` . Profesor Shaban Sinani: 40 vjet punë, 40 libra - TV-SHENJA

Profesor Shaban Sinani: 40 vjet punë, 40 libra

Profesor Shaban Sinani lindi me 16 prill të vitit 1958 në Peshkopi. Në vitin 1983 i përfundoi studimet në degën e gjuhë-letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe fill pas studimeve universitare emërohet gazetar në gazetën “Zëri i popullit”. Serioziteti dhe stili i tij i të shkruarit ranë në sy të drejtuesve.

Shkruan: Jolanda LILA, Tiranë

Studiuesi, që i
ka kushtuar një rëndësi tëveçantë vëzhgimit të dimensionit trepërmasor të kohës:
të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes, duket si i ka ngërthyer së bashku këto
përmasa në veprën e vet shkencore, duke e matur çdo tik-tak me ritmin e punës së
pandalur. Në 40 vjet punë, ai numëron 40 libra të botuar në fushën e studimeve
letrare, gjuhësore, antropologjike, folkloristike, historike, kodikografike etj.
dhe është skenarist i mbi dhjetë filmave dokumentarë, mes të cilëve edhe i
dokumentarit Beratinus, fitues i
çmimit Madona e Argjendtë
Festivalin Ndërkombëtar të Filmit. Ka drejtuar, po ashtu, disa projekte shkencore
kombëtare dhe ndërkombëtare dhe ka recensuar e redaktuar dhjetëra libra e
punime shkencore të autorëve të ndryshëm shqiptarë.

Në çdo 16 prill,
datë që shënjon ditën e tij të lindjes, ai sjell dhuratë për lexuesit një libër
të ri, si një lloj bilanci me vetveten, për të dëshmuar se ai e ka kapërthyer
kohën. Përngjan sikur nuk e ndien as ngadalësinë sfilitësh e as shpejtësinë
tinëzare të saj, sepse ai ka ritmin e vet të brendshëm. Kërkimi shkencor,
analizimi dhe procesi i të shkruarit është zemra e jetës së tij.

Puna
sistematike, shënimet e shumta dhe dashuria e kureshtja për dijen, e bëjnë atë të
punojë në dy-tri linja studimore. Kurorëzimi i çdo viti me një libër nuk nënkupton
se puna hartuese ka zgjatur po aq, por se njëri prej projekteve të tij studimore
është finalizuar. Libri që i ka kushtuar më tepër kohë, prej gati 30 vjetësh është
kolana me 5 vëllime mbi antropologjinë.

Në librat e tij
spikat vëzhgimi i mprehtë, njohja e thellë, hulumtimi i imtësishëm, por edhe
modestia përpunën e vet, duke mos i përcjellë si ekskluzivitete studimet e
veta, edhe pse në shumë raste janë të tilla. Në këtë kuadër, vlen të përmendin hulumtimet
e tij nëpër arkiva, brenda dhe jashtë vendit, për studime e dëshmi mbi
trashëgiminë arkivistike shqiptare, kodikët filologjikë dhe kronografikë.

I rrethuar nga
librat në tavolinën e tij të punës në katin e dytë të Akademisë së Shkencave të
Shqipërisë, ai vijon të punojë për librat e tij të ardhshëm, por edhe për mbarëvajtjen
e punës në institucionin më të lartë të shkencës në Shqipëri, ku ai mban edhe
pozicionin “Sekretar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.

I qeshur dhe komunikues
me këdo, pa barriera pompoziteti e krenarie (mbase të përligjura në rastin e
tij), ai karakterizohet nga thjeshtësia dhe modestia. Ka një prirje të theksuar
për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave të shumta nga kolegët dhe studentët,
pasi dëshiron t’u gjendet pranë të gjithëve. Shënimet e tij të pafundme nëpër
skeda renditen me një kaligrafi tepër të bukur dhe me një rregullsi shkronjash,
të ngjashme me rregullsinë dhe natyrën sistematike që e karakterizon gjithë punën
e tij.  

Profesor Shaban Sinani lindi me 16 prill të vitit 1958 në Peshkopi. Në vitin 1983 i përfundoi studimet në degën e gjuhë-letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe fill pas studimeve universitare emërohet gazetar në gazetën “Zëri i popullit”. Serioziteti dhe stili i tij i të shkruarit ranë në sy të drejtuesve. Ai mund të kishte një karrierë të shkëlqyer në gazetari, por e braktisi atë për një rrugë më të mundimshme, por edhe më frytdhënëse, si ajo studimeve. Pavarësisht këmbënguljes së kolegëve dhe mjedisit motivues që gjeti në gazetë, sërish dëshira e tij më e madhe ishte të merrej me studime shkencore.

Nga viti
1985-1992 ai punoi si ndihmës i Kryetarit të Shtetit për çështjet kulturore, ndërsa
nga viti 1992 nisi punën si punonjës shkencor në Institutin e Kulturës
Popullore dhe për anjë çast nuk u nda më nga puna kërkimore shkencore. Përvojat
e mëtejshme si Drejtor i Përgjithshëm i Arkivave dhe puna në Institutin e Gjuhësisë
dhe të Letërsisë ndikuan në zgjerimin e spektrit të tij studimor.

Falë punës së tij, sot ne njohim anë të panjohura të autorëve të tillë, si: Ismail Kadare, Jeronim De Rada, Martin Camaj, Dritëro Agolli etj. Në veprat e tij, edhe kur bëhet fjalë për studime monografike, vihet re se autori i zgjeron kufijtë e objektit studimor, duke sjellë edhe të dhëna historiko-kulturore, të cilat e paraqesin të plotë dhe në trajtë gati enciklopedike trajtimin e dukurisë. Disa nga librat më të rëndësishëm të akademikut Shaban Sinani janë: “Hieronimi në botën arbëreshe”, “Camaj i paskajuar”, “Mitologji në eposin e kreshnikëve”, “Tradita gojore si etnotekst”, “Studime për etno-folkoristikën krahasimtare”, “Për letërsinë shqipe të shekullit të 20-të”, ”Kodikët e Shqipërisë në kujtesën e botës”, “Hebrenjtë në Shqipëri”, “Antropologji etnojuridike”, “Antropologji e religjionit”, “Kosova në syrin e ciklonit”, “Kosova në gjeopolitikë”, “Ndajfoljet përemërore në gjuhën shqipe”etj. Këto janë vetëm disa nga titujt e librave të tij, të cilët tregojnë larminë dhe interesimet e gjera studimore, që konturojnë profilin e akademikut Shaban Sinani. Nga studimet letrare tek ato folklorike e etnologjike, nga vështrimet historiko-politike tek analizat e detajuara gjuhësore, nga dokumentet më të hershme deri tek tekstet bashkëkohore, të gjitha përbëjnë një kontribut të vyer për fondin e letërsisë dhe të historiografisë shqiptare.