` . Politika e Rusisë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor – TV-SHENJA

Politika e Rusisë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor

Shihet qartë se në vitet e fundit Moska i humb pozitat e saj në Ballkan, sepse pothuajse të gjitha vendet e rajonit e kanë për qëllim anëtarësimin në NATO dhe në BE. Numri i aleatëve të Rusisë u zvogëlua shumë. Ajo i ngushton mundësitë e saj që të veprojë në këtë rajon të rëndësishëm për projektet e saj energjetike dhe për sigurinë e saj.

Shkruan: Anton PANÇEV, Sofje

Shtetet e Ballkanit Perëndimor si shtyllë dhe qëllim kryesor të politikës së tyre të jashtme dhe të brendshme e kanë shpallur anëtarësimi në BE. Këto gjashtë vende ndodhen në faza të ndryshme në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Anëtarësimi i tyre përballet me sfida të mëdha jo vetëm për shkak të problemeve të brendshme politike, ekonomike etj., por edhe për shkak të konflikteve ndërmjet disave prej tyre dhe kontesteve të pazgjidhura me fqinjët. Nuk duhet të harrohen edhe problemet e rënda në vetë Bashkimin Evropian. Dihet mirë për problemet dhe përçarjet brenda Bashkimit – Brexiti, kriza me emigrantët, ndarjet e ndryshme në lidhje me reformat për të ardhmen e BE-së, mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve në Bruksel dhe disa shteteve nga Evropa Qendrore etj. Bashkimi Evropian ka nevojë për forcimin e lidhjeve midis anëtarëve dhe për shuarjen e konflikteve të brendshme para se të rifillohet me proceset e anëtarësimeve të reja. Në të njëjtën kohë, institucionet e Brukselit, me të drejtë, marrin shumë kritika që janë pasive ndaj krizave të ndryshme në Ballkan dhe se ato duhet të jenë më këmbëngulëse për zbatimin e parimeve dhe normave të BE-së nga shtetet e rajoni, të cilat aplikojnë për anëtarësim në BE. Por, në të njëjtën kohë, institucionet e BE-së duhet të angazhohen më shumë në ndihmesën e vendeve të rajonit në luftimin e dukurive të këqija dhe sidomos për lehtësimin e dialogut ndërmjet tyre, si edhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, në vend të parë në dialogun Kosovë – Serbi. Integrimi në BE shpesh shoqërohet edhe me anëtarësinë në NATO, por në këtë fushë ka disa dallime thelbësore sa u përket vendeve të rajonit. Derisa Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtare të Aleancës Veriatlantike, Kosova ka dëshirë të anëtarësohet sa shpejti në NATO, por në rastin e saj ka pengesa të karakterit tjetër. Republika e Maqedonisë i bën hapat e fundit para anëtarësimit të plotë dhe ky proces u vonua shumë për shkak të kontestit me Greqinë. Nga ana tjetër, Serbia dhe Bosnja e Hercegovinës ende janë larg anëtarësimit në NATO dhe në këto shtete mungon vullneti politik për realizimin e kësaj perspektive.

Këto procese integruese ballafaqohen me vështirësi të karaktereve të ndryshme. Vendet e rajonit kanë probleme të brendshme – jo vetëm në lidhje me plotësimin e kritereve për anëtarësim në BE dhe në NATO, por në disa prej tyre ekzistojnë edhe forca politike, të cilat e kundërshtojnë anëtarësimin në NATO dhe disa janë skeptike edhe për dobitë nga hyrja eventuale në BE. Mjedisi i jashtëm, gjithashtu, parashtron disa probleme, të cilat e pengojnë anëtarësimin e shpejtë në strukturat euroatlantike. Përveç nevojës nga reforma në këto struktura, e cila reflekton edhe mbi zgjerimin, veprojnë edhe shtete, të cilat e kundërshtojnë procesin e integrimeve euroatlantike. Në vend të parë, një forcë e tillë është Federata Ruse, e cila së paku në 5 vitet e fundit bën përpjekje të hapura për rikthimin e pozitave të saj gjeopolitike nga koha e ish-Bashkimit Sovjetik, madje edhe përmes përdorimit të forcës ushtarake.

Qëndrimi i Rusisë ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor

Qëndrimi zyrtar rus është se Federata Ruse nuk e kundërshton anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në BE, por Moska e ka shpallur si prioritet kryesor të politikës së saj pengimin e zgjerimit të NATO-s. Në konceptet ruse, Aleanca Veriatlantike shqyrtohet si rreziku më i madh për interesat e Rusisë. Prandaj, Moska i ka vënë në përdorim të gjitha mjetet dhe resurset e saj që të ngadalësojë këtë proces në ish-Bllokun Lindor dhe në shtetet e Ballkanit. Për ta penguar zgjerimin e NATO-s dhe për ta përforcuar praninë e saj në rajonin e Ballkanit, Moska përdor shumë vegla të ndryshme (Shih p.sh. disa hulumtime si: Russian economic footprint in the Western Balkans (http://www.csd.bg/artShowbg.php?id=18229); Ndërhyrja e Rusisë në Kosovë: si dhe pse? (http://www.qkss.org/sq/Botime-t%C3%AB-Ve%C3%A7anta/Nderhyrja-e-Rusise-ne-Kosove-si-dhe-pse-1011).

Sa i përket Kosovës, në fushën e sigurisë qëndrimi zyrtar i Rusisë është se prezenca ndërkombëtare ushtarake, me vendim të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, po transformohet në bazë amerikane dhe se krijimi i forcave të armatosura të Kosovës është në kundërshtim me dakordimet ndërmjet palëve. Sipas vlerësimit rus, marrëveshjet e arritura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk realizohen dhe dialogu midis palëve duhet të bazohet mbi Rezolutën 1244 të KS-së, ndërsa Moska do të pranonte çdo rezultat, i cili do ishte jetë i pranueshëm për Serbinë (Fjalimi i Lavrovit para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 28.09.2018 (http://www.mid.ru/web/guest/general_assembly/-/asset_publisher/lrzZMhfoyRUj/content/id/3359296).

Në lidhje me Maqedoninë dhe me ngjarjet e lidhura me zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimet e Kushtetutës, Moska disa herë ka bërë ftesë për neutralitet dhe i ka akuzuar vendet perëndimore se po ndërhyjnë në punët e brendshme të Maqedonisë duke e mbështetur Marrëveshjen dhe ndryshimet. Tani, kur anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është i pashmangshëm, mund të pritet që Rusia t’i shtojë veprimet e saj për ta parandaluar integrimin e plotë dhe të suksesshëm të këtij vende në strukturat euroatlantike.

Në strategjinë ruse për Ballkanin Perëndimor një vend të veçantë zë edhe Bosnja dhe Hercegovina. Në vizitën e tij të fundit në Bosnjë, ministri i jashtëm rus Lavrov deklaroi se Rusia është gati t’i zhvillojë lidhjet e saj me “Republikën Srpska” në të gjitha fushat – ekonomi, tregti, investime, kulturë dhe arsim. Në lidhje me statutin kushtetues dhe me pozitën ndërkombëtare të vendit, Rusia do ta mbështetë në mënyrë të palëkundshme Marrëveshjen e Dejtonit, por – sipas Lavrovit – ka ardhur koha për çlirimin e Bosnjës nga elementet e qeverisjes së jashtme dhe për transformimin përfundimtar të vendit në një shtet të pavarur dhe sovran, i cili do t’i marrë fatet e veta në duart e tij.

Gjithashtu në Bosnjë, Lavrovi tha se çështjet e ndryshme që kanë të bëjnë me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi duhet të zgjidhen mbi bazën e pajtimit të përbashkët të palëve të interesuara, duke e respektuar plotësisht opinionin e popullsisë së vendeve përkatëse. Ministri i jashtëm rus deklaroi se Rusia nuk do ta pranojë linjën e disa lojtarëve të jashtëm, të cilët bëjnë përpjekje t’i vënë popujt e Ballkanit para zgjedhjes – ose me Perëndimin ose me Rusinë. Lavrovi e ka vërtetuar vazhdimin e angazhimeve të Rusisë me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u argumentuar se Rusia ka qenë së bashku me Evropën dhe SHBA-të një nga autoret e Marrëveshjes së Dejtonit, të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së në lidhje me rregullimin e krizës së Kosovës dhe në rregullimin e çështjeve të tjera në rajon. Ministri i jashtëm rus deklaroi se në Moskë nuk shohin asnjë arsye që të ndërpritet bashkëveprimi me faktorët e tjerë gjeopolitikë dhe nuk dëshiron që Ballkani sërish të kthehet në objekt të mosmarrëveshjeve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit (Fjalimi i Lavrovit në vizitën e tij në Bosnjë më 21.09.2018 (http://www.mid.ru/web/guest/meropriyatiya_s_uchastiem_ministra/-/asset_publisher/xK1BhB2bUjd3/content/id/3348662).

Aleanca Serbia-Rusia si bosht kryesor për ndikimin rus në Ballkan

Aleati më i rëndësishëm i Rusisë në Ballkan pa dyshim se është Serbia. Ky fakt u vërtetua edhe nga vizita e fundit e presidentit serb Aleksandër Vuçiq në Rusi. Takimi i Vuçiqit me Putinin u realizua më 2 tetor dhe në të dy presidentët folën shumë për lidhjet ndërmjet shteteve të tyre dhe rreth situatës në Ballkan.

Me shumë hollësi kanë biseduar rreth çështjes së Kosovës – 45-50 minuta nga dy orët e takimit kanë folur mbi situatën në Kosovë. Vuçiqi theksoi se ka biseduar me Putinin rreth shqetësimeve të tij që “mund të vazhdohen provokimet dhe sulmet ndaj popullatës sonë në Kosovë dhe Metohi”. Vuçiqi deklaroi se serbët presin mbështetje edhe më të madhe nga ana e Rusisë në forumet ndërkombëtare në lidhje më çështjen e “tërësisë territoriale të vendit”, në lidhje me marrjen e vendimeve në mënyrë të pavarur dhe të lirë. Gjatë bisedimeve kanë diskutuar, gjithashtu,, edhe mbi situatën politike në Bosnjë dhe në Maqedoni.

Të dy liderët kanë biseduar edhe në lidhje me çështje të tjera në bashkëpunimin ndërmjet të dy shteteve. Sipas Vuçiqit, janë prekur tema si bashkëpunimi ruso-serb në fushën e teknikës ushtarake, veprimtaria e hekurudhave ruse në territorin e Serbisë, zhvillimi i turizmit rus në vend… Një vëmendje e posaçme i është kushtuar ndërtimit të “Rrymës turke” të gazit, sepse “Serbia ka nevojë për më shumë gaz”. Ata e theksuan shtimin e këmbimit tregtar – me 23% në vitin 2017, në krahasim me vitin 2016, dhe me 13.2% në gjysmën e parë të vitit 2018, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, edhe investimet e përgjithshme ruse në ekonominë e Serbisë e kanë arritur vlerën nga 4 miliarda euro.

Anëtarësimi eventual i Serbisë në NATO gjithashtu është vënë në diskutim dhe “Serbia e ka marrë përkrahjen e Rusisë në lidhje me këtë temë”, deklaroi presidenti serb. Vuçiqi e ka njoftuar Putinin se Serbia ka marrëdhënie të mira me të gjitha aleancat ushtarake, si edhe me NATO, por “Serbia nuk ka asnjë frymëzim, asnjë përpjekje dhe asnjë dëshirë të bëhet pjesë e NATO-s. Serbia dëshiron që në mënyrë të zellshme ta ruajë neutralitetin e saj ushtarak. Pikërisht për këtë arsye ne punojmë për përforcimin e ushtrisë sonë, që të jemi në gjendje ta neutralizojmë çdo sulm të mundshëm dhe çdo agresion kundër vendit tonë”.

Sa i përket integrimit në BE, Vuçiqi tha se: “Ne jemi në rrugën evropiane, por nuk do t’i sakrifikojmë vlerat tona tradicionale dhe marrëdhëniet tradicionale. Ne nuk do të vendosim sanksione kundër Rusisë derisa unë të jem president dhe derisa partia ime e ka shumicën në kuvend” (Takimi i Vuçiqit me Putinin më 02.10.2018 (https://www.gazeta.ru/politics/2018/10/02_a_12005443.shtml)..

Edhe ky takim vërtetoi se “Çështja e Kosovës” vazhdon të jetë primare për Serbinë dhe për udhëheqësit e saj të tanishëm, si edhe mbështetja ruse që ka shumë rëndësi për Vuçiqin. Mirëpo, në Beograd e dinë mirë se Rusia nuk është faktor vendimtar në Ballkan dhe për normalizimin e marrëdhënie Serbi-Kosovë, si edhe për rezultatet e dialogut, do të vendoset në Bruksel dhe në Uashington.

Nuk duhet të harrohet se qëndrimi serb sa i përket njohjes së Kosovës dhe normalizimit me të është delikat dhe është i lidhur me ruajtjen e shumë balancave. Në rend të parë janë ato në politikën e brendshme, ku në fushën e politikës, të ekonomisë e të kulturës ende kanë ndikim qarqet e vjetra nga koha e Millosheviqit, ku bën pjesë edhe vet Vuçiqi, ndonëse ai disa vite bën përpjekje që të distancohet nga e kaluara e tij millosheviqane. Duke i marrë parasysh hapat pragmatikë deri tani të Vuçiqit, presidenti serb llogarit si të nxjerrë përfitime nga politika e tij kundrejt Kosovës dhe popullatës serbe në këtë vend. Makineria propaganduese në Serbi ka punuar shumë për ngritjen e pritjeve rreth vizitës së presidentit në Kosovë më 8 dhe 9 shtator, e cila u lansua si “historike”. Gjatë vizitës së tij në Kosovë ai merrej vetëm me propagandë nacionaliste dhe nuk tregoi gatishmëri për bashkëpunim as me institucionet e Kosovës, as me faktorin ndërkombëtar. Fjalimi i presidentit serb nuk kishte një karakter historik, sepse nuk propozoi ndonjë zgjidhje të problemeve të shumta. Ai theksoi se “Çështja e Kosovës” do të zgjidhej në një periudhë afatgjatë – 15-20 vite. Angazhimi i vetëm i tij ka qenë për investime të reja në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Këto shpenzime publike nuk pranohen mirë nga një pjesë e opinionit serb, kjo për shkak të situatës jo të mirë ekonomike në vetë Serbinë.

Presidenti Vuçiq ka shpresa për ndonjë lëvizje eventuale në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt Serbisë. Për shkak të arsyeve historike dhe ideologjike, partitë dhe opinioni serb shprehën mbështetje të qartë ndaj Trampit në fushatën parazgjedhore para dy vitesh. Ky fakt u vërejta nga presidenti i ri amerikan, i cili u përball me kritika dhe mospërfillje në shumë vende të botës. SHBA-të vazhdojnë ta mbështetin Kosovën, por vërehet se në muajt e fundit nuk e bëjnë presionin e mëparshëm mbi Beogradin, si në dekadat e fundit. Gjatë seancës së Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, kryeministrja serbe Bërnabiq zhvilloi një bisedë të shkurtër me presidentin Tramp. Ajo e falënderoi për “mirëkuptimin e tij kundrejt Serbisë” dhe për hapjen e tij ndaj Serbisë dhe se e “kupton qëndrimin serb ndaj Kosovës dhe e dëgjon zërin e Serbisë”. Përgjigja e Trampit ishte: “Serbët janë popull i mirë”. Pra, ka disa lëvizje edhe në politikën e SHBA-ve rreth Serbisë, të cilat në një farë mënyre mund të ndikojnë edhe mbi “Çështjen e Kosovës”. Mediat proqeveritare në Serbi propagandojnë se Uashingtoni është gati ta njohë një dakordim eventual ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo do të ishte një situatë e re, sepse para disa muajsh zyrtarët e SHBA-ve mendonin se “Çështja e Kosovës” është një temë e mbyllur dhe nuk mund të ketë zhvillime në drejtime të reja.

Sa i përket politikës së jashtme të Vuçiqit, nuk duhet të anashkalohet fakti se presidenti serb demonstron afërsi me kancelaren gjermane Merkel. Marrëdhëniet ndërmjet Gjermanisë dhe Serbisë deri tani kurrë nuk kanë qenë në një nivel kaq të mirë. Investimet gjermane në Serbi janë në rritje. Nga Berlini varet shumë edhe zgjidhja e “Çështjes së Kosovës” dhe anëtarësimi i përshpejtuar eventual të Serbisë në BE. Kjo është edhe vegla më e rëndësishme e Brukselit sa i përket Serbisë dhe pikërisht anëtarësimi në BE është argumenti më i madh për një zgjidhje më të shpejtë të mosmarrëveshjeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe për përfitimin e opinionit të gjerë në Serbi nga Vuçiqi në favor të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Vuçiqi tha se qenka gati për “lëshime” nëse Serbia do të pranohej për anëtare të plotë në BE deri vitin 2025. Problemi vjen nga fakti se në BE tani nuk ekzistojnë fare kushte për zgjerim dhe situata politike nuk është në favor të realizimit të një skenari të tillë. Deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj 2019 do të jetë e vështirë të bëhen parashikime stabile në lidhje më këtë çështje. Këto deklarata të presidentit serb tregojnë se ai është gati të bëjë “tregti” me “Çështjen e Kosovës” nëse për këtë do të marrë përfitime politike dhe ekonomike.

Përfundim

Shihet qartë se në vitet e fundit Moska i humb pozitat e saj në Ballkan, sepse pothuajse të gjitha vendet e rajonit e kanë për qëllim anëtarësimin në NATO dhe në BE. Numri i aleatëve të Rusisë u zvogëlua shumë. Ajo i ngushton mundësitë e saj që të veprojë në këtë rajon të rëndësishëm për projektet e saj energjetike dhe për sigurinë e saj. Në këtë situatë gjeopolitike Rusia ka vetëm një aleat me peshë në rajon – Serbinë. Forcat proruse, si në “Republikën Srpska” të Bosnjës me presidentin Dodik, si edhe partia VMRO-DPMNE në Maqedoni, nuk kanë mjaft potencial që t’i kundërshtojnë integrimet euroatlantike, madje pa mbështetjen e Serbisë nuk mund të qëndrojnë në pushtet dhe ta zhvillojnë politikën e tyre në favor të Moskës. Në këto rrethana gjeopolitike Serbia është vend strategjik për Rusinë dhe Moska nuk do t’i kursejë resurset e saj që ta ndihmojë Beogradin në politikën e tij kundrejt Kosovës dhe shteteve të tjera në rajon. Nga ana tjetër, Rusia nuk është kaq e rëndësishme për Serbinë, sepse BE-ja dhe SHBA-të mund t’i propozojnë asaj perspektiva më të mira ekonomike për zhvillim, ndërsa kanë në dispozicion më shumë instrumente për ndikim. Faktikisht, vetëm mbështetja ruse për pozicionin serb, sa i përket Kosovës, në organizatat ndërkombëtare së bashku me disa ndihmesa nga ana e Moskës në fushën e energjisë dhe të armatimit, e mbajnë Serbinë në “kampin” e Rusisë. Për këtë arsye, arritja e ndonjë marrëveshjeje me Kosovën, me ndërmjetësimin e Brukselit dhe/ose të Uashingtonit, mund të pranohet si “tradhti” nga ana e Moskës. Nga fillimi i krizës së Kosovës Rusia e mbështet palën serbe, andaj një “kthesë” drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën në Rusi do të kuptohej si ndryshim i kursit gjeopolitik të Serbisë. Prandaj, dështimi eventual i bisedimeve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe moszgjidhja e këtij problemi i përforcon pozicionet e Rusisë në Ballkan dhe do të jetë një synim i politikës së Moskës në rajon.