` . Prezantojmë boksierin Lulzim Ismaili (VIDEO) - TV-SHENJA

Prezantojmë boksierin Lulzim Ismaili (VIDEO)

Ndoshta të ndikuar nga e kaluara plot me sfida dhe vështirësi për të mbrojtur trojet etnike, shqiptarët kanë një talent të theksuar për sportet luftarake në përgjithësi edhe boksin në veçanti. Luan Krasniqi, Elvir Muriqi, vëllezërit Seferi, Haxhi Krasniqi, Erzen Rrustemi, Agron Xhila, Fatlum Zhuta e shumë të tjerë janë sinonim i sukseseve të shënuara të shqiptarëve në sportin e boksit, duke u bërë në të njëjtën kohë motiv dhe stimul për shumë të rinjë që të vazhdojnë rrugën e detyre drejt arritjes në majat e boksit. Ka shumë klube që kultivojnë këtë sport marcial, por do të ndalemi te klubi Shkëndija Boks nga Tetova që tani më disa vite është bërë çerdhe e shumë talentëve të këtij sporti. Fillimisht u nis si iniciativë shumë fisnike për zhvillimin e boksit në rajonin e Tetovës, mirëpo puna e mirë nxjer në pah talent që premtojnë të synojnë suksese më të mëdha në boksin profesionist. Lulzim Ismaili është personi i momentit te Shkëndija Boks, pasi që ka pësuar një zhvillim admirues për një periudhë të caktuar prej kur ka nisur të merret me këtë sport.
”Me boks kam filluar të merrem gati 7-të vite. Për mua boksi ishte sporti më i dashur dhe fillova të merrem. Kam ushtruar edhe sporte tjera, por boksi ishte njëri ndër sportet më të preferuara, dhe zgjodha këtë profesion”, deklaroi Lulzim Ismaili, boksier i K.B Shkëndija.
Edhe pse i ri në moshë, në fjalët e Ismailit nuk është vështirë të vëresh një bindje dhe përkushtim të madh për të kërkuar suksesin në këtë sport, të cilin e quan profesion që tani kur realisht ai po punon vetëm falë dëshirës së madhe për të realizuar ëndrrat e tij.
”Ëndrra ime është që të arrij në boksin profesional, të ndeshem me boksier të rangut të lartë si Entony Xhoshua, Vlladimir Kliçko, apo shumë boksier të njohur shqiptar Haxhi Krasniqi, e siç ishte Luan Krasniqi e shumë boksierë tjerë”, tha Ismaili.
Mirëpo Ismaili dhe gjithë tjerët në vendin tonë përveç rivalëve sportiv duhet të luftojnë edhe kundër mungesës së kushteve elementare për tu zhvilluar në drejtim të profesionalizmit. Jo vetëm që të rrallë janë ata që vendosin të ndihmojnë ekonomikisht klubet dhe boksierët, por edhe institucionet nuk ndajnë vëmendjen dhe mbështetjen e duhur as në rastet kur sportistët ngriten lartë me rezultatet e tyre.
”Boksi është shumë sport i vështirë, kemi pasur shumë vështirësi, lëndime, apo padrejtësi që na janë bërë në turne. Lëndime kemi pasur mjaft veçanërisht nga koka, nofulla. E dini se si është boksi gjakderdhje non- stop. Jam shpalluar 3 herë sportisti i vitit nuk kam pas asnjëherë mbështetje nga Komuna ose nga Agjencioni Për Rini dhe Sport, thjesht vetëm familja tjetë askush nuk na ka ndihmu”, deklaroi Lulzim Ismaili.
Por kur ekziston dëshira e parezervë, problemet e natyrave të ndryshme tejkalohen me suksese sa do që të jenë të mëdha. Lulzim Ismaili duket i bindur për të luftuar të gjitha sfidat, pasi boksi tani më ka pushtuar thellë zemrën e tij.
”Boksi është njëri ndër sportet më luftarake dhe veçanërisht zgjedhin shumë pak sportin e boksit sepse është njëri ndër sportet më të rrezikshme që rrallë sportisë mund ta përballoj. Për mua është sporti më i mirë dhe më i dashur”, u shpreh Ismaili.
Dhe kur veprimtarinë tënde e bën me shumë përkushtim, rezultatet janë matësit më real të suksesit dhe nivelit që ke arritur. Lulzim Ismaili së fundmi fundjavën e shkuar arriti të shpallet kampion shtetëror në kategori të seniorëve, ndërsa në adresë të Shkëndija Boks shkoi edhe vendi i parë për juniorë, pasi Shpend Gafuri doli më i miri.
”Unë dhe Shpend Gafuri fituam me ndërprerje në fillim të raundit të parë dhe u shpallëm kampion në finale. Kemi pasur mbështetje nga nënkryetari i Federatës Faton Salihu dhe falë prezencës së tij nuk kemi pasur padrejtësi, sepse vitin e kaluar nuk deshti fati që ai të jetë pranë neve dhe na bënë shumë padrejtësi në Manastir”, u shoreh boksieri Ismaili.
S’do mend se e ardhmja u takon atyre që guxojnë, ndërsa Ismaili duket i vendosur që dëshirën ta kthejë në motiv dhe punë për të vazhduar ngritjen drejt realizimit të arritjes në nivele të larta të boksit profesionist.

Samir Sinani SHENJA

Prezantojmë boksierin Lulzim Ismaili by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme