` . Populizmi përjashtues karshi qeverisjes përfshirëse globale - TV SHENJA

Populizmi përjashtues karshi qeverisjes përfshirëse globale

Shkruan: Ahmet DAVUTOĞLU, Turqi  

Fundi i sistemit të Luftës së Ftohtë premtoi t’i hapë udhë një rendi të ri global. Por, kjo nuk ngjau. Në vend të kësaj, bota është mbërthyer nga shumë kriza monumentale, pika kthese e ngjarje transformuese, pa nxjerrë mësimet e duhura prej tyre, duke rezultuar me formula kundërvepruese dhe hipotetike, që i kanë rënduar problemet. Sistemi ndërkombëtar ka akumuluar, për rrjedhojë, një shumicë çështjesh, problemesh e krizash, çdonjëra e mbështetur në mbetjet e krizave të mëhershme të pazgjidhura ose të ngrira. Prandaj, kur ne flasim mbi krizat aktuale, duhet të ruhemi nga rreziqet e hipotetizmit, këndvështrimit afatshkurtër dhe partikularizmit në analizimin e tyre. Fatkeqësisht, derisa reagimet dhe përgjigjet ndaj cikleve të tanishme të zgjedhjeve në Perëndim, që bujarisht i shpërblyen grupet populiste, ksenofobike dhe neonacionaliste, kanë çuar në njëfarë vetanalize të brendshme, midis klasës politike dhe intelektuale, si edhe qytetarëve të shqetësuar në Perëndim dhe gjetkë, pak kanë treguar gatishmërinë për ta hulumtuar shkakun rrënjësor të kësaj tendence, duke e vendosur atë në një kontekst historik. Zhvillimet e fundit nuk po ngjasin në një mënyrë evolucionare, dhe, siç kam sugjeruar diku tjetër, ne mund t’u përgjigjemi më së miri cikleve aktuale të ndryshimit nëse e kuptojmë tërësinë e tërmeteve që po i japin trajtë botës sonë.

Tërmete në politikën botërore

Sistemi global u trondit së pari nga një tërmet gjeopolitik pas fundit të Luftës së Ftohtë. Harta e Euroazisë u riskicua gjatë kësaj periudhe, gjeopolitika e Luftës së Ftohtë mori fund dhe lindën shtete të reja. Me shembjen e strukturës politike autoritare të bllokut komunist, një valë e re demokratizimi u shqua në Europën Lindore dhe Qendrore, si edhe në iniciativat e reja rajonale, të tilla si Bashkimi Europian. Më pas, mbi një dekadë më vonë, sistemi global qe dëshmitar i një tërmeti sigurie me 11 shtatorin e 2001-shit. Ndërkohë që vlera të tilla si liria dhe demokracia ishin në qendër të tërmetit gjeopolitik, korniza bazë konceptuale pas 11 shtatorit është sjellë rreth çështjes së sigurisë, duke krijuar një atmosferë ankthi, mosbesimi dhe armiqësie në sferën ndërkombëtare. Tërmeti i tretë i madh, i cili është ndjerë edhe më thellë, goditi sistemet financiare, fillimisht në Shtetet e Bashkuara në 2008-tën, pasuar nga kriza e euros në 2010-tën dhe nga një krizë e shtrirë globale financiare. Tërmeti i katërt i madh u bë i njohur në botën arabe nga viti 2010 e këtej dhe ishte i një natyre sociopolitike/ekonomike. Derisa ky tërmet ta përmbushë premtimin e tij të parë, për të dhënë dinjitet, liri, demokraci dhe përparim ekonomik për popujt arabë, ai ka për të vazhduar ta trondisë tërë rajonin mu në themelet e tij.

Këndvështrimi afatshkurtër dhe politikat hipotetike u përdorën para së gjithash për trajtimin e këtyre tërmeteve, duke i lënë ato të pazgjidhura dhe duke shtruar rrugën për atë që po ngjet tani: një tërmet sistemor i karakterizuar nga një valë në rritje e ekstremizmit, të shtrirë nga aktivitetet terroriste të grupeve si DAESH-i, deri te shpërthimi populist në zgjedhjet e fundit në Europë dhe në SHBA. Një nga pasojat më shqetësuese të këtyre tërmeteve ka qenë një rritje në autokracitë populiste, në ekskluzivitetin, në unilateralizmin, në ndjekjen egoiste të interesave të përcaktuara ngushtësisht nacionale, kjo në dëm të vlerave dhe të të mirave të përbashkëta.

Në një shënim më personal, Turqia ka qenë në qendër të të gjithë këtyre tërmeteve. Si një akademik që e ka çuar një pjesë domethënëse të jetës akademike dhe intelektuale në shqyrtimin e shkaqeve rrënjësore të këtyre tërmeteve, e më vonë si ministër i Jashtëm dhe kryeministër i Turqisë që do t’i formulonte përgjigjet e politikës ndaj këtyre ngjarjeve sizmike, unë erdha te njohja e një modeli reagimesh kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, afatshkurtra në kohë dhe kundërvepruese, që nuk arrijnë t’i trajtojnë çështjet më të gjera të qeverisjes globale dhe të rendit sistemor.

Sfida dhe të meta të “rendit” aktual

Post e vërteta, post-rendi dhe post-fakti e koncepte të ngjashme, janë shfrytëzuar me bollëk për ta përshkruar atë, përmes së cilës po kalon bota. Për shembull, derisa termi “post e vërteta” është përdorur për të shpjeguar kontekstin, faktorët që kanë hapur rrugën për çka po përjetojmë tani, termi “postrend” është përdorur për të përshkruar sistemin global ose mungesën në lidhje me të. Nëse nuk shihen me njëfarë skepticizmi dhe largësie, këto koncepte priren të shkaktojnë një mungesë të rigorozitetit intelektual ose analitik, duke i shërbyer qëllimit të padëshiruar të lehtësimit të agjentëve nga përgjegjësia e tyre për çfarë po ndodhë. Mendimi i freskët, jo i mbajtur peng nga konceptet e popullarizuara rishtazi, duhet bashkuar me perceptimin se përdorimi tradicional i koncepteve dikur shpjeguese, si e djathta dhe e majta, është i kufizuar në mënyrë domethënëse në shpjegimin e fenomenit aktual.

“Rendi” i tanishëm ndërkombëtar, i mbajtur gjallë përgjithësisht nga fuqia amerikane – mbështetur supozueshëm nga vlera të tilla si demokracia, rendi ligjor, tregjet e lira dhe nga institucione të tilla si OKB-ja, G20-ta, FMN-ja, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë – po përballet me sfida të mëdha. Së pari, administrata e Trump-it, me politikën e saj të deklaruar “Amerika e para”, ngjan të jetë duke u larguar nga sistemi, më aktualja e krizave sot. Në mënyrë të argumentueshme, ndikimi i saj mund të zbutet ose përmes angazhimit të establishmentit amerikan ndaj rendit botëror ose përmes një pronësie më kolektive të tij. Së dyti, sistemi i deklaruar i vlerave i rendit mbizotërues ose është zbatuar në mënyrë përzgjedhëse ose nuk është zbatuar fare në shumë kontekste. Për shembull, gjatë tërmetit të katërt, të shkaktuar nga revoltat anembanë botës arabe, aktorët ndërkombëtarë adoptuan përgjithësisht politika afatshkurtra në kohë dhe vetëshpartalluese në vend të qëndrimit në krah të vlerave të deklaruara të rendit, të tilla si demokracia. Kjo i ka lënë njerëzit me zgjedhjen e pakëndshme të terrorizmit karshi shteteve policore, që në vijim ka zvogëluar në mënyrë domethënëse legjitimitetin e rendit ndërkombëtar për segmente të mëdha të popullsisë botërore. Së treti, institucionet e rendit mbizotërues ndërkombëtar kanë nevojë të madhe për reformë dhe përditësim. Merrni shembullin e OKB-së: është një institucion më së shumti pa histori suksesi, e që këtej, pa besueshmëri. Për më tepër, struktura e qeverisjes së këtyre institucioneve nuk është përfshirëse, kështu që ato veprojnë si klube përjashtuese të projektuara para së gjithash për t’u shërbyer interesave të të fuqishmit në dëm të të dobëtit. Për sa kohë që institucionet ndërkombëtare janë parë në këtë mënyrë, legjitimiteti i tyre do të mbetet gjithmonë i dyshimtë.

Debatet e fundit mbi të ardhmen e “rendit” ndërkombëtar janë nxitur nga Brexit-i dhe zgjedhja e Trump-it. Por, natyra e nxehtë e së tashmes nuk duhet t’i trajtësojë reagimet tona ndaj kësaj krize të thellë. Disa koncepte, çështje dhe “fakte” duhet t’i nënshtrohen shqyrtimit serioz. Idetë e ndryshimit dhe rendit, si dhe agjenti i ndryshimit dhe rendit, duhet të shqyrtohen fund e krye përpara se ne të mund të japim një përgjigje të drejtë, përfshirëse dhe të qëndrueshme për krizën aktuale sistemore.

Nevoja për ndryshim dhe modalitetet e rendit

Duke pasur parasysh tërmetin e tanishëm sistemor, klasat politike dhe intelektuale duhet të fillojnë me pranimin se ndryshimi është i nevojshëm dhe i pashmangshëm. Me t’u dëshmuar kjo, çështjet e tjera janë rreth asaj se çfarë duhet të ndryshojë dhe si. Një prej të metave përcaktuese të “rendit” aktual ndërkombëtar është besimi i tij i tepruar te teknokracia. Ajo është jopërfaqësuese, me një deficit demokratik në bërthamën e saj, gjë që ka çuar në pakësimin progresiv të pronësisë sociale të sistemit. Kjo, në vijim, ka krijuar një rreth vicioz: sa më shumë që është zvogëluar baza shoqërore e rendit aktual, aq më shumë është mbështetur në teknokracinë globaliste për mbijetesën e saj, por sa më tepër është mbështetur në këtë teknokraci, aq më shumë njerëz janë ftohur nga sistemi. Një pjesë e madhe e shoqërive anekënd botës e shohin këtë sistem si një imponim tutelor në shkallë globale. Kjo pakënaqësi u shkon për shtat autokratëve populistë. Prandaj, tensioni midis natyrës teknokratike të sistemit dhe kërkesës në rritje që ai të jetë më shumë përfaqësues duhet trajtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Sapo të vihet kjo në vijë, përkrahësit e ruajtjes së një versioni të reformuar të “rendit” të tanishëm duhet t’u kundërvihen kërkesave më agresive dhe përjashtuese për ndryshim të parashtruara nga populistët me një ide ndryshimi shumë më tepër progresive dhe përfshirëse. Kjo do të thotë se një rend ndërkombëtar, që nuk është i mbështetur te vlerat dhe rregulli dhe nuk është në parim reflektues i vlerave dhe interesave të një segmenti të madh të njerëzimit, do të jetë i destinuar të dështojë. Afërmendsh, tjetër gjë ta thuash e tjetër gjë ta bësh. Por, ka dy qasje kryesore.

Alternativa e parë është të pajtohesh mbi një varg parimesh dhe vlerash e ta ndërtosh rendin bazuar në to. Kësisoj, baza e vlerave të rendit është e qartë për çdokënd. Ne duhet të kemi një varg rregullash dhe një numër strategjish që janë të zbatueshme për këdo. Për më shumë, kjo qasje siguron gjithashtu kriteret dhe standardet me të cilat do të gjykohet paraqitja dhe do të pikaset çdo keqfunksionim i sistemit. Një rend i tillë përfshirës dhe i bazuar në vlerat do t’i japë atij më tepër legjitimitet dhe një bazë të gjerë shoqërore në rrafsh botëror.

Qasja e dytë është të përpiqesh të ndërtosh një lloj rendi të bazuar në hamendjen dhe pragmatizmin. Kjo formë rendi do të jetë në terren të paqëndrueshëm dhe ka për t’u vënë në diskutim që prej ditës së parë. Ka për t’u përballur me një cikël krizash të shkaktuara nga rivalitetet dhe konkurrenca me shumë zero. Kësisoj, përfshirja e bazuar në rregullin dhe drejtësia e nxitur nga parimi, do të formojnë pjesë të një rendi dhe rendi aktual do të përpiqet më së paku të përditësohet me këto faktorë në mendje. Derisa sistemi i tanishëm duhet të reflektojë tashmë në teori qasjen e parë, zbatimet e tij në praktikë e tregojnë atë të jetë më pranë së dytës.

Kush e ka përgjegjësinë për ta ngritur apo për ta mbajtur rendin? Në nivel kombëtar, ne kemi dy kandidatë: establishmentin ose udhëheqësit populistë të valëve të reja antisistemore. Vështirësia është se establishmenti nuk ka legjitimitetin e nevojshëm për të ndërtuar një rend të ri ose për ta përditësuar dramatikisht të vjetrin. Por, populistët e rinj nuk kanë as synimin, as njohuritë e duhura, për të krijuar një rend të ri ose për ta rishikuar në mënyrë domethënëse atë që është në punë. Ndërveprimi, lufta midis tyre, do t’i japë trajtë rendit kombëtar, që në vijim ka për të trajtësuar rendin ndërkombëtar. Në nivel ndërkombëtar, OKB-ja duhet të kishte funksionuar si platforma parësore për diskutim mbi një rend të reformuar ose të ri, por niveli i gjertanishëm i paraqitjes së saj nuk jep shpresa të mëdha.

 

Nevoja për një qeverisje globale më përfshirëse

Në përgjithësi, vala populiste në rritje dhe krizat sistemore e kanë ilustruar qartë faktin se “rendi” i tanishëm ndërkombëtar është në procesin e delegjitimimit në dy nivele. Së pari, ai është hedhur poshtë si një burim padrejtësie, pandershmërie dhe imponimi, si një simptomë e kalbëzimit të elitës globale dhe e indiferencës së saj ndaj pakënaqësive të njerëzve në shoqëritë anembanë botës, a të veçimit prej tyre. Së dyti, “rendi” aktual është vënë në diskutim nga grupe të mëdha shtetesh, veçanërisht nga fuqitë në rritje, duke përfshirë Turqinë, që me të drejtë e vlerësojnë atë si jopërfaqësues, si reflektues thuajse ekskluzivisht i projektimeve dhe përparësive të fuqive perëndimore fitimtare të Luftës së Dytë Botërore. Paaftësia e sistemit për t’u bërë vend dhe për t’i përfaqësuar ndershmërisht ato jo vetëm e zvogëlon legjitimitetin e tij, por e minon funksionimin e tij. Ndikimi i bashkuar i këtyre dy faktorëve krijon krizën bashkëkohore të legjitimitetit. Në këtë fazë, çështja me rëndësi thelbësore është nëse ky delegjitimim do të çojë në shpërbërjen e plotë të sistemit. Me fjalë të tjera, është ende për t’u parë nëse ky tërmet sistemor ka për të kulmuar me shpërbërjen e rendit të tanishëm apo me përmirësimin e tij. Për ta shmangur shpërbërjen, duhet të ndërmerren reforma të mëdha për të rivendosur legjitimitetin, që është e vetmja mënyrë që rendi aktual t’i mbijetojë këtij tërmeti sistemor.

Përndryshe, prirjet e tanishme janë shqetësuese dhe i ngjajnë politikës së shekullit të 19-të ose periudhës para Luftës së Dytë Botërore. Një krizë ekonomike në vijim, një shtim në prirjet izolacioniste midis fuqive të mëdha, një rritje në autokracitë dhe në politikat populiste, në unilateralizmin, një perceptim i politikës dhe i ndërveprimeve ndërkombëtare si lojëra me shumë zero, dhe veçori të ngjashme, përfaqësojnë tendenca të frikshme, që megjithatë mund të prapësohen. Zgjedhjet janë të qarta. Bota ose do të drejtohet përsëri për nga “balanca e sistemit të fuqisë” reciprokisht shkatërruese ose do të përpiqet për të krijuar një strukturë qeverisjeje globale reciprokisht frytdhënëse, më mirëdashëse, më përfshirëse, më të drejtë e më humanitare. Derisa interesat e përcaktuara ngushtësisht dhe unilateralizmi vetëshpartallues formojnë karakterin kryesor të sistemit të shkuar, vlerat dhe rregullat e përbashkëta dhe një multilateralizëm reciprokisht frytdhënës, do t’i përcaktojnë konturet e alternativës pasuese.

Shpresa e papërmbushur që nga vitet 1990-të ka qenë për të bërë realitet një të ardhme të trajtësuar nga qeverisja globale. Dallimi midis qeverisjes globale dhe rendit ndërkombëtar është se “rendi ndërkombëtar” nënkupton se shtetet-kombe janë njësi kryesore dhe se rendi është formuar si rezultat i marrëdhënieve dhe dialogut midis vendeve. “Qeverisja globale” është më ndërvepruese, më e mbështetur në dialogun, si dhe më transnacionale. Në këtë kuptim nuk është vetëm dialogu midis shteteve-kombe, por midis qenieve njerëzore, me një sistem më ndërveprues, më të ndërlidhur, që krijon një rend ndërkombëtar. Dhe, kështu, njerëzia në këtë fazë ka nevojë për qeverisje globale të formës përfshirëse, të drejtë, konsensuale, multilaterale, të bazuar në rregulla dhe vlera.

Përktheu:

Bujar M. Hoxha

Postime të Ngjajshme