` . Politika lukrative e busteve – TV SHENJA

Politika lukrative e busteve

Sado e pabesueshme, kishte gjasa të hapet edhe tema se sa na kushtoi kjo pjesëmarrje si bashkësi etnike në një projekt kontrovers si “Shkupi 2014”. Në fakt, tema e pjesëmarrjes në këtë projekt është më interesante si në aspektin financiar, pasi paguhet nga xhepat e të gjithë qytetarëve, po ashtu edhe në aspektin politik – pasi nënkupton legjitimim të tij.

Shkruan: Xhelal Neziri, Tetovë

Pas shumë paralajmërimeve dhe pompozitetit politik, busti i priftit, teologut dhe shkrimtarit të letërsisë së vjetër shqipe Pjetër Bogdani u vendos në Shkup. Gjithë debati, mbase, do të kishte marrë kahe tjera nëse viti i lindjes dhe ai i vdekjes do të ishin shënuar saktë. Edhe pse i lindur në vitin 1625 dhe i vdekur më 1989, në bazamentin e statujës datëlindja ishte shkruar me pesë vite vonesë, ndërkohë data e vdekjes – tri vite më herët. Porositësi i bustit, pra Qeveria e Maqedonisë, duket se ia kishte “shkurtuar” jetën shkrimtarit për 8 vite.

Nëse nuk do të ishte ky gabim, mbase temë kryesore do të ishte nëse busti i Bogdanit, bashkë me atë të Nexhat Agollit dhe Josif bagerit, është hisja e shqiptarëve në projektin “Shkupi 2014”. Apo, nëse busti i Bogdanit do të ngjyroset nga laramanët njëjtë si bustet e tjera të këtij projekti. Apo, nëse busti i Bogdanit është provokim për shqiptarët myslimanë të Maqedonisë shkaku i veprave të tij kishtare, ku pretendohet se fyhet feja islame. Sado e pabesueshme, kishte gjasa të hapet edhe tema se sa na kushtoi kjo pjesëmarrje si bashkësi etnike në një projekt kontrovers si “Shkupi 2014”. Në fakt, tema e pjesëmarrjes në këtë projekt është më interesante si në aspektin financiar, pasi paguhet nga xhepat e të gjithë qytetarëve, po ashtu edhe në aspektin politik – pasi nënkupton legjitimim të tij.

Investimi i një shume marramendëse prej më shumë se gjysmë miliardë eurosh në statuja dhe fasada barok në një kohë kur shumica e qytetarëve ballafaqohet me nevoja shumë konkrete, e bën këtë projekt të jetë jashtë çdo logjike të shëndoshë. E bën një projekt që do të dëshmojë për një periudhë të errët të eksperimenteve për rikonfigurimin identitar dhe të aktiviteteve të korrupsionit masiv në Maqedoni.

Identifikimi nëpërmjet statujave

Ky projekt, që ishte paralajmëruar që në vitin 2010 nga qeveria e përbërë nga VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit dhe BDI e Ali Ahmetit, shkaktoi reagime të ndara në opinion. Kjo ndasi kishte më shumë karakter ideologjik sesa etnik ose religjioz. Matjet e opinionit publik treguan se më shumë se gjysma e maqedonasve etnik e kundërshtojnë këtë projekt, i cili synonte të bëjë një transformim të identitetit të tyre nga sllav në antik. Reagimi negativ e detyroi pushtetin të dalë me një teori tjetër mbi identitetin e maqedonasve, i cili paraqitej si inkluziv dhe nënkuptonte njëkohësisht edhe atë antik edhe atë sllav. Shumica e shqiptarëve etnikë, ndërkaq, shprehën revoltën për këtë projekt megaloman në kuptimin e shpenzimit të parave publike për çështje që nuk prekin interesin dhe nevojat e tyre konkrete. Kundërshtimi i tyre nuk kishte të bëjë me antikën ose çështjet identitare, por buronte nga mungesa e sensit qeveritar për caktimin e prioriteteve.

Shqiptarët sikur e kishin kaluar fazën e ekzaltimit nga bustet, që pretendonin të lartësonin heronj nga historia e tyre e largët dhe e afërt. Pas konfliktit të vitit 2001 u ngritën një numër i madh i statujave dhe monumenteve, që kishin për qëllim vënien e themeleve historike për revolucionin e armatosur që kishte ndodhur. Kulmi u arrit me vendosjen e figurës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Shkup.

Lideri i BDI-së, Ahmeti, kishte përdorur vendosjen e Skënderbeut në kryeqytetin e Maqedonisë si një moment mjaft lukrativ në rrafshin politik. Intenca ishte të krijohet një ndërlidhje midis Skënderbeut, si një udhëheqës politiko-ushtarak nga mesjeta, dhe Ahmetit si një udhëheqës politiko-ushtarak i bashkëkohores. Ngritja e bustit të Skënderbeut, në fakt, ishte ngritja e figurës së Ahmetit. Ajo statujë do të dëshmojë për periudhën e veprimit të Ahmetit, e cila gjithsesi se mëtohet të shënohet në histori si “periudhë e ndritshme”. Përveç veprave të Skënderbeut, kjo statujë mëtohet të dëshmojë edhe për momentin e ngritjes së kësaj figure në Shkup.

Tendenca e njëjtë është edhe me bustin e Aleksandrit të Madh, me të cilin tenton të identifikohet pikërisht Gruevski. Ka skulptorë që thonë fytyra e Aleksandërit në atë bust është gati identike me atë të Gruevskit. Edhe në këtë rast qëllimi është lukrativ, edhe atë në dy rrafshe – në atë politik dhe në atë financiar. Tendenca për të krijuar një korrelacion midis Aleksandrit dhe Gruevskit është në periudhat që kanë sjellë forcimin e shtetit të Maqedonisë. I pari e forcoi Maqedoninë antike dhe krijoi një perandori të përmasave botërore, ndërsa i dyti e forcoi Maqedoninë bashkëkohore brenda dhe në raport me “armiqtë e jashtëm”. Thellimi i mosmarrëveshjeve me Greqinë krijonte ndërlidhjen propagandistike të  figurës së Gruevskit me atë të Aleksandërit. Të dyja figurat shkaktonin provokim te grekët, gjë që e betononte bindjen e një pjese të mirë e maqedonasve etnikë se “pas shumë vitesh pritje, më në fund fituan një lider të madh me përmasa perandori”.

Harresa e nevojave praktike

Pra, pjesa më e madhe e busteve të projektit “Shkupi 2014” dhe atyre që shqiptarët me vetëfinancim i ngritën pas 2001-shit, nuk ishin për të lartësuar figurat ose ngjarjet nga historia e hershme ose e vonshme, por për të lartësuar në mite figurat politike të së tashmes. Personifikimi i politikanëve bashkëkohorë te figurat e historisë, megjithatë, është një film që nuk zgjat përgjithmonë.

Reagimi gati i njëzëshëm i shqiptarëve etnikë kundër projektit “Shkupi 2014” tregoi se nevoja për buste dhe përmendore ishte përmbushur më herët. Ata nuk u ekzaltuan edhe nga vendosja e tre figurave shqiptare së fundmi, në kuadër të këtij projekti kontrovers. Ballafaqimi me nevojat reale dhe praktike ndikoi në refuzimin e projektit që në fillim, reagim ky që ishte burim permanent i tensioneve ndëretnike dhe ndërfetare.

Në fakt, shqiptarët duket se presin një strategji të mirëfilltë zhvillimi ekonomik, e cila do të mundësojë që fëmijët e tyre të kenë perspektivë në vendlindje, e jo të ikin jashtë vendit njëjtë siç shkuan në kurbet gjeneratat e viteve të 70’ta dhe 80’ta. Ose, siç migronin në “të zezë” në Perëndim gjeneratat e viteve të 90’ta. Gati asnjë parti nuk ka ofruar strategji zhvillimi, që do ta ringjallte industrinë e prodhimit dhe riprodhimit, bujqësisë, blegtorisë ose edhe të teknologjisë informatike. Në tërë fushën e Pollogut nuk ka sistem modern të ujitjes, me të cilin do të rritej prodhimtaria bujqësore, nuk ka as subvencione e as plan për zhvillimin e industrisë së përpunimit të këtyre prodhimeve. Nuk ka asnjë plan për tërheqjen e investuesve të jashtëm, të cilët do të hapnin vende të reja të punës. Ajo që është propaganduar si ofertë ekonomike më shumë ka qenë një plan naiv dhe manipulativ për opinionin, të cilit nuk i ka besuar as vet lidershipi i partisë.

Përveç mungesës së planeve të mirëfillta zhvillimore, vlerësohet se nuk ka as vullnet nga vetë përfaqësuesit e shqiptarëve etnikë në nivel qendror e lokal, që ato të zbatohen në praktikë. Ka disa raste kur investitorët e huaj janë larguar nga vendi shkaku i shumave të mëdha që u janë kërkuar si formë ryshfeti. Ka raste kur u është kërkuar edhe partneritet pa investuar asnjë qindarkë.

Nëse grumbullimi i votave përmes planeve zhvillimore kërkon transparencë, vullnet, dije dhe shumë angazhim, politika me buste sjell vota të kollajshme. Nxitja e ndjenjave kombëtare, duke u identifikuar me figura të kultit, shpesh tregohet si strategjia më e suksesshme për kamuflimin e dështimeve, korrupsionit dhe keqpërfaqësimit politik. Mjegulla që krijohet me buste ka qëllimin kryesor që t’i shtyjë në harresë nevojat praktike të qytetarëve. Dhe, t’i pamundësojë tatimpaguesit që ta parashtrojnë pyetjen: ku shkuan paratë?

Postime të Ngjajshme