` . Procesi i shpërnguljes së shqiptarëve nga trevat verilindore gjatë shekullit XX - TV-SHENJA

Procesi i shpërnguljes së shqiptarëve nga trevat verilindore gjatë shekullit XX

Në Analizën me titull “Propaganda shqiptare”, hartuar më 12 mars të vitit 1939 nga kryeshefi i njësisë administrativ në Shkup, Nik Dimitrijeviq, thuhej se pas vrasjes së Hasan Prishtinës, irredentizmit shqiptar i prinë Ferhat bej Draga, veprimtaria e të cilit “zbatohet përmes rrugës konspirative”.

Qerim LITA

Lufta e Parë Ballkanike (tetor 1912) që përfundoi me tërheqjen e ushtrisë së Perandorisë Osmane dhe pushtimin e trevave verilindore shqiptare nga trupat ushtarake serbe, për kryeministrin e atëhershëm serb, Nikolla Pashiq, u konsiderua si luftë midis “krishterizmit evropian dhe islamizmit aziatik”, dhe se e njëjta sipas tij përfundoi me fitoren e “shteteve krishtere të Ballkanit”. Si rrjedhojë e një vlerësimi të tillë, pushtuesit serb, përkatësisht aleanca ortodokse ballkanike, si dhe pjesa më e madhe e Fuqive të Mëdha, në përjashtim të Austro-Hungarisë, shqiptarët i shpallën “armiq të civilizimit krishter evropian”.

Është e njohur botërisht se tokat shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia deri në vitin 1912 përbënin shumicën absolute të popullsisë së përgjithshme, ndërsa elementi sllav (serbë, malazez, maqedonas), ishte një pakicë e parëndësishme, e që ishte infiltruar gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Menjëherë pas pushtimit të këtyre tokave, nga ushtria serbe, filloi shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve për në Turqi në njërën anë, si dhe kolonizimi i vendbanimeve të pastra shqiptare me serbë, malazezë, maqedonas, boshnjak etj.

Për të pas një pasqyrë më të qartë rreth përbërjes etnike, të krahinave shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia, po i referohem librit: “Kosova – Djepi i Shqiptarizmit”, të autorit Hamit Kokolari, në të cilën përveç tjerash thuhet. “..elementët serbe e malazeze të infiltruar gjer më 1912 në krahinat shqiptare që më vonë do të aneksoheshin nga Jugosllavia, nuk përfaqësonin veçse 5% të popullsisë së përgjithshme, por çka meriton të vihet në dukje është fakti se në krahinat në fjalë, sidomos në veri të distriktevet të Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës, Gostivarit e Kërçovës, as para as pas vitit 1912, nuk figuron asnjë element bullgaro-maqedhonas. Por dhe në ato vise shqiptare si Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga, Ohri, Manastiri, ku elementi maqedhonas ka mundur të infiltrohet para vitit 1912, numri i tij ka qenë kurdoherë pa rëndësi në krahasim me numrin e shqiptarëve.”. (Hamit Kokollari, Kosova – Djepi i Shqiptarizmit, botuar në vitin 1962 nga Lidhja Kosovare në mërgim, f. 86).

Në një shkrim me titull “Tre ditë në Shkup”, botuar më 8 shkurt 1913 në gazetën e atëhershme opozitare serbe “Radniçke Novine”, veç tjerash, përshkruhej përbërja etnike në qytetin e Shkupit, ku në të shprehimisht thuhej: “… në Shkup ka rreth 58.000 banorë. Nga ky numër vetëm 3.000 janë serbë, shumica e tyre kolonistë. Mirëpo, në anën tjetër ka mbi 30.000 shqiptarë e turq”. Këto të dhëna sipas gazetës, nuk mund të merreshin si të sakta për arsye se siç vihej në dukje: “popullsia myslimane e këtij qyteti nuk i regjistrojnë fëmijët dhe gjininë femërore”.

Përbërja etnike, nuk mund të fshihej as nga administrata e atëhershme ushtarak-policore serbe, e cila u vendos menjëherë pas pushtimit të këtyre trevave. Në raportet e tyre, shihet qartë se në qarkun e Tetovës, Kumanovës, Kërçovës, Ohrit, Strugës, Dibrës, pastaj mbarë territori i sotëm i Kosovës, Sanxhaku etj, shqiptarët përbënin numrin më të madh të popullsisë, të cilët asnjëherë nuk do të pajtohen të ngelin nën robërinë serbe. Kryeshefi i Qarkut të Kumanovës, Ranko Trifunoviq, më 1 gusht të vitit 1913 i raportonte Komandës Supreme Ushtarake Serbe, se në atë qark kishte rreth 45.000 shqiptarë, të cilët shtriheshin në “pjesën lindore të Karadakut dhe pjesën e Anamoravës”, duke i përfshi edhe vendbanimet e Luginës së Kumanovës e të Preshevës, deri në linjën “Kumanovë – Bujanoc”, madje edhe “në vetë qytetin e Kumanovës, dhe se qendra e tyre ishte Presheva. Ndërkohë, kryeshefi i qarkut të Ohrit, Qirkoviq, në vitin 1914, i raportonte ministrit të Punëve të Brendshme, Stojan Protiq, ku veç tjerash theksonte se numri i popullsisë myslimane në atë qark arrinte shifrën prej 26.770, mirëpo këto të dhëna sipas tij nuk ishin të sakta për arsye se “regjistrimi ishte realizuar pas Kryengritjes së Dibrës”, prandaj në të nuk ishin llogaritur siç thuhej “ata myslimanë” të cilët nga ai territor ishin arratisur në Shqipëri, që sipas Qirkoviqit, numri i tyre arrinte deri më 20.000 “dhe se vetëm nga qyteti i Dibrës kishin ikur rreth 8-9000 vetë”.

Në favor të kësaj bën fjalë edhe dokumenti i hartuar në vitin 1920, nga Ministria e Punëve të Brendshme në Beograd, ku në të shprehimisht thuhej: “Me ardhjen e ushtrisë tonë në vitin 1912 dhe okupimin e Kosovës dhe Metohisë, iu dha një grusht vdekjeprurës idesë së Shqipërisë së Madhe, mirëpo paria shqiptare të përkrahur, kryesisht prej Austrisë, arritën ta krijojnë një Shqipëri të vogël si Shtet të pavarur… Përveç asaj se populli serbë është tepër i rrallë, ndërsa numri i madh i Shqiptarëve ngelën jashtë kufirit të Shqipërisë, kufijtë e përcaktuar politikisht ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, nuk kanë pasur thuajse as çfarë rëndësie për shqiptarët, të cilët dëshironin që edhe ata të jenë pjesë përbërëse e shtetit shqiptarë, nga e cila solli deri te revolta e shqiptarëve menjëherë pas vendosjes së paqes me Bullgarinë”. Për sa më sipër, mund të konstatohet se, këto treva kryesisht ishin të banuara me shqiptarë dhe se elementi sllav u vendos pas vitit 1912.

Mbështetur në të dhënat e dokumentuara, si dhe në literaturën shkencore të autorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, shpërngulja e shqiptarëve deri në Luftën e Dytë Botërore është zhvilluar në tri faza: faza e parë filloi nga viti 1912 dhe zgjatë deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore. Karakteristikë e kësaj faze është se okupatori serbë gjatë asaj periudhe me qëllim të pastrimit etnik zhvilloi një fushatë të egër, ndaj popullsisë vendore shqiptare si vrasje masive, përndjekje, etj. Faza e dytë filloi nga viti 1919 që zgjatë deri në vitin 1931. Për dallim nga faza e parë, tashti autoritetet serbe zhvillojnë një politikë tjetër antishqiptare, ku në emër të “Reformës Agrare”, bëjnë konfiskimin e pronës shqiptare dhe të njëjtat ua shpërndajnë kolonistëve serb. Faza e tretë filloi pas vitit 1931 kur: “Mbretëria jugosllave shpall ligjin mbi kolonizimin e krahinave jugore.”. Burimet jugosllave vënë në pah se deri më 1 janar të vitit 1928 autoritet serbe, në Kosovë dhe në trevat lindore shqiptare kishin kryer përkufizimin e 222.397 hektarë tokë bujqësore, me 1923 komplekse të mëdha. Nga kjo sasi 111.607 hektarë u ishte shpërndarë kolonistëve serbë, të cilët përbënin gjithsej 173 koloni dhe 419 fshatra.

Ndërkohë, me qëllim të asimilimit sa më të shpejtë të popullsisë shqiptare myslimane, në shtator të vitit 1925 në Shkup u hap një shkollë e mesme për siç thuhej “popullsinë myslimane”, e cila mori emrin “Medreseja e Madhe Kral Aleksandri I”. Kjo shkollë edhe pse nga pushteti i atëhershëm konsiderohej si shkollë fetare, në fakt aty më së paku mësohej feja, sepse të gjithë ligjëruesit dhe edukatorët, ishin jo mysliman, përkatësisht serb dhe rus, përveç drejtorit Ahmed Mehmedbashiq, një boshnjak i serbizuar. Këshilltari i lartë serb, Dragosllav Jovanoviq, në raportin dërguar më 14 shkurt 1930 Ministrisë së Arsimit në Beograd, e përshkruante pakënaqësinë dhe urrejtjen e madhe të popullsisë shqiptare ndaj politikës edukativ-arsimore të medresesë, sepse, siç vinte në dukje: “shumicës së tyre nuk u vjen mirë që në atë shkollë përveç drejtorit nuk ka asnjë arsimtarë ose edukator të besimit islam, por të gjithë janë ortodoksë të vërtetë, serb ose rus…”. Jovanoviq më pas ndalet në shkaqet dhe arsyet e hapjes së asaj shkolle, duke u shprehur: “…për të ndihmuar që elementet myslimane nëpërmjet rrugës së arsimit dhe progresit të futen në rrugën e vërtetë, që të krijohet kleri i ri mysliman i edukuar në shkollën dhe frymën e kulturës sonë (serbe-Q.L.), nevojave tona shtetërore dhe aspiratave e idealeve tona nacionale, për ta paralizuar aksionin e huaj propagandues në mesin e elementeve shqiptare e turke, për ta përshpejtuar procesin e asimilimit të këtyre elementeve dhe me këtë të ndihmohet në konsolidimin e çështjeve në këto vise, si vendim më i përshtatshëm i zgjidhjes së çështjes u pa në themelimin e shkollës së Medresesë së Madhe në Shkup…”.

Gjenocidi serb i ushtruar mbi popullsinë shqiptare për të detyruar shpërnguljen dhe asimilimin e dhunshëm të tyre, përshkruhet edhe në Promemorien e tre famullitarëve të Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë: Don Jovan Bisaku, Don Shtjefan Kurti dhe Don Luigj Gashi, dërguar më 5 maj 1930 sekretarit të Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, Erik Dramondit, në të cilën thuhej se para okupacionit serb, shpërngulja kishte qenë tërësisht e panjohur për banorët shqiptarë “që shtrihen në viset të cilat tash janë nën sundimin jugosllav”. Sipas tyre, ar­syet për shpërnguljen e masave “që vërehet nga viti 1912, pa dyshim se janë përndjekja e çdo shtrese, me qëllim që t’i detyrojnë t’i lëshojnë vatrat e tyre.”. Përveç kësaj, në Propemorie paraqiten edhe dy metoda tjera, të cilat siç thuhet në dokument: “shovinizmi serbo-madh i vuri në shërbim të shpërnguljes të shqiptarëve të pambrojtur”, si: “përdorimi i forcës për shkombëtarizimin e popullsisë e cila nuk është në gjendje të mbrohet”, si dhe: “përndjekja dhe eliminimi i elementeve të cilët nuk dëshirojnë t’i lëshojnë trojet, e as të shkombëtarizohet me forcë.”. Si rrjedhojë e kësaj dhune deri në vitin 1930 nga këto treva ishin detyruar të shpërnguleshin “140.000 e më shumë shqipta­rë…në Turqi, Shqipëri dhe vende tjera fqinje”, theksohej ndër të tjerave në Promemorin e tre famullitarëve katolik shqiptar.

Në vitin 1937, Klubi kulturor serb i Beogradit, hartoi projektin për shpërnguljen e detyruar të shqiptarëve të Kosovës dhe të trevave lindore drejtë Turqisë dhe Shqipërisë”. Për rrjedhojë, Qeveria e Mbretërisë jugosllave më 29-30 shtator të vitit 1938 nënshkroi Marrëveshjen me Qeverinë e Republikës së Turqisë, e njohur me emrin: “Konventa turko-jugosllave për kalimin e shqiptarëve në Turqi.”, e cila parashihte shpërnguljen e 40.000 familje shqiptare nga Jugosllavia për në Turqi, apo mbi 300.000 banorë. Burimet e proveniencës policore e ushtarake jugosllave bëjnë të ditur se Beogradi zyrtar nuk ishte i kënaqur me dinamikën e shpërnguljes, për çka insistohej në plotësimin e Konventës, të cilës t’i shtohej edhe shkëmbimi i popullsisë, përkatësisht dëbimi i 100.000 shqiptarëve e turqve për në Turqi dhe vendosjen e elementit ortodoksë nga Turqia në Jugosllavi. Mirëpo, këto shifra nuk i kënaqnin apetitet e pushtetarëve serbo-mëdhenj, sepse sipas tyre dëbimi i 400.000 shqiptarëve nuk i plotësonte “interesat e tyre shtetërore e nacionale serbe”, të cilat ishin “dëbimi deri në shqiptarin e fundit” nga tokat e tyre etnike dhe kolonizimi i tyre me elemente serbe e malazeze. Nisur nga kjo, ata planifikonin që në pjesën e parë të vitit 1939, të nënshkruajnë një konventë të ngjashme sikurse me Republikën e Turqisë edhe me Qeverinë Mbretërore të Shqipërisë, për shkëmbim të popullsisë, përkatësisht dëbimin e 100.000 shqiptarëve mysliman në Shqipëri dhe sjelljen e 100.000 shqiptarëve krishterë në Jugosllavi, që ata i konsideronin për “serb”. Për realizimin e këtyre planeve antishqiptare, qeveria jugosllave parashikonte themelimin e Inspektoratit Suprem, me qendër në Shkup dhe me dy qendra rajonale në Prishtinë e Pejë.

Është me interes të vihet në pah fakti se ndër metodat më të shpeshta që përdoreshin ndaj popullsisë shqiptare për t’i detyruar të lënë vatrat e tyre, ishte konfiskimi i tokave pjellore, duke u lënë atyre nga 0,40 hektarë për anëtarë familje, ndërsa pjesa tjetër u shpërndahej kolonistëve serb. Kjo shpërndarje sipas elaboratit të mësipërm bëhej si vijon: familjeve të nëpunësve u ndahej nga 5 hektarë; për çdo fëmijë mashkull deri më 16 vjet nga 1 hektarë; për çdo fëmijë mashkull mbi 16 vjet nga 2 hektarë; çdo mashkull mbi 20 vjet i pa martuar 3 hektarë ndërsa i martuar 4 hektarë; luftëtarëve vullnetarë nga 5 hektarë ndërsa jo vullnetarëve 3 hektarë. Përveç kësaj u jepej edhe nga 2 hektarë për pyllëzim dhe sasi të konsiderueshëm të tokës jo kualitative, si dhe tërë inventarin e nevojshëm për përpunimin e tokës.

Qëllimi i kësaj politike, siç theksohet në raportet e ndryshme të organeve policore dhe ushtarake serbe, ishte “dëshpërimi i banorëve shqiptarë”, sidomos i fshatrave “që shtrihen buzë Malit Sharë, e deri në linjën Kumanovë – Prishtinë”, ku sipas tyre “fshatrat shqiptare janë tepër kompakte”. Pushtetarët e Beogradit shpresonin, se nëpërmjet këtij presioni do të mund t’i detyrojnë shqiptarët, t’i shesin pronat dhe shtëpitë e tyre, për t’u shpërngulur në Turqi apo Shqipëri. Parashikimet serbe nuk do të realizohen, sepse udhëheqja kombëtare e fetare shqiptare në bashkëpunim me konsullatën shqiptare në Shkup, morën një sërë aktivitetesh, kryesisht informative, në mbarë hapësirën shqiptare nën Jugosllavi, ku veç tjerash, apelonin te fshatarësia shqiptare, që mos ta shesin tokën e tyre sepse, sipas tyre, pushtetarët: “mund t’u konfiskojnë gjithçka por shtëpitë nuk mund t’ua merr”, dhe se kjo politikë “është afatshkurtre ku do të vijë dita që Shqipëria do t’i çliroj të gjitha viset e robëruara shqiptare edhe atë nga Shkupi e deri në Prishtinë.”. Kështu, sipas burimeve policore serbe : “Shqiptarët janë tepër të dëgjueshëm ndaj kërkesave të parisë së tyre” dhe se “tani më rreth tre vite të tëra nuk shesin as një pëllëmbë tokë.”.

Në Analizën me titull “Propaganda shqiptare”, hartuar më 12 mars të vitit 1939 nga kryeshefi i njësisë administrativ në Shkup, Nik Dimitrijeviq, thuhej se pas vrasjes së Hasan Prishtinës, irredentizmit shqiptar i prinë Ferhat bej Draga, veprimtaria e të cilit “zbatohet përmes rrugës konspirative”. Shenja të dukshme të veprimit të Dragës dhe miqve të tij, ishin “përpjekjet që shqiptarët të tubohen në radhët e ngushta, të zgjedhin njerëzit e tyre, të cilët do t’i përfaqësojnë në Kuvendin Kombëtar si dhe njerëzit e tyre në krye të administratave komunale”. Ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij ishin mësuesit e mësim-besimit fetar, hoxhallarët dhe zyrtarët e vakëfeve. Me qëllim “që kompaktësia të jetë sa më e madhe” thuhej në analizë “ka ardhur edhe deri te pajtimi i gjaqeve e të kontesteve tjera nga ana e parisë shqiptare”. Aktiviteti politik i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare përfshinte dy pika më të rëndësishme:

  1. Shpërndarja në popull të literaturës shqiptare, e cila depërtonte ilegalisht përmes kufirit; dhe
  2. Ndërprerja e tërësishme e shpërnguljes së shqiptarëve, qoftë për Turqi qoftë për Shqipëri.

Sipas Dimitrijeviqit, ky aktivitet i parisë shqiptare, mësuesve fetarë si dhe të përfaqësive diplomatike shqiptare në Shkup, Manastir e Beograd, pati ndikim vendimtar që “lëvizja për shpërnguljen, e cila qe përfshirë te popullsia e jonë shqiptare deri në vitin 1936 sot të ngulfatet”, përkundër faktit se deri në atë periudhë kohore, fshatra të tëra ishin të gatshme t’i lëshojnë vatrat e tyre dhe t’i lënë pasuritë e tyre pa as çfarë dëmshpërblimi “vetëm se shteti t’i liroj nga tatimi i tokës, t’u jep pasaporta pa pare dhe t’ua paguaj rrugën deri në kufirin tonë”. Nuk patën sukses “as masat e rrepta agrare, as konfiskimi i armatimit”, prandaj, rruga e vetme që kjo çështje të filloj nga pika fillestare është “shpërngulja përmes rrugës së caktuar diplomatike sipas Konventës së nënshkruar me Turqinë, edhe pse shqiptarët flasin publikisht se në asnjë mënyrë nuk do t’i lëshojnë vatrat e tyre…” thuhej ndër të tjerave në analizë.

Procesi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Republikën e Turqisë, u ndërpre me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore dhe shpërbërjen e Mbretërisë jugosllave. Lidhur me numrin e saktë e të shpërngulurve nga luftërat ballkanike e deri në shpartallimin e Mbretërisë jugosllave, kemi të dhëna të ndryshme, që me këtë rast po i referohem diplomatit dhe studiuesit të shquar shqiptar, Hamit Kokollari, i cili në punimin e tij me titull “Kufijt e Shqipnis Etnike”, thekson se arrinte shifrën prej 220.000 banorëve.

Procesi i shpërnguljes së shqiptarëve për në Republikën e Turqisë, i cili përkohësisht u ndërpre gjatë LDB-së, në trevat verilindore shqiptare filloi në fillim të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Në fakt, kjo ide antishqiptare, rezultoi menjëherë, pas Rezolutës së Informbyrosë (1948) dhe ndërprerjes së marrëdhënieve deri atëherë “vëllazërore” midis dy qeverive komuniste, asaj të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë dhe përmirësimit të marrëdhënieve Turko-Jugosllave (1951), përkatësisht nënshkrimit të Paktit nga tre shtetet ballkanike: Jugosllavi, Turqi e Greqi. Për zbatimin sa më parë të kësaj politike, Josip Broz – Tito dhe kabineti i tij gjatë viteve 1951-1953, organizuan disa takime sekrete me ambasadorin turk në Beograd, Fuad Kyprili. Diplomati turk pajtohet që të ripërtërihet Konventa e para Luftës së Dytë Botërore e arritur midis Republikës së Turqisë dhe Mbretërisë jugosllave. E ashtuquajtura “Marrëveshja Xhentlemene” e arritur në Split në fillim të vitit 1953 midis Titos dhe Fuad Kyprilit, parashihte që brenda periudhës kohore 1953-1959, nga Jugosllavia për në Turqi të shpërnguleshin 400.000 mijë myslimanë, edhe atë kryesisht nga tokat etnike shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e Sanxhak. Procesi i shpërnguljes do të zbatohej përmes RP të Maqedonisë, ndërsa për bartës të atij procesi u caktua dyshi i famshëm komunist maqedonas Llazar Koishevski dhe Kërste Cërvenkovski.

Për realizimin sa më parë të detyrave të dhëna, Byroja Politike PKM-së, në janar të vitit 1952, formoi një komision, të cilin e udhëhoqi Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Mito Temenugov, Reis Shaqiri, Boge Kuzmanoski, Tome Buklevski-Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan. Një muaj më vonë, komisioni hartoi një elaborat prej 40 faqesh me titull “Analizë për çështjen shqiptare”, të ndarë në katër nëntituj kryesorë: historiati dhe gjendja politike në mesin e popullatës shqiptare në Maqedoni; çështja e arsimit; çështja ekonomike dhe çështja organizative. Në të ndër të tjerave vihej në pah se “pjesa dërmuese e popullatës myslimane në Maqedoninë Perëndimore është turke”, sidomos në: “Tetovë, Gostivar dhe Strugë”, dhe se “detyrimisht duhet të hapen në ato qytete shkolla turke.”.

Për rrjedhojë, në regjistrimin e popullsisë që u mbajt në vitin 1953 në RP të Maqedonisë, numri i popullsisë turke, krahasuar me regjistrimin e vitit 1948, u rrit për 107.998 banorë, ndërsa ai shqiptar ra për 34.865 banorë. Të shohim në vazhdim një pasqyrë, e cila i paraqet lëvizjet e mëdha që ndodhën në përcaktimin e përkatësisë nacionale ndërmjet regjistrimit të vitit 1948 dhe atij të vitit 1953:

Maqedonas Shqiptarë Turq Të tjerë
1948 1953 1948 1953 1948 1953 1948 1953
789 648 860 699 197 389 162 254 95 940 203 938 70 009 77 353

Ky ndryshim radikal i strukturës nacionale në RP të Maqedonisë, më së shumti u shpreh në Shkup, Kumanovë, Manastir, Veles, Krushevë, Ohër, Tetovë e Gostivar, ndërsa më pak në Dibër, Kërçovë e Strugë. Tabela në vazhdim e paraqet ndryshimin e strukturës nacionale sipas rretheve:

 

Maqedonas             Shqiptarë                     Turq                    Të tjerë

Rrethet 1948 1953 1948 1953 1948 1953 1948 1953
Manastiri 164916 182586 13166 4014 14050 29151 7329 7693
Kumanova 90636 98376 20105 5422 2896 19693 14360 17323
Ohri 120110 120434 33008 34608 10542 22745 4918 4774
Shkupi 95211 115846 35635 23696 16717 44645 24583 29399
Tetova 45277 49459 93183 92824 744 13454 2627 3287
T. Velesi 101980 103088 2212 1809 12919 27080 6770 5420

 

Në janar të vitit 1957, UDB i raportonte KQ të LKM-së, se ndryshimi aq i lartë i strukturës nacionale midis dy regjistrimeve nuk erdhi si rrjedhojë “të shtimit natyror të popullsisë turke” por nga “ndryshimi i deklarimeve të shqiptarëve” me çka “mundësoi krijimin e tyre të pjesshëm si turq”, dhe “injorimin e identitetit të vërtetë në favor të shpërnguljes”, një lëvizje stihike elementare te masat e gjëra, ndaj së cilës “politika jonë nuk mundej, për shkak thellësisë dhe fuqisë së tyre, të sillet brutalisht, në mënyrë doktrinare”, e cila do të krijonte “probleme të rënda fetare”, përveç “asaj që edhe e zgjodhi politika e jonë – toleranca ndaj shpërnguljes…”.

Definicioni i mësipërm, i përfaqësuesve të UDB maqedonase, është i paqëndrueshëm, për shkak se jehona e shpërnguljes nuk erdhi aty për aty. Përkundrazi, kjo qe përgatitur shumë më herët nga ana e pushtetit “popullor”, nëpërmjet planeve, analizave, elaborateve dhe projekteve antishqiptare. Në to në mënyrë të vazhdueshme akuzohej inteligjenca e atëhershme shqiptare, e cila sipas tyre vepronte kundër interesit shtetëror, duke dalë me parullat se: “Kombi shqiptar mund të zhduket nëpërmjet rrugës së turqizimit dhe shpërnguljes për Turqi”…, “se nuk duhet të shkohet në Turqi”, “Kjo është toka jonë”, “Ne gjithmonë kemi ekzistuar këtu dhe këtu duhet të qëndrojmë, pa marrë parasysh represaliet që do të ndërmerren kundër nesh … etj”. Vetëm midis periudhës kohore 1951-1955, në RP të Maqedonisë u zbuluan katër organizata të mëdha shqiptare, ndërsa u arrestuan mbi 150 intelektualë shqiptarë (mësues, prijës fetarë musliman, student etj.), nën pretekstin se kanë zhvilluar “veprimtari armiqësore kundër popullit e shtetit”.

Dokumentet e kohës, hedhin dritë se procesi i shpërnguljes së popullsisë shqiptare për në Turqi, zyrtarisht përfundoi më 15 mars të vitit 1959, ndërsa jo zyrtarisht vazhdoi deri në shpërbërjen e RSFJ-së. Në informatën që Komisioni për pakicat nacionale, më 24 gusht 1959 ia përcjell Komiteti Ekzekutiv i KQ të LKM-së, thuhej: “nga viti 1951 e deri më 15 mars 1959 nga RP e Maqedonisë gjithsej janë shpërngulur për në Republikën e Turqisë 143,800 banorë, përkatësisht rreth 11% të popullsisë së përgjithshme të Republikës”. Ky numër, sipas Llazar Kolishevskit, deri në vitin 1966 arriti shifrën prej 250.000 banorëve.

Paralelisht me procesin e shpërnguljes së popullsisë myslimane (shqiptare e turke), në RP të Maqedonisë, filloi procesi i vendosjes së refugjatëve politik, të cilët gjatë luftës qytetare në Greqi (1946-1949), kishin emigruar në shtetet e Evropës Lindore. Në Analizën me titull “Çështja aktuale në lidhje me vendosjen e bashkëkombasve nga pjesa e Maqedonisë së Egjeut”, hartuar në dhjetor të vitit 1974 nga Këshilli për Çështje të Emigracionit pranë Këshillit Ekzekutiv të RS të Maqedonisë, thuhej se derei në vitin 1968, nga shtetet e Evropës Lindore (BRSS-së, Çekosllovaki, Poloni, Hungari, Rumani etj.) ishin sjell e vendosur në Maqedoni, gjithsej 10.182 familje me 34.915 anëtarë, ndërsa nga viti 1968 e deri më 1974 edhe 932 familje me 3.224 anëtar, apo në tërësi: 11.114 familje me 38.139 anëtar. Përveç kësaj, nga Konkluzionet e Këshillit Ekzekutiv të RSM-së, të miratuara më 22 qershor 1973, parashikohej që brenda 10 viteve të vendosjen edhe 4.000 familje tjera, edhe atë në fazën e parë 1974-1975 nga 200 familje në vit, ndërsa në fazën e dytë nga 400 familje.

Në mbështetje të po këtyre burimeve, kuptojmë se shumica dërmuese të këtyre refugjatëve politik u vendosën në Shkup e Manastir, ndërsa pjesa tjetër në qytetet me shumicë shqiptare si në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Dibër e Strugë. Sipas marrëveshjes së nënshkruar midis RSFJ-së dhe shteteve të Evropës Lindore, ndër kushtet e domosdoshme për sjelljen dhe vendosjen e atyre refugjatëve në RS të Maqedonisë ishin: sigurimi i banesës për çdo familje, punësimi së paku të një anëtari të familjes, sigurimi i bursave për shkollimin e fëmijëve, sigurimin e ndihmës sociale për ato familje të cilat nuk kishin anëtar të aftë për punë etj. Një politik e tillë që zbatohej asaj kohe nga udhëheqja politike jugosllave, kuptohet se e nxitur nga ajo maqedonase, pati një qëllim të vetëm: ndryshimin e strukturës nacionale në trevat ku shqiptarët përbënin shumicën dërmuese të popullsisë.

Ndërkohë, nga viti 1965, udhëheqja jugosllavi arriti marrëveshje me disa shtete perëndimore, në radhë të parë me Republikën Federale të Gjermanisë dhe me Zvicrën, për dërgimin e një numri të madh të punëtorëve të krahut. Këtë marrëveshje, autoritetet komuniste maqedonase, e shfrytëzuan për dëbimin sa më të madh të shqiptarëve nga vatrat e tyre për në ato shtete. Të dhënat që dalin nga dokumentacioni i KQ të PKM-së, nxjerrin në pah se midis periudhës kohore 1966-1989, nga kjo republikë si punëtor krahu fillimisht në këto dy shtete, më vonë edhe në Belgjikë, Francë, Holandë, Austri, Suedi, Danimarkë, Norvegji etj., ishin vendosur mbi 20.000 kryefamiljar shqiptar, shumica e të cilëve me kalimin e kohës i tërhoqën edhe anëtarët tjerë të familjes së tyre. Ky migrim i popullsisë shqiptare, i cili ndryshe njihej si “ekonomik”, nga viti 1986, u zgjerua edhe në SHBA, ku një numër tepër i madh i shqiptarëve, shumica e tyre intelektual, për shkak masave të rrepta politike kundër siç thuhej “irredentizmit e separatizmit shqiptar” që asaj kohe i ndërmori udhëheqja komuniste maqedonase në krye me Jakov Llazarovski, Millan Pançevskin etj, u detyrën që përmes kanaleve ilegale (Meksikës) të vendosen në SHBA. Shumica e tyre ishin nga Tetova, Gostivari, Kërçova, Struga, Prespa, Manastiri dhe Dibra. Sipas një dokumenti konfidencial të Mbrojtje Popullore të RS të Maqedonisë, vetëm nga Dibra me fshatrat për rreth, midis kësaj periudhe kohore në SHBA ishin vendosur 5.000 shqiptarë.

Duke e përmbyllur këtë punim studimor, kushtuar procesit të shpërnguljes së shqiptarëve nga trevat lindore gjatë shekullit XX-të, mund të konstatojmë se numri i përgjithshëm i popullsisë shqiptare të shpërngulur nga këto treva për në Turqi, Shqipëri, shtetet e Evropës Perëndimore, SHBA, Kanada, Australi etj., është shumëfish më i madh se numri i shqiptarëve të cilët sot jetojnë në këto treva.

Postime të Ngjajshme