` . Politika e mureve – TV-SHENJA

Politika e mureve

Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren

Rrënimi i Murit të Berlinit në vitin 1989 është llogaritur si kthesë historike, me ç’rast ndryshoi edhe diskursi dhe konceptet në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe u krijuan paradigma të reja. Me rënien e Murit të Berlinit u mendua se “liria” u lirua nga zinxhirët, ku ishte e burgosur prapa Murit dhe se tashmë si një shkop magjik do të shpërndante në gjithë globin të drejta, liri etj. Kështu besohej. Ashtu siç mendohej se Lufta e Parë Botërore do të jetë lufta që do u japë fund të gjitha luftërave, ashtu mendohej se do të jetë shkatërrues i të gjitha mureve.

Rrënimi i “Murit të Turpit”, i cili ishte nisur si tel me gjemba, që ndante Berlinin Lindor nga ai Perëndimor, e pastaj me tulla e çelik në gjatësi prej 46 km, ishte nisma e një epoke të re në historinë botërore. Muri i Berlinit nuk i ndante vetëm berlinasit ose gjermanët, por ishte kthyer në linjë që e ndante botën. Përderisa qëndronte në këmbë muri, ai qe simbol i tjetërsimit, armiqësisë e dallimit. Ditën kur u shkatërrua, u mendua se u shkatërruan edhe ato që si i simbolizonte. Kufijtë do të ishin të hapur, njerëzit do të jenë të lirë, do të bashkoheshin popujt. Me rrënimin e Murit sikur nuk bashkohej vetëm Gjermania, por e gjithë bota.

Ashtu siç kishte dalë në plan “Muri” në çerekun e fundit të shek. XX, kur diskursi i globalizmit dhe prirja liberale kishte arritur kulmin, po ashtu në vitet 2010-të “muret” filluan të zënë vend në agjendë. Por, kësaj radhe bëhet fjalë për muret që do të ndërtohen e jo të rrënohen. Vendin e thënies së Reagan-it “rrënojeni këtë mur” të bërë më 1987 në Berlin, e ka zënë diskursi i Trump-it se “muri mbron”. Që nga rrënimi i Murit të Berlinit më shumë se 70 shtete i kanë rrethuar kufijtë e tyre me mur ose gardh. Përderisa “Lufta e Ftohtë” ia dhuroi Murin e Berlinit njerëzimit, “Paqja e ftohtë” i ka hapur rrugë “shekullit të mureve”.

Njeriu dhe muri

Muret ishin njëri nga argumentet më përcaktuese të njeriut si qenie shoqërore. Që me krijimin e qyteteve të para dolën në pah edhe “fortifikatat e qytetit”. Njeriu, që nga evoluimi nga jeta primitive në jetën shoqërore dhe jetën qytetare, rrugën e parë që e ka përdorur për ta mbrojtur vendbanimin ka qenë ndërtimi i rrethojave, fortifikatave dhe mureve. Gjetjet arkeologjike tregojnë se arkitektura e qyteteve të para ka qenë në formë katrore dhe e rrethuar me mure, të cilat ishin krijuar për t’u mbrojtur. Këto mure ishin mënyrat e para të mbrojtjes së njeriut nga armiku i jashtëm dhe nga jeta e egër.

Fortifikatat e para të qyteteve janë muret e Jericho-s dhe Uruk-ut, të cilat ndikuan në traditën e krijimit të qyteteve të rrethuara me mure në gjithë Mesopotaminë. Në vitin 1792 p.e.s mbreti Hammurab ndërtoi mure për ta rrethuar qytetin e Babilonisë. Muret e ndërtuara nuk e kishin vetëm kuptimin e gurëve të radhitur, por kishin edhe kuptim sociologjik dhe psikologjik për njeriun. “Vendbanim i sigurt” ishte aspekti sociologjikë, ndërsa dëshira për të jetuar ishte aspekti psikologjik i mureve të ndërtuara nga njeriu. Muret po ashtu kishin lidhshmëri me vendin dhe kohën. Muri ishte dizajn jo vetëm për t’i mbrojtur njerëzit e tij brenda një periudhe të caktuar, por edhe qytetërimin e krijuar ndër breza. Përveç këtyre karakteristikave, muri po ashtu e përcaktonte edhe pronarin e hapësirës brenda mureve. Muret, nga njëra anë, ofronin siguri, ndërsa nga ana tjetër krijonin lidhje me qendrën, që përcaktonte ‘tjetrin apo armikun”. Frika e vazhdueshme siguronte autoritet të vazhdueshëm. Muret më së shumti e mbronin autoritetin politikë. Njerëzit që jetonin brenda mureve e dallonin veten nga të tjetër dhe kështu i zbulonin ngjashmëritë ndërmjet vete, duke e lartësuar ndjenjën “ne”.

Muret dhe rrethojat kanë kuptim më të thellë se telat me gjemba ose tulla. Vlerat që simbolizojnë ato korrespondojnë më shumë sesa kuptimi konkret që shfaqin ato në jetën praktike. Për të kuptuar se si do të reflektojë në shpirtin e kohës mendimi i Trump-it për ndërtimin e murit në kufirin SHBA-Meksikë, së pari duhet zbërthyer kuptimi simbolik i këtij mendimi. Sepse mendimi “mur kufirit” nuk është fantazi politike vetëm e Trump-it ose e SHBA-së. Në kohët fundit çdo kund kufijtë po rrethohen me mure. Muret janë bërë temë diskutimi edhe në Evropë. Pas ndërtimit të barrikadave ndaj refugjatëve në Hungari nga Victor Orban, kishin filluar të ndërtohen rrethoja edhe në kufirin Greqi-Maqedoni. Qeveria spanjolle në kufirin Ceuta Mellila, që rrethon tokat e Marokut, e përforcon rrethojën me dyfishimin e telave, ndërkaq Austria kishte vendosur të ndërtojnë rrethojë në kufirin me Slloveninë, edhe pse ata janë pjesë e zonës se shengenit. Turqia ka filluar të ndërtojë mur që mendohet ta përfshijë zonën kufitare me Irakun, Iranin, Sirinë dhe Armeninë.

Strategjia botës me mure po përhapet valë-valë. Shteti që më së pari e ka përvetësuar këtë politikë është Izraeli me ndërtimin e murit para 1.5 viteve në West Bank. Ai vazhdon të ndërtojë edhe mure të tjera. Me rrethimin e kufijve me mure, Izraeli ka arritur ta krijojë shtetin e parë me siguri burgu dhe, ironikisht, është bërë shembull për shumë shtete të tjera të botës.

Në lidhje me muret edhe Azia nuk dallon shumë nga Evropa. Pranë murit ndërmjet Pakistanit dhe Indisë në Kashmir po ndërtohet një mur ndërmjet Indisë dhe Bangladeshit. Udhëheqësit indianë e favorizonin idenë që të mbyllet kufiri në tërësi, edhe pse 90% është i rrethuar. Pas Indisë edhe Pakistani ka deklaruar se do të ndërtojë një mur në kufi me Afganistanin. Nga ana tjetër Uzbekistani, përveç rrethimit të ndërtuar me Kirgizinë, po ndërton një mur në kufi me Afganistanin. Ndërkaq Kina është prej shembujve te parë që e ka rrethuar kufirin me Korenë Veriore me një muri që është ndërtuar në vitin 1970.

Edhe gjeografia e Lindjes së Mesme dhe Afrikës ishin në gjendje të njëjtë. Në zonën e Gjirit po ngriheshin mure ndërmjet Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit, si dhe ndërmjet Irakut dhe Kuvajtit. Nga ana tjetër, Arabia Saudite e ka fortifikuar kufirin me Jemenin dhe Irakun. Ndërkaq në Afrikë ndërmjet Bostvanas dhe Zimbabves, si dhe ndërmjet Bruneit dhe Limbangit po ashtu gjendet një mur kufitar.

Mure kundrejt globalizmit dhe demokracisë

Është shumë e rëndësishme të dihet se kundrejt kujt u ngritën muret. Së pari mund të themi se muret u ngritën kundër ideologjisë dhe aktorëve të globalizmit. Sepse, këto mure, në një kuptim “mure kundërshtuese”, reflektonin qëndrim simbolik kundrejt kushteve politike, sociale dhe ekonomike të rendit global. Kjo mbështetet nga të gjitha politikat e djathta në gjithë botën dhe shërben si pasqyrë e fytyrës autoritare të llojit të ri të nacionalizmit. Për shkak të natyrës kufizuese-siguruese, muret nuk janë vetëm pengesë që i ndalojnë kalimet dhe rrjedhën nga brenda-jashtë, por lartësohen edhe si totem i paradigmës së re politike. Kjo ka arritur përmasa globale dhe popujt që jetojnë në hapësira të rrethuara me mure do t’i presë një sistem udhëheqjeje më autoritar dhe totalitar.

Diskursi i Trump-it “first America” nuk e përkrah vetëm një ideologji, por përdor një model ideologjik për t’i bindur amerikanët që të jetojnë prapa mureve. Politika e Putin-it “të mbrohen rusët që jetojnë jashtë shtetit” nuk përfaqësonte një lidhje etnike, por u aplikua në emër të legjitimitetit të zgjerimit politik. Politika populiste në Evropë nuk u shfaq si pasojë e lidhjes me rrënjët etnike ose kulturore, por fuqizohej për të mos e humbur sigurinë dhe ndikimin. Muret, në këtë kuptim, nuk u ngritën kundër tjetrit si rrezik, por u ngritën në emër të lulëzimit përsëri të identitetit të përbashkët shoqëror-politik, që u rrezikua gjatë globalizmit. Prapa mureve ndërtohet një kuptim i ri i kombit.

Ndërkaq fillim shekulli ishte shumë shpresues. Liberalët, që i vënë në lëvizje intelektualët dhe botën akademike, shpresonin se mund të krijonin një shoqëri globale, sistem të vlerave dhe normave të përbashkëta, si dhe pretendonin që dallimet do të konsideroheshin pasuri. Sipas tyre, njerëzit do të liroheshin nga kufijtë gjeografikë, do të përziheshin me të tjerët, do të dëgjonin të njëjtën muzikë dhe do t’i hanin hamburgerët e njëjtë e do ta përjetonin frikën e njëjtë. Ata mendonin se njerëzit do të zgjidhnin të bëheshin banorë të botës duke u zhveshur nga nënidentitetet e tyre drejt një identiteti global. Kështu, thoshin ata, do të krijohej paqja globale, do të përfundonin luftërat dhe do të vinte fundi i historisë. Por, nuk u bë!

Në vend se të homogjenizonte shoqëritë, globalizmi e zgjoi vetëdijen e dallimeve të njeriu. Mospërshtatja me kulturën vendore dhe diasporat nxiti urrejtjen ndaj të huajve. Vlerat morale dhe sociale, që formësoheshin nga dora e Perëndimit, nxisnin rritjen e reagimeve, fuqizimin e fundamentalizmit dhe konservatorizmit. Fryma e ndryshimeve sociale, pas globalizmit, bëri që partitë politike t’u dorëzohen politikanëve demagogë dhe idesë populiste. Liderët politikë për shumë çështje i braktisën mendimet e vjetra dhe i përvetësuan të vërtetat e reja. Popullizmi më së shumti u ushqye nga mendimet “anti-globalizëm” dhe “nacionalizëm”. Lloji i ri i nacionalizmit ushqehet nga ksenofobia (armiqësi ndaj të huajit), e cila ka arritur në dimensione raciste. Çështja e emigrimit dhe refugjatëve ka bërë që vendasit nuk duan që të huajt të vijnë dhe t’u bëhen fqinjë, ta ndajnë kulturën dhe mënyrën e jetesës. Ata kanë frikë nga terrorizmi, nga radikalizmi islam, nga të zinjtë, nga të verdhit, nga meksikanët ose nga të gjithë ata që jetojnë në kufi me ata. Për ta evituar frikën, ata po mbështeten në ilaçin e vetëm, që dihet dhe përdoret në historinë e njerëzimit – muri.

Në dhjetë vitet e para të viteve 2000 demokracitë “më të vjetra”, “më të mëdha”, “më stabile” – Amerika, India dhe Izraeli – kishin ndërtuar një mur që në total ishte i gjatë 5.700 km. Kështu, demokracive me mur (walled democracies) u ishte hapur rruga ku qytetarët ishin bindur se është më i sigurt rrethimi i hapësirës shtetërore. Përderisa demokracia përfaqësonte politikën e të qenit të hapur, ndërsa muri ishte esencë e sistemeve të mbyllura, me përfundimin e ndërtimit të mureve konceptet e lirisë dhe demokracisë, që barte globalizmi, do t’u mbeteshin atyre jashtë murit. Për ata brenda mureve kishte nevojë për ideale dhe ideologji, që do ta zënë vendin e idesë së globalizmit.

Mure kundrejt ushtrisë ruse dhe ekonomisë kineze

Funksioni tjetër i mureve ishte kundër shtrirjes së ushtrisë ruse në drejtim të Perëndimit. Tendenca e shtrirjes ushtarake si lëvizje gjeografike e Rusisë në 10 vjetët e fundit, pas mossuksesit të veprimeve ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s, është bërë mjaft e rëndësishme. Rusët po zhvillojnë një politikë aktive që nga Deti i Zi drejt Mesdheut, që nga brigjet Arktike në ato Baltike, si dhe duke u shtrirë drejt Pacifikut. Shtetet që kanë qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik, tash anëtare të NATO-s, i ka kapur paniku nga kjo shtrirje ruse dhe kjo i ka shtyrë drejt politikës se mureve (siç është rasti i Lituanisë dhe Estonisë). Edhe pse e dinë mirë se këto mure mund të kalohen brenda disa minutave nga tanket ruse, më ndërtimin e tyre ata shfaqin përkatësinë si anëtarë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Edhe pse kohëve të fundit marrëdhëniet ruso-turke janë të mira, në thelb fillimi i ndërtimit të murit kufitar me Armeninë, Iranin, Irakun dhe Sirinë nga Turqia, në njërën anë, ka qëllim përforcimin e kufirit të NATO-s në juglindje. Nga ana tjetër, Rusia ka krijuar një aleancë me shtete, si: Bjellorusia, Ukraina Lindore, Armenia, Irani, Iraku e Siria për dalje në Detin Mesdhe. Kjo aleancë e krijuar kundër NATO-s ka për synim kufizimin e saj. Një politikë e tillë ishte aplikuar nga SHBA-ja ndaj Rusisë. Shtetet e NATO-s po i kundërpërgjigjen asaj me ndërtimin e mureve si shprehje kufijve të shtrirjes. Bashkimi i hapësirës gjeografike Evropë-Azi, pas rrënimit të Murit të Berlinit, sot po ndahet përsëri me mure.

Muret e Perëndimit nuk ishin vetëm ndaj shtrirjes ushtarake të Rusisë, por edhe ndaj zgjerimit ekonomik të Kinës. Siç dihet, Kina tashmë është bërë motori i ideologjisë së globalizmit dhe kërkon ta lidhë botën nëpërmjet Rrugës së Mëndafshit, brezave dhe urave tregtare. Qëllimi kryesor i Kinës është krijimi i hapësirave ekonomike pa kufizime. Me një strategji zgjerimi të planifikuar mirë Kina, duke filluar nga Afrika, ka kthyer botën në një hapësirë të integruar të prodhimit. Kina prodhon dhe investon në gjithë botën dhe me udhëheqjen e Partisë Komuniste po e dizajnon me duart e veta ndërtimin e një rendi të ri kapitalist. Si kundërpërgjigje Perëndimi do të ngrejë mure dogonare dhe pengesa tregtare për të ndaluar kështu zgjerimin dhe shtrirjen e ndikimit kinez. Por, edhe çështja e Koresë Veriore mund të luajë rol në legjitimitetin e mureve që do ngrihen ndaj Kinës.

Ky shkrim është bazuar në librin “Duvar -Tarih Geri Dönüyor (Muri – Historia po rikthehet)” të studiueses turke Deniz Ülke Arıboğan.