` . Poroshenko: Ukrainasit i dhanë lamtumirën e fundit Rusisë - TV-SHENJA

Poroshenko: Ukrainasit i dhanë lamtumirën e fundit Rusisë

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, deklaroi se pas miratimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e tij, Ukraina “i ka thënë lamtumirën e fundit Bashkimit Sovjetik dhe perandorisë ruse”, raporton AA.

Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe presidenti i Ukrainës Poroshenko, pas një takimi dypalësh në ndërtesën e KE-së organizuan një konferencë të përbashkët për mediat.

Duke vënë në dukje se gjatë 2 muajve të fundit Ukraina ka arritur suksese të shumta, Poroshenko tha se “Këto janë ditë historike për Ukrainën. Pas dhënies së liberalizimit të vizave për qytetarët e Ukrainës, ne ia thamë lamtumirën e fundit Bashkimit Sovjetik dhe perandorisë ruse”.

Poroshenko theksoi se Ukraina tani iu është afruar BE-së aq sa nuk ka qenë kurrë më parë dhe përkundër ambientit kompleks të sigurisë në vend shprehu vendosmërinë për përmbushjen e reformave të Marrëveshjes së Partneritetit me BE-në.

Poroshenko tha se ka bërë thirrje për ndërtimin e paqes në Ukrainë dhe se ka mirëpritur deklarimin për atë se sanksionet e vendosura nga SHBA-të dhe BE-ja për Rusinë do të vazhdojnë derisa ky shtet t’i përmbushë kushtet e marrëveshjes së Minsk-ut.

Duke u shprehur se Rusia ka shkelur “brutalisht” marrëveshjen e Minsk-ut, Poroshenko tha se injorimi i armëpushimit nga Rusia, duke vrarë civilët dhe ushtarët ukrainas është i papranueshëm.

“Sukseset i paguat me gjak”

Kryetari i Këshillit të BE-së, Tusk, duke uruar popullin ukrainas për sukseset e arritura tha se “Ju dhatë përpjekje të mëdha edhe për sukseset më të vogla. Jo vetëm duke punuar shumë, po për fat të keq sukseset e juaja i paguat edhe me gjak. Juve asgjë nuk ju dha falas. Ju merituat gjithçka që keni arritur”.

Tusk foli edhe për procesin Brexit, ku u shpreh se disa miq të Britanisë së Madhe po shtrojnë pyetjen nëse mund të kthehet prapa vendimi për Brexit. “BE-ja u ndërtua mbi ëndrrat të cilat shiheshin si të pamundura për t’u arritur. Për këtë arsye kush e di? Ju mund të më thoni ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi në këtë fushë”.

Liberalizimi i vizave

Në ceremoninë e organizuar gjatë muajit të kaluar ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Ukrainës, Poroshenko, ishte nënshkruar marrëveshja e cila do të mundësonte që qytetarët e Ukrainës të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen. Me këtë, qytetarët e Ukrainës që nga 11 qershori po udhëtojnë në zonën Shengen pa viza.

Me këtë rast Poroshenko ishte shprehur se “Kjo ditë patjetër është një ditë historike. Kjo është një ditë historike edhe për BE-në edhe për Ukrainën”.

Postime të Ngjajshme