` . Politikë e delegjitimuar që kërkon ‘’unifikim” – TV-SHENJA

Politikë e delegjitimuar që kërkon ‘’unifikim”

Demokracia është vullnet i popullit përmes të cilit dikujt ia heq legjitimitetin, e dikujt ia jep. Ky vullnet në zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit e ndëshkoi partinë shqiptare që ishte në pushtet, ndërsa nuk i faktorizoi shumë partitë opozitare shqiptare. Dikë e radhiti të dytin, dikë të tretin, e dikujt ia hapi derën për largim nga skena politike.

Kjo votë e popullit duhet marrë si evoluim i vetëdijes së qytetarëve shqiptarë në Maqedoni të cilët nga përvoja e hidhur me parti shumë të fuqishme, kësaj radhe votuan ashtu që fuqia të jetë te vetë ata, pra tek populli. Bile, një pjesë e votave shqiptare (kjo për fajin e disa medieve që opozitën shqiptare e paraqisnin si të pamjaftueshme për t’i bërë ballë partisë shqiptare në pushtet) shkuan edhe për LSDM-në, votë që mendoj se është e njëhershme dhe lidhet kryekëput me zhgënjimin dhe dëshpërimin nga përfaqësimi i deritanishëm politik i shqiptarëve në institucionet e shtetit. Numrat aktual qytetarin nga një faktor krejtësisht i parëndësishëm dhe lehtë i manipulueshëm e kanë kthyer në boshtin më të rëndësishëm në një shoqëri demokratike, bosht i cili e determinon politikën dhe i cili mund të ndikojë direkt në zhvillimet politike në vend. Tani, këto numra dikush mund t’i bashkojë me dikë që të futet në ekzekutiv, mirëpo dikush edhe mund të vazhdojë ta luaj rolin që ia ka caktuar populli, pra rolin e korrektorit të pushtetit, atë të opozitës. Mirëpo, më e rëndësishmja në këtë rast është se votuesit shqiptar arritën ta krijojnë një realitet të ri politik në Maqedoni dhe një baraspeshim të ri të forcave politike.

Kur jemi te ‘’unifikimi’’ pas-zgjedhorë i shqiptarëve për mbrojtje të interesave të përbashkëta, pos asaj që u tha si qëndrim zyrtar se nuk mundet të thërret për unifikim dikush që e ka dobësuar skajshmërisht indin shqiptarë në Maqedoni, mendoj se është shumë i gabuar dimensioni që i jepet këtij ‘’unifikimi’’ duke dhënë një mesazh se interesat shqiptare mund të mbrohen vetëm nëse të gjithë shqiptarët bashkërisht futen në qeveri. Kjo është vazhdimësi e mendësisë e cila me çdo kusht e mbronte parimin që fituesi me fituesin të formojnë qeveri duke e dobësuar kështu vazhdimisht pozicionin e shqiptarëve në institucionet e shtetit si pasojë e apetiteve të mëdha për qeverisje. Aq më tepër për arsyetimin se nëse nuk hymë ne do hynë ata tjerët! E në rregull pra, le të formojnë qeveri fituesi te pala maqedonase me fituesin te pala shqiptare. Sidomos kësaj radhe që Lëvizja BESA, e ka bërë të qartë që nuk do e luajë lojën e PDSH-së duke u kërcënuar se mund të futet në qeveri.

Kësaj radhe duket se ky hap për ‘’unifikim’’ është tentativë për ta marrë në njëfarë mënyre legjitimitetin që populli nuk ua dha në zgjedhje që pastaj sërish të futen në qeveri. Bile, ata që u ulën në një tavolinë në Shkup i kanë edhe numrat për formim të qeverisë në cilëndo kombinatorikë të mundshme, andaj le të futen në qeveri. Nuk ka nevojë për spektakle që kjo të paraqitet si moment historik për unifikimin e shqiptarëve, duke legjitimuar kështu apetitet e dikujt për qeverisje. Shqiptarët tanimë i kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre në parlament dhe interesat e tyre do duhet të mbrohen aty e jo nëpër tryeza me persona të cilët kanë hallin si ta shpëtojnë kokën e tyre. Çdo ligj në dobi të shqiptarëve duhet mbështetur në parlament me votë. Ftesat për takime nga personat që dyshohen për përfshirje në krim e korrupsion lëre që nuk e avancojnë çështjen shqiptare, por e pengojnë edhe më tepër.

Tërë këto tentativa për ‘’unifikim’’, tërë këto ndërkëmbëza e spektakle na sjellin te konkluzioni se BDI ende nuk e ka kuptuar këtë realitet të ri në skenën politike shqiptare në Maqedoni, ende nuk e ka kuptuar se nuk mund të sillet me komoditetin e njëjtë siç është sjellë për pesëmbëdhjetë vite, ende nuk është e bindur se opozitë shqiptare nuk është PDSH-ja por është Lëvizja BESA e cila vazhdon të jetë konsekuente në qëndrimet dhe parimet e sajë dhe e cila po e luan rolin e mirëfilltë të një partie opozitare që shqiptarëve u ka munguar gjatë kohë.

Nga kjo përfitohet përshtypja qe ekzistenca e qenies politike të tyre lidhet shumë ngushtë më të qenit pjesë e qeverisë, e jo me të qenit konsekuent në premtimet dhënë votuesve shqiptarë dhe në parimet mbi të cilat ndërtohet një diskurs politik. Periudha pas zgjedhjeve dhe ajo që do të pasojë pas formimit të qeverisë, sidomos në kampin politik shqiptarë, duket se do të jetë e determinuar mu nga ky vullnet i votuesve shqiptar i cili i ka vendosur partitë politike shqiptare para një sprove cila prej tyre do qëndrojë besnike ndaj premtimeve të dhëna gjatë fushatës parazgjedhore e cila prej tyre do shkelë mbi besën e dhënë për interesa të caktuara.