` . Premtime shqiptare vs. programe qeveritare - TV-SHENJA

Premtime shqiptare vs. programe qeveritare

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Një muaj pas formimit të qeverisë se re/vjetër, pothuaj se është etabluar edhe eshaloni i dytë qeverisës, edhe pse ka edhe shumë institucione, agjenci, ente rregullatore dhe ndërmarrje publike ku duhet të ndryshohen menaxhmentet e qeverisjes vjetër, edhe pse kontinuiteti i BDI-së në qeverisje e mjegullon drejtshmërinë e këtij etablimi. Situata dhe pozita e numrave të shqiptarëve në përbërjen e pozitës, si asnjëherë më parë, janë vendimtarë për funksionimin e kësaj shumice. Prandaj duhet shfrytëzuar duke u faktorizuar jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi të qeverisjes.

Veprimi i mirë i shqiptarëve ishte “rreshtimi” përreth një Deklarate të Përbashkët. Pavarësisht kush e inicioi dhe kush e dizajnoi, ajo i dha efektet e veta në bashkërenditjen politike. Me gjithë “problemet” që shkaktoi ajo, realiteti është pak më ndryshe. Problematizimi i saj ishte thjesht për të penguar ndryshimet, sepse edhe sikur të mos ishte ajo, “do të shpikej” një arsye tjetër për ta bllokuar transferin e pushtetit. Fuqia e Deklaratës u zbeh me “deponimin e garancive politike” te a.q. presidenti Ivanov se “nuk do ta rrezikojmë karakterin unitar të shtetit!”. Tragjikomike! E rehabilituam veprimin e çmendur dhe antikushtetetues të tij dhe njëkohësisht i krijuam kapital politik shtesë Zaevit. Në gjuhën garuese kjo është 2:0 për “ata”! Ky presedan politik mund të na kushtojë neve shumë në të ardhmen! Imagjinoni “nesër” një Ivanov tjetër (zaten në çështjen tonë kombëtare, pothuaj gjithë janë Ivanova), i cili kurdoherë mund të kontestojë angazhimin shqiptar në qeverisje me përcaktimet programore, pavarësisht se ata i ka verifikuar verdikti popullor (i votuesit). Dhënësit e garancive gjithnjë do arsyetohen gjoja me presionin ndërkombëtar, por kjo s’ka të bëjë fare me realitetin politik! De fakto Deklarata e Përbashkët me këtë veprim u zhbë (u avullua)!

Politikanët shqiptarë ia përshkruan vetes fitore “heqjen qafe” të regjimit të Gruevskit dhe ka gjasë që kjo vetëkënaqësi “t’i dehë”. Për nga numrat e shqiptarëve në parlament, kjo ka mundur të ndodhë shumë kohë më parë, por ja që s’ka pasur “telefonata para orës 24” nga ndërkombëtarët për të bërë vendim të tillë, se po të mos ishte kjo, ne edhe sot do ta kishim qeverisjen e njëjtë. Pa dyshim se kësaj i ndihmuan votuesit shqiptarë që ua përgjysmuan votat aleatëve të VMRO-së dhe frika se mund t’i dërgojnë përgjithmonë në histori politike në zgjedhjet lokale të radhës. Regjimi i Gruevskit pa dyshim ishte qeverisje e keqe për të gjithë, por ne shqiptarët kemi qenë të keqqeverisur nga tanët. A ka argument më të madh për këtë se gjendja jonë me helmimet dhe mbeturinat? Rreth 7-8 vite radhazi këtë ministri e ka menaxhuar BDI-ja dhe pikërisht vetëm në zonat shqiptare (veri-perëndimore), nga Likova-Haraçina, në Tetovë e Gostivar dhe deri në Strugë, na mbyti helmi dhe mbeturinat. A ka një gjendje të tillë kudo qoftë ne zonat e pastra maqedonase? Kjo gjendje nuk është e rastësishme!

Përfaqësimi politik shqiptar në eshalonin e parë për nga sasia është si asnjëherë më parë. Pa dyshim se mund të konsiderohet cilësi e rritur, kjo për herë të parë në pluralizmin demokratik për pozitën e dytë në pushtet për nga rëndësia nominale (normative). Më vjen keq për ata që lëshuan këtë shans të votojnë. Sot gati dy dekada më vonë akoma i kujtojmë ata që nuk e votuan të ndjerin Aliti, pavarësisht se nuk i dihej epilogu. Me gjithë skepsën për zgjedhjen personale të eshalonit të parë (përjashtuar këtu kryeparlamentarin) te shqiptarët, për korrektësi, duhet të presim së paku 100-ditëshin e parë. Në shikim të parë, lihet përshtypje për diferencën e madhe midis eshalonit të LSDM-së dhe BDI-së së paku, por dyshoj në qëndrueshmërinë e zgjidhjeve të LSDM-së posaçërisht për kuadrot “anësore” të saj!

Programi qeveritar i strukturuar në tre shtylla kryesore, atë të integrimeve euro-atlantike, atë të pretendimeve për barazi politike, sociale, ekonomike, kulturore… nën “manisfestin” e “Një shoqërie për të gjithë” , si dhe atë të ekonomisë, pasqyrohet në formë të përshkrimit narrativ pa një sistemim veprimi (aksioni), bartës konkretë e aq më pak përllogaritje të kostove të premtimeve dhe burimeve reale të financimit. Madje, në gjuhën e programit qeveritar akoma janë përdorur formulimet irrituese (edhe pse normative) të tipit të “gjuhës që e flasin së paku 20 përqind e popullatës”, duke mos guxuar të përmendet gjuha shqipe, për çka shumë eksponentë politikë shqiptar përgjatë fushatës mbi këtë formulim artikulonin folklor-patriotizëm!

Megjithatë, në fokus të këtij shtjellimi është dimensioni shqiptar në programin qeveritar, kuptohet me theks në aspektin ekonomik. Pavarësisht jetëgjatësisë, më saktë jetëshkurtësisë, së Deklaratës së Përbashkët Shqiptare, sërish duhet t’i referohemi asaj në frymën e përcaktimeve të dëshiruara. Në formë të parafrazuar, tri çështje ishin shtruar atje si interes prioritar i shqiptarëve: ndarja e drejtë e fondeve publike (e buxhetit); intensifikimi i zhvillimit të barabartë regjional (“zonat e de-favorizuara”) me theks në projektet kapitale dhe infrastrukturore në regjionet e prapambetura shqiptare, si dhe përshpejtimi i decentralizimit fiskal.

Pa u lëshuar te “përfitimet shqiptare” nga rritja e pagës minimale, rritja e premtuar e standardit jetësor, ulja e papunësisë, ndryshimi i sistemit tatimor (nga ai i sheshtë në atë progresiv), kthimi i shtresës së mesme, ulja e varfërisë (përgjysmimi i saj nga 33% në 16%), konsolidimi i financave publike dhe shumëçka tjetër që nëse arrihet të realizohen deri në fund të mandatit edhe 50%, do jetë mrekulli, ne do të shohim aspektet e “interesit të veçantë të shqiptarëve” në përcaktimet ekonomike.

Së pari, çështja e ndarjes së drejtë të buxhetit, fondeve publike dhe hisemarrjes nga ndërmarrjet publike në pronë shtetërore, qofshin edhe ato me pronësi të pjesshme (si p.sh. Telekomi ose EVN-ja), kjo nuk figuron askund në programin qeveritar, përveç flloskullës “Një shoqëri për të gjithë”. Bile nuk gjendet as edhe mekanizmi i Deklaratës për barazi fiskale dhe territoriale, si njëfarë “mekanizmi i ri, në formën e Komisionit Shtetëror për Financimin e Komunave” siç e kanë emërtuar ata në Deklaratë. Nëse kjo çështje nuk zgjidhet në mënyrë sistemore, ashtu siç shumë herë më parë e kam promovuar, që përgjatë miratimit të buxhetit qendror ai të kalojë përmes një filtri konsensual (Këshill Fiskal me konsensus së paku binacional), së paku në zëra të caktuar buxhetore, si ato për investime publike kapitale, për subvencionet bujqësore, për subvencionet financiare kompanive, për dotacione dhe grante qeveritare,… ne do vazhdojmë të mbetemi të diskriminuar. Dallimi mund të jetë vetëm në intensitetin e tij, më shumë ose më pak krahasimisht me deri më tani. Hisemarrja e drejtë as që përmendet në ato institucione dhe ente etnikisht të pastra nga shqiptarët, si rasti i Arkivit të Shtetit, me një zv.drejtor dhe pa strukturë (bile arsyetohet se nuk i japin!), Enti i Gazetës Zyrtare ose vet qendra e Ministrisë së Financave. Sa ente rregullatore ka që janë me vetëm 2 apo 3% shqiptarë? Këtu posaçërisht bien në sy ndërmarrjet si EVN ose Telekom me vetëm nga një “anëtar kukull” në bordet e tyre menaxhuese dhe asgjë tjetër, që vazhdimisht shqiptarët si konsumatorë ua bëjnë mbi 40% të qarkullimit dhe fitimit, ndërsa ato financojnë projekte të pastra etnike (maqedonase). Sigurisht që nuk i fajësojmë ato!

Së dyti, zhvillimi i barabartë i të gjitha regjioneve të planifikimit statistikor (sipas NUTS), bile edhe nëse do jetë proporcional, që është e pabesueshme (së paku i dukshëm nga programi qeveritar), sërish do na lë për shumë pas, sepse që nga “starti” jemi për 50% pas. Niveli i zhvillimit të regjionit të Pollogut dhe atij veri-perëndimor (Likova-Kumanova-Hasanbegu…), pa përmendur enklavat shqiptare në regjionet me shumicë maqedonase, aktualisht janë rreth 50% nën nivelin e zhvillimit me të gjitha regjionet në vend. Në programin qeveritar dukshëm bien në sy edhe projektet konkrete të infrastrukturës rrugore, si magjistrale ashtu edhe regjionale (fq.40, 41, 42 dhe 43 numërohen taksativisht), si në status (magjistrale ose regjionale), po aq edhe në përmasa në kilometra – lista është tejet e disfavorshme për shqiptarët. Nga njëra anë janë 4-5 projekte të përcaktuara (si autorruga Shkup-Bllacë ose rrugët regjionale Kondovë-Radushë, Kumanovë-Haraçinë, Vizbeg edhe ndonjë rrugë regjionale për rikonstruim), midis të cilave edhe autorruga Gostivar-Kërçovë, që projektimi të bëhet për një mandat, ndërsa në anën tjetër pothuaj 6-7 herë më shumë janë të përcaktuara projektet kapitale për regjionet maqedonase. Bile, edhe pjesë të Korridorit 8 akoma nënvizohen vetëm për pjesën lindore të vendit, pra nga Kumanova në kufirin me Bullgarinë! Pa përmendur këtu edhe aspektet e projekteve bujqësore, atyre energjetike ose edhe të arsimit dhe shëndetësisë.

Së treti ia vlen të analizohet decentralizimi fiskal i pambaruar edhe 15 vite pas skadimit të “planit aksionar” të Marrëveshjes së Ohrit. Sigurisht që kjo është e lidhur ngushtë me të parën, por jo vetëm aq. Edhe 16 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, bile të matur me indikatorë sasiorë, procesi i decentralizimit fiskal akoma nuk ka arritur në gjysmë të rrugës. Akoma ekziston një hendek i gjerë midis përgjegjësive e kompetencave të komunave dhe burimeve të financimit tyre. Këtë e vërtetojnë zëshëm edhe vetë bartësit e pushteteve lokale nga tabori i qeverisjes. Së paku, në krahasim me gjendjen aktuale, duhet të dyfishohet kapaciteti fiskal i komunave, që të mund t’i afrohet mesatares së BE-së. Sipas rekomandimeve të BE-së që nga viti 2010 duhet të dyfishohen burimet e financimit nga TVSH-ja (në së paku 6%) dhe së paku të 10-fishohet burimi i financimit nga tatimi në të ardhura (në së paku 30%) nga ai aktual. Përveç vëllimit shumë të ulët të financave lokale, pa dyshim edhe burimi është më kontestues – në vend që të jenë të ardhura me të cilët disponojnë vetë komunat, ato janë forma të dotacioneve dhe bllok-dotacioneve, që si instrument janë më shumë për barazi horizontale sesa vertikale. Ky model de facto është dekoncentrim dhe jo decentralizim. Sa për të krahasuar se ku jemi, në shumicën e vendeve të BE-së mbi 55% e të ardhurave të komunave janë nga burimet e brendshme (lokale), kurse ato skandinave edhe mbi 75%. Komunat në Maqedoni kanë më pak se 20% në buxhetin e tyre prej të ardhurave të brendshme (lokale), ndërsa edhe Greqia, si vendi më i centralizuar fiskal në Europë, këtë pjesëmarrje e ka mbi 33%! Krejt ky hezitim për decentralizim fiskal qëndron te ngurrimi që t’u jepen resurse komunave shqiptare dhe për shkak tyre “të vuajnë” edhe komunat maqedonase. S’do të ketë barazi dhe drejtësi ekonomike në regjionet dhe komunat shqiptare përderisa s’ka barazi fiskale. “Esenca e qeverisjes qëndron te shpërndarja e parave.”, thotë Volteri!

 

Postime të Ngjajshme