` . Pse Serbia ka frikë nga integrimi i serbëve në Kosovë?! - TV SHENJA

Pse Serbia ka frikë nga integrimi i serbëve në Kosovë?!

“Lindja” e Murit me rastin e rivatilizimit të Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për kryeministrin e Kosovës, është moment alarmi kur duhet të riformatohet ose reformohet dialogu me Serbinë. Nga ana tjetër, për opozitën dialogu ka vdekur! Por, si do ta gjejë veten në këtë mes politika kosovare, e cila i la kaq shumë terren Beogradit zyrtar në Kosovë, për ta luftuar integrimin e serbëve në Kosovë?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

 “Është e pakuptueshme që ne që gjashtë vjet zhvillojmë negociata në Bruksel me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve, ndërkaq një ditë na lind një mur i cili nuk është vetëm simbolikë, por është realitet i vullnetit të insistimit të Serbisë dhe të serbëve që të ketë ndarje në Kosovë”. Kështu shprehet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili sot është i bindur se dialogu me Serbinë duhet të riformatohet ose reformohet në mënyrë që Kosova të mos mbetet derisa Serbia e kryen rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian dhe Prishtina zyrtare të thotë se po dialogun, kurse Beogradi të mos zbatojë asnjë marrëveshje dhe gjithmonë të ketë shkas ose arsye që të justifikojë veprimtarinë dhe qëllimet e veta para BE-së.

Ky qëndrim i pakuptimtë i qeverisë së Kosovës dhe kreut të saj ndoshta do të ishte shpresëdhënës, edhe pse ata nuk kanë një strategji për daljen nga kriza, sikur në kampin politik opozitar të ekzistonte një alternativë tjetër. Por, kjo alternativë për fat të keq nuk shihet asgjëkundi në horizont. “Kosova duhet të jetë e barabartë në bisedime, duke pasur parasysh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por jo temat e brendshme të Kosovës të vihen në tavolinë, duke e favorizuar Serbinë në integrimet e reja evropiane, përderisa Kosova, në të njëjtën kohë, po mbetet e izoluar, duke mos pasur liberalizim të vizave”, thekson anëtari i Kryesisë së partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi, duke shtuar se një formë e tillë e dialogut e ka dëmtuar shumë Kosovën. Duke e marrë murin e ndërtuar së fundit në veri të Mitrovicës si shembull të ikjes së palës serbe nga zbatimi i marrëveshjeve, Isufi thotë se autoritetet e Kosovës duhet të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të garantojë zbatimin e tyre si palë ndërmjetësuese në bisedime. “Bashkimi Evropian, si garantues i marrëveshjeve, duhet të veprojë, sepse në mes të Evropës po bëhet një vendosje e murit që i takon shekullit të kaluar”.

Por, pse pikërisht ky mur ndërmjet projektit të Bashkimit Evropian dhe a mund të fajësohet vetëm Beogradi zyrtar për metodat sovjetike të shekullit të kaluar që përdor në një shtet me Kushtetutë supermoderne, që do ta kishin lakmi edhe shtetet skandinave? Apo, tashmë lëvizja e lirë e serbëve në jug të Kosovës është pengesë serioze për Beogradin zyrtar, që inskenon projekte të tilla?

Projektet sovjetike

Që nga dita e parë pas çlirimit të Kosovës, Prishtina zyrtare kurrë nuk është marrë seriozisht me Mitrovicën dhe integrimin e këtij qyteti, që sot lirshëm mund të thuhet se vetëm për faj të shqiptarëve u nda në dysh. Jo se ata e ndanë, por ata nuk ndërmorën asgjë për parandalimin e kësaj ndarje, që ishte e qartë se asgjë nuk po bëhej për inerci, por për qëllime të caktuara hegjemoniste.

U shpikën shumë fajtorë, imperialistë dhe antishqiptarë, edhe pse metodat ishin puro sovjetike. Dhe, jo vetëm kaq! Edhe në momentin kur filluan bisedimet për integrimin e këtij qyteti, si metodat e ndarjes edhe ato të integrimit, ishin pështirësi sovjetike, që vetëm lehtësuesit evropianë të bisedimeve mund t’i shpiknin.

Duke harruar muret që ngriti Bashkimi Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndarjet e shumta që ua bëri shteteve dhe botës, si dhe mënyrën amerikane të shkrirjes së këtyre mureve, qeveria dhe opozita kosovare u futën në negociata me Serbinë në tryezën e BE-së, duke menduar se, si shqiptarët ashtu edhe serbët, janë më të avancuar se SHBA-të dhe një mur që e ngre Rusia mund ta rrëzojnë edhe përmes dialogut. Por, duke e faktorizuar edhe më shumë ndarjen, duke e bërë Beogradin (i cili qëllim në vete e kishte vetëm anëtarësimin në BE) si palë për përmirësimin e marrëdhënieve me serbët e Kosovës, që çdo ditë po i bllokonin rrugët kosovare dhe në fund fare duke e bërë rrëzimin e murit të ndërtuar nga serbët si temë të bisedimeve për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pala shqiptare pa asnjë alternativë ishte e humbur, pa filluar dialogu. Por, dialogun e filloi!

Nëse sot kthehemi në kohë, duke pasur parasysh se kufijtë e jashtëm të Kosovës i ruan NATO, mund të kujtojmë vetizolimin e serbëve me bllokimin e rrugëve dhe angazhimin e qeveritarëve dhe opozitës kosovare deri në Bruksel, për të zhbllokuar rrugët e atyre që zgjodhën të jenë të izoluar nga pjesa tjetër e Kosovës. Madje, ky angazhim u bë absurd kur për zhbllokimin e rrugëve lanë jetën edhe policë shqiptarë!

Këtyre metodave sovjetike që gjeneratat aktuale kishin mundësinë ti shohin në Republikat serbe të Kroacisë dhe Bosnjës nuk u bëri njëri derman edhe pse ishin brenda territorit të mirëruajtur nga Aleanca Veriatlantike. Pse qeveria kosovare zgjodhi rrugën e integrimit të serbëve të Kosovës që ishin izoluar me urdhër të Beogradit, duke e vendosur në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, një njeri normal nuk mund ta kuptojë. Dhe, pse institucionet e Kosovës nuk e morën të mirëqenë këtë izolim deri në heqjen dorë nga ata që u izoluan në një territor që as nuk i prishte dhe as nuk i favorizonte punë Kosovës, as këtë kurrë askush nuk mund ta kuptojë, përderisa kufiri i jashtëm i Kosovës ishte i mirëruajtur nga NATO dhe nuk izolohej dot. Por, për fat të keq, nuk përfundon këtu gjithçka!

Si pa dashje, çohet një grup i serbëve të marrë dhe nuk lejon kthimin e shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut”, të cilët më në fund kishin arritur të sigurojnë mjetet për ndërtimin e shtëpive të tyre, që u rrënuan nga forcat ushtarako-policore serbe. E drejta e pronës, si njëra nga të drejtat themelore të të drejtave të njeriut, nuk përfundoi në Gjykatën e Strasburgut, siç do të përfundonte për rastin e çdo qytetari evropian, por në tavolinën e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri pranë BE-së, aty ku Serbia merrte vizën për integrimet e mëtejme evropiane. Dhe, për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë, Kosovës iu desh të negociojë pikërisht në këtë zyrë për çmenduritë e Aleksandar Vuçiqit dhe ndersimit të serbëve të Kosovës drejt banorëve të shkretë të Kroit të Vitakut.

Radha i vjen Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë! Kjo Urë për shumë gjenerata dhe studiues të shkencave politike, si dhe të psikologjisë, mund të ishte temë diskutimi dhe debati shkencor. Por, të degjenerohet vullneti i një grupi qytetarësh të çmendur për t’u vetizoluar deri në zhvillimin e negociatave madhore mes dy shteteve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kjo është e papranueshme për çdo civilizim. Kjo situatë agravohet kur mbi Urë, serbët “duke bërë lëshime”, ndërtojnë park dhe me ironinë e tyre sovjetike e emërtojnë ndërtimin e një parku të çmendur mbi urë si “Parku i paqes”! Qershia mbi tortë nuk është kjo vjellje sovjetike, por katapultimi i çështjes “heqja e parkut mbi urë” në tavolinën e bisedimeve në Bruksel. Nëse kësaj ia shtojmë se të gjitha këto bllokime të rrugëve, Kroi i Vitakut e, së fundi, “Parku i paqes”, i shërbenin vetëm integrimit të Serbisë, atëbotë Qeveria dhe opozita dhe sot e gjithë Kosova me të drejtë shtrojnë pyetjen po pse e gjithë kjo zallamahi bëhej në emër të integrimit të serbëve në institucionet e Prishtinës?

Para se të marrin përgjigje, kur BE-ja ishte garante se do të bëhet rivitalizimi i Urës mbi lumin Ibër, kryetari i komunës së Mitrovicës Jug, Agim Bahtiri, me bashkëqytetarët e tij, edhe pse prisnin një Mitrovicë më afër Bashkimit Evropian, zgjohen në mëngjes dhe e gjejnë qytetin e minatorëve në Kinë! Po, në Kinë, me një mur, të ngjashëm me atë kinez, edhe pse i ndërtuar me kokë sovjetike nga dora e një serbi të çmendur, që i thotë vetes kryetar komune, dhe i vete mendja në Berlin, shumë përpara në kohë, para se ithtari i tij Sllobodan Millosheviq ta bënte nul kushtetutën e Kosovës në kuadër të Jugosllavisë.

Integrimi i serbëve në Kosovë

A ka zgjidhje kjo situatë e sëmurë në këtë vend të vogël ballkanik? Nëse të gjitha përpjekjet e Brukselit zyrtar bëhen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, me qëllim të integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, atëherë si Qeveria, ashtu edhe opozita kosovare, duhet ta marrin seriozisht pikërisht këtë integrim! Ata që janë për integrim duhet të ndihmohen seriozisht dhe të gjithë ata që ishin pjesë e lojës politike të Beogradit, e që pa dashje u ndihmua nga Prishtina zyrtare, duhet të jenë pjesë e një kurimi politiko-psikologjik, në mënyrë që Kosova të ndjehet si shtet i qytetarëve të saj dhe jo i Prishtinës, Beogradit dhe Brukselit zyrtar.

Pse nuk u lejuan të izolohen serbët e Mitrovicës së veriut, pavarësisht lojës politike të Beogradit, këtë vetëm Prishtina zyrtare e di. Por, ata që mendojnë edhe sot se nuk kishte zgjidhje, janë shumë të gabuar. Të gjithë mitrovicasit e dinë se qyteti që ndanë lumin Ibër, si në hyrje ashtu edhe në dalje të tij, në Zveçan, ka Urë. Për vendimin e serbëve të Mitrovicës nuk kishte nevojë për negociata, por për sqarim. Nëse ata vërtet do t’i qëndronin këtij vendimi dhe për “çështje sigurie” do ta mbyllnin urën në qendër të qytetit, duke zgjedhur izolimin, pikërisht për këto shkaqe, institucionet e Kosovës do ta mbyllnin urën në dalje të qytetit. Madje, vendimi do të ishte edhe me argumente konkrete dhe jo me propagandë, siç bën Beogradi. Për ata që nuk e dinë ose që nuk duan t’ia dinë për Mitrovicën, pikërisht nga ajo urë kanë kaluar dhe kalojnë qindra kriminelë lufte të kërkuar tashmë edhe nga institucionet ndërkombëtare, që janë bossët e trafikut të cigareve, karburantit dhe çdo malli me akcizë, që Beogradi zyrtar e ka hequr në territorin e Kosovës për shkaqe patriotike serbe.

Bllokimi i rrugës për në Leposaviq nuk guxon të hiperbolizohet, aq më shumë të përfundojë në tavolinën e Mogherinit. Nëse qytetarët e Leposaviqit e zgjedhin rrugën e vetizolimit, që propozohet nga Vuçiqi, le ta provojnë! Qeveria e Kosovës, siç ka marrë zotimet tashmë nga KFOR-i, vetëm duhet t’i kontrolloj kufijtë e saj, sepse për mbrojtjen e kufijve të jashtëm vazhdon të jetë Aleanca Veriatlantike. Dhe, nëse bota e qytetarëve të këtij qyteti mjaftohet nga Leposaviqi në Zveçan, ata mund ta vazhdojnë. Në të kundërtën, shteti ose ka rënë ose nuk meriton të quhet shtet.

Kroi i Vitakut! E drejta legjitime e të gjithë atyre që jetojnë në atë lagje nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje e Brukselit. Serbët, kushdo qofshin ata, mund ta vetizolojnë veten, por askush nuk u jep të drejtë për ta izoluar tjetrin dhe këtë nuk duhet ta lejojë asnjë qeveri kosovare. Në këtë rast, për fat të mirë, që është pozitive në një konflikt ndëretnik, të ardhur nuk ka dhe të gjithë banorët e kësaj lagje duhet ta vazhdojnë jetën normale, pavarësisht nëse Serbia anëtarësohet në BE ose jo.

Vijmë te parku mbi urë! Kur Isa Mustafa e kishte parë këtë park mbi urë si fakt të kryer, pas zotimit të serbëve në Bruksel se do ta largonin barrikadën, Qeveria e tij kishte vetëm një mundësi: përmes një vendimi qeveritar ta shpallë “Park i të çmendurve” deri në largimin e tij dhe në asnjë mënyrë as të mos insistojë dhe as mos të lejojë që ajo të bëhej temë e bisedimeve. Nëse duan ta revitalizojnë evropianët, që lejuan një turp të tillë, kanë mundësi ta bëjnë. Nëse jo, shqiptarët duhet të ambientohen edhe me serbë që nuk duan të integrohen dhe mburren me një “Park të çmendurish”, që për autor ka serbët nga Beogradi në Mitrovicë. Përderisa mundësia e lëvizjes është e mundur nga ura tjetër, shmangia e konfliktit është urtësia më e mirë që mund të bëhet, në rastin kur një grup i çmendur duan të jetojnë në një ishull, në mes të tokës evropiane.

Dhe, muri! Nëse një barrikadë me disa copa lëndë drusore bëhet çështje e bisedimeve në Bruksel, pse serbët të mos vazhdojnë me bllokime të ngjashme siç është Ura, Parku e, së fundi, edhe Muri. Nëse Muri i ideuar nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lartësinë 2 metra, propozimi i Isës do të ishte 4 metra. Dhe, jo vetëm kaq! Si në jug, ashtu edhe në veri, si në lindje ashtu edhe perëndim të pjesës veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës, të ndërtohet një mur, në mënyrë që jeta e serbëve që nuk po lejohen të integrohen të vazhdojë ndërmjet mureve, por në asnjë mënyrë muri të bëhet pjesë e negociatave për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Marrëdhëniet Kosovë-Serbi nuk kanë filluar të acarohen atëherë kur këmba serbe u largua nga Kosova, por atëherë kur ithtari i Vuçiqit, kryeministri radikal Nikolla Pashiq, vuri dorë mbi shqiptarë. Vetëm atëherë kur kryeministri aktual serb, së bashku me Moghenrinin, ta pranojnë një gjë të tillë, le të negociojnë për fatin e shqiptarëve të Kosovës. Muret detyrimisht le t’i spostojnë në Toplicë, ndërsa kur të ngopen me to, për largimin e tyre janë amerikanët, sepse sovjetikët dhe raca e Vuçiqit janë në këtë botë vetëm për t’i ndarë popujt, gjë që e kanë demonstruar edhe në vepër.

Në fund, kur të ngopen me gjak dhe ndarje, mund t’i lejojnë serbët të integrohen në institucionet e Kosovës. Aty ku lindën dhe ku Beogradi nuk u lejon të jetojnë, sepse Aleksandar Vuçiqit i duhet propaganda antishqiptare. Për kaq gjë nuk duhen negociata me Vuçiqin në Bruksel, por vetëm syçeltësi, duke respektuar aleatin e vetëm që kishin dhe kanë shqiptarët, SHBA-të.

Postime të Ngjajshme