` . Pse janë shqiptarët në NATO?! – TV-SHENJA

Pse janë shqiptarët në NATO?!

Nga 2 prilli i vitit 2009 shqiptarët janë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike. Pavarësisht misionit të kësaj aleance, shteti dhe kombi shqiptar nuk arritën t’i vjelin frutat ushtarako-politike të saj, duke lënë madje në fuqi mentalitetin e shprehur socialist të prillit të vitit 2008, se Shqipëria tashmë me NATO-n është në rrezik. Kush dhe pse e degradoi dhuratën bujare amerikane të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, e cila vazhdon të mos i shërbej kauzës reale?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Kur Shqipëria aplikoi dhe u pranua zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut, NAÇ, në qershorin e vitit 1992, shumica e shqiptarëve këtë Aleancë e njihnin vetëm si një familje të fortë ushtarake. Vizita e parë zyrtare e Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, në selinë e NATO-s, në dhjetorin e po atij viti, kur dhe u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës, Manfred Verner, u perceptua më shumë se sa anëtarësim.

Por, fatkeqësisht, si në dhjetorin e vitit 1992 ashtu edhe sot, asgjë nuk ka ndryshuar, edhe pse u realizua ëndrra mbarëshqiptare. Shqipëria, që nga 2 prilli i vitit 2009 është anëtare me të drejta të plota, nga importuese u shndërrua në eksportuese të sigurisë, ndërsa marrëdhënia e saj karshi armiqve të saj shekullorë kombëtarë dhe fytyra e saj në botë nuk ka pësuar kurrfarë ndryshimi.

Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s, por kërcënim për shqiptarëve vazhdojnë të jenë serbët dhe politika e tyre shoviniste, siç ishte nga ditët e para të krijimit të shtetit shqiptar. Sot shteti shqiptar është pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, por ai nuk është i besueshëm dhe nuk konsiderohet i sigurt, si nga investitorët e huaj, ashtu edhe turistët spontanë, që e njohin realitetin global edhe në bazë të pranisë Veri-Atlantike. Sot Maqedonia është në prag të anëtarësimit në NATO, por Tirana në asnjë formë nuk e ka kushtëzuar anëtarësimin e saj me të drejtat themelore të shqiptarëve në këtë shtet, madje as me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila tërhiqet zvarrë nga maqedonasit që nga viti 2001. Dhe, në momentin kur për një çast u krijua ideja në vitin 2014, se shteti shqiptar po ndërgjegjësohet dhe do ta kushtëzojë rrugën integruese të Beogradit në këtë aleancë, u zbulua se gjithçka ishte lojë ndërmjet Edi Ramës dhe Vuçiqit, ashtu siç ndodhi me OSBE-në.

Pse u krijua kjo situatë politike dhe e sigurisë dhe pse prevaloi propaganda komuniste e prillit të vitit 2008, se me anëtarësimin e Shqipërisë merr fund edhe siguria e saj, kur sondazhet e kohës tregonin se mbi 90 për qind e shqiptarëve janë për anëtarësimin e vendit në NATO?!

Dhuratë amerikane

Rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO pa dyshim se ishte i vështirë. Si më19 mars të vitit 1993, kur për herë të parë shkeli në tokën shqiptare Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Manfred Verner, ashtu edhe në majin e vitit 1993, kur Shqipëria u pranua si anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut, askush nuk e kishte menduar se anëtarësimi në bllokun më të fuqishëm ushtarak në botë është një punë e lehtë. Por, përshpejtimi i këtij procesi, me ndihmën e SHBA-së, i shtoi shpresat shqiptare, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve zyrtarë shqiptarë, se rrugëtimi është në drejtimin e duhur. Partneriteti për Paqe, si një mekanizëm për transformimin e marrëdhënieve ndërmjet NATO-s dhe shtetit shqiptar, por jo vetëm, nënkuptonte një drejtim të ri, përkundër kundërshtive që ekzistonin brenda politikës shqiptare dhe atyre që i nxisnin këto kundërshti, e që kryesisht buronin nga Beogradi dhe Moska; Ndonëse armiqësia e Athinës mënjanohej me vetë praninë e saj në këtë aleancë!

Për ta kuptuar nga perspektiva e sotme integruese euro-atlantike, miratimi i programit të parë individual të Partneritetit, IPP, të Shqipërisë me NATO, më 25 janar të vitit 1995, kur për një miratim të tillë Serbia ishte e gatshme vetëm në nëntorin e vitit 2014, flet shumë. Jo pse Serbia nuk ishte e gatshme dhe vuante nga mungesa e partnerëve strategjikë, por thjesht SHBA-ja nuk ishte në anën e terrorit serb, që po vepronte në ish-Jugosllavi me Sllobodan Millosheviqin në krye.

Por, kjo nuk e ndihmoi as Shqipërinë, edhe pse ishte në anën e duhur. Edhe pse më 25 janar 1995 u miratua programi i parë individual i partneritetit, IPP, i Shqipërisë me NATO-n, dhe më 9 qershor 1995 u përfshi zyrtarisht në procesin e partneritetit për paqe, PARP, dhe Shqipëria nisi shkëmbimin, me NATO-n, të informacionit dhe marrjen më në detaje të ekspertizës për politikën e mbrojtjes, zhvillimet për kontrollin demokratik të Forcave të Armatosura mbi forcat që Shqipëria ofron në dispozicion të NATO/PfP dhe planet përkatëse financiare, kjo nuk mjaftoi që ajo të jetë shumë hapa para vendeve të rajonit, të cilat në luftën e tyre për marrjen dhe mbrojtjen e territoreve u përfshin në një luftë të përgjakshme, makabritetet e të cilave nuk ishin parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Madje, ishte marsi i vitit 1998 kur në tokën shqiptare Aleanca, në mënyrë të pavullnetshme, shndërrohet në një nga pikat kryesore të fokusimit dhe koordinimit të përpjekjeve politike-ushtarake të bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës kosovare, duke përfshirë edhe opsionin e përdorimit të forcës.

Duke iu përgjigjur zhvillimeve dramatike në Kosovë, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s,  i përcaktuan masat konkrete në qershorin e vitit 1998, ku veçoheshin mbajtja e një stërvitjeje të përbashkët ajrore të NATO-s mbi Shqipëri dhe Maqedoni dhe hapja e zyrës së NATO/PfP në Tiranë. Me zhvillimin e këtyre ngjarjeve u perceptua se kemi të bëjmë me krijimin e një realiteti të ri. Menaxhimi i situatës së krijuar gjatë fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë, për ta ndërprerë fushatën kriminale të spastrimit etnik, të ndërmarrë nga regjimi i Millosheviqit, moment ky i pari në historinë e Shqipërisë për importin e sigurisë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Aleanca, e krijoi edhe idenë se kemi të bëjmë me një shtet dhe fqinjët e tij përreth që NATO-n tashmë e shikojnë ndryshe. Kjo ishte dhe arsyeja, ndoshta, që pas Samitit të Uashingtonit, më 23-24 prill 1999, Shqipëria së bashku me 8 vende të tjera u pranua si vend aspirant për anëtarësim në NATO.

Fillimet e para të eksportimit të sigurisë fillimisht në Afganistan, me misionin ISAF në vitin 2002, dhe vetëm një vit më pas edhe në Irak, çuan edhe në ndërmarrjet e reja për përmirësimin e bashkëpunimit me strukturat e NATO-s. Por, për të qenë pjesë e NATO-s, ishin të domosdoshme shumë reforma dhe investime në infrastrukturë dhe armatim të ushtrisë. Andaj Shtetet e Bashkuara ndërmorën një iniciativë, e cila do të merrte përsipër që Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë t’i përgatisë për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike, e që u pagëzua me emrin “Karta e Adriatikut 3”.

Angazhimi serioz i administratës amerikane për anëtarësimin e treshes ballkanike në NATO dhe impenjimi personal edhe i vet Presidentit George W. Bush bëri që Kosova shumë shpejt ta shpallë pavarësinë dhe Shqipëria të jetë e gatshme për t’u pranuar në Aleancën Veri-Atlantike. Më 2 prill 2008 Shqipëria mori ftesën në Samitin e Bukureshtit, ndërsa më 2 prill 2009, në Samitin e Strasburg&Kehl, ajo u bë anëtare me të drejta të plota, duke i hapur rrugë kështu edhe zhvillimit kombëtar, i cili linte shumë për të dëshiruar.

Ringjallja e kombit

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO pa dyshim se shkaktoi një ringjalle të vërtetë kombëtare. Kur shqiptarët në Serbi ishin nën presionin gjithnjë e më të madh dhe pa të drejtat elementare për jetë, kur një e treta e tokës së shtetit të pavarur të Kosovës vazhdonte të jetë nën kontrollin e Beogradit, kur shqiptarët në Maqedoni – përveç se me të drejta të mohuara që tashmë kanë edhe bazë kushtetuese – vazhdojnë të terrorizohen në baza etnike nga strukturat shtetërore që e shohin veten edhe si pjesë të NATO-s, edhe Mali i Zi – i cili edhe pse i kërcënuar nga Serbia – vazhdonte të bashkëjetonte me shqiptarët, vetëm një hap para anëtarësimit në NATO, në Tiranë kishte edhe të atillë që e kundërshtonin këtë anëtarësim, edhe pse për shqiptarët jashtë kufijve zyrtarë kjo ishte shpresa e vetme jo vetëm integruese.

Pavarësisht se opozita në Tiranë kishte një botëkuptim tjetër për Shqipërinë anëtare të NATO-s, aty ishte SHBA-ja. Me mendësinë e regjimit të Enver Hoxhës, opozita shqiptare jo vetëm e kundërshtoi, por edhe protestoi kundër këtij anëtarësimi, duke e konsideruar pjesëmarrjen në Aleancën Veri-Atlantike si një cenim të sigurisë. Por, për fatin e mirë të shqiptarëve, si në çdo moment vendimtar, edhe me këtë rast, Shtetet e Bashkuara e kishin kuptuar se cila ishte rruga e vetme e shpëtimit dhe po punonin në këtë drejtim. Ndërkohë trajtimi i Aleancës Veri-Atlantike nga ana e Serbisë si organizatë terroriste, në masë të madhe e ndihmoi edhe qartësimin dhe synimin e NATO-s në Evropën Juglindore dhe jo vetëm, kjo në kohën kur shqiptarët ndërmjet Shteteve të Bashkuara, opozitës shqiptare dhe Serbisë po luftonin me një të vërtetë që nuk po e gjenin dot.

Dhe, derisa Kroacia, si shtet anëtar i NATO-s që nga dita kur edhe Shqipëria iu bashkua organizatës politiko-ushtarake më të fuqishme në botë, u shit dhe vazhdon të shitet si një vend i sigurt, sepse është pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, madje shënoi një rritje marramendëse të investimeve të huaja, në Shqipëri ndodhi e kundërta. Bile, edhe ringjallja kombëtare pësoi një goditje të rëndë!

Për kurimin e kësaj situate u kujdes paksa Tirana zyrtare me mjetet e saja propagandistike, por dështoi edhe në “shitjet e fundit”. Në momentin kur shqiptarët jashtë kufijve zyrtarë filluan ta kuptojnë edhe degradimin e dhuratës amerikane të anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike, Tirana zyrtare u kujtua që është në NATO. Duke luajtur rolin e një anëtari të NATO-s me të drejta të plota, Shqipëria në fillim të nëntorit të vitit 2014 bllokoi për momentin miratimin e Planit individual të veprimit të partneritetit të Serbisë, IPAP, me Aleancën Veri-Atlantike. Opinioni i gjerë shqiptarë e mirëpriti këtë lëvizje të madhe kombëtare, siç u konsiderua ndër shqiptarët, por çuditërisht Beogradi zyrtar nuk u shqetësua. Dhe, jo vetëm kaq! Përveçse i tregoi arsyet e këtij bllokimi, Beogradi zyrtar tha se një gjë e tillë po bëhet në prag të vizitës së Edi Ramës në Beograd, që ishte parashikuar më 10 nëntor, kur dhe pritej të mbyllet kjo çështje.

Po cila çështje?! Si mund të bllokohet anëtarësimi i shtetit serb në NATO, kur sondazhet zyrtare të këtij shteti dëshmojnë se vetëm 10 për qind e qytetarëve të Serbisë e mbështesin anëtarësimin në NATO dhe 84 për qind e tyre që janë kundër këtij anëtarësimi? Apo, si mund ta bllokojë ky shtet një anëtarësim të këtij lloji kur këtë gjë nuk e bëri kur vërtet e kishte në dorë me OSBE-në? Atëherë jo vetëm që nuk përdori veton kundër Serbisë, por as nuk e kushtëzoi veton e saj me pranimin e Kosovës. Dhe, kjo gjë i ra kokës në momentin kur Kosova u bë shtet dhe Serbia e bëri atë që duhea të bënte Shqipëria me veton e saj kundër shtetit serb. Për pasojë, këtë veto Serbia e përdor edhe sot në këtë organizëm shumë të rëndësishëm të sigurisë evropiane. Ndërkaq, fajtori nuk është shtetëror, por individual, dhe ky quhet Edi Rama, i cili mundohet ta modernizojë jo shtetin shqiptar, por armikun e vetëm që e kanë shqiptarët në rajon, Presidentin e Serbisë, kjo edhe përkundër faktit që edhe komandanti i NATO-s për Evropën, Kurtis Skaparoti, e bëri të qartë se me ndikimin rus Serbia është problem më i madh në Ballkan.

Dhe, ndonëse Plani individual i veprimit të partneritetit të Serbisë, IPAP,  me Aleancën Veri-Atlantike u miratua, kryeministri dje dhe presidenti i Serbisë sot, Aleksandar Vuçiq, është i qartë se armik i ka jo Shtetet e Bashkuara, por të gjithë ata që janë miq të shqiptarëve. Për dallim nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i cili nuk e kupton pse është pjesë e Aleancës Veri-Atlantike dhe mik i SHBA-së dhe këtë injorancë e promovon që nga viti 1999 i luftës në Kosovë, Aleksandar Vuçiqi që nga kjo luftë jep mesazhe terroriste, vendos rregulla në marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe në çdo përvjetor të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe, konfirmon se nuk quhet Sllobodan Millosheviq, por një gjë të tillë do ta bënte edhe sikur të ishte ai vet President në atë kohë.

Dhe, së fundi, derisa shqiptarët vazhdojnë të mos e kuptojnë pse janë anëtarë të NATO-s, presidenti i Serbisë në këtë fundmars për Aleancën Veri-Atlantike e ka mesazhin e radhës nga Beogradi: “Do të falim nëse mundemi, do të harrojmë vetëm nëse nuk ekzistojmë!”.