` . Pseudopolitika e pseudopolitikanëve - TV-SHENJA

Pseudopolitika e pseudopolitikanëve

Shkruan: Ismail Sinani

As pesimistët më të mëdhenj kurrë nuk do të kishin besuar se zhvillimet politike në Maqedoni do të arrinin në këtë shkallë! Në përgjithësi të gjithë në brendinë e tyre kishin një fije shpresë se megjithatë do të vijnë ditë më të mira e, bashkë me to, edhe një përparim, qoftë ai edhe minimal.

Por, ja që edhe pas shumë vitesh e pranverash, shqiptarët në Maqedoni janë dëshmitarë të një kriminaliteti të theksuar politik, i cili tashmë ka filluar ta marrë edhe haraçin e vet.

Ekzaltimet e liderëve politikë shqiptarë, që bashkëbisedojnë me kolegët e tyre maqedonas tashmë prej disa muajsh, qartë shihet se janë një farsë, e cila në projeksionin e vet e ka marrjen edhe një herë të votës së shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato në prill, qershor ose edhe shtator… dhe asgjë më tepër! Pastaj dihet, sundimi me shqiptarët edhe katër vjet.

Tjetërsimi i identitetit politik, që e kanë përjetuar dy partitë politike shqiptare, BDI dhe PDSH, sot shqiptarin – atë vdekatarin e rëndomtë, e kanë sjellë në shkallë të humbjes së vizionit jo për të ardhmen e vendit ose të shoqërisë, por edhe të vullnetit për të jetuar në këtë mes.

Ndonëse askush nuk flet, qytetarët e këtij vendi, në përgjithësi, dhe shqiptarët në veçanti, po përjetojnë njëfarë holokausti politik intraetnik, duke i bërë ata tashmë të dallueshëm në gjithë Ballkanin.

E, në anën tjetër, paturpërsia politike vazhdon të marrë dimensione turpëruese, deri në atë shkallë, saqë vet protagonistët e këtyre ngjarjeve, ndoshta pas disa vitesh, do të skuqen kur ta shohin veten se si e kanë akuzuar politikën në Ukrainë, regjimin e Asadit në Siri ose edhe ndonjë lider tjetër aziatik, për krizën politikë që e ka mbërthyer Maqedoninë, e sidomos në fushën e integrimeve.

Ky rrënim i vlerave, i bërë nga këta pseudopolitikanë, po e sanksionon mirëqenien e përgjithshme, duke krijuar një diskurs fatalist për brezat e ardhshëm, që do të jenë me arsimim e, në fakt, pa arsimim, me tituj e, në fakt, pa tituj…

Të mbërthyer nga kjo ligësi, drejtuesit e politikës shqiptare në këtë vend janë bërë një “tampon zonë”, mes së keqes së përgjithshme dhe të mirës, të cilën dëshirojnë ta shijojnë si feud.

Idealin për të jetuar një jetë më të mirë me dinjitet e kanë nëpërkëmbur deri në atë shkallë saqë sot më nuk vlen asgjë për shoqërinë nëse je një mësues i mirë ose pedagog i dalluar. Sot duhet të jesh një vagabond politik, që gëzon mbështetjen e kryetarit të partisë, i cili të jep mbështetje në çdo veprim që e bën në “të mirë” të popullit.

Ç’është e vërteta, situata nuk është më mirë as në Shqipëri e Kosovë. Në Tiranë tashmë disa diplomatë me emër dhe mbiemër po e detektojnë problemin me korrupsionin dhe zhvatjen, ndërsa në Kosovë, si një “pashallëk i ndërkombëtarëve” çdo koment për politikën ka filluar të duket i tepërt!

Në Kosovë tashmë është krijuar mozaiku me kontrastin më të madh politik, që ka mundur të ekzistojë. Rrënimi i asaj që është paguar aq shtrenjtë, po bëhet me stil të veçantë. Pushteti, përmes vijës ndërkombëtare, nuk resht në dhënien e koncesioneve Serbisë, ndërsa opozita shkon deri atje, saqë ndonjëherë hapur flet se pushtetin dëshiron ta marrë me çdo çmim, qoftë edhe më metoda brutale. Ndërkaq për të qenë të hapur deri në fund, vet opozita nuk tregon se prej nga disa mbështetës të fuqishëm të saj (në aspektin ekonomik), të cilët kundërshtojnë krimin e organizuar, i kanë siguruar të gjitha ato të mira materiale.

Sidoqoftë “Dimri politik” në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri do të zgjasë si shumë, por “vera politike”, me gjasë, do të jetë edhe më e gjatë dhe më e nxehtë. Koha do të dëshmojë.

Postime të Ngjajshme