` . Politika multi-kulti vs. politikës kombëtare - TV-SHENJA

Politika multi-kulti vs. politikës kombëtare

Shkruan: Ismail Sinani

Çfarë shteti është Maqedonia: multietnik, multikulturalist, nacional(ist), dyetnik… Në këtë pyetje askush nuk do të dëshironte të jepte përgjigje, kuptohet të sinqertë. Për nacionalistët maqedonas, ky vend u ka dhënë shumë shqiptarëve, madje më tepër seç e meritojnë! Ca prej tyre, madje, mendojnë se shqiptarët duhet të jenë të lumtur që jetojnë në këtë vend, që sipas tyre është bekuar nga vetë Zoti!

Shkojmë me radhë. Prej 15 vitesh në Maqedoni flitet për integrim dhe për vlera qytetare(ie). Ky projekt në formë inxhinieringu filloi të zbatohet menjëherë pas luftës, konfliktit, përleshjes së armatosur të vitit 2001 – kush si të dojë le ta quajë. Madje, u shkua aq larg, sa edhe subjekti shqiptar që i doli zot emblemës së UÇK (Kombëtare), përmes imazhit figurativ të saj, u orvat të jepte sinjal se është në frymë të kësaj “ideologjie”, e cila në horizont qytetarëve – lexo shqiptarëve, përpiqej t’u flasë se kanë filluar të duken siluetat e qytetarit evropian, një sinonim me demek mbinjeri! Kjo nismë, ndonëse nga skeptikët që në start u pa se është e dështuar, por për shkak të kompleksit që kanë shqiptarët nga “miqtë tanë ndërkombëtarë” përpihej nga të gjithë (jo edhe nga maqedonasit), ani se ata që i dinin leksionet bazike nga sociologjia, politologjia dhe historia ishin koshientë se kjo është një përpjekje e kotë për të kthyer frymën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Nejse… ky projekt i një multikulturalizmi apo multietnicizmi cinik shkoi aq larg, saqë ata që kishin lënë nënat pa djem, në emër të “kauzës kombëtarë”, shkuan deri në Koçan (një qytet-katund në Maqedoninë Lindore, ku vështirë se ndonjëherë ka shkelur këmba e shqiptarit) për të hapur degë të partisë, e cila krekosej se mbante vulën e UÇK-së. Teksa tentonin “ta mbulonin diellin me shoshë”, partnerët e tyre politikë në këtë ide kaq “fisnike” vrisnin dhe arrestonin shqiptarë të pafajshëm, në emër të po të njëjtës kauzë – të integrimit të brendshëm, duke ia filluar nga Sopoti e Brodeci, për të ardhur deri te rasti më i turpshëm, ai i “Monstrës”…

Gjithë ky paradoks “integrist” politikisht i harxhuar, e solli shoqërinë në shkallën më të lartë të ndasive etnike, kjo përmes një projekti të mbështetur fillimisht nga partia më “nacionaliste” shqiptare dhe të mbështetur deri në delirium nga partia e shumë “luftëtarëve/komandantëve”, pra të “Shkupit 2014”. Projekti i tyre “integrist” sot ka krijuar vija aq të thella ndarjeje, saqë njërin etnikum e ka bërë të ndjehet zotëri, e tjetrin skllav.

Në një situatë të këtillë, kur gjithçka ka marrë tatëpjetën, sërish shfaqet dikush me një inxhiniering të provuar dhe të dështuar dhe, kuptohet, përsëri “minj të bardhë” për eksperiment janë shqiptarët.

“Ta ruajmë vëllazërim – bashkimin”, “Vdekje fashizmit”, “Maqedonia e maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, serbe…”, “E kemi vetëm një Maqedoni, e cila u takon të gjithëve”… janë këto vetëm disa nga parullat e reja, e në fakt 71 vjeç të vjetra, të krahut social-demokrat, të cilët në masë të madhe tashmë janë nipërit dhe mbesat e atyre që shqiptarët i mbajtën varur në çengelin e kohës nga 1945-ta e këndej, deri në vitin 1990, e pastaj nga periudha e “demokracisë” deri më sot. Brohoritësit e këtyre parullave janë po ata ideologë ose fëmijët e atyre që e miratuan Kushtetutën e vitit 1991, që ua merrte shqiptarëve të drejtën e arsimit sipëror, që e ndalonin përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, që shkaktuan vrasjen në Ladorishtë e Bit Pazar, që vranë në Reçicë e në Sopot, e që u bashkuan në vitin 2013 kundër shqiptarëve në Kërçovë dhe Strugë. Po, po, vetëm para tre vjetësh këta që sot flasin në emër të vlerave ”multi” ishin ata që shpërfaqën një nacionalizëm të paparë ndaj shqiptarëve në po këto dy qytete kur duhej të votohej për shqiptarë…

Dhe, sërish i kthehemi fillimit. Çfarë shteti është Maqedonia? A është multi…, i integruar, i çintegruar? Definicionet sociologjike dhe politologjike janë shumë të rëndësishme, por ato u shërbejnë më shumë katedrave. Sot shqiptari në këtë vend përballet me një nacionalizëm të çmendur maqedonas, të mbështetur nga “partia shqiptare e luftës”, kurse në horizont – si alternativë – shqiptarëve u ofrohet një parti e cila flet me fjalorin e Gligorovit, Kolishevskit e Mojsovit të viteve të ’50-ta dhe ndonjë shqiptari të tyre të asaj kohe, e që në fakt janë kontribuuesit më të mëdhenj që sot (ose të paktën deri më 2001) shqiptari të jetë aty ku ka qenë. Krejt pa faj nuk janë as ata shqiptarë, të cilët si duken ose e kanë harruar këtë fakt ose shtiren sikur nuk ka ndodhur asgjë në të kaluarën!?

Natyrisht, çdo kritikë pa alternativë në zgjidhje, është qasje cinike e problemit. Shqiptarët dhe maqedonasit kanë zgjidhje. Shteti duhet ribërë me një marrëveshje të re. Roli i padronit vetëm e thellon hendekun, ndërsa i skllavit, e shton vrerin.

Postime të Ngjajshme