` . Pozicioni iranian përballë krizës - TV-SHENJA

Pozicioni iranian përballë krizës

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Tashmë disa vite me radhë shteti iranianin përjeton periudhën kur marrëdhëniet e tij me botën arabe janë të tensionuara, kjo si rrjedhojë e involvimit të Iranit në disa konflikte rajonale, si ai i Sirisë, Irakut, Jemenit (dyshohet përmes huthive) dhe, rrjedhimisht, rritjes së influencës së tij në rajon. Kriza ndërmjet Arabisë Saudite, Emirate të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahrejnit, në njërën anë, dhe Katarit, në anën tjetër, i jep mundësi Teheranit zyrtar për ta rikthyer dhe rindërtuar imazhin e tij si një vend i cili qëndron në anën e atij që i është bërë padrejtësi. Ndoshta për diplomacinë iraniane ajo është një “dhuratë” dhe përfitim strategjik! Dekadave të fundit Irani e shfrytëzoi shpërthimin e krizave në rajonin e Lindjes së Mesme pikërisht në favor të tij.

Madje, nëse kthehemi mbrapa në vitet e ‘90-ta, shohim se Irani edhe me rastin e invazionit të Irakut ndaj Kuvajtit, ndoqi një politikë thuajse identike me atë të krizës së tanishme. Asokohe diplomacia iraniane u fokusua në politikën e cila u bë e njohur si “neutraliteti aktiv”, por që kërkonte nga Iraku të tërhiqet nga Kuvajti! Invazioni i Irakut mbi Kuvajtin ia mundësoi Iranit për t’i treguar botës dhe Perëndimit se Iraku dhe jo Irani është aktori i cili e kërcënon paqen dhe sigurinë rajonale. Përmes këtij vendimi pragmatik për neutralitet, Irani mundohej që të çlirohet nga izolimi dhe të hapë rrugë për bashkëpunim ndërkombëtar. Gjatë luftës së SHBA- ve në Irak (viti 2003) dhe rënies së Sadamit nga pushtetit duket se përfituesi kryesor u bë pikërisht Irani.

Realitet i krijuar në Lindjen e Mesme, tani pas krizës së qershorit, pa dyshim se i venit përllogaritjet e administratës në Uashington, sidomos pas samitit të SHBA-ve me vendet e Gadishullit Arabik (maj 2017), i cili synonte që t’i unifikojë ato (vendet Arabe) përballë rrezikut dhe kërcënimit iranian. Veprimi i shteteve arabe kundrejt Katarit është tërësisht kundërproduktiv për ta kur bëhet fjalë për fushatën anti-iraniane, e cila viteve të fundit është theksuar posaçërisht me ndërhyrjen e Iranit në luftën civile të Sirisë dhe mbështetjen e regjimit të Asadit.

Kriza nxori në pah edhe atë se përpjekjet e Arabisë Saudite dhe të shteteve tjera, të cilat e rrethuan Katarin, nuk janë edhe aq të suksesshme, pasi që një pjesë bukur e madhe e vendeve arabe dhe vendeve me popullsi myslimane nuk i ndërprenë lidhjet me Dohën zyrtare. Për këtë shkak ndihmës-kryetari i parlamentit iranian pohoi se: “Arabia Saudite nuk është një partner i besueshëm politik për vendet arabe dhe nuk është pikë graviteti për arabët”. Madje, fushatës së Arabisë Saudite nuk iu bashkuan s dy aleatët dhe partnerët e saj tradicionalë, Pakistani dhe Sudani. Diplomacia saudite nuk gëzoi mbështetje as tek aktorët më të rëndësishëm globalë, siç janë SHBA-të, Gjermania, Franca, Kina etj. Disa ditë pas shpërthimit të krizës, Katari me SHBA-të nënshkruan marrëveshje ushtarake rreth 12 miliardë dollarë, ndërsa muajin e kaluar arritën marrëveshje për luftimin e terrorizmit. Kështu, diskreditimi i Katarit se kinse i mbështet organizatat terroriste ra në ujë.

Edhe akuzat drejtuar Katarit për raportet me Iranin mund të thuhet se janë të paqëndrueshme. Volumi tregtar ndërmjet Katarit dhe Iranit është shumë më i ulët në krahasim me atë të Iranit dhe Emirateve Arabe. Vlen të përmendet se që nga vitit 2011 shkëmbimi tregtar mes Iranit dhe EBA-s qarkullonte nga 16-21 miliardë dollarë në vit, ndërsa po në këtë periudhë shkëmbimi tregtar ndërmjet Katarit dhe Iranit ishte përafërsisht 180 milionë dollarë në vit! Jo vetëm kaq, por EBA mbulon 90% të tregtisë, të cilën shtetet e Gadishullit Arabik e zhvillojnë me shtetin pers. EBA konsiderohet shteti i cili përfitoi më së shumti nga arritja e marrëveshjes se P5+1 me Iranin dhe nga heqja e sanksioneve.

Shefi diplomacisë iraniane që në ditën e parë të krizës (5 qershor) ndërmjet Arabisë Saudite&Co dhe Katarit deklaroi: “Fqinjët janë të përhershëm, gjeografia nuk mund të ndryshohet. Shtrëngimi nuk është zgjidhje dhe dialogu është i patjetërsueshëm”. Ndërkaq më 7 qershor ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Muhamed Xhevad Zarif, për disa orë e vizitoi Turqinë për të biseduar çështjen katariane, gjë që tregon se sa rëndësi i kushtoi Teherani kësaj krize.

Konsideroj se janë disa shkaqe se pse Irani insiston që kriza të zgjidhet përmes dialogut dhe kompromisit dhe mos të përshkallëzohet edhe më tepër:

– Përshkallëzimi edhe më tej i situatës dëmton sigurinë nacionale të Iranit, si në aspektin e përhapjes së paqëndrueshmërisë, por edhe mundësisë së pranisë së më shumë trupave të huaja në rajon;

– Përmes thirrjes për dialog dhe zgjidhjes sa më parë të krizës Irani përpiqet t’i hedhë poshtë përpjekjet saudite për krijimin e një fronti anti-iranian;

– Irani nuk dëshiron që të portretizohet si një vend i cili përfiton nga tensionet dhe destabilizimet rajonale. Në këtë mënyrë Irani mundohet ta ruajë imazhin e një vendi i cili është i interesuar për fqinjësi të mirë;

– Politika pro-dialogut, që Irani po ndjek ndaj kësaj krize, duket sikur e qetëson Arabinë Saudite në periudhën kur Rijadi e percepton Iranin si një aktor i cili sjell destabilizim rajonal.

Por, cila është e ardhmja e GCC-së? Nëse kemi parasysh faktin se GCC-ja, e cili u formua në vitet e ‘80-ta, kishte për qëllim pikërisht për t’i bërë ballë revolucionit iranian dhe tani kur brendapërbrenda këtij institucioni ekzistojnë plasaritje, s’do mend se fitues më i madh i kësaj krize është Irani. Ky institucion përjeton periudhën më të rëndë që nga themelimi i saj, ndërsa sot është më i fragmentizuar se kurrë më parë. Institucioni në fjalë nuk është ai i viteve të ‘80-ta: disa nga aktorët e saj zhvillojnë një politikë autonome, ndryshe nga ajo e Rijadit zyrtar.

Bllokadë ndaj Katarit nuk vendosën edhe dy vendet e tjera, të cilat janë anëtare në këtë institucion, si Kuvajti dhe Sulltanati i Omanit, edhe pse ky i fundit tradicionalisht ka kultivuar marrëdhënie të mira me rivalin kryesor saudit, Iranin. Shtetet anëtare të GCC-së, gjatë kësaj krize, u ndanë në dysh, ndërsa vendimet për çështjet e rëndësishme merren në mënyrë unanime. Eskalimi i mëtejshëm i krizës e bën atë një institucion të paralizuar. Moszgjidhja e krizës e pengon realizmin e disa mega-projekteve infrastrukturore mjaft të rëndësishme për Gadishullin Arabik, ndër ta edhe konstruktimin e autostradës që e lidh kryeqytetin e Omanit, Muskat, me Kuvajtin, projekt ky i cili llogaritet të kushtojë rreth 250 miliardë dollarë.

Kriza katariane u dëshmua të jetë një krizë e ndërlikuar e Lindjes së Mesme, por edhe në suaza globale, pasi që si e tillë nuk ndërlidhet vetëm me marrëdhëniet ndërmjet vetë shteteve të Gadishullit Arabik, por edhe më gjerë. Nga 13 kërkesat drejtuar Katarit, një ndër ta është që ta largojë bazën ushtarake turke dhe të ndërpresë bashkëpunimit ushtarak me Turqinë. Ky fakt dëshmon se marrëdhëniet e Arabisë Saudite me Turqinë ndoshta nuk janë në nivelin e duhur aq sa duken! Zbutja e tensioneve dhe kthimi i marrëdhënieve në normalitet është i domosdoshëm për të dyja palët, veçanërisht tani (korrik) kur shpërtheu dhuna në Bregun Perëndimor.

Postime të Ngjajshme