` . Policia shqiptare e para në Ballkan me kamera si pjesë të uniformës - TV-SHENJA

Policia shqiptare e para në Ballkan me kamera si pjesë të uniformës

Kamerat e sigurisë në trupin e punonjësve të policisë është një instrument besimi mes zbatuesve të ligjit dhe qytetarëve.

Këtë tha të martën, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, gjatë prezantimit të projektit për kamerat e sigurisë të inkorporuara në uniformat e policisë.

Në aktivitetin e organizuar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. Duke folur në këtë aktivitet, Tahiri tha se teknologjia po i vjen në ndihmë policisë për të rritur standardin e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Ishte një ndër angazhimet tona kryesore vendosja e një standardi transparence në punën e policisë. Synimi ishte rritja e besimit të publikut. Angazhimi ynë, nga më kryesoret ishte vendosja e kamerave në uniformën e policit. Ky nuk është vetëm element teknologjik, por një instrument garancie për qytetarin, që pret nga punonjësi i policisë të zbatojë detyrën me etikë dhe pa abuzim. Këto është vështirë të përmblidhen në lëkurën e njeriut dhe vullntetit të tij, por teknologjia i vjen në ndihmë kësaj transparence që ne kërkojmë”, deklaroi Tahiri.

Sipas tij, bëhet fjalë për një mjet të domosdoshëm në trupin e punonjësit të policisë. “Ai nuk mund të manipulohet dhe nuk duhet të jetë në duart e policisë. Çdo punonjës policie është i monitoruar 24 orë në 24. Ai edhe nuk do ta kuptoj momentin, kur vëzhgohet. Ky është një instrument sigurie për punonjësit e policisë. Ka njerëz që shfaqin imunitet para policisë duke bërë presion etj, por policia tashmë është e monitoruar dhe nuk do të ketë lehtësi të bëjë favore apo të mos zbatojë ligjin”, vijoi Tahiri.

Sipas tij, “në dy vite janë gati 2 000 punonjës policie në procedimi penal”. “Shqipëria është e para në Ballkan që zbaton këtë projekt, duke na vënë para përgjegjësisë për të rritur standardin e sigurisë dhe për të ndërtuar besimin e qytetarëve shqiptarë tek policia e shtetit”, tha Tahiri, duke saktësuar se projekti nis me Tiranën për t’u zgjeruar dhe në qytetet e tjera.

Postime të Ngjajshme