` . Politikanët kanë problem me trurin e tyre jodemokratik - TV SHENJA

Politikanët kanë problem me trurin e tyre jodemokratik

Intervistë me ministrin e parë të Jashtëm të Maqedonisë së pavarur, Denko Maleski

Intervistoi: Ismail Sinani

Ministri i parë i jashtëm i Maqedonisë së pavarur, më vonë edhe ambasador i Maqedonisë në OKB, njëherazi profesori në pension i marrëdhënieve ndërkombëtare, Denko Maleski, është ndër figurat e pakta që i ka Maqedonia, e të cilët shquhen për objektivitet, paanësi dhe mendim të esëllt për zhvillimet politike në Maqedoni dhe më gjerë. Ai edhe në këtë intervistë dëshmon se është profili i një politikani dhe intelektuali që i mungon edhe sot skenës politike dhe diplomacisë jo vetëm në Maqedoni.

SHENJA: Maqedonia tashmë ka hyrë në krizë të thellë. Si do të përfundojë ky akt i dramës politike sipas jush?

Tani rreziku nuk del nga zgjedhjet e shpejta e të papërgatitura, por nga restaurimi i mënyrës së vjetër të qeverisjes. Nëse deri tani kishte garë ndërmjet zgjedhjeve të shpejta dhe drejtësisë së ngadaltë, tani rreziku është, një kohë, të mos ketë as zgjedhje, as drejtësi.

SHENJA: Për herë të parë që nga viti 2001 në Maqedoni na vjen një i dërguar special. Hajndëll tashmë është në Maqedoni. Çka do të thotë kjo sipas jush?

  1. MALESKI: Kjo, gjithsesi, është sinjal i brengosjes me gjendjet në shtetin tonë dhe i gatishmërisë së Gjermanisë që më shumë të involvohet në krizën e maqedonase, bashkë me SHBA-të dhe BE-në, në kërkim të zgjidhjes.

SHENJA: A është, sipas jush, kriza e fundit politike në Maqedoni një lloj pastrimi i skenës politike dhe një përgatitje e saj për sfidat e reja gjatë anëtarësimit në BE, apo mos është fjala për ndërrimin e elitave politike për shkak të ndryshimeve evidente edhe në skenën politike botërore?

  1. MALESKI: Bëhet fjalë për krizën e sistemit politik të Maqedonisë, ku, me vite të tëra, fuqizohen tendencat autokratike në llogari të demokracisë. Ngecja në zhvillimin e institucioneve demokratike prodhoi një pushtet që nuk është nën kontrollin demokratik, kështu që lloj-lloj keqpërdorimesh u bënë të mundura. Siç tregojnë incizimet e publikuara, individë të dalluar nga strukturat qeveritare e kanë keqpërdorur pushtetin e tillë të pakontrolluar: duke përgjuar mbi njëzet mijë qytetarë, përmes kontraktimeve të turbullta ekonomike, e deri te manipulimet zgjedhore.

SHENJA: Në frymën e këtillë pastruese, derisa Maqedonisë i ndodhë Prokuroria Publike Speciale – nëse i referohemi edhe fqinjësisë, në Kosovë ndodhë Gjykata Speciale, ndërsa në Shqipëri gjithashtu kemi tensione politike të cilat kërkojnë sanksionim juridik ndërkombëtar të politikanëve të inkriminuar – a konsideroni se në këtë mënyrë po bëhet një përgatitje e plotë e Ballkanit për sfidat e reja dhe cila është, sipas jush, vija që i lidh këto zhvillime?

  1. MALESKI: Të gjithë ne në Ballkan jemi pjesë e një tradite autoritare shekullore, e cila pushtetin e sheh si një sferë të ndaluar, ndaj së cilës qytetarët nuk kanë kurrfarë ndikimi. Me një gjendje të këtillë, jodemokratike, të trurit, në fillim të viteve të nëntëdhjeta pa asnjë ditë demokraci në historinë e vet politike, u ballafaquam me sfida të cilat i kishim të panjohura – sistemin politik demokratik, lirinë dhe të drejtat e njeriut, shtetin juridik, pushtetin e përgjegjshëm… Në mungesë të vlerave demokratike te politikanët dhe te qytetarët, institucionet politike u bënë skenë për qërim hesapesh mbi bazë partiake dhe personale, siç i njohim nga historia, e jo vend për dialog, për kërkimin e qëndrimit të përbashkët përmes kompromisit, respektit të ndërsjellë, solidaritetit dhe vetëdijes tek oponentët politikë deri ku mund të insistojnë për “të veten”.

SHENJA: Cili mund të jetë çelësi për paqe të përhershme në Ballkan? Këtu e pashmangshme është pyetja se cilat janë parashikimet tuaja për anëtarësimin e vendeve të Evropës Juglindore në BE?

  1. MALESKI: Integrimi evropian, plani i paqes i cili mbi bazë ekonomike dhe politike mbështetej nga SHBA-të, filluar nga Franca dhe Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, ishte çelësi për këtë paqe, e cila po zgjat tashmë shtatëdhjetë vjet. Zgjerimi i BE-së me të gjitha vendet e Ballkanit do të thotë zgjerim i kësaj zone të paqes dhe të bashkëpunimit dhe sigurim i paqes dhe i prosperitetit, si për Evropën Juglindore, ashtu dhe për kontinentin në tërësi.

Me këtë rast, korniza e sigurisë, të cilën e ofron NATO, është hapi i parë drejt integrimit të plotë të shteteve tona në Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, me anëtarësimin në NATO zgjidhet “dilema e sigurisë” shekullore për atë se çka përgatit fqinji, për shkak se, në vend të fqinjëve dyshues, bëhemi partnerë të ulur rreth tavolinës së përbashkët.
SHENJA: Të kthehemi sërish në Maqedoni. Si mendoni se do të mbarojë kriza politike në vend? A ka shpresë se kjo krizë do të ketë fund të suksesshëm për qytetarët nga Maqedonia në kuptimin-shteti ynë të jetë tregim i suksesshëm për Evropën? Meqë partia maqedonase në pushtet tërë kohën synon që Maqedonia të jetë shtet i fortë monoetnik, cilat janë, sipas jush, mundësitë që shteti të jetë qytetar dhe multietnik, ashtu edhe siç është në të vërtetë shoqëria?

  1. MALESKI: Kriza në të cilën gjendemi është krizë e sistemit demokratik të qeverisjes. Sistemi ynë më shumë i ngjan autokracisë sesa demokracisë. Do të thotë, fjala është për krizë sistemore, e cila mund të hiqet vetëm me punë afatgjatë dhe këmbëngulëse në krijimin e një pluralizmi autentik, përmes të cilit do të shprehen të gjitha pikëpamjet politike. Pastaj, ato pikëpamje politike do të duhet të mësohen të bashkëjetojnë dhe, përmes dialogut dhe kompromisit, ta formulojnë politikën shtetërore të Maqedonisë. Ky interes shtetëror formulohet në Parlament përmes dialogut dhe kompromisit, rrugë e cila siguron pajtimin e të gjitha segmenteve politike më të njohura të shoqërisë maqedonase, ku pushteti duhet të jetë nën kontrollin demokratik. Dobësia jonë themelore është gjendja jodemokratike e trurit të përfaqësuesve tanë politikë, rëndom si edhe e shumicës së qytetarëve, ndërsa kjo në mënyrë më direkte shprehet ndaj karakterit të institucioneve politike. Në të vërtetë, çdo institucion është produkt i njerëzve që punojnë në të. Nëse në të punojnë demokratë, i tillë do të jetë edhe institucioni.

Sa i takon multietnicitetit tonë, ai është aq evident në shoqëri, saqë askujt nuk duhet t’i dëshmohet. Me Marrëveshjen e Ohrit ky multietnicitet institucionalizohet në Kushtetutë, kështu që rreziku nga majorizimi është zvogëluar dukshëm. Por, tani neve na duhet afirmimi i parimeve që na bashkojnë si qytetarë të Republikës së Maqedonisë. Thënë shumë përgjithësisht, të gjithë neve, pavarësisht prej përkatësisë etnike, mund të na bashkojnë parimet demokratike: të drejtat e garantuara themelore të njeriut, barazia para ligjit, sundimi i së drejtës, kufizimet kushtetuese të pushtetit, pluralizmi shoqëror, ekonomik dhe politik, vlerat e bashkëpunimit, toleranca, pragmatizmi dhe kompromisi…

SHENJA: Në këtë drejtim, meqë nga “bombat” e publikuara pamë se më shumë institucione në vend tashmë kishin shënuar rënie, a konsideroni se Maqedonisë i duhen vetëm ndryshime ligjore apo ka nevojë për intervenim më të thellë, në kuptim të ridefinimit të tërë rregullimit politik-juridik të shtetit?

  1. MALESKI: Institucionet janë ato çfarë ekzistojnë në të gjitha shtetet demokratike. Problemi është se ato nuk janë të plotësuara me përmbajtje demokratike, të tilla siç janë edhe mendjet e politikanëve tanë. Kjo është mungesa e tyre kryesore. Keni Parlament, për shembull, ku nuk realizohet roli i kontrollit të punës së organit për represion. Ose, kohë më parë ishte formuar komisioni anketues për përmbajtjet e “bombave” të publikuara, i cili asnjëherë nuk u vu në funksion. Rendi e do që të gjithë deputetët të fillojnë të kujdesen për demokracinë dhe për lirinë, ashtu që do të kujdesen që institucionet politike ta kryejnë detyrën e tyre në një mënyrë transparente dhe të përgjegjshme.

SHENJA: Cili është mendimi juaj për bashkësinë shqiptare në Maqedoni: a po e humbin ata betejën për shkak të përfaqësimit të dobët politik, për shkak të qëndrimeve, kërkesave dhe vizioneve të tyre jo mjaft të qarta për shtetin dhe për bashkësinë e tyre apo fjala është për interpretime të cilat lidhen me tema siç janë korrupsioni, krimi etj.?

  1. MALESKI: Të gjitha bashkësitë në Maqedoni, të gjithë qytetarët e saj, duhet të jenë në betejën e përbashkët për sistem politik demokratik më efikas. Sistemi i këtillë më së miri i artikulon interesat e secilit segment nga shoqëria maqedonase në institucionet politike, ku, përmes dialogut dhe kompromisit të pashmangshëm, do të duhej të formulohej politika shtetërore. Ky sistem i hapur mund t’i vë në rend të ditës dhe t’i zgjidhë problemet e çdo bashkësie përmes një procesi demokratik transparent.

SHENJA: Derisa në bllokun politik shqiptar paraqiten subjekte të reja politike me intelektualë të rinj shqiptarë, me ide dhe angazhime të reja, kjo nuk ndodh në bllokun maqedonas. Cili është, sipas jush, shkaku i kësaj?

  1. MALESKI: Problemi i lirisë, i demokracisë dhe i ideve të reja nuk është i lidhur domosdoshmërisht për moshën e politikanëve: në jetë kam takuar fashistë të rinj dhe demokratë të vjetër (dhe, e kundërta, kuptohet). Raporti ndaj parimeve të demokracisë e dëfton tregimin e vërtetë të njeriut ose të politikanit, qoftë ai i vjetër a i ri.

SHENJA: Cili është, sipas jush, problemi kryesor i Maqedonisë: marrëdhëniet ndëretnike, ekonomia, mossuksesi në integrimet euroatlantike apo korrupsioni dhe menaxhimi i keq i shtetit? Dhe, në këtë drejtim, si e shihni zgjidhjen e problemeve të këtilla?

  1. MALESKI: Problemi kryesor i Maqedonisë është mungesa e një demokracie multietnike dhe pluraliste efikase, e aftë që të prodhojë politika shtetërore kompatibile me shtetet demokratike të Perëndimit, në aleancat e të cilit e shohim të ardhmen tonë. Sepse, janë politikanët ata që më së shumti duhet të prodhojnë lumturi për numrin më të madh të qytetarëve. Për shkak se nuk jemi në nivelin e kësaj detyre, vonohemi me integrimet euroatlantike, kemi probleme me marrëdhëniet ndëretnike, me ekonominë dhe me një sistem të korruptuar të qeverisjes në të gjitha nivelet e vendosjes politike. Pra, flasim për një proces të ngadaltë të mësimit, për shkak se në esencën më të thellë të saj demokracia është gjendje e trurit të njeriut. Truri, ndërkaq, do të pajtoheni, ndryshon vështirë.

Postime të Ngjajshme