` . Prokuroria bën ankesë për lirimin e të dyshuarve për aksidentin në Llaskarcë (Video) - TV-SHENJA

Prokuroria bën ankesë për lirimin e të dyshuarve për aksidentin në Llaskarcë (Video)

Gjykata Penale i ka nxjerrë nga paraburgimi dhe i ka dërguar në burg shtëpiak pronarin dhe shoferin e autobusit “Durmo Turs” që prokuroria i ka kualifikuar si shkaktarët e aksidentit tragjik në Llaskarcë. Sipas njoftimit të Gjykatës, atyre u është pranuar kërkesa që të transferohen në burg shtëpiak, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, por se kanë dhënë garanca të forta se nuk do të arratisen ose të korrigjojnë prova.

Gjykata Penale

“Masa e paraburgimit u është zëvendësuar me paraburgim shtëpiak, për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Të akuzuarit kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për të dëshmuar gjendjen shëndetësore”

Për këtë vendim të para dy ditësh, ka reaguar Prokuroria Themelore. Nga ky institucion thonë se gjykatësi i procedurës paraprake nuk ka të drejtë të vendosë për paraburgimin i cili vazhdohet në çdo 30 ditë, pasi gjykatësit e Këshillit Penal, si instancë më e lartë, kanë vendosur që i njëjti të vazhdohet. Tek gjatë javës së ardhshme pritet vendim mbi ankesën e Prokurorisë Themelore.

Nga aksidenti i autobusit “Durmo Tours” jetën e humbën 16 persona, ndërsa mbetën të lënduar dhjetëra të  tjerë. Sipas Prokurorisë, shkaktari kryesor për këtë aksident ka qenë shpejtësia e autobusit dhe frenat e prishura.  Gjashtë persona akuzohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë dhe personave në komunikacion”, ndërkaq personi i shtatë është i akuzuar për “ushtrim të detyrës në mënyrë të pandërgjegjshme”, pasi që ka dhënë vërtetim që tahometri (pajisja për matjen e shpejtësisë së autobusit) ka qenë në rregull, pa i bërë kontrollet.  Sipas Kodit Penal, të dyshuarve për aksidentin u kërcënohen të paktën nga katër vjet burg.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/