` . Poezia sociale e Qerim Arifit… – TV-SHENJA

Poezia sociale e Qerim Arifit…

Poeti i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare, Qerim Arifi, filloi të shkruajë herët, por të botojë filloi që nga vitet e shtatëdhjeta. Duke e përcjellë bukur mirë situatën e popullit në këto treva dhe rastet e shumta sociale, ai nuk mundi të qëndrojë duarkryq, por me anë të vargjeve poetike bëri protestë shpirtërore.

Shkruan: Bilall MALIQI, Preshevë

Në Luginën e Preshevës, respektivisht në Preshevë, poezia e motivit social është trajtuar nga disa poetë, por për ta trajtuar bukur mirë këtë motiv poetik në vargjet e tij është poeti i njohur preshevar Qerim Arifi.

Dihet mirëfilli se poezia e motivit social në letërsinë shqiptare në përgjithësi është rrahur fort mirë edhe nga poetë të tjerë nga e gjithë gjeografia shqiptare, duke filluar nëpër kohë më të largëta e që lanë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqiptare. Kështu Migjeni në poezitë e tij dhe në tregimet e skicat e tij temë boshte e ka pasur mjerimin dhe rastet sociale të asaj kohe, të cilat mjeshtërisht i ka vargëzuar gjithnjë i censuruar nga pushteti i asaj kohe, por që ato shkrime të karakterit social mbeten vulë e kohës dhe një lidhshmëri ndërmjet kohëve dhe gjeneratave të poetëve nëpër kohë. Në Kosovë nuk mund të mos e përmendim doajenin dhe pionierin e letërsisë, Esad Mekulin, i cili po ashtu në shkrimet e tij poetike e ka trajtuar bukur mirë brengën dhe problemin social të shqiptarëve të Kosovës, të cilët shkonin nëpër vende të ndryshme për ta siguruar kafshatën e bukës, madje edhe si sharrëxhinj nëpër Beograd. Në këtë frymë në Luginën e Preshevës motivin social e ka trajtuar bukur mirë poeti Qerim Arifi.

Pak biografi

Qerim Arifi lindi në Preshevë më 22 shkurt 1946. Shkollimin fillor e kreu në Preshevë, kurse Normalen dhe Fakultetin Filozofik (Dega e Gjuhës Angleze) në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar pak kohë në arsim, por pjesën më të madhe të punës së vet e ka bërë si gazetar në revistën “Zëri i rinisë” në Prishtinë. Me poezi ka filluar të merret që nga rinia e hershme. Është marrë edhe me përkthime. Punimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Është i përfaqësuar në shumë antologji dhe libra me biografi të shkrimtarëve. Vdiq në Prishtinë më 1990.

Qerim Arifi – Migjeni i Luginës

Poeti i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare, Qerim Arifi, filloi të shkruajë herët, por të botojë filloi që nga vitet e shtatëdhjeta. Duke e përcjellë bukur mirë situatën e popullit në këto treva dhe rastet e shumta sociale, ai nuk mundi të qëndrojë duarkryq, por me anë të vargjeve poetike bëri protestë shpirtërore. Kjo u transmetua shumë mirë nëpër vargjet e tij poetik me një trajtim bukur të efektshëm të poezive të tij, të pajisura me figura metaforike e stilistike, të cilat i bëjnë poezitë e Qerimit të avancuara artistikisht.

Përderisa poeti Migjeni i shkruan aq bukur mjerimit dhe shprehet në vargje poetike se: “Mjerimi s’do mëshirë, por don drejtësi”…, për Qerim Arifin vendi ku jetoi dhe veproi ishte:

“Vend ku lindin fëmijët e uritur”…

Ndërkaq Esad Mekuli e sheh situatën e mjerueshme të popullit të Kosovës, fatin e sharrëxhiut dhe sharrën në krah të stërlashtë dhe shprehet: “Atje mbas 77 bjeshkëve,7 gojë presin…”

Nëse merret parasysh krahasimi në mes këtyre tre poetëve, që i shkruan mjerimit, plagë kjo që po përcillet nëpër kohë e situata të ndryshme, atëherë mund të themi lirisht se Migjeni i thuri vargje mjerimit në kohën e tij dhe ato vargje poetike, por edhe proza, mbetën dhe t’u bëjnë ballë të gjitha kohëve. Kjo është dëshmuar bukur mirë në praktikë, sepse edhe sot ato shkrime të Migjenit të viteve të largëta të tridhjeta janë shumë aktuale.

Esad Mekuli na paraqitet në një kohë pak më të vonshme, por edhe ai na prezantohet me disa poezi në të cilat e rreh mjaft mirë motivin social dhe të kurbetit. Ai na paraqitet me sfidat e shqiptarëve për të siguruar kafshatën e bukës, të cilët përpos rreziqeve të shumta, përsëri ishin të detyruar të punonin, sepse atëbotë ishte një varfëri e madhe te shqiptarët e Kosovës.

Ndërkaq Qerim Arifi, në një kohë edhe më të vonshme në krahasim me dy poetët e përmendur, e trajtoi në librat e tij mjerimin dhe varfërinë e shqiptarëve me një gjuhë të përparuar poetike, me një stil të veçantë të shkrimit dhe të trajtimit të këtij motivi, që ishte përcjellë nëpër kohë. Ndonëse në Luginën e Preshevës këso raste gjenden edhe tani si në kohën e Qerimit, trajtimi social i tyre ishte shumë i vogël, për të mos thënë që fare nuk ka pasur.

Sipas poetit ky është vend ku lindin fëmijë të uritur. Kjo shumë mirë ilustrohet edhe në vargjet e poezisë “Shtatë herë u bëra hamall dhe hamall u bëra shtatë herë”. Me një ndërtim efikas të vargut Qerim Arifi paraqet një tablo reale të zymtë të familjeve shqiptare, sidomos të fëmijëve varfanjakë, dhe paraqet një ndodhi, që si duket po pjell dhe shumohet nëpër kohë. Në këtë poezi ai do të shkruajë:

 “Vend ku lindin fëmijët e uritur”

Ose

“Djep dëshirash të varfra

Strajcë e shqyer nga vjetërsia”

——————————

“Ëndërrova fshatin ku klithmat lindin

Prita mëngjesin për barrë mbi shpinë”

Apo

“Hesht trishtimi vlon trishtimi

Vjen zmadhimi shkon zgjerimi

Shumë herë udhëtova u bëra stuhi

Kah kërkova gjithkund

Trishtim i zi i zi”

Nga të gjitha këto skena që ngjallën trishtim te poeti, atij iu rrit varra nëntë herë e më shumë.

Në një poezi tjetër ai do të shprehet kështu:

“Mbi ato lëkura gjenden

Djersët dhe lotët e njerëzve të mjeruar

(në fundin e dekadës së shtatë të këtij shekulli kjo është një pikturë)

Tymi humb qartësinë për të parë

Fytyra me pamje të urrejtur purpuri”

(Poezia “Zonjushat dhe zotërinjtë”).

Ballafaqimi me realitetin

Në të gjitha poezitë e motivit social të poetit të njohur Qerim Arifi ballafaqohemi me realitetin e krijuar gjatë kohës së shkrimit të poezive të tij me karakter social, ku domosdoshmërisht është dhënë një pasqyrë shumë reale e njerëzve lypsarë ose atyre në gjendje skajshmërisht të ulët në aspektin e jetës së tyre në të gjitha rrethanat e krijuara atëbotë.

Jetën e shqiptarëve të këtushëm e kanë përcjellë shumë padrejtësi në rrafshe të ndryshme jetësore, por më shumë kanë qenë dhe tani janë të goditur pamëshirshëm në aspektin jetësor dhe social, gjë që u manifestua dhe po manifestohet edhe më tutje në këtë nënqiell që flet shqip. Të gjitha këto i ka rrumbullakuar mirë dhe i ka vargëtuar mjaft penda e poetit Qerim Arifi në botimet e tij.

Megjithatë, shqiptarët gjithmonë kanë shpresuar dhe kanë qenë optimistë për një të ardhme të mirë në rrafshe të ndryshme të jetës shoqërore, por edhe politike, andaj poeti ka shpresuar për ndryshime dhe ka qenë optimist dhe këto i ka shprehur në vargje poetike:

 “Derisa të tjerët mendojnë për dashuri

Një pjesë kërkese shpirtin tim varron

Lypi. Të tjerët: më qeshin

Këto kënde rrugësh janë pafund

Pres një kalimtar të mëshirshëm

Njerëzit kalojnë

Unë shpresoj në dashuri”

(Poezia “Shpresoj” libri, “Fatamorganë”).

Në poezinë “Balada e një jete”, poezi kjo kushtuar Migjenit, Qerimi paraqet brenda katër këngëve që ka kjo poezi e sidomos në strofën e tretë jep një episod nga padrejtësitë e pjella ndaj masës në atë kohë migjeniane dhe shprehet përkushtueshëm:

“Tani ende vajtimi është varë nëpër qafore

Atje ku qesh padrejtësi e mallkuart

Gjersa shkëlqimi mbi Senë derdhet

Terr mbi kasollat e ti

Tani dita ditës nga një grusht ia mëshon

Qeshin me ironi shpirtrat e thara

Diku në gjiun e livadhit argjent

Kostarët e djersitur ëndërrojnë”

(Poezia “Baladë jete”, libri “Kujtime”).

Jeta e rënduar sociale, sidomos nëpër fshatra shqiptare, e posaçërisht në katundet e vendlindjes së poetit, pasqyrohej shpesh me dhembje te poeti, por edhe te masa në përgjithësi, sepse me të vërtetë skamja ishte shumë më e pranishme, ndërsa jeta e tyre ishte dita-ditës edhe më e pamundur jo vetëm për shkaqe sociale, por edhe në sfera të tjera shoqërore, si në infrastrukturë rrugore, pa rrymë e pa ndonjë stacionim ambulantor dhe, si rrjedhojë e të gjitha këtyre, kjo ishte një pasqyrë rrëqethëse atëbotë për malësorët, të cilët i ngjasonin jetës së padurueshme të kohës së Migjenit.

Gjithë këtë realitet, që mbizotëronte këtu te ne, poeti e paraqiste bukur mirë nëpër vargje poetike me një dozë dhembjeje se dikush në fshat vdiq:

“Nata vuri në gjumë malin

Bora sikur qeshte edhe më tej në heshtje

Asnjë pingrim s’u dëgjua më

Kot së koti e kërkoi gomari të zotin

E …në fashat-thanë-vdiq dikush…”

(Libri “kujtime”).

Të tre poetët që i shkruan mjerimit, Migjeni, Esad Mekuli e Qerim Arifi, të cilët u thurën vargje skamnorëve, nuk janë më në mesin tonë. Ata janë të pavdekshëm me veprat e tyre dhe lanë gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqiptare.

BOX

Bibliografia:

“Rekuiem për kalanë” (poezi), Shtëpia e Kulturës “Abdulla Krashnica”, Preshevë, 1998

“Kujtime” (poezi), Rilindja, Prishtinë, 1970

“Fatamorganë” (poezi), Klubi Letrar “Feniks”, Preshevë, 1984

“Nokturno” (poezi), Rilindja, Prishtinë, 1983

“Mbyllur në urnë”, 1987

Përktheu nga gjuha angleze:

“Katër kuartetet” e Eliotit.