` . Prishtinë, hapet panairi tradicional dimëror - TV SHENJA

Prishtinë, hapet panairi tradicional dimëror

Në kryeqytetin e Kosovës sot për herë të katërt, u hap panairi tradicional dimëror, i organizuar nga Asociacioni i Agjencive Rajonale për Zhvillim (ARDA) në kuadër të projektit “Mbështetja për Zhvillimin Ekonomik Rajonal”, i financuar nga BE-ja dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, raporton AA.

Në këtë panair, i cili do të zgjasë tre ditë me radhë, 70 biznese lokale të dalluara për produkte vendore do të paraqesin produktet e tyre, duke filluar nga industria ushqimore e deri tek punimet artizanale dhe ato artistike.

Me këtë rast, shefi i Sektorit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa, u shpreh se ky panair po shndërrohet në një event tradicional, i cili çdo vit po organizohet me festat e fundvitit. Ai theksoi se ky është një mundësi shumë e mirë për bizneset vendore në promovimin e produkteve të tyre.

“Është me rëndësi të ceket se në organizimet e tilla, bizneset e vogla, ekonomitë vendore në Kosovë e kanë mundësinë që të promovojnë produktet e tyre në mënyrë që të kenë shitje më të mëdha dhe organizime më të duhura. Është fantastike vetë fakti që kemi një mori kaq të ndryshme të bizneseve të cilat po ekspozojnë këtu produktet e tyre dhe që të kemi mundësinë që gjatë 3 ditëve të ardhshme edhe t’i provojmë këto produkte dhe njëkohësisht edhe të blejmë diçka prej tyre”, tha Brusa.

Kurse ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami u shpreh se organizimi i panaireve të shumta tregon që ndërmarrjet vendore të Kosovës po prodhojnë produkte kualitative.

“Këto produkte kanë nevojë për promovim dhe për hapësira tregtare, gjë të cilën ne po mundohemi që së bashku ta krijojmë edhe përmes organizimit të panaireve. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë promotor i zhvillimit ekonomik, bizneset familjare dhe start-up gjithashtu janë shumë të rëndësishme në kontekstin ekonomik të zhvillimit të vendit”, tha Bajrami.

Duke theksuar se prodhuesit vendorë kanë kaluar nëpër periudha të vështira, Bajrami po ashtu u shpreh se ambienti i biznesit po ndryshon për të mirë. Ajo bëri të ditur se përmes fondit për garanci kreditore, deri më tani janë lëshuar 63 kredi për bizneset vendore dhe njoftoi se MTI gjatë këtij viti ka financuar pjesëmarrjen e 190 ndërmarrjeve në 17 panaire të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Kurse Sokol Bashota, kryesues i asamblesë së ARDA-s dhe njëkohësisht kryetar i Komunës së Klinës, u shpreh se një nga objektivat e ARDA-s është të zvogëlohen produktet e importit dhe të mbështeten bizneset e vogla dhe të mesme vendore. Për këto qëllime, Bashota bëri të ditur se ARDA këtë vit ka prezantuar një skemë grantesh me vlerë prej 1 milionë euro, prej të cilës do të fitojnë mbi 100 biznese të vogla dhe të mesme.

Ndërkaq, Kamber Gjikokaj, i cili ishte pjesë e panairit, u shpreh se nëpërmjet këtyre panaireve bizneset po njoftohen drejtpërdrejtë me konsumatorin. Ai theksoi se edhe qytetarët e Kosovës kanë interesim për produktet vendore, dhe deklaroi se “E shohin edhe ata që produktet tona nuk dallojnë, ndoshta jemi edhe më të mirët në rajon me produkte si ato të mjaltit, të çajit, të mishit e të qumështit.”

Panairi, i cili do të ofrojë edhe mundësi argëtuese, duke përfshirë muzikën, parulla të animuara, këndin për fotografi dhe ngjyrosje të fytyrës dhe pjesë të tjera të artit, do të jetë i hapur deri më 18 dhjetor.

Postime të Ngjajshme