` . Propozim-shkarkimi i Zvërlevskit në Kuvend shqyrtohet pasi të kthehet Xhaferi - TV-SHENJA

Propozim-shkarkimi i Zvërlevskit në Kuvend shqyrtohet pasi të kthehet Xhaferi

Propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvërlevski është kompletuar dhe dërguar në Kuvend. Tani në radhë është institucioni ligjvënës i cili duhet t’ia përmbyll Marko Zvërlevskit mandatin 4-vjeçar të përcjellë me shumë skandale. Por, propozimi për shqyrtim dhe votim, si akti final i kësaj procedure, duhet do të vihet në rend dite ndonjë ditë tjetër, kur të kthehet nga udhëtimi zyrtar Talat Xhaferi.

Meqë koalicioni i kryesuar nga LSDM-ja është i vendosur që ta shkarkojë Marko Zvërlevskin, gjasat që ai t’i shpëtojë votimit në Kuvend janë të pakta. Për më tepër, votimi për shkarkimin e tij bëhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votash dhe këtë Qeveria mund ta sigurojë me lehtësi. Nëse ka dëshirë, në seancën e Kuvendit mund të vijë edhe Marko Zvërlevski për të dhënë argumente kundër shkarkimit.

“Unë si koordinator i grupit parlamentar të LSDM-s,  menjëherë reagova tek kryetari i Kuvendit në mënyrë që sa më shpejtë të thirret seancë për shkarkimin pasi çdo prolongim ose obstruim do ishte vetëm zgjatje e agonisë  dhe shmangie nga fillimi i reformave të vërteta në sistemin gjyqësor”, ka thënë Tomisllav Tuntev nga LSDM.

Ejup Alimi nga BDI ka thënë se shumica parlamentare do ta përkahë propozimin e Qeverisë”. “Do punojmë bashkarisht me shumicën parlamentare që t’i implementojmë të gjitha reformat në drejtësi. Duhet të vijë një ekspert i cili do t’u prijë reformave në drejtësi”, ka thënë Alimi.

Fadil Zendeli tha se grupi parlamentar i Lëvizjes BESA do ta përkrahë shkarkimin e kryeprokurorit shtetëror pasi e  vlerësojnë si një prej personave përgjegjës për krizën dhe situatën e sistemit të drejtësisë. “Edhe si person edhe si institucion, Prokurori e Përgjithshme. Është përgjegjës edhe për shumë procese të montuara politike”, ka thënë Zendeli.

Ndërsa, Syreja Rushiti, LR PDSH, tha se Alenaca është e angazhuar për një gjyqësi të pavarur, të depolitizuar dhe dekriminalizuar. “Kryefjala e krejt kësaj gjyqësie është kryeprokurori publik që do të thotë se ne do ta mbështesim çdo iniciativë për shkakrimin e këtij kryeprokurori”, ka thënë ai.  

VMRO DPMNE megjithatë këmbëngul se Marko Zvërlevski ishte një prokuror i mirë dhe se kryeministrit dëshiron ta shkarkoj vetëm se e “kapi” duke marrë mito.  “Prokurori Publik është prokurori i cili e zuri Zaevin duke marrë mito dhe për këtë arsye ai dëshiron ta zëvendësojë”, vlerëson partia e Gruevskit.

Në rast shkarkimi të Zvërlevskit, do të pasojë konkursi publik për atë që do ta zëvendësojë në pozitën e kryeprokurorit. Pas konkursit dhe selektimit, emrat e kandidatëve do të dërgohen në Qeveri dhe pas rishikimit do të kthehen në Kuvend prej ku do të votohet emri i ri që do ta pasojë Zvërlevskin.

Me propozim të Qeverisë, por me  përkrahje edhe të Këshillit të Prokurorëve, Marko Zvërlevski  do të mbarojë karrierën 4 vjeçare të ndjekur me afërsi me Qeverinë e Nikolla Gruevskit. Ai do lejë pas gjurmë të shumë rasteve të mbylluara në sirtaret e tij duke përfshirë këtu “bombat” e opozitës për të cilat nuk ka asnjë procedurë hetimi. Propozimin e shkarkimit Qeveria e arsyetoi me mungesën e veprimit në raste të veprave penale të dukshme, dhe me këtë vlerësuan se ai e ka cënuar imazhin e pozitës së  kryeprokurorit.

Ferikan Iljazi Arifi / SHENJA/ 

Propozim-shkarkimi i Zvërlevskit në Kuvend… by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme