` . Profesor Valter Memisha, qëmtuesi i zellshëm i fjalës shqipe - TV-SHENJA

Profesor Valter Memisha, qëmtuesi i zellshëm i fjalës shqipe

“Çdo autor ka të drejtë të kërkojë lëvdata; leksikografit i lejohet veç të shpresojë se do t’u bëjë dot bisht qortimeve, madje edhe ky shpërblim negativ u ka buzëqeshur vetëm pak fatlumëve” (Samuel Johnson)

Shkruan: Jolanda LILA– Tiranë

Gjuhëtari Valter Memisha është një nga studiuesit më të besueshëm dhe autoritarë në fushën e gjuhësisë sot. Ai gjithnjë ka spikatur për logjikën e qashtër, me të cilën i trajton çështjet gjuhësore. Kjo logjikë i përngjan asaj të ekuacioneve matematikore për nga saktësia, thukëtia dhe qasja e hollë nëpër të gjitha shtresat e fjalës shqipe. Por, vetë gjuhën profesori nuk e sheh kështu, pasi ajo është dashuria më e madhe e jetës së tij, së cilës, për më shumë se katër dekada, i ka falur ditë e net pune rraskapitëse mbi pirgun e madh të librave, fletëve e fjalëve; ka sakrifikuar javë, muaj e vite të tëra nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë dhe të Kosovës për të mbledhur pasuri leksikore, frazeologjike e semantike, etnolinguistike, dialektologjike etj.

Gjilpëra magnetike e vullnetit të tij dridhet e trazuar në çdo sekondë të ditës në kërkim të fjalëve të humbura të shqipes ose atyre të reja dhe kuptimeve të tyre. “Kabinetin” e punës e merr me vete ngado. Çantën ngjyrë kafe me bllokun e vogël të shënimeve dhe stilolapsat nuk i ndan nga vetja, sepse janë mjetet e atypëratyshme për të shënuar çfarëdo që dëgjon ose që i vjen në mendje. Ndërsa zyra e profesorit në Institutin e Gjuhësisë i ngjan një pylli të paanë të punës së tij, me libra, skeda e shënime, që presin vëzhgimin e mprehtë dhe duart e shkathëta të tij, i cili i stivon sipas rendit të vet të brendshëm. Ai ka një ideal të madh, pikërisht shpëtimin e gjuhës shqipe, sepse copa të saj vdesin çdo ditë kur nuk shkruhen ose dokumentohen. Për nga pikësynimi, përkushtimi kokëfortë dhe përgjegjësia intelektuale, ai shëmbëllen me një “hero të heshtur”, që nuk kërkon as famë e as lëvdata. Nuk kërkon asgjë për veten, por nuk resht së përpjekuri çdo ditë, duke gjurmuar çdolloj forme institucionale për të vënë në jetë vizionin e vet si studiues dhe si drejtues i njërit prej institucioneve më të rëndësishme kërkimore-shkencore në vend, përkatësisht Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në Akademinë e Studimeve Albanologjike (ASA).

Ai është leksikolog, semantolog, leksikograf, anëtar i grupit hartues të fjalorëve shpjegues kombëtarë të shqipes dhe i fjalorëve specialë, profesor i shumë brezave universitarë, hartues i dhjetëra librave studimore dhe i teksteve e programeve shkollore për gjuhësinë.

Një karakter i formësuar me vlerat më të thella njerëzore

Profesor Valter Memisha i përket brezit bashkëkohor të gjuhëtarëve me kontribute të jashtëzakonshme në fushën e gjuhësisë. Ai lindi në Tepelenë. Datëlindja e tij, sipas regjistrimit zyrtar, është me 6 dhjetor të vitit 1955, por – në të vërtetë – ai lindi në një ditë të nxehtë të fundkorrikut. Siç ndodhte rëndom asokohe, u regjistrua disa muaj më vonë. Këtë fakt nuk e harrojnë miqtë e tij të afërt, prandaj ai mbushet nga urimet e panumërta në dy periudha të vitit, në verë dhe në dimër. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, përderisa profesori dhuron përherë mirësi te njerëzit që e rrethojnë.

Natyrë modeste, i thjeshtë, tepër korrekt dhe me një fisnikëri të skalitur në portretin të tij, ai është përherë i gatshëm për të ndihmuar këdo. Sjellja shumë njerëzore në komunikimin e përditshëm e ka bërë atë të humbasë jo pak kohë në pritje-përcjellje të kolegëve e studentëve, të cilët e dinë gjithnjë adresën se ku mund të marrin një gjykim të sinqertë dhe një orientim profesional për punët e tyre në proces. Karakterin e tij dashamirës dhe mbështetës ndaj kolegëve e tregon jo vetëm në veprimtarinë e përditshme jetësore, por edhe në punimet e veta studimore, ku herë pas here nxjerr në pah meritat dhe kontributet e gjuhëtarëve të tjerë. Këtë fisnikëri shpirtërore e shndërron në fisnikëri shkencore, teksa thekson rëndësinë e veprave të kolegëve e profesorëve, përmes punimeve studimore të tilla, si: “Akademik Kolec Topalli dhe Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe”, “Ndihmesa e prof. Jani Thomai për kuptimin dhe lëvizjen kuptimore”,“J. Thomai, personalitet i shquar në gjuhësi”, “Rreth sistemit emëror në Fjalorin e gjuhës shqipe të M. Elezit”, “Akademik Sh. Demiraj për etnogjenezën e shqiptarëve përmes onomastikës dhe toponomastikës”, “Ndihmesa e Q. Haxhihasanit në fushën e gjuhësisë”, “Ndihmesa e Spiro Floqit në kritikën shkencore gjuhësore”, “Komponenti leksikografik në ndihmesën shkencore të R. Memushaj”, “Kostaq Cipo dhe Fjalori i gjuhës shqipe, 1954”, “Një vështrim mbi “Fjalorthin e fjalëve të rralla” të T. Dizdarit”, “Shefkije Islamaj për fjalën e artit dhe artin e fjalës në veprën e Fishtës”, “Ndihmesa shkencore e prof. Ethem Lika në gjuhësi përmes revistës “Studime Filologjike”, “Personaliteti shkencor i Akademik Mahir Domi përmes punës në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë”, “Miço Samara dhe leksikografia njëgjuhëshe shqipe”, “Ndihmesa e prof. M. Çelikut në kritikën shkencore leksikografike”,“Prof. Qemal Haxhihasani, përudhësues i sociolinguistikës shqiptare”, “Ndihmesa e Ilia Dilo Sheperit në gramatologjinë e shqipes” etj. Ky heshtanak i fisëm i veprës së vet bëhet jehona zulmëmadhe e punës së kolegëve të tij. Ai nuk çapitet hijerëndë si shumë studiues të tjerë, por mbetet pasqyra e gjallë e modestisë.

Korrektesa shkencore ndaj punëve të të tjerëve është një tjetër tregues i profilit të studiuesit Valter Memisha, i cili pavarësisht përvojës së gjatë, është i përpiktë në citime, si për t’u kujtuar lexuesve vlerat e paçmuara të figurave të shquara të gjuhësisë sonë. Duhet forcë e madhe karakteri dhe zemërgjerësi e tejskajshme për ta bërë këtë, pra, për ta vendosur edhe erudicionin e të tjerëve përkrah tëndit. Ai nuk njeh vogëlsira, sepse nuk i ka në natyrën e vet. Është në një lartësi kaq të madhe fisnikërie, saqë nuk do t’ia dijë për asgjë, veç përparimit të punës. Kurrë nuk i sheh pulqerët e egoizmit të të tjerëve, që e spërkasin orë e çast.

I formësuar hershëm me vlerat më të thella njerëzore, me dashurinë për punën dhe me dashamirësinë e çiltër për njerëzit që e rrethojnë, ai vijon të punojë pandalshëm për projekte shumë ambicioze shkencore.

Veprimtaria e larmishme akademike dhe shkencore

Që prej vitit 1979, kur nisi studimet në degën e gjuhës dhe të letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, ai spikati si student i shkëlqyer. Menjëherë ra në sy të plejadës së nderuar të pedagogëve si E. Çabej, M. Domi, Sh. Demiraj e shumë të tjerëve për trajtën e thellë argumentuese që iu bënte çështjeve të ndryshme gjuhësore. Fusha e tij më e parapëlqyer ishte leksikologjia, gjë e cila vihet re qysh në punimet e para studimore, botuar në vitin 1982: “Rreth shtresës së fjalëve që lidhen me emërtimet e njerëzve sipas tipareve fizike e morale”, “Vëzhgime mbi emërtimet e bagëtive të imëta në Zonën e Lopësit”, “Njohja e përdorimi i kuptimit të fjalës – detyrë kryesore e orës së Gjuhës e Letërsisë” etj.

Nga vepra në vepër, ai ka shpërfaqur dijet e veta të konsoliduara në studimet filologjike në përgjithësi, duke e zbërthyer fjalën shqipe, përmes depërtimit në asht të saj. Vepra më e madhe e tij, deri më tani, mbetet Fjalori i gjuhës shqipe 2006 (48 mijë fjalë dhe 5000 njësi frazeologjike), hartuar në bashkautorësi me gjuhëtarë të tjerë të shquar. Profesor Valter Memisha, si hartues i mijëra zërave në gati 12 shkronja të alfabetit dhe si redaktor i gjithë kësaj vepre madhore për shqipen, arriti të përfshijë e saktësojë shumë fjalë, shprehje e kuptime, që nuk gjendeshin në fjalorët e mëparshëm shpjegues. Kështu, ky fjalor konsiderohet si një ndër fjalorët më të plotë shpjegues të shqipes, pasi e ka përditësuar ndjeshëm numrin e fjalëve dhe kuptimeve të sotme të gjuhës shqipe. Gjithashtu, ka hartuar pjesën më të madhe të veprës Fjalor i vogël i gjuhës shqipe (35. 000 fjalë dhe 2.000 njësi frazeologjike) një vepër kombëtare që i adresohet, ndër të tjera, sistemit parauniversitar.

Profesor Valter Memisha përpara se të finalizonte këto vepra monumentale, kishte një përvojë disavjeçare në fushën e leksikografisë, jo vetëm si kërkues shkencor nëpër ekspedita gjuhësore, por edhe si redaktor e recensent i shumë fjalorëve në gjuhën shqipe. Ai është redaktor letrar në Fjalorin sinonimik të gjuhës shqipe (2004); korrektor gjuhësor në disa vepra leksikografike të mëdha të Departamentit të gjuhës në ASA, si në Fjalorin e shqipes së sotme (1984/2002), në Fjalorin e termave të bujqësisë etj.

Gjuha shqipe ka në fondin e vet rreth 500 fjalorë të llojeve të ndryshme, shumica prej të cilëve janë fjalorë të tipit të mesëm e të vogël. Nisur nga kjo gjendje, profesor Valteriu bë një ndër anëtarët më aktiv në grupin e hartuesve të Fjalorit të madh të shqipe (i parashikuar me 85.000 fjalë dhe 10.000 njësi frazeologjike) dhe sekretar shkencor i redaksisë së veprës. Puna për hartimin e një fjalori të tillë me 4 vëllime mbeti në gjysmë të vëllimit të parë, për shkak të mungesës së mbështetjes për t’i dalë në krye këtij mali të lartë fjalësh.

Nuk mjafton vetëm forca e pareshtur dhe vullneti i hekurt i profesor Valterit, por duhen edhe shumë elemente e forca të tjera, për t’u marrë me hartimin e fjalorëve. Ky është një proces i gjatë, që nuk arrihet nga një njeri i vetëm, sado përkushtim të ketë prej tij. Fjalori i madh i shqipes duhet të jetë pezmatimi më i madh i profesorit për punën e ndërprerë dhe për gjasat e pakta në finalizimin e saj, sidomos teksa konstaton bjerrjen e burimeve njerëzore për sipërmarrje të tilla shkencore.

Profesori ka hartuar edhe fjalorë për vepra autorësh, të tilla si: Për një fjalor të veprës së Branko Merxhanit (me një studim hyrës, rreth 50-faqesh) dhe Fjalori i veprës së Martin Camaj, Vëllimi I, II. Si njeri që e vlerëson shumë natyrën dhe që i do shumë kafshët në përgjithësi, ai ka hartuar edhe fjalorin: Emërtime në Labëri për kafshë e shpendë (2001), duke dokumentuar koloritin gjuhësor të kësaj zone në fusha të caktuara semantike.

Kohën më të madhe studimore ia ka zënë përgatitja e fjalorëve. Megjithatë, ai ka sjellë vepra risimtare me këndvështrime të gjera e të thella diakronike dhe sinkronike në fushën e studimeve gjuhësore, ku spikasin librat monografikë: Dukuri semantike gjatë formimit të mbiemrave prejpjesorë në gjuhën shqipe, Studime për fjalën shqipe, I (2011), Studime për fjalën shqipe, II (2015), Ushtrime për leksikologji e semantikë leksikore (tekst universitar, 2012), Polisinonimia në gjuhën shqipe (2018), Leksikografia e gjuhës shqipe (2018) dhe Emërtimet e shkurtuara në gjuhën shqipe (me bashkautor).

Si njohës i shkëlqyer i letërsisë shqipe e asaj botërore, profesori ka botuar edhe shumë artikuj studimorë për autorë të ndryshëm, si: Petro Marko, Ismail Kadare, Dritëro Agolli etj., ku ka analizuar gjuhën poetike dhe veçoritë ligjërimore të këtyre autorëve.

Ashtu siç është dinamik leksiku i shqipes, në të cilin mendohet se hyjnë çdo ditë 3 fjalë të reja, ashtu përngjan edhe puna e profesorit, dinamike, e ndarë në disa drejtime njëherësh. Dinamika e jetës së tij është në përshtatje me karakterin energjik dhe me humorin e hollë, që ai e shpalos me çdo bashkëbisedues. Përveç punës kërkimore-shkencore, profesori vijon edhe karrierën akademike universitare, si titullar dhe lektor i lëndëve: Hyrje në gjuhësi, Leksikologji e semantikë e gjuhës shqipe, Gjuhësi teksti, Teori komunikimi (semiotikë), Stilistikë dhe pragmatikë etj. Ka një kontribut të jashtëzakonshëm për hartimin e plan-programeve akademike dhe konsolidimin e përgjithshëm të departamentit të Gjuhësisë në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, ku ka punuar fillimisht si pedagog, e më pas (1989-1996) si përgjegjës i departamentit të Gjuhës shqipe. Në këtë universitet, përgjatë viteve 1996-2000, ka qenë edhe anëtar i këshillit shkencor e deri dekan i Fakultetit të Shkencave Shoqërore.

Gjatë përvojës drejtuese në universitet, por edhe si pedagog, është shquar për reformat vizionare dhe këmbënguljen për t’i përfunduar sa më mirë të gjitha nismat. Prej vitit 2001, profesor Valteri ka punuar në Departamentin e Leksikologjisë dhe të Terminologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, duke mbajtur edhe detyrën e përgjegjësit të këtij departamenti dhe nga viti 2012 e deri më sot mban edhe pozicionin e Drejtorit të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Njëherësh, është edhe kryetar i Këshillit shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, anëtar i Këshillit të profesorëve të IGJL, anëtar i Senatit të QSA dhe kryeredaktor i revistës “Studime filologjike”.

Arritjet profesionale të profesor Valter Memishës janë tregues i punës së tij të palodhur dhe me një përkushtim të pashembullt, ndërsa vlerat e tij njerëzore janë burimi i dritës së mirësisë, të cilën e prekin kolegët, studentët dhe bashkëpunëtorët e tij. Urojmë që profesori ta ketë po kaq intensive veprimtarinë e vet shkencore, ashtu siç e ka pasur deri më sot.