shqiptar diktatura komuniste për gati gjysmë shekulli me marrëzitë e saj për të mos lënë “pikë gjaku shqiptar” të rridhte qetësisht e normalisht përtej vijës së kufirit. Pasojat e rënda të kësaj politike në psikikën popullore u ndjenë tmerrshëm gjatë çmendurisë së madhe që i zuri shqiptarët kur diktatura komuniste ishte në grahmat e fundit. Nuk mund të shlyhen nga kujtesa e njerëzve e dokumentat e kohës skenat rrënqethëse, kur shqiptarët në fillm të viteve ’90 u turrën me dhjetëra mijë njëherësh drejt kufijve tokësorë e detarë, vetëm për “të ikur nga ky vend”. Ishtë një “hemoragji demografike” akute, masive, e paparë që vepron ende tragjikisht në psikologjinë popullore. Gjurmët e furia e atëhershme e shfrenuar “për të ikur nga ky vend” jo vetëm që nuk është fashitur, por zbulohen frikshëm sa herë shpërthejnë fushata të reja ikjeje, edhe pse këto janë po aq të përligjura sa atëherë nga gjendja reale në Shqipëri.

Pas “hemoragjisë së madhe demografike” të viteve ’90, “gjaku demografik” shqiptar ende nuk i ka fituar aftësitë mpiksëse që plaga të shërohet mirë. Njerëzit përsëri nxiten nga shumë shkaqe, objektive dhe subjektive, që të ikin. Arsyet objektive të ikjes duhet të kuptohen; dëshirat për të ikur në shumicën e rasteve duhen mirëkuptuar. Njerëzit kanë të drejtë të kenë e të kërkojnë “jetë më të mirë”, të lëvizin, të shohin, të mësojnë, sidomos kur e humbin besimin se këto gjëra mund t’i arrijnë t’i gjejnë brenda vendit të tyre. Por sot ikjet më të mëdha nuk diktohen më nga vështirësitë materiale për jetesë, si në fillimin e viteve ’90. Ikjet ndodhin më shumë ngaqë njerëzit në Shqipëri janë të çoroditur nga korrupsioni, nga mungesa e drejtësisë, nga shërbimi shëndetësor zhvatës, nga rënia e nivelit në fushën e arsimit, nga amullia e paaftësia e aparatit administrativ, nga pasiguria e përgjithshme që ndihet në jetën e përditshme dhe mungesa e perspektivës së qëndrueshme. Shqiptarët i nervozon shpërpjesëtimi i madh i krijuar në nivelet e jetesës, ndërmjet shtresave të ndryshme të popullsisë, ndërmjet atyre që nga hiçi janë pasuruar në mënyrë përrallore nëpërmjet formash të paligjshme, dhe shtresave që jetojnë në varfëri, madje ekstreme. Jo vetëm vështirësitë ekonomike por edhe tensionet e pasiguria shoqërore i shtyjnë shqiptarët të shpresojnë të gjejnë diçka më të mirë në vende të tjera. Prandaj rritet numri i shqiptarëve që besojnë se vetëm jashtë Shqipërisë mund të gjejnë lumturinë që u ka munguar ose u mungon, ose që duan ta provojnë jetën në “parajsën e superzhvillimit” jashtë vendit të tyre.

Pra, shoqëria shqiptare nuk po arrin të udhëhiqet nga ide të qarta, as nga mekanizma të përgjegjshëm për të marrë masa që të zbutet sa më shumë të jetë e mundur psikoza “të ikim nga sytë këmbët”. Politika dhe qeverisjet që ka provuar Shqipëria pas komuniste deri tani vetëm sa kanë ndikuar që kjo psikozë të rëndohet, deri në atë masë sa Europa tani po e shfaq hapur zemërimin me Shqipërinë e shqiptarët dhe po i kërcënon me rikthimin e sistemit të vizave, për ta kthyer Shqipërinë në një “geto të dytë” në Europë, siç vazhdon të mbajë Kosovën. Problemet e grumbullura janë aq të rënda e të koklavitura tashmë sa nuk mund të shpresohet që në një të ardhme të afërt gjërat mund të vihen në vijë dhe “psikoza të ikim nga ky vend” të shërohet si duhet.

Në Shqipëri ende nuk po bien fort këmbanat e alarmit për plakjen me shpejtësi të popullsisë dhe për problemet që do të krijojë kjo plakje më vonë për zhvillmin ekonomik të vendit, si probleme sociale në fushën e detyrimeve ndaj popullsisë në pension që po rritet etj. Hallkat përgjegjëse politike e qeverisëse po sillen sikur këto probleme janë diku pas malit dhe shoqëria e shteti shqiptar nuk do të ndeshen shpejt me to. E keqja po bëhet edhe më e madhe pasi rrugën e emigrimit po e marrin, madje edhe kundër dëshirës së tyre, gjithnjë e më shumë njerëz nga shtresat e mesme të shoqërisë, të cilët nuk emigrojnë si rrjedhojë e mungesës së kushteve të jetesës apo të të ardhurave. Kjo shtresë emigron pasi psikologjikisht nuk e duron dot më atmosferën mbytëse shoqërore, hipokrizinë politike e propagandistike që po i zë frymën; se nuk mund të pajtohet me nëpërkëmbjet e dinjitetit njerëzor nga shteti, pushteti, administrata, nga mjetet e propagandës, nga përhapja e veseve dhe zbehja e virtyteve në shoqëri etj. Është vërtet problem i madh shqetësues që në jetën politike, pushtetore, shoqërore dhe intelektuale shqiptare njerëzit e ndershëm, ata që duan t’i përkushtohen përparimit të vendit, po i gjejnë gjithnjë e më shumë të mbylluara rrugët për të dhënë ndihmesën e tyre. Emigrimi i deritanishëm ka sjellë edhe të keqen e madhe që nga Shqipëria ka pasur “largim të trurit”, siç quhet largimi i njerëzve me përgatitje shkencore, intelektuale e profesionale. Kjo për Shqipërinë sjell dëme shumë më të mëdha sesa për vende të tjera, sepse Shqipëria mezi arriti të krijonte disa shtresa njerëzish të tillë. Ky largim i të diturve e të përgatiturve po zhvleftëson ato investime që kanë qenë bërë deri tani për të krijuar këto shtresa.

Dikur, dashakeqët e shqiptarëve u binin borive të alarmit se shqiptarët shtoheshin si minjtë e rrezikonin vendet e popujt fqinjë. Është e njohur shprehja e politikanëve shovinistë serbë: “na mundën nënat shqiptare” (që lindin shumë fëmijë) dhe kjo pengonte politikat e deshqiptarizimit në Kosovë e në Shqipërinë Lindore. Dikur kemi pas dëgjuar mburrje naive të disa politikanëve ose intelektualëve shqiptarë se në saje të lindshmërisë së lartë me kalimin e kohës shqiptarët do të bënin zap politikat agresive të Serbisë e të Maqedonisë ndaj tyre dhe do t’i arrinin më lehtë e me më shumë përfitime objektivat e tyre kombëtarë. Mirëpo eksodet tronditëse të shqiptarëve nga Shqipëria drejt Greqisë e Italisë, në fillim të viteve ’90, si dhe spastrimi etnik masiv dhe i rrufeshëm i shqiptarëve nga Kosova në vitin 1999 ua dhanë shqiptarëve mësimin e hidhur se shtimin e popullsisë që mund ta arrijnë me dekada apo shekuj mund ta humbasin vajtueshëm edhe brenda pak ditësh.

Prandaj duhet të mendojmë se “psikoza e ikjes … nga sytë këmbët” është sëmundje e rrezikshme për kombin shqiptar dhe duhet kuruar e shëruar me shumë kujdes, vendosmëri e zgjuarsi. Nuk kemi të drejtë dhe as ka për të na dëgjuar kush t’u themi njerëzve se nuk duhet të lëvizin nga vendi, se nuk janë në të drejtën e tyre të kërkojnë një jetë më të mirë atje ku mendojnë se mund ta gjejnë, apo ta gëzojnë përgjithnjë atje ku e kanë gjetur tashmë. Gabojmë po të mendojmë se janë më pak shqiptarë të ikurit nga ata të tjerët që nuk ndjekin këtë rrugë. Por problemet që lindin për kombin shqiptar e shtetet shqiptare nga praktikat e zhvendosjeve të mëdha të popullsisë shqiptare, nga “hemoragjitë demografike” që godasin herë pas here kombin shqiptar duhen trajtuar me synimin për të ngadalësuar përparimin gërryes të ikjeve nga sytë këmbët, që dëshira dhe e drejta për lëvizje të lirë të realizohen nga shqiptarët me dinjitet e pa krijuar probleme të reja.

Kemi të drejtën të themi se në fund të fundit barrën më të rëndë njerëzore e patriotike për shërimin e plagëve do ta mbajnë ata shqiptarë që nuk do t’i dorëzohen psikozës “të ikim nga sytë këmbët prej këtij vendi”. Fatet e vendit do të mbeten më shumë në duart e atyre që nuk do të ndjekin rrugët e dyzimit shpirtëror, mendor e qytetar. Tani duhet të mbajmë parasysh se “Shqipëria ikanake” është më e gjerë, më e përhapur, mbase më e qetë dhe e gëzuar sesa “Shqipëria sedentare”. Por koha e ngjarjet bëjnë punën e vet. Përgjegjësitë konkrete të atyre që zgjedhin të qëndrojnë në vend, megjithë vështirësitë që përballen në “Shqipërinë sedentare”, do të kenë gjithsesi një peshë më të rëndë se të atyre që do të ushqehen e ngushëllohen me “nostalgjinë për vendin e prejardhjes”.

*  *  *

Nuk jam përkrahës propagandistik i thirrjes “kthehuni mërgimtarë!”, sepse e di që kushtet e tanishme dhe ligjësitë e zhvillimeve historike, demografike, shoqërore, politike e psikologjike janë të atilla që pengojnë proceset e rikthimit të të gjithëve apo të shumicës së të mërguarve. Jam i vetëdijshëm se këto ligjësi do të nxisin më shumë integrimet, madje dhe asimilimet e tjetërsimet e shqiptarëve atje ku ata kanë shkuar. Dhe kjo duhet konsideruar si dukuri progresive, jo regresive. Por mbetem përkrahës i thirrjes: “Mërgimtarë! Kujtohuni dhe përpiquni që midis dy Shqipërive: “ikanakes” dhe ”sedentares” të ketë lidhje sa më të forta e të zgjatura në kohë”.

Postime të Ngjajshme