` . “Politika nuk na lë të dalë e vërteta e kalasë së Shkupit” (Video) – TV-SHENJA

“Politika nuk na lë të dalë e vërteta e kalasë së Shkupit” (Video)

Kalaja e Shkupit me vite me radhë zgjon polemika dhe debate se nga kush është ndërtuar, kujt i përket, çfarë fsheh në brendësi dhe çka duhet të ndërtohet në të. Ky lokacion zgjon kurreshtjen e historianëve për hulumtime dhe informacione të sakta, por ata thonë se nuk mund të zbardhet lehtë një e kaluar aq e largët.

Historiani Naser Miftari e përshkruan Kalanë e Shkupit si një vend historik për të cilën thotë se menyra në të cilën është e ndërtuar, flet për pronarët e saj. Sipas Miftarit, mjeshtëria e ndërtimit dëshmon se ndërtues të atij objekti kanë qenë ilirët.

NASER MIFTARI, HISTORIAN

Kur është në pyetje Kalaja e Shkupit është vështirë të themi të  saktën, pasi që Kalaja e Shkupit me gjithë dokumentacionin e gjertanishëm që ne e kemi has, është mjaft e varfër në të dhëna, pasi që nuk ka dyshim kush e ndërtoi sepse vet murnat, gurët dhe mjeshtëria e këtij ndërtimi dëshmon se ndërtues te këtij objekti janë ilirët sepse ata shquheshin në ndërtime të mëdha.

Sipas Miftarit, hulumtimet e bëra deri më tani nuk japin ndonjë sqarim të mirëfilltë të gjithë asaj që quhet historiografi e objektit. Së fundmi hulumtimet e bëra nga viti 2007-2013 kanë shkaktuar probleme etnike, përfshirë këtu edhe atë se kush duhet të hulumtojë. Shqiptarët kërkonin që pjesë e hulumtimeve të jenë edhe arkeologët shqiptarë.

NASER MIFTARI, HISTORIAN

“Nga të gjitha mund të kuptojmë që dicka fshihet, vallë fshihet pse dikush mund të jetë më dominant apo fshihet nga ajo që mund ta themi në thojza ‘jo profesionalizem’ apo më mirë thënë politikë”

Miftari thotë se përderisa politika shtyp mbi gjithëçka, do të nxitet joprofesionalizmi, i cili më pas do të shkaktojë dyshime të shumta. Ai thekson se duhet t’i jepet mundësia shkencës ta thotë fjalën përfundimtare dhe kjo çështje të zbardhet sa më shpejtë nga profesionistë të vërtetë. Medina Ajeti /SHENJA/