` . Prishtinë, hapet Festivali Olimpik “PyeongChang 2018” – TV-SHENJA

Prishtinë, hapet Festivali Olimpik “PyeongChang 2018”

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë është bërë hapja zyrtare e Festivalit Olimpik “PyeongChang 2018” nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), i cili ka filluar prej tre ditësh në këtë shesh dhe do të vazhdojë deri më datën 24 shkurt, raporton Anadolu Agency (AA).

Në kuadër të aktiviteteve të cilat lidhen me shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Festivali Olimpik u mundëson fëmijëve dhe të rinjve të Prishtinës që të merren me sporte dimërore si patinazhi, karlingu dhe hokeji. Me këtë rast është bërë edhe hapja e Panairit të Sportit Prishtina 2018.

Në hapjen zyrtare të këtyre aktiviteteve ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi.

Kryeparlamentari Veseli në fjalën e tij në hapjen e këtij festivali duke iu drejtuar fëmijëve dhe të rinjve të pranishëm në këtë ngjarje tha se pret që ata të jenë kampionët e ardhshëm olimpik.

“Ne jemi krenarë me sportistët tanë. Para dy ditësh flamuri ynë është ngritur për kampionin tonë botëror Akil Gjakovën, për Distrian (Krasniqi) kurse për shumë e shumë kampionë të tjerë flamuri do të ngritet përsëri. Ne do të vazhdojmë ta përkrahim sportin”, tha Veseli.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi shprehu kënaqësinë që shumë sportistë të Kosovës në mënyrë individuale janë pjesë e shumë garave ndërkombëtare. Gashi në emër të ministrisë konfirmoi mbështetjen e fuqishme për të gjithë sportistët dhe sportet por edhe fedaratat e sportit siç është KOK-u dhe për të gjitha aktivitetet që i realizojnë.

Ai poashtu kërkoi mbështetjen e komunitetit të biznesit për t’i ndihmuar të rinjtë të cilët merren me sport.

Ndërsa, nënkryetari i KOK-ut, Memli Krasniqi tha se flamuri i Kosovës i ka bërë njerëzit krenarë sa herë është ngritur lartë nga sportistët kosovarë. Ai tha se Kosova ka nevojë që të gjejë sa më shumë talentë në sport sikurse ata që e kanë lartësuar popullin kosovar me sukseset e tyre.

“Ne për herë të parë po i bashkohemi shumë vendeve të botës, shumë komiteteve olimpike e kombëtare me organizimin e këtij festivali olimpik duke i sjellë disa nga sportet dimërore më të popullarizuar qytetarëve të Prishtinës të Kosovës e para së gjithash fëmijëve, shkollarëve tanë të cilët më herët nuk kanë patur rastin që të provojnë patinazhin, karlingun apo hokejin mbi akull”, tha Krasniqi.

Kujtojmë se garuesi i vetëm që ka siguruar normën olimpike, skiatori Albin Tahiri po e përfaqëson Kosovën për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore “PyeongChang 2018”, që po mbahen në Kore të Jugut, prej 9 shkurt 2018 deri 25 shkurt 2018.