` . Problem është kultura e taksimit, jo pagesa në Rrugën e Kombit – TV-SHENJA

Problem është kultura e taksimit, jo pagesa në Rrugën e Kombit

Qytetarët shikohen si burim prej nga mund të vilen para dhe ngarkohen e mbingarkohen me taksa deri në kufijtë e papërgjegjshmërisë. Bashkia e Tiranës, për shembull, ka vendosur një taksë për arsimin, me pretendimin për ndërtimin e infrastrukturës arsimore, dhe qeveria nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në këtë rast, kur ajo është përgjegjëse për investimet në infrastrukturën arsimore dhe e mbulon këtë zë nga buxheti, i cili realizohet nëpërmjet taksave të përgjithshme.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Më 31 mars banorët e qarkut të Kukësit organizuan një protestë kundër tarifës së vendosur për Rrugën e Kombit, rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën. Protesta, e cila nisi paqësore, u përfshi nga dhuna, si rezultat i së cilës u shkatërrua infrastruktura e ngritur për mbledhjen e parave nga shoferët e makinave dhe përfundoi me arrestimin e 23 personave. Arrestimi dhe procesi gjyqësor për masën e arrestit çuan në protesta e reagime të tjera, por objekti i këtij shkrimi është përdorimi i parave publike nga qeveria, që, në rastin e pagesës rrugore, u bë shkak për protestën, dhunën, arrestimet dhe gjithë debatet që i shoqëruan ato.

Vendimi i qeverisë për vendosjes e pagesës për Rrugën e Kombit u kundërshtua që në fillim, por ajo vazhdoi me të vetën dhe e dha këtë shërbim me koncesion. Vlera e pagesës ishte e ndryshme në varësi të tonazhit të makinave. Ky vendim i qeverisë ishte i gabuar për disa arsye.

E para, dhënia me koncesion e një shërbimi, i cili nuk kërkonte ndonjë investim serioz, përveç disa sporteleve në rrugë, ishte veprim abuziv, prej të cilit përfitonte vetëm kompania fituese e koncesionit. Në praktikën botërore, por dhe shqiptare në të shkuarën, qeveritë japin me koncesione ndërtimin e veprave të mëdha, si ndërtim rrugësh, minierash etj., të cilat kërkojnë shpenzime të larta, të cilat qeveria nuk i zotëron ose nuk pëlqen të sakrifikojë paratë publike, andaj koncesionari, sipërmarrësi i rrezikut, e fiton të drejtën e shfrytëzimit të objektit të investuar për një kohë të caktuar, e cila mendohet që i mundëson atij t’i rifitojë paratë e investuara dhe të sigurojë një fitim të caktuar. Në rastin e Rrugës së Kombit nuk bëhej fjalë për ndonjë investim të madh, andaj nëse qeveria e merrte përsipër ta kryente vetë këtë shërbim, ajo nuk rrezikonte asgjë. Ndërtimi i Rrugës së Kombit me koncesion do të kishte qenë një vendim i arsyeshëm, jo shërbimi për mbledhjen e tarifës rrugore.

E dyta, futja e pagesës në rrugët shqiptare, përfshi Rrugën e Kombit, ndërkohë që qytetarët, ata që përdorin makina, paguajnë prej vitesh taksa për mirëmbajtjen e rrugëve, është abuzim. Abuzimi në këtë rast qëndron në faktin që, nëse futet pagesa në rrugë për çdo kalim, qytetarët (ata që përdorin makina) do të paguajnë për diçka që e kanë paguar një herë në fillim të vitit dhe sa herë mbushin makinën me karburant. Një herë në vit pronarët e makinave paguajnë taksën e qarkullimit, pa të cilën nuk lëvizin dot, sepse, nëse kapen, gjobiten nga policia rrugore. Atëherë, ku është logjika financiare që t’i marrësh dikujt para dy herë për të njëjtën gjë? Përfytyroni veten në një dyqan, ku shitësi u merr dy herë çmimin për një palë këpucë!

Një çështje e diskutuar me zjarr ishte dhe vlera e pagesës që ishte vendosur për Rrugën e Kombit, duke filluar me 5 euro për makinat e vogla, e deri në 22 euro për makinat e mëdha të transportit, por, për mua, çmimi i vendosur dhe monedha e përcaktuar për pagesë (euro), ishin veç elementë shtesë për ta bërë grotesk vendimin e qeverisë. Çmimi ishte shumë i lartë në raport me të ardhurat e qytetarëve shqiptarë, ndërsa vendosja e çmimit me euro ishte papërgjegjshmëri e qeverisë. Me këtë gjest qeveria u prezantua sikur nuk kishte respekt për monedhën vendase, e cila është përcaktuar në kushtetutë. Për mua, çmimi nuk është çështje për diskutim, sepse diskutimi i tij do të thotë të pranohet ekzistenca e tij, të pranohet një pagesë shtesë, e cila do të thotë mungesë respekti për qytetarin. Çmimi mund të diskutohej vetëm në rast se hiqeshin të gjitha taksat e rrugëve dhe e vetmja mënyrë për mbledhjen e parave për mirëmbatjen do të mbetej pagesa me sportele në rrugë.

Taksimi i dyfishtë për mirëmbajtjen e rrugëve ekziston tashmë, andaj pagesa në rrugë do të ishte e trefishtë. Pronarët e makinave në Shqipëri paguajnë prej kohësh taksën e qarkullimit, një herë në vit, dhe, po taksë qarkullimi, për çdo litër karburant që blejnë. Taksa e karburantit është 35 lekë për litër dhe kjo i ka bërë çmimet e karburanteve në Shqipëri ndër më të lartat në Evropë, përfshi dhe vende si Gjermania, që kanë të ardhura disa herë më të larta se të qytetarëve shqiptarë.

Çështja e taksimit të dyfishtë është një çështje serioze për debat, sepse ajo tregon fytyrën e vërtetë të politikës shqiptare, e cila nuk është shkëputur dot nga natyra mizore e regjimit komunist. Drejtuesit e regjimit komunist deshën të sundonin dhe këtë – në aspektin ekonomik – e realizuan duke shpronësuar të pasurit dhe duke i vendosur të gjitha pronat nën kontrollin e qeverisë, e cila kontrollohej nga grup i ngushtë njerëzish. Të gjithë banorët e Shqipërisë u kthyen në punëtorë me mëditje, pasi u sanksionua në Kushtetutë “kush punon, nuk ha.” Masën e asaj që hanin (pagesën) e përcaktonin drejtuesit e regjimit, të cilët u jepnin një pagesë sa për të mbajtur frymën gjallë. Gjithë fshatarësia, e cila përbënte 2/3 e popullsisë, jetonte, bazuar në dokumente zyrtare të kohës, në minimumin jetik, pra në prag të varfërisë ekstreme. Duke i bashkuar kësaj shifre dhe pjesën e banorëve të qyteteve që ishin në minimumin jetesës, mund të thuhet se pjesa dërrmuese e popullsisë, me përjashtim të një kaste të vogël në shërbim të regjimit, jetonte në prag të varfërisë ekstreme.

Në kohën e sotme, kur pushteti nuk mund ta kontrollojë gjithë pronën e qytetarëve, sepse kjo politikë është diskredituar, po veprohet (me vetëdije ose jo, këtë nuk e di) me mënyra të tjera. Qytetarët shikohen si burim prej nga mund të vilen para dhe ngarkohen e mbingarkohen me taksa deri në kufijtë e papërgjegjshmërisë. Bashkia e Tiranës, për shembull, ka vendosur një taksë për arsimin, me pretendimin për ndërtimin e infrastrukturës arsimore, dhe qeveria nuk ka bërë asnjë ndërhyrje në këtë rast, kur ajo është përgjegjëse për investimet në infrastrukturën arsimore dhe e mbulon këtë zë nga buxheti, i cili realizohet nëpërmjet taksave të përgjithshme. Edhe rrënjët e këtij dublimi të taksave gjenden në komunizëm. Asokohe qeveria kishte një buxhet të caktuar për arsimin dhe kulturën, por, nga ana tjetër, kishte vendosur, me dekret, vetëm për fshatin, vetëtatimin, me qëllim ndërtimin e objekteve social-kulturore, siç quheshin atëherë. Vetëtatimi funksiononte kështu: fshatarët mblidheshin dhe binin dakord që të paguanin një kuotë të caktuar për ndërtimin e një shkolle ose të një shtëpie kulture, vendimin për ndërtimin e së cilës e merrnin organe të tjera, komitetet ekzekutive ose vetë qeveria dhe jo fshatarët. Ndërkohë, fshatarët ishin kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e shtetit.

Megjithatë, me Rrugën e Kombit kanë ndodhur gjëra më groteske sesa vendosja e pagesës për kalimin në të. Kur ishte kryeministër Pandeli Majko (1998-99, 2002), ai vendosi një taksë për të gjitha makinat, me të cilën parashikonte të mblidhte paratë e nevojshme për ndërtimin e Rrugës së Kombit. Nga kjo taksë, që njihet si “Taksa Majko”, thuhet se u mblodhën 250 milionë euro, por rruga nuk u ndërtua kurrë (Rruga u ndërtua më vonë, me kredi, nga qeveria e Sali Berishës). Fati i këtyre parave nuk është hetuar kurrë seriozisht. Për çfarëdo gjëje që ato para janë përdorur dhe sado mbrojtje ligjore t’u jetë veshur, ky mbetet një rast i pastër korruptiv. Korrupsioni është, në thelb, devijimi i destinacionit të përcaktuar në përdorimin e parave publike.

Fatmirësisht, modeli Majko i taksimit është braktisur, por mungesa e respektit të qeveritarëve për paratë publike dhe qytetarëve që i krijojnë ato nuk është zhdukur.