` . Prishen tonelata mish kurbani në Kosovë, BIK: Ja fajtori! - TV-SHENJA

Prishen tonelata mish kurbani në Kosovë, BIK: Ja fajtori!

Ishte mish kurbani i destinuar për të varfërit, por për fat të keq nuk mbërriti në dyert e tyre. Bashkësia Islame e Kosovës është detyruar të asgjësojë afro 21 ton mish gjedhesh që po mbahej në depon e tyre, pas kontrollit që iu bë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Nga kjo agjenci doli se ky mish ishte i prishur dhe nuk duhej të konsumohej. AUVK madje ka konstatuar se në depon e BIK nuk kishte kushte për ftohje të mishit pasi mungonin ngrirësit e thellë.

Kështu, BIK është detyruar jo vetëm të ndërpresë shpërndarjen, por edhe të tërheqë pakot e shpërndara nëpër familje, për shkak të rrezikut nga helmimi.

BIK sivjet mundësoi 1391 krerë lopë për kurban, disa në Hungari e disa në Istog. Mishi i therur në Hungari është në gjendje të mirë, ndërsa ai i therur në Istog është prishur, pasi nuk është ngrirë në përmasat e duhura.

BIK bën fajtor kushtet e depos që kishte marrë me qira, ndërsa AVUK thotë se për kushtet e ruajtjes së mishit mund të ishin konsultuar edhe më herët me ekspertët ushqimorë. /tesheshi/