` . Procesi i Berlinit në Samitin e Triestes sfidon BESH-in - TV SHENJA

Procesi i Berlinit në Samitin e Triestes sfidon BESH-in

Para dy-tre vitesh, në po këtë revistë, në një shtjellim tematik kemi trajtuar të a.q. Bashkimin Ekonomik Shqiptar (BESH), para se gjithash për nga nevoja, mundësitë dhe perspektiva. Verën e vitit kaluar kësaj forme të bashkëpunimit ia shtuam edhe dimensionin kulturor, si një arritje kulminante kombëtare edhe në përmasa globale.

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Iniciativa për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, përmes të a.q. Proces i Berlinit, filloi tri vite më parë në kryeqendrën e forcës ekonomike evropiane – në Berlin më 2014, për të vijuar në Vjenë në vitin 2015, Paris në vitin 2016 dhe sapo u realizua në Trieste të Italisë këtë vit, për të vazhduar vitin e ardhshëm në Londër. Kjo tashmë po bëhet tradicionale dhe vjetore, së paku deri në anëtarësimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në Samit ishte pjesëmarrja e nivelit më të lartë – në nivel kryeminsitror nga 3-4 shtete më të fuqishme ekonomike dhe politike të BE-së dhe nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, me përfshirje të Komisionit të BE-së me personalitetet kryesore – Mogerini dhe Han, si dhe me përfaqësuesit e institucioneve më të rëndësishme financiare dhe zhvillimore të BE-së (si BERZH-i ose BEI…). Gjithë kjo strukturë, e shoqëruar me asociacionet kryesore ekonomike të vendeve anëtare të Ballkanit Perëndimor, së bashku me qindra afaristë nga këto vende, e bëri Samitin të një rëndësie më të veçantë sesa vetëm një iniciative regjionale të një tregu më të vogël se 20 milionë banorë. Vetëm Rumunia kur u anëtarësua një dekadë më parë e kishte këtë madhësi tregu!
Në fokus të Samitit ishte bashkëpunimi ekonomik si komponenti më atraktiv dhe praktik edhe për PR-in diplomatik regjional, edhe pse në prapaskenë harmonizimi i marrëdhënieve dhe koordinimi politik ishte dhe mbetet esenca e procesit. Me një paternalizëm të theksuar evropian për këtë pjesë të saj, Evropa e bashkuar deshi t’ia bëjë me dije Kremlinit dhe agjendës së tij, politike por edhe ambicieve tjera të ngjashme, se nuk do të lejojë influenca anësore për efekte të pakënaqësive dhe dobësimit të Evropës së bashkuar. Jorastësisht, krahas kancelares Merkel si “sponsor” kryesor i kësaj iniciative, rol të veçantë kishte edhe prezenca e presidentit Makron së bashku kryeministrin nikoqir Gentiloni. Treshja më e fuqishme kontinentale evropiane deshi t’u tregojë qendrave tjera se, me gjithë lëkundjet rreth perspektivës së BE-së, ajo mbetet blloku më i fuqishëm ekonomik dhe politik në planet dhe se procesi i preferencës për të qenë anëtar i këtij klubi edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor i parandalon ambiciet e cilësdo qoftë alternativë tjetër gjeopolitike.
Me procesin e Berlinit, para së gjithash BE-ja e ka idenë për kohezionin politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përafruar dallimet dhe problemet politike, që i kanë vendet e këtij regjioni. Problemet me Serbinë ndaj Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, por pjesërisht edhe me Malin e Zi, kërkojnë krijimin e një “pakoje regjionale” me agjendë të harmonizuar evropiane, si në dinamikë, ashtu edhe në strukturë. BE-ja nuk mund të lejojë edhe më tej një proces të integrimit të fragmentuar të këtij regjioni shumë të përafërt për nga natyra e problemeve dhe sistemit të (anti)vlerave në qeverisje. Brukseli dëshiron të gjejë një emërues të përbashkët të regjionit, që çdo vend ndaras ta kuptojë se rrugëtimi deri te anëtarësimi i plotë mund të shkojë vetëm në përpjesëtim të plotë inkluziv dhe jo ekskluziv. Prandaj në këtë proces po “fabrikohen” edhe ide të tregjeve dhe zonave ekonomike të përbashkëta, si porosi e qartë se BE-ja mbetet e interesuar për këtë regjion gjeografikisht, ekonomikisht dhe politikisht, para së gjithash për t’i parandaluar ambiciet e “qendrave alternative”. Njëkohësisht edhe regjioni duhet të përgatitet ekonomikisht dhe politikisht për të reflektuar në përafrimet e dallimeve aktuale që i ka. Problemi i krejt regjionit për BE-në mbetet Serbia në relacion me Kosovën dhe Bosnjën, por pjesërisht edhe me Malin e Zi.
Zona “e lirë ekonomike”, si projekt regjional, ose unioni doganor ballkanik, ishte më shumë përpjekje e BE-së për ta matur pulsin e liderëve të Ballkanit Perëndimor sa mund t’i përtypin dallimet politike në funksion të perspektivës ekonomike. Përndryshe, një “union” tregtar, bile përtej këtij kufiri gjeografik të Ballkanit Perëndimor, funksionon me të ashtuquajturën iniciativa CEFTA (Central Europe Free Trade Agreement). Problemet tregtare edhe brenda CEFTA-s janë të natyrës së dallimeve politike, që kryesisht i imponon Serbia në relacion me të tjerët, posaçërisht me Kosovën. Me CEFTA-n nga regjioni i Ballkanit Perëndimor më së shumti probleme dhe humbje ka Kosova, kurse përfitime ka pikërisht Serbia, si për nga pozita e saj ekonomike (bilanci tregtar suficitar me regjionin), aq më tepër edhe për nga madhësia e tregut të saj në ofertën eksportuese. Ajo akoma po i “eksploaton” tregjet shqiptare (posaçërisht Kosovën) me agresivitet në ofertë (eksport) dhe protekcionizëm (deri në ndalesë të padukshme) në kërkesë (import). Serbia dëshiron tregje të përbashkëta për interesa ekonomike pa kosto politike. Mentalitet tipik sllav! Reagimi i parë kundër Unionit Doganor erdhi nga Serbia me deklaratën e presidentit Vuçiq se kjo ide e “rikthen” ish Jugosllavinë plus Shqipëria, që ishte kontradiktor me përfitimet. Mbase ai për interesa ditore politike dëshiron status quo-në në këto marrëdhënie ose kishte nuhatur kundërshtimin e Kosovës. Për Kosovën në CEFTA “negocioi” UNMIKU, kurse në një iniciativë të re për Union Doganor do të negocionte qeveria e saj, me çka përforcohet sovraniteti ekonomik i shtetit të Kosovës, i kontestuar nga Serbia dhe Bosnja, sërish për shkak të problemit serb atje. Prandaj, është koha e fundit që shqiptarët të koordinohen deri në harmonizim maksimal për utilizimin e tregjeve të tyre para se të lejojnë invazionin ekonomik dhe bllokimin politik pikërisht nga shteti që më së shumti përfiton nga këto tregje.
Agjenda ekonomike e BE-së, duke nisur nga “Unioni Doganor” e deri te zhvillimet infrastrukturore, posaçërisht në sektorët e transportit, energjetikës, digjitalizimit dhe ekologjisë, ishin “karota” e ofruar, ndërkohë që harmonizimi i dallimeve politike dhe reduktimi i barrierave ekonomike paraqiste “shkopin” si kërcënim për mospërmbushje. Kësaj duhet shtuar edhe përpjekja e BE-së për të krijuar sinergji dhe kapital shtesë social në regjion përmes krijimit të Asociacionit, të a.q. Zyra Koordinuese e Odave Ekonomike dhe Tregtare të Regjionit me Sekretariat Profesional dhe seli në Trieste. Ky rrjet i asociacioneve të biznesit nga regjioni i Ballkanit Perëndimor ka për qëllim të zhvillojë bashkëpunimin regjional të odave ekonomike dhe tregtare, të krijojë kontakte të drejtpërdrejta midis afaristëve nga regjioni (B2B) dhe të iniciojë konferenca, panaire dhe forma të tjera praktike të bashkëpunimit të kompanive në fusha të përbashkëta të biznesit, me theks të veçantë në ato të realizimit të projekteve infrastrukturore të regjionit. Pa dyshim se idetë ishin sa fisnike po aq edhe praktike. Por, mbetet dilema kryesore te instrumentet dhe dinamika e realizimit të tyre. Fondet e paralajmëruara për projekte të destinuara edhe sipas një rëndësie të madhësisë së tregut, por edhe sipas “kostos së problemit”, Serbinë e rangonin pa dyshim të parën. Caqet e zhvillimit ekonomik duhej të kenë një prioritet të kundërt, që së pari të stimulohen dhe përkrahen shtetet me nivel më të ulët të zhvillimit, që kështu të mund të përafrohet dallimi në zhvillim dhe jo e kundërta. Serbia është i vetmi vend në regjion me bilanc suficitar energjetik, i pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërkohë që e kundërta është me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kosovën. Shqipëria dhe Kosova, edhe për shkaqe të natyrës gjeopolitike, janë të vetmet vende në regjion me ndërlidhje më të dobëta energjetike. Si do realizohet optimizimi i tregut të përbashkët energjetik me këtë gjendje apo akoma Shqipëria do të importojë energji elektrike nga Serbia përmes Greqisë?! Përkundër përfitimeve më të mëdha, sërish nga ky Samit më e pakënaqur doli Serbia! Ky është mentaliteti i pangopësisë sllave. Kështu edhe e rrisin “pazarin” e tyre.
Kryeministri Rama ishte realist i ekuilibruar, si në vlerësime për të kaluarën, ashtu edhe në pritshmëritë për të ardhmen. Bile në Trieste ishte më shumë i “tokëzuar” sesa në Tiranë kur në konferencë shtypi për këtë tematikë e kishte angazhuar edhe drejtoreshën e Departamentit të Zhvillimit dhe Ndihmës së Huaj (znj. Dhuka), e cila e vlerësoi edhe praktikisht Shqipërinë si vendi më përfitues nga Samiti, pas Serbisë. Ajo që është për t’u nënvizuar te kryeministri Rama është vlerësimi pa eufori dhe pritshmëri. Thjesht, ky rrugëtim deri në integrim nuk është për BE-në, por për vet vendet pretenduese. Përmbushja e standardeve dhe kritereve të BE-së janë me dobi përfituese më shumë se çdo vlerë financiare, që mund të thithim nga fondet evropiane të destinuara për zhvillim deri në integrim. Në anën tjetër, edhe kryeministri Mustafa me shumë të drejtë ishte skeptik për idenë e “Zonës së lirë ekonomike dhe doganore”, gjithnjë duke pasur parasysh pozitën ekonomike dhe tregtare të Kosovës, vendit më të varur të regjionit nga bilanci tregtar dhe importi dominant! As niveli i zhvillimit ekonomik të sektorëve të Kosovës, po as edhe statusi politik me Serbinë, nuk e favorizojnë pozitën e Kosovës ndaj një propozimi të tillë. Me sektorët e saj ekonomikë akoma “foshnjorë” Kosova ka nevojë për mbrojtje të ekonomisë vendore edhe për shkak të hendekut ekstremisht të gjerë midis importit dhe eksportit. Bilanci tregtar i saj akoma shkon në rreth 85% deficit struktural.
Para dy-tre vitesh, në po këtë revistë, në një shtjellim tematik kemi trajtuar të a.q. Bashkimin Ekonomik Shqiptar (BESH), para se gjithash për nga nevoja, mundësitë dhe perspektiva. Verën e vitit kaluar kësaj forme të bashkëpunimit ia shtuam edhe dimensionin kulturor, si një arritje kulminante kombëtare edhe në përmasa globale. Forma më e mirë e bashkimit tonë kombëtar, krahas kulturës, artit, sportit,… mbetet bashkëpunimi ekonomik. Pikërisht këtë që BE-ja po insiston në shkallë të regjionit përtej-shqiptar. Kjo paradigmë e BE-së, edhe për arsye natyrore (kompaktësia gjeoekonomike shqiptare, shpërndarja e pasurive dhe resurseve natyrore, dinamika e popullsisë, kapitali social dhe diaspora e fuqishme…), së pari duhet të praktikohet, fillimisht në shkallë bilaterale (Shqipëri-Kosovë), dhe, më pas, edhe me Maqedoninë (para së gjithash në zonat shqiptare), Luginën dhe Malin e Zi. Mendoj se procesi i Berlinit me modelin e zonave të lira ekonomike dhe doganore, si dhe zhvillimet infrastrukturore, duhet të jetë motiv shtesë për këtë qasje komplementare. A nuk është më praktike që, për të arritur më lehtë te bashkëpunimi regjional, të fillohet nga bashkëpunimi bilateral? Pse jo në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë! Karakteristikat komplementare janë më të shprehura se me çdo vend tjetër. Thjesht, nëse i shikojmë vetëm bilancet e ndara tregtare dhe ta shohim si mund ta konsolidojmë një bilanc të përbashkët tregtar. Për këtë nuk mjafton vetëm vullneti politik deklarativ dhe takimet e përbashkëta ndërqeveritare, por duhet edhe një plan dinamik ndërveprimi, duke filluar nga harmonizimet doganore dhe çmimet referente, harmonizimet fiskale, financiare, sektoriale…, e deri te ekonomia e shkallës për t’i sfiduar bashkërisht tregjet e treta. Me këtë përcaktim strategjik dhe konceptual të zhvillimit ekonomik të trojeve shqiptare nga ana e institucioneve ekonomike të vendeve të të njëjtit gjak dhe gjuhë, do të dekurajoheshin edhe ata aventurierë të facebook-ut, që i japin të drejtë vetes me dioptrinë e injorantit t’i komentojnë “përfitimet” fisnore dhe folklorike nga shkëmbimet turistike! Këto dhe sorollatjet e ngjashme nëpër rrjete sociale vetëm se e dëmtojnë imazhin e proceseve të integrimit brendakombëtar para atij ndërkombëtar. Interesat personale dhe individuale nuk mund të vihen mbi perspektivat gjithëshqiptare. Ekonomitë dhe përfitimet kombëtare maten mbi bazë agregate dhe jo individuale (raste të izoluara personale).
Kryeministri Rama, me mandat të ri dhe meritor, krahas projekteve të mirëqeverisjes dhe ngritjes së kapaciteteve institucionale, tash e ka kohën ta përcaktojë prioritetin dhe paradigmën për bashkim ekonomik shqiptar para atij ndërkombëtar. Besojmë dhe shpresojmë se këtë do ta bëjë edhe kryeministri kosovar, cilido qoftë ai, që po ashtu duhet të zgjidhet sa më parë. Në këtë plan, Ramushi është goxha kombëtar, por Albini pa dyshim është mbarëkombëtar dhe i paparë!

Postime të Ngjajshme