` . POLITIKE – TV-SHENJA

POLITIKE

(…a e di se pushimi për ne të Maqedonisë nuk është më pushim, por arratisje?, më ka shkruar një mike pas kthimit nga pushimet)

Shkruan: Lindita Kadriu

Fatkeqësi elementare këtu është bërë zhgënjimi, ashtu si edhe mungesa e shpresës dhe besimit.

Kështu ndërtohet defetizmi. Dhe ushqehet nga frika e njerëzve të rritur që zgjedhin të jetojnë me frikë dhe të paralizohen nga ajo. Në këtë frymë, duke parë dhe dëgjuar prindërit, rriten fëmijët e tyre. Dhe gjendja status-quo betonohet.

…pas kthimit nga pushimi mikes do ti duhet kohë për ambientim në qytetin e papastër, në ajrin me ndotje rekorde, në sistemin pa sistem në shtetin që më ngjan me lodër fëmijësh dhe kjo nuk është metaforë.

Në qytetet e Maqedonisë Perëndimore, përfshirë dhe kryeqytetin dhe hiq Gostivarin, ke përshtypjen që ndërmarrja komunale është në pushim gjeneral. Në Maqedoninë lindore nuk ke qytet të papastër, as qytezë pa investime ekonomike dhe ky krahasim flet pa gojë për tërë mjerimin e politikës shqiptare këtu.

Kjo dhe plot diskrepanca tjera mes zonave maqedone dhe shqiptare ndodh ekskluzivisht për shkak të pushtetarëve të korruptuar shqiptarë se korrupcioni, thoshte Tahiri, ti lidh duart dhe gojën.

Diskriminimi shqiptar shihet kado të kthehesh:

Nëpërkëmbja ekonomike që është më e rëndësishmja dhe për të cilën paradoksalisht më së paku flitet.

Financimi i kulturës shqiptare me thërrime dhe mungesa e saj thuaja e plotë në projektet kapitale të Ministrisë së kulturës gjatë tërë demokracisë.

Mbështetja qesharakisht e ulët e universiteteve shqiptare me në krye atë lodrën plastike për fëmijë me alamet emrin e Nënë Terezës.

Diskriminimi është dhuratë nga funkcionarët e pasuruar shqiptarë, politikanët që gajlen e haramit nuk e kanë, të shitur për pare, sa të gjorë. Kështu, skena jonë është plot meshkuj si lepuj të cilët frikësohen, tekstualisht kanë frikë, duarlidhur dhe gojëkyçyr, të ngulin këmbë për të drejtat e votuesëve të vet.

Ti kthehem përgjigjes asaj mikeje nga fillimteksti:

“Tragjedia nuk qëndron vetëm në pushimet si arratisje.

Këtu shumica nuk kanë mundësinë as të arratisen për shkurt.

Më e keqja qëndron aty se shumica duan të arratisen përgjithmonë”.

Shumica e miqve të mi që në çdo shoqëri do të ishin bartës të zhvillimit ëndërrojnë tjetër atdhe…ose duan që të paktën fëmijët e tyre të shpëtojnë nga Maqedonia, nga ky sistem pa sistem.

Secili kërkon dhe ndoshta gjen shpëtimin e vet.

Këtu apo Atje.

Në fakt shpëtimin, pavarësisht gjeografisë, e kërkojmë dhe e gjejmë përkitazi tek vetvetja.

Personalisht jam për të mbetur këtu, me përpjekje për ta rregulluar, secili sa të mundet, këtë Xhungël në asfalt, si titulli i atij filmi.

Kjo është Sfida.

Mjafton që njeriu i rritur të mos ketë frikë.

Mjafton t’i edukojë fëmijët e vet të mos kenë frikë se ajo inhibon, kurse inhibimet sipas psikologëve rezultojnë me sëmundje.

…në fakt, fillova të shkruaja për pushimet, e dola në politikë.

Edhe ajo na është bërë sëmundje.