` . Polariteti në sistemin global – TV-SHENJA

Polariteti në sistemin global

“Bota nuk është unipolare, shumëpolare e as kaotike, është që të tria në të njëjtën kohë” (Joseph S. Nye)

Muhamed Jashari, Shkup

Në studimet e marrëdhënieve ndërkombëtare shteti (aktori) i fuqishëm llogaritet një shtet i cili posedon madhësi të territorit dhe të popullsisë, resurse natyrore, aftësi ekonomike, fuqi ushtarake, stabilitet politik -(Kennеth Waltz), por edhe institucione stabile. Këto karakteristika ia mundësojnë shtetit influencën e saj ekonomike, kulturore, ushtarake dhe politike në arenën globale. Në nivel ndërkombëtar, shpërndarja e fuqisë dekada me radhë luajti rol të rëndësishëm në politikën botërore. Njëherit ajo, përcakton numrin e aktorëve –poles of power, polet e pushtetit- dhe rrjedhimisht polaritetin në sistemin global.

Polet pra, janë qendrat e fuqisë, dominimit dhe hegjemonisë. Rritja dhe pakësimi i aktorëve s’do mend se dikton tempin e dinamikës së sistemit. Sistemi ndërkombëtar në vazhdimësi është dinamik dhe kompleks. Andaj, natyra e shpërndarjes së fuqisë në arenën e zhvillimeve ndërkombëtare kohë pas kohe ndryshon.

Mund të themi se polariteti konsiderohet ndër idetë thelbësore të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në përgjithësi, është e pranuar se polarizimi i sistemit ndërkombëtar mund të marrë tre forma, atë të Unipolaritetit, Bipolaritetit, dhe Multipolaritetit.

Studiuesi i shkencave politike nga Universiteti i Ohajos Randal Schweller flet edhe për konceptin e Tripolaritetit sipas së cilës strukturën e sistemit ndërkombëtar e përbëjnë tre pole ose tre qendra të fuqisë. Kohëve të fundit nëpër qarqet intelektuale u përmendet edhe koncepti i Jopolaritetit-Nonpolarity. Koncept ky që u artikulua nga presidenti i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme (CFR), Richard Haass  i cili sipas tij, ajo është “Një botë e dominuar… nga dhjetëra aktorë që ushtrojnë dhe posedojnë lloje të ndryshme të pushtetit. /Foreign Policy. Kjo pikëpamje u kundërshtuar nga Leslie Gelb, ish president i CFR-s, dhe Robert Manning.

Nëse vështrojmë rendin global, është vështirë të theksohet se sistemi ekzistues ndërkombëtar dominohet nga një fuqi e vetme, ashtu siç ishte në periudhën pas viteve të 90-ta. Faktorët të ndryshëm japin shenjë se tanimë rrjedhat globale më tepër i përcakton ekuilibri i fuqisë ndërmjet shteteve.

Joseph Nye- themeluesi i teorisë neoliberaliste të mendimit politik ndërkombëtar– sistemin aktual global e sheh në tre dimensione. Sipas tij, fuqia ushtarake është ende unipolare, aspektin ekonomik e karakterizon multipolaritetit (Unioni Evropian, Kina, India, Afrika e Jugut, Brazili), ndërsa dimensioni i tretë përbehet nga aktorët trans-nacional, të cilët operojnë jashtë kontrollit të qeverisë.

Sipas raportit të një think –tanku  (Centre for European Reform) i cili bën fjalë për të ardhmen e politikës së jashtme të BE-së, thuhet se, “Rritja e fuqive të reja e bën botën gjithnjë e më shumë multipolare”.

Ngritja e fuqive të reja (the rise of the rest) si Kina, India, Brazili, Afrika e Jugut (IBSA, BASIC) sfidoi supermacinë dhe dominimin e perëndimit. Ashtu që kyçja e tyre në çështjet e karakterit global dhe qeverisjen globale sa vinte e rritej.

Në epokën e multipolaritetit modeli më i përshtatshëm për veprimtarinë diplomatike padyshim se është diplomacia multilaterale. Multilateralizmi është modus i cili aktorëve global pavarësisht fuqisë dhe peshës ekonomike politike apo ushtarake u mundëson bashkëpunim me njëri tjetrin.

Sistemi multipolar mund që të jetë ndërveprues, përmes së cilës fuqitë e mëdha, pra aktorët kryesorë, punojnë së bashku për të vendosur rregullat e lojës, dhe disiplinimin e atyre të cilët i shkelin ato. Të njëjtën kohë ato (aktorët) janë konkurrues ose konfliktual nëse ekuilibri prishet!

Në të shumtën e rasteve multipolariteti zë vend në retorikën e zyrtarëve të atyre vendeve të cilët udhëheqin politikë të jashtme antagoniste me SHBA-të. Pikërisht para disa muajsh kryeministri kinez gjatë një samiti të BE-së me Kinën, deklaroi, “Një Evropë e bashkuar, e qëndrueshme, e begatë e hapur dhe me një euro të fortë i shërbejnë interesave themelore të të gjithë popujve evropianë dhe kontribuojnë në multipolaritetin global, globalizimin ekonomik dhe diversitetin e qytetërimeve”.

Në librin me titull, Polarity, Balance of Power and International Relations Theory- Polaritetit dhe Ekuilibri i fuqisë në Marrëdhëniet Ndërkombëtare”, autorja vë në dukje se multipolariteti ka qenë një element i theksueshëm në politikën e jashtme kineze që nga vitet e 80-ta, ndërsa më vonë u bë ndër prioritete kryesore në diskursin e politikës së jashtme ruse, sidomos nën udhëheqjen e presidentit aktual Putin.  

Shtetet, natyrshëm kanë prirje që të bashkëpunojnë, me qëllim që të luajnë rol aktivë në arenën dhe institucionet të rëndësishme ndërkombëtare. Kjo ngase në një botë me kërcënime, (sulme terroriste, krizë ekonomike apo financiare, etj.)- tregje dhe sfida globale, sistemi multilateral është i pashmangshëm. Sot, si asnjëherë më parë shteteve iu nevojitet bashkëpunim, qoftë edhe për shkak të interesave të tyre.

Shteti edhe pse akoma mbetet aktori qendror në çështjet botërore, por koncepti tradicional i sovranitetit duket se është zbeh, nga lart, si rrjedhojë e marrëveshjeve dhe traktateve shumëpalëshe, ndërsa nga poshtë si rezultat aktorëve jo shtetërorë me sasi të konsiderueshëm pushteti.

Arena globale është fluide, me ngjarje që çojnë në rezultate të ndryshme. Korporatat shumëkombëshe, organizatat rajonale, milicit dhe grupet paramilitare, organizatat terroriste, ndryshimet klimatike, fatkeqësitë natyrore, konfliktet rajonale dhe luftërat civile, migrimi, kriza e refugjatëve dhe ndryshimet demografike janë pjesë e marrëdhënieve aktuale politike dhe ekonomike ndërkombëtare.

Në bazë të raportit të SIPRI-it, –Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për PaqenStokholm vitin e kaluar në botë ishin aktivë 49 konflikte, prej tyre vetëm dy ishin ndërshtetërore (Indi-Pakistan dhe Eritre-Etiopi), kurse tjerat brenda kufijve shtetëror. Një pjesë bukur e madhe e tyre ishin luftëra kundër organizatave terroriste.

Sfidat që përballen shtetet, madje sa do që të fuqishëm të ishin, thuajse është e pamundur që të ballafaqohen të vetëm. Edhe lufta kundër terrorizmit zhvillohet në kuadër të krijimit të një fushate gjithëpërfshirëse. Pikërisht aktorët jo shtetërorë (organizatat terroriste), fuqitë e vogla dhe të mesme me aftësi bërthamore janë shndërruar në kërcënues serioz të cilët minojnë paqen stabilitetin dhe sigurinë globale.

Zhvillimi i një shoqërie të mirëfilltë ndërkombëtare, me institucione efikase dhe mirë funksionuese, të bazuar në rend, paqe dhe stabilitet është objektiv i të gjithë popujve dhe shteteve paqedashëse. Në mungesë të një qeverie qendrore në nivelin ndërkombëtar partneriteti dhe bashkëpunimi ndërmjet shteteve në këtë periudhë të ndërvarësisë dhe globalizimit është më se i domosdoshëm. Kjo mundëson që aktorët jo vetëm që realizojnë interesat e tyre shtetërore, porse edhe të prodhojnë paqe dhe siguri.