` . Portalet e Maqedonisë në kaos informativ - TV SHENJA

Portalet e Maqedonisë në kaos informativ

Gjykatat në vend nuk kanë pozicion të harmonizuar për trajtimin e portaleve të internetit. Disa gjykata i konsiderojnë portalet si media në pajtim me Ligjin për përgjegjësinë qytetare për fyerje dhe shpifje, ndërsa disa gjykatat e tjera nuk i konsiderojnë portalet si media në pajtim me Ligjin e mediave.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Maqedonia nuk ka vetëm krizë politike ose ekonomike, por ka edhe krizë mediatike. Krahas ngritjeve profesionale, në cilësi dhe në dimensionin e respektimit të standardeve profesionale dhe normave etike, por edhe në sasi, sistemi mediatik i Maqedonisë në anën tjetër ka pësuar degradime, tendenca negative, madje edhe shkatërruese, të cilat janë shfaqur dhe dirigjuar nga pushteti politik, por edhe nga kolegë gazetarë, të cilët për interesa të imta personale dhe të mëdha komerciale, ekonomike dhe politike të pronarëve, e kanë sjellë sistemin mediatik buzë greminës. Sot në veçanti lulëzon gazetaria copy-paste, që nuk citon median që e prodhon lajmin, ka mbetur në letër parimi që, për ta trajtuar një çështje a problem, gazetari duhet të konsultojë dy ose më shumë palë të pavarura mes vete. Mediat tradicionale dhe, sidomos, televizionet komerciale, që shpenzojnë energji, fonde financiare dhe teknologji për të gjurmuar lajmet, përballen me vjedhje klasike të informacioneve dhe përmbajtjeve të tjera profesionale nga portalet, që flet për mungesën e profesionalizmit dhe mosrespektimin e Kodeksit të gazetarëve, i cili parashikon që “bërja e plagjiatëve është e palejueshme”. Në portale ka përdorim enorm të gjuhës të urrejtjes, shpifje dhe ofendime mbi baza personale, media merret më shumë me individin sesa me idetë, me atë se kush e tha e jo me atë se çfarë tha. Këto fenomene destruktive shfaqin dilemën se vallë mediat on-line janë plotësisht të lira dhe për to nuk vlen asnjë lloj norme juridike.

Portale-media apo ueb-faqe!?

Qendra për Zhvillimin e Mediave në Maqedoni, një organizatë joqeveritare që merret me studimin e mediave, rekomandon se – për rregullimin e mediave në internet – vlen parimi “ajo që zbatohet off-line, zbatohet edhe on-line”. Kjo do të thotë se ata që merren me gazetari në internet, i gëzojnë të drejtat, por edhe detyrimet profesionale dhe etike ndaj publikut, njësoj siç i kanë gazetarët e mediave tradicionale. Por, me ndryshimet ligjore të bëra në vitin 2013 neni 2 i Ligjit të mediave nuk i përfshin mediat on-line ose portalet në mënyrë decide. Por, pas renditjes së mediave tradicionale (gazeta, radio dhe televizioni) Ligji përmend edhe “mjete për publikim ditor ose periodik të përmbajtjeve të formësuara editoriale në formë të shkruar, audio ose figurë, me qëllim që të informohen ose të plotësohen nevojat kulturore, arsimore ose nevojat e tjera të publikut të gjerë”. Kjo do të thotë se në këtë grup mund të përfshihen edhe mediat që informojnë dhe publikojnë vetëm në internet ose platforma të tjera të reja digjitale.

Në shumë vende të Evropës, por edhe Ballkanit, si Kroacia e Serbia, ekziston regjistër i mediave on-line. Në Kroaci përgatitet nga Agjencia e Mediave Elektronike, ndërsa në Serbi nga Agjencia e Regjistrave Ekonomikë, ndërsa në Maqedoni portalet nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi publik ligjor, të paktën për regjistrimin e tyre, por edhe për transparencën e pronësisë, si dhe për publikimin e impresumit (adresës dhe emrave të redaksisë). Prandaj të gjitha rekomandimet janë në drejtim të “rregullimit të butë ligjor” të portaleve.

Me gjithë faktin që Ligji i mediave nuk i definon në mënyrë eksplicite mediat që publikojnë ekskluzivisht vetëm në internet, si “publikime elektronike” ose me ndonjë term tjetër, kjo rezulton me hamendje se vallë ligjet e tjera të sferës së çështjeve mediatike vlejnë edhe për portalet. Në fakt, mediat on-line nuk janë të parregulluara – për to vlejnë ligje konkrete që prekin çështje të ndryshme të praktikës dhe funksionimit të medias, siç janë Kodi penal që e sanksionon gjuhën e urrejtjes, Ligji për përgjegjësinë qytetare për shpifje dhe fyerje, legjislatura që i rregullon të drejtat e autorit, mbrojtjen e adoleshentëve dhe të drejtat e marrëdhënieve të punës.

Gjuha e urrejtjes sanksionohet në portale!

Në Kodin penal të Republikës së Maqedonisë në mënyrë eksplicite parashikohen dënime me burg për të gjithë ata që, përmes mediave, promovojnë dhe shfaqin gjuhë të urrejtjes. Në nenin 394 (neni 2) thuhet: “Ai që përmes mjeteve të komunikimit masiv në publik shpërndan material të shkruar racist dhe ksenofobik, fotografi ose reprezentim tjetër të idesë ose teorisë e cila ndihmon, promovon ose nxit urrejtjen, diskriminimin ose dhunën kundër çdo personi ose grupi mbi bazën e racës, ngjyrës, prejardhjes etnike ose kombëtare, si dhe besimit fetar, do të dënohet me burg prej 1 deri në 5 vjet”. Kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes në ueb-portale, Këshilli i Etikës së Mediave në Maqedoni konsideron se kjo është vepër penale dhe me këtë duhet të merren institucionet, në veçanti Prokurori Publik. “Është e vërtete se ka një numër të madh të portaleve të caktuara që nuk informojnë siç duhet, por këtu duhet të kërkohet llogari nga institucionet që ta respektojnë këtë rregullim ligjor, i cili tashmë edhe ekziston”, ka bërë të ditur organi vetërregullator – Këshilli i Etikës në Media.

Ligji e rregullon shpifjen dhe fyerjen në portale!

Pas përhapjes së lajmeve të rreme gjatë fushatës për shkëputjen e Britanisë së Madhe (“BREXIT”) dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA, sidomos nga tabori i presidentit aktual Trump, qeveria gjermane vendosi t’i ndëshkojë me gjoba të larta të gjitha portalet ose mediat on-line, që publikojnë lajme të rreme, me dënime deri në 50 milionë euro. Shumë shpesh në portale, përveç vjedhjes së informacioneve, hasen edhe përmbajtje në të cilat ka shpifje dhe fyerje. Në Ligjin për përgjegjësinë qytetare për shpifje dhe fyerje (neni 18) thuhet se gjykata nuk mund të shqiptojë dëmshpërblim të shkaktuar nga fyerjet dhe shpifjet nga një gazetar në kryerjen e profesionit gazetaresk në shumë më të madhe se 2.000 euro. Derisa dëmshpërblimi që duhet të paguhet nga redaktori është 10.000 euro, nga subjekti juridik (media) është 15. 000 euro. Ose, në total, një redaksi duhet të paguajë 27. 000 euro.

Praktika e vëzhgimit të zbatimit të ligjeve

Filip Gjurçinovski, anëtar i Komisionit të Ankesave të Këshillit të Etikës së Mediave në Maqedoni, ka vëzhguar nga afër kontestet gjyqësore të fyerjeve dhe shpifjeve, në të cilat palë janë gazetarët, ndërsa konstaton se gjykatat në vend nuk kanë pozicion të harmonizuar për trajtimin e portaleve të internetit. “Disa gjykata i konsiderojnë portalet si media në pajtim me Ligjin për përgjegjësinë qytetare për fyerje dhe shpifje, ndërsa disa të tjera nuk i konsiderojnë media në pajtim me Ligjin e mediave, ndërsa Gjykata e Velesit, madje, edhe Facebook-un e karakterizon si media e publikimit elektronik, e jo si rrjet social, edhe pse dënimi për fyerje në Facebook, shqiptuar nga Gjykata e Velesit, ishte 100 euro.”, thotë Gjurçinovski.

Prandaj Gjurçinovski sugjeron që është e nevojshme të bëhet ndërhyrje urgjente në legjislaturën mediatike, me qëllim që me saktësi të përkufizohet se vallë edhe portalet janë media, meqë kjo mospërputhje e ligjeve, për shkak të presionit politik ndaj gjykatave, shfrytëzohet për qërim hesapesh me gazetarët që nuk mendojnë si pushteti, por edhe për papërgjegjësinë ligjore të gazetarëve që në punën e tyre përdorin shpifjet dhe fyerjet. Sipas tij, shpesh këtë mospërputhje e shohim në televizion, sepse disa portale publikojnë lajme sensacionale me shpifje dhe fyerje pa autorësi të gazetarit, lajme këto që ripublikohen nga disa televizione, ndërsa – kur personi për të cilin shpifet dhe fyhet e dënon televizionin – kryeredaktorët thirren në faktin se lajmin e kanë marrë nga portalet, ndërsa – siç shihet – disa gjykata i lënë jashtë çdo përgjegjësie publike.

Kjo është periudhë, e cila është dhe ka qenë dramatike për mediat, presionet politike kanë qenë të mëdha dhe të shoqëruara me konkurrencë joluajale ekonomike, ndërsa “heronjtë” mediatikë janë ata që e kanë ruajtur dinjitetin e profesionit, integritetin e gazetarit dhe guximin intelektual për të qenë kritik dhe objektiv ndaj fenomeneve shoqërore! Ka qenë e vështirë të qëndrohet vertikalisht në këtë katrahurë dhe ambient të demokraturës, por gazetarëve të vërtetë u mbetet të luftojnë më shumë për ta ndarë median e vërtetë nga megafonët shpifës, gazetarët nga tellallët politik, reporterin nga shpifësi, sepse në fund të fundit liria e shprehjes – pa baraspeshimin e saj me përgjegjësinë editoriale dhe me përgjegjësinë ndaj publikut – nuk ka asnjë kuptim. Mbështetësit e konceptit “liri pa përgjegjësi” janë armiqtë e lirisë së shprehjes dhe të mediave!

Postime të Ngjajshme