` . Poezi e obsesionit estetik dhe e panikut postmodernist - TV-SHENJA

Poezi e obsesionit estetik dhe e panikut postmodernist

Në poezinë e Saliut shumë shpesh paniku postmodernist kombinohet me idealizmin modernist, më saktë me konceptimin romantik për poetin si një lloj demiurgu, i cili ka rol të veçantë dhe mbase edhe mistik në misionin e tij për ta zbuluar të bukurën në natyrë, në jetë dhe, veçmas, në gjuhë. Poeti mbetet, për Bashotën, një institucion që humanizon, që transmeton fisnikëri e dhimbje, ndonëse mbetet i moskuptuar.

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Vëllimi poetik më i ri i Sali Bashotës shënon kulminacionin artistik të tij
si poet, duke na ofruar edhe një mundësi të rishikimit dhe rivlerësimit të
gjithë krijimtarisë poetike të tij, që tashmë ka hyrë në decenien e katërt. Nga
“Albumi i grisur” (1986) e deri te vëllimi më i ri, ndërmjet të të cilëve janë
edhe vëllimet “Zogu me profil vjeshte” (1989), “Plagomë” (1994),
“Dalje nga trishtimi” (1999), “Bukuri e nëmur ” (2006),
“Dorëshkrimi i ngjallur ” (2011), ” Në fillim ishte Drita ”
(2017), “Asnjë zë tjetër “(2018), poezia e Saliut ka ndjekur një
rrugë konstante ambicioze të evoluimit artistik, duke alternuar preokupimet
motivore e tematike, sigurisht nën ndryshimet që kanë ndodhur në jetën
personale e shoqërore, por duke mbajtur të pandryshuar obsesionin e komunikimit
si një idealizëm estetik, në morinë e komunikimeve rivale ndërpersonale.

Në këtë linjë vështrimi të gjitha vëllimet e deritashme përbëjnë një
strukturë të obsesionit estetik të tij. Edhe vëllimi “Lutja e parë e
shpirtit”(2020) inkuadrohet në këtë strukturë, sigurisht, duke e pasuruar
atë me zhvendosje e pranëvendosje vlerash artistike, por edhe duke u imponuar
si element dominues në atë strukturë komplekse, falë kulminacionit të vlerave
estetike me të cilat participon.

Këtu, në këtë pikë konstatimi, jam i dyzar ndërmjet dy opinioneve të dy
studiuesve të njohur, Emil Shtajgerit dhe Jan Mukarzhovskit, që ofrojnë dy
mundësi të kundërvëna të shikimit të statusit dhe të strukturës së produktit
poetik. Shtajgeri pohonte, në një rast, se secila poezi është vepër artistike më
vete, e pavarur nga të tjerat në të njëjtin vëllim poetik, pra funksionon edhe
si strukturë e mbyllur. Ndërsa Mukarzhovski pohonte se veprat e të njëjtit
autor formësojnë një strukturë unike, brenda së cilës ndodhin zhvendosje, por
duke u ruajtur uniteti i saj.

Pa e minimizuar aspak qëndrimin imanent të Shtajgerit, me këtë rast do ta ndjek
qasjen me Mukarzhovskin, sepse më duket më e dobishme për ta hetuar evoluimin e
poezisë së Sali Bashotës, e cila ka shumë elementë që barten dhe pranëvendosen
nga vepra në vepër, duke e pasuruar tërësinë e duke përjashtuar vetëm ato
elemente që tregohen më pak dinamike estetikisht. Mukarzhovki thotë: “Zhvillimi
i strukturës individuale të veprës së autorit nuk është i tillë që të mundësojë
ndryshimin e strukturës me kërcime të papritura: kontinuiteti i saj nuk
ndërpritet as nga ndryshimet radikale, gjithmonë ekziston rivaliteti ndërmjet
asaj që mbetet dhe asaj që vazhdon, prandaj edhe autori është i mbyllur në
kufijtë e individualitetit të vet, të cilin me veprën e vet, në të vërtetë, e
përsosë pandërprerë, por pikërisht për këtë arsye nuk mund të dalë jashtë
kufijve të saj.“ (Mukarzhovski:207).

Pra, ndonëse vëllimi më i ri, vërtet, paraqet kulminacionin e krijimtarisë
poetike të Bashotës, ai mbetet brenda kufijve strukturorë të mëparshëm, sigurisht
duke provuar që ta përsosë sa më shumë vargun poetik, pa heqë dorë nga
trashëgimia paraprake. Ky fakt vërehet qartësisht në format e titujve të
poezive, në formën grafike të vargjeve, në shumë elementë stilistikë, në disa
nga motivet qendrore dhe në objektivin qendror të komunikimit, që mbetet me synimin
e një komunikativiteti relativisht të ulët, diskret, gati inhibicional, gjë që
bartet si strategji poetike nga vëllimet e mëhershme.

Një vlerë konceptuale, ideologjike dhe estetike e re që imponohet më
shumë në vëllimin e ri është një reagim brenda të ashtuquajturit paniku
postmodernist. Pra, theksimi i humbjes së sigurisë së individit dhe
kërkimi në panik i saj është një vlerë që tashmë duket sikur konkurron më
guximshëm me shtresat e vjetra të vlerave konceptuale, ideologjike dhe estetike
të poezisë së Bashotës. Poezia “Parandalimi i vdekjes” i inicon këto
shtresëzime, me elemente tipike të panikut postmodernist: Sytë e kaltër të
ëndrrës/I dua shumë/Si ty/Si ty/Si ty/Por ti nuk je përmallim i djegur/Nuk je
as frikë/Nuk je as ikje/Nuk je as dhimbje/Mollëzat e përflakura të vetmisë/I
dua shumë/Si ty/Si ty/Si ty/Por ti nuk je dashuri e çmendur/Nuk je as mëkatare/Nuk
je as hije/Nuk je as vdekje e bukur

Ky është një ligjërim poetik tipik me tharmin e panikut postmodernist brenda
ligjërimit, madje edhe dukjes grafike. Subjekti lirik i stresuar tenton të
gjejë shtigje të reja të njohjes, të shpëtimit nga paniku, qoftë duke evokuar
dashurinë si vlerë sublime humane, qoftë duke evokuar ëndrrat, qoftë duke u
mbështetur në iluzione e vizione të brishta, që shpërbëhen dhe që vetëm ideja
fikse (që mishërohet në vargjet: si ty, si ty si ty) arrin t’i mbajë pezull.

Në këtë kërkim të rrugëve të njohjes e të shpëtimit, tashmë përfshihet edhe
Transcendenca, sado që jo si instancë e njohjes, po si element i emocionit, më
saktë panikut. Fjala vjen, operohet me nocionet libër dhe testament që kanë të
bëjnë Librat e Shenjtë, por autori vetëm i evokon si nocione, ndërsa shmang referimin
e ligjërimit poetik në to si instanca denotative, gjë që sërish më duket si
intonacion i panikut postmodernist: Libri i ëndrrave/I vetmi testament/Për një
lutje

Por, ka edhe raste kur ka më shumë qartësi konceptuale në këtë kërkim, në
disa poezi të këtij autori, fjala vjen në poezinë “Tri pika”:

Pika e pare/Shpirti i saj/I mëshiruar nga Zoti/
Pika e dytë/Fytyra e saj/E mishëruar nga Zoti/
Pika e tretë/Buzagazi i saj/I mëshiruar nga Zoti

Ligjërimi më i shtruar, më vizionar, vërehet lehtësisht në këso rastesh
sesa në rastet kur kombinohen përfytyrimet, idetë, përjetimet nga sfera të
ndryshme jetësore e botëvështrimore të kundërvëna. Në fakt, ky është njëri nga
problemet më të mëdha që ka e gjithë poezia shqipe e modernizmit, por edhe e
postmodernizmit, pra një eklektizëm konceptesh e vlerash të kundërvëna, që
nxirren nga shtrati natyral dhe futen në njëfarë shtrati prokrustial. Është pasojë
e doktrinave dhe rrymimeve të kundërvëna, të pafiltruara, të pahierarhizuara, të
pavlerësuara qartë, gjë që pothuajse pashmangshëm shpie drejt përjetimit
agnosticist të botës. Postmodernizmi është truall shumë pjellor për këso pranëvendosjesh
dhe këso eklektizmash. Prandaj, komunikimi më frytdhënës me publikun dhe
transmetimi i një vizioni estetik më imament e më koherent për njohjen, në këtë
kontekst, mbetet sfidë serioze.

Sidoqoftë, kjo ndjeshmëri postmoderniste në poezinë më të re të Bashotës e pasuron
atë koncetualisht dhe artistikisht. Brenda kësaj ndjeshmërie janë edhe
mikronarracionet e subjektit lirik mbi dashurinë, vetminë, ëndrrat, hutimin,
rezingantën, por edhe ironia që – ndonëse jo shumë e dendur – ka raste që bashkohet
në këtë frymë konceptimi postmodernist, si në poezinë: “Ideali i dyfishtë”, ku
dominon ironia ndaj atyre që abuzojnë me lirinë, duke qenë megallomanë, egoistë,
kleptomanë dhe faqezi:

Unë jam më i vogli/Të mëdhenj jeni ju të tjerët/Që mbartni mbi supe lirinë/
Asnjë stuhi nuk iu ndal/Asnjë fuqi e gravitacionit të tokës/Që vërtet të dukeni
të mëdhenj/
Shumë të mëdhenj sa të çmendeni

Mirëpo, në poezinë e Saliut shumë shpesh paniku postmodernist kombinohet me
idealizmin modernist, më saktë me konceptimin romantik për poetin si një lloj
demiurgu, i cili ka rol të veçantë dhe mbase edhe mistik në misionin e tij për
ta zbuluar të bukurën në natyrë, në jetë dhe, veçmas, në gjuhë. Poeti mbetet,
për Bashotën, një institucion që humanizon, që transmeton fisnikëri e dhimbje,
ndonëse mbetet i moskuptuar.

Të jesh vetëm poet do të thotë të jesh dhimbje e përflakur/Përgjithnjë në
tokën e zezë
Përgjithnjë në detin paanë/Përgjithnjë në qiellin pa yje/Të jesh vetëm poet

Ose:

Askush nuk i duron poetët/Ata janë si lumenjtë e qiejve/Që
rrjedhin brigjeve të amshimit/
Askush nuk i duron poetët/Kur thurin vargje për vuajtjen e tjetrit/E për vete
protestojnë vetminë e tepërt.(“Askush nuk i duron poetët”)

Ndonëse ky konceptim është brenda kornizës moderniste romantike, në
tërësinë e ligjërimit, edhe ky më duket sikur ligjërim paniku, duke denoncuar çrregullimin
në komunikimin e individit me shoqërinë. Ligjërimi poetik me intonacione të
larta, gati me klithma, e bën bindës këtë konceptim. Sikundër që pohonte Llotmani,
“nuk udhëheq vetëm tema shenjën gjuhësore, por edhe shprehja gjuhësore
udhëheqë temën” (Llotman: 94.) Pra, kjo do të mund të thoshte kështu: koncepti
për poetin si iluminues e si ëndërrimtar mbetet aktiv, por ligjërimi gjuhësor/poetik
i ndryshuar për të ndikon që edhe ai status të shihet si i ndryshuar.
Saktësisht siç është në realitetin jetësor!

Për ta bërë sa më të qartë këtë raport, po u njoftoj se cikli “Imazhi i pestë
Dhimbja”, me vënien e imazhit në plan të parë, i cili sikundër dihet është
elementi më i ekspozuar i përjetimit postmodenist të jetës/botës, dëshmon se
Bashota tashmë ka avancuar shumë në ligjërimin me këtë frymë. Intonacionet
e pasuruara të vargut, të bashkuara me nivele të tjera të ligjërimit poetik, në
mënyrë intuitive marrin përsipër të bëhen shenja të realitetit të kohës në të
cilën jetojmë në panik, ndërmjet kaosit e anarkisë, antivlerave dhe dehumanizimit.
Llotmani ka sinjalizuar moti: “Për shqyrtimin e korelacionit ritmik të
intonacionit dhe semantikës së vargut, si pikë nistore duhet të shërbejë bindja
që rendi ritmik-intonativ nuk është strukturë e pavarur, por është element që
shërben për një varg nënstrukturash të cilat në bashkëveprim konstitutuojnë
sistemin unik të tekstit, i cili quhet poezi dhe i cili paraqet shenjë të
përmbajtjes së caktuar dhe model të realitetit të caktuar (Llotman: 247)

Falë përvojës së gjatë si poet dhe si studiues i pasionuar i letërsisë,
Sali Bashota është autor që i njeh këto vibracione intonative-ritmike,
ideologjike, stilistike e sociale, prandaj edhe arrin t’i definojë gjuhësisht
në pajtim me realitetin. Këso definimesh ka edhe për motive të tjera, veçmas për
motivin e dashurisë, që është motivi dominues në këtë vëllim dhe veçmas në
vëllimin pararendës të autorit. Ja një shembull definimi impresiv poetik:

Dashuria është si trëndafil i bardhë/Me trup të drejtë/Dashuria është si
zjarri i ndëshkimit/
Me shumë të panjohura/Dashuria është si gjumi i shpirtrave/Në mesnatën e
lumturisë/

(“Dashuria”, Kushtuar atyre që dinë çdo gjë për dashurinë)

Nëse do të bëja një klasifikim të vogël të poezive antologjike të këtij
vëllimi, në të do të përfshija këto poezi ose vepra të veçanta artistike (këtu
sërish ripajtohem me Shtajgerin): “Bukuria”, Të jesh vetëm poet”, ”Gjethet
s’bien gjithmonë në tokën e vet” “Si lind poezia për ty”, ”Liria”, “Ideali i
dyfishtë”, “Askush nuk i duron poetët”, “Njësoj si sytë e tu”, po edhe disa të
tjera nga ky vëllim voluminoz.

Një vëllim poetik që ka kaq poezi antologjike brenda dy kopertinave ia vlen
të lexohet, qoftë dhe vetëm për to. Ndonëse, në rastin e këtij libri, i tëri
është i këndshëm për lexim dhe ofron një përjetim mirëfilli artistik. Bile në
këtë kontekst, poezia e Bashotës ende ka mbetur me njërën këmbë jashtë
ligjërimit postmodernist, i cili zakonisht është më eksplicit, më sipërfaqësor,
më vulgar, më pak domethënës e më pak mbresëlënës. Shumica e poezive të tij përshkohen
nga poetizma dhe figura që prodhojnë emocion, ndjeshmëri morale dhe përjetim
estetik.

Si lexues i vëllimit derisa ishte në dorëshkrim, e kam lexuar me sytë e mi
e jo me sytë e autorit. Aq më pak me sytë e lexuesve të ardhshëm. Prandaj,
leximi im, që po u ofrohet këtu si parathënie, mund të jetë një urë lidhëse
ndërmjet autorit dhe lexuesve, por kjo nuk është fare e domosdoshme. Lexojeni
vetë, përjetojeni vetë! Ndërsa autori më nuk ka të bëjë me mënyrën se si ne e
lexojmë dhe e vlerësojmë poezinë e tij. Ai ka bërë mjaft, na e ka afruar
mundësinë që të komunikojmë me të. Kjo është zemërgjerësia e poetëve të vërtetë,
të cilën komunikuesit e tjerë nuk e kanë në këtë formë e në këtë nivel.

(Parathënia e librit: Sali Bashota, “ Lutja e parë e shpirtit”, PEN Qendra
e Kosovës, Prishtinë, shkurt 2020)