` . Protestat e opozitës shqiptare – TV-SHENJA

Protestat e opozitës shqiptare

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Partia Demokratike, forca kryesore e së djathtës dhe opozitës në Shqipëri, e kaloi muajin e parë të këtij viti në përpjekje për të organizuar protestën e 27 janarit. Syri i saj ishte mbledhja e sa më shumë njerëzve më 27 janar, për të protestuar kundër qeverisë, në një përpjekje për ta zëvendësuar pafuqinë e saj institucionale me shfaqjen e forcës. E vërteta është se PD-ja ka bërë protesta masive e të qytetëruara dhe në të kaluarën, duke grumbulluar njerëz në shifra që kundërshtarët s’i kanë ëndërruar e le më t’i realizonin në protestat e tyre, megjithatë kur erdhi koha e zgjedhjeve, ato i fituan kundërshtarët e saj. E vërteta është se një parti e madhe nuk e ka të vështirë të organizojë një protestë, ajo gjithmonë mund të mbledhë disa mijëra në shesh, madje edhe dhjetëra mijëra, por masa e njerëzve që dalin në shesh është gjithmonë më e vogël se sasia e votave që duhen mbledhur për të fituar dhe kjo arrihet vetëm me krijimin e një fryme pozitive, shpresëdhenëse, gjë që deri tani PD-ja e ka pasur të vështirë ta bëjë dhe duket se edhe në të ardhmen ka goxha pengesa.

Problemet e brendshme

PD-ja vazhdon të ketë një luftë të brendshme, e cila ka nisur që nga zgjedhjet e përgjithshme. Në zgjedhjet e vitit të kaluar kryetari i PD-së, Lulzim Basha, la jashtë listave të kandidimit shumë ish-ministra e figura të larta të PD-së, përfshi Jozefina Topallin, ish-kryetare e Kuvendit të Shqipërisë për 8 vjet, ish-kryetarin e grupit parlamentar dhe nënkryetarin e PD-së, Astrit Patozi, etj., të cilët bënë, dhe vazhdojnë të bëjnë, një luftë të egër në dëm të partisë së tyre. Kjo luftë ende vazhdon, me daljet e tyre të herëpashershme publike, duke kritikuar kryetarin e partisë së tyre. Kritikët e Bashës e kanë problemin e tyre të besueshmërisë, sepse ata ishin pjesë e grupit përgjegjës që çoi në humbjen e PD-së më 2013, por kjo nuk ka qenë shqetësim i tyre. Basha nuk ka bërë ndonjë asgjë më tepër se kryetarët e tjerë të partive ose, krahasuar me ish-kryetarin e PD-së, Sali Berisha, por vetëm ai ka qenë objektiv sulmesh të shumta. Parimisht, Basha largoi nga skena politikanë përgjegjës për humbjen e që mund të konsideroheshin të konsumuar. E dyta, largimi i tyre nga listat e zgjedhjeve ishte mënyra e vetme që mund të minimizonte humbjet e PD-së, nëse kemi parasysh kodin elektoral shqiptar. Nëse PD-ja futej në zgjedhje me ish-ministrat, çdo votë kundër tyre në zgjedhje ishte humbje e PD-së, ndërkohë që vetë ata mund të dilnin deputetë, sepse zgjedhjet bëhen me lista të mbyllura, ku të parët e listave dalin deputetë. Dhe, kuptohet, ish-ministrat do të kishin dalë kundër edhe nëse ata renditeshin në vende të diskutueshme në lista.

Një faktor tjetër i brendshëm që e dëmton PD-në është besueshmëria e Lulzim Bashës. Pas zgjedhjeve në PD vitin e kaluar, është krijuar një numër të pakënaqurish, që dëshironin largimin e tij në mënyrë automatike pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, një pjesë janë të pakënaqur nga mënyra si u bënë zgjedhjet, ndërsa një pjesë dyshojnë në aftësinë e tij për ta çuar partinë në fitore. Të mësuar me drejtimin impulsiv të Sali Berishës, një pjesë e demokratëve kanë nostalgji për një opozitë të ashpër, me protesta të vazhdueshme. Basha është shumë më i moderuar. Ai i mëshon më shumë argumentit se emocionit, por kjo nuk funksionon shumë me simpantizantët, sidomos te një parti që nuk ka njohur kryetar tjetër, veç pasionantit Berisha.

Problemi i aleancës

Aleanca me LSI-në nuk është e mirëpritur nga baza e demokratëve. LSI-ja është një parti që ka qëndruar në pushtet në dy kohë, me PD-në (2009-2013) dhe me PS-në (2013-2017) dhe në të dyja kohët ka qenë problematike. Qeverisja e PD-së e vetme (2005-2009) ishte një periudhë relativisht e mirë dhe, me gjithë konsumimin që pëson në qeveri, ajo arriti të dilte e para në zgjedhjet katër vjet më vonë, vetëm se nuk kishte aq deputetë sa të krijonte qeveri e vetme, andaj iu desh të bënte koalicion me LSI-në. Këtu nisën problemet, që çuan në humbjen e vitit 2013.

Qeverisja nisi të molepset nga korrupsioni deri në atë nivel sa nuk ishte parë kurrë më parë. Ndoshta edhe kishte ndodhur, por që dy ministra të bisedonin për shuma marramendëse eurosh dhe tenderash u pa në video për herë të parë më 2010. Të dy ministrat ishin të LSI-së, Iliri Meta dhe Dritan Prifti. Videoja ishte filmuar nga Prifti, me kamerë të fshehtë, për ta përdorur, siç bëri, në ditë të vështirë. Pasi u prish me Metën, ai e publikoi videon, me mbështetjen e PS-së në opozitë. Kjo video u bë shkak i protestave të opozitës socialiste, e cila përfundoi me 4 protestues të vrarë më 21 janar 2011.

Dy vjet më vonë, LSI-ja bëri aleancë me PS-në, duke dalë nga qeveria në javët e saj të fundit. Kjo lëvizje paralajmëroi disa gjëra: koalicioni i ri e zhbëri kartën morale për drejtësinë për vrasjet e 21 janarit (sepse bëri aleancë me LSI-në kundër së cilës ishin bërë protestat) dhe kartën morale të luftës kundër korrupsionit (për të njëjtën arsye, sepse LSI-ja kishte qenë simboli i korrupsionit në qeverisjen PD-LSI).

Me kthimin e LSI-së në koalicion me PD-në historia po përsëritet. Udhëheqja demokrate e bën koalicionin për arsye pragmatike. Një opozitë e bashkuar mendohet më e fortë se e përçarë, por demokratët e thjeshtë nuk e gëlltisin lehtë këtë lëvizje. Mjafton të shikosh reagimin e tyre në rrjetet sociale dhe vëren se ata nuk e kanë harruar ende “tradhtinë” e LSI-së dhe, e dyta, më e rëndësishmja, nuk e kanë harruar rolin e saj negativ me koalicion.

Problemi ndërkombërtar

Roli i shteteve të huaja në politikën e Shqipërisë ka shumë rëndësi, madje mund të thuhet që ajo funksionon si një protektorat ose që ndikimi i huaj është në nivel protektorati. Një nga asetet politike, që i prezantojnë shpesh politikanët e Tiranës, janë fotot me liderët e vendeve të tjera.

Enver Hoxha manipulonte fotot për t’u dukur sikur kishte dalë në krah të Stalinit. Më e famshmja është një foto në kopertinën e librit të tij “Me Stalinin”, prej së cilës u fshinë dy vetë që ishin mes tyre në foton origjinale.

Ekspozimi i forcës me foto në krah të liderëve të fuqishëm botërorë, kryesisht të SHBA-ve, është kthyer gati në normë në vitet e demokracisë. Rasti më ekstrem është ai Edi Ramës më 2012, kur si kryetar i Partisë Socialiste në opozitë bëri një foto me presidentin amerikan Barak Obama dhe për këtë foto në SHBA u arrestua një person. Një shqiptaro-amerikan që kishte ndihmuar Ramën të merrte pjesë në darkë për mbledhje fondesh të organizuar nga presidenti Obama (bileta kushtonte 80 mijë dollarë) u dënua se kishte shkelur ligjet amerikane, duke mundësuar të huajt të ndikonin (financiarisht) në fushatën elektorale amerikane.

As Lulzim Basha nuk iu shmang dot këtij rregulli. Edhe ai e bëri një foto me presidentin Trump vitin e kaluar, por i humbi zgjedhjet. Ambasadori amerikan ka dalë hapur pro qeverisë vitet e fundit dhe kurrë nuk e ka mbështetur opozitën. Ambasadorja e BE-së ka bërë të njëjtën gjë. Ata përfaqësojnë interesat e vendeve të tyre, që jo domosdoshmërisht janë në vijë me politikën e opozitës. Sa për moralin, ajo nuk njihet në politikën ndërkombëtare.

Protestat

Mediet në Shqipëri janë shumica nën kontrollin e qeverisë, të cilat e shumëfishojnë zhurmën që qeveria bën kundër opozitës, megjithëse ajo ka bërë disa gjëra të mira që nuk u është dhënë vlerësimi i duhur. Ligjin më të rëndësishëm në mandatin e kaluar e propozoi opozita, PD-ja, megjithëse drejtohej kundër qeverisë, dhe ia doli me sukses. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit (2015) ka ndihmuar në pastrimin e politikës, sidomos grupin parlamentar socialist dhe të administratës nga njerëz me të shkuar kriminale. Vitin e fundit në Shqipëria kultivimi i kanabisit u ul në mënyrë drastike pikërisht për shkak të presionit të opozitës, kur dihet se kultivimi kishte miratimin e segmenteve qeveritare, në mos të gjithë qeverisë. Opozita ishte e para që e akuzoi ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për lidhje me trafikantët e drogës dhe tashmë ai është nën hetim, i evidentuar si i tillë edhe në hetimet e prokurorisë italiane. Qeveria u mburr me reformën në drejtësi, por në fund përfundoi me zgjedhjen e një Prokuroreje të Përgjithshme të Përkohshme me më pak se gjysmën e votave të Kuvendit, edhe pse Kushtetuta parashikon zgjedhjen me 3/5. Ky është edhe shkaku për protestat e këtij fillimviti, por që përmbledh një numër më të madh çështjesh e inatesh të vjetra.