` . Platforma shqiptare vs. Qeveria e re në Maqedoni - TV-SHENJA

Platforma shqiptare vs. Qeveria e re në Maqedoni

Krejt kjo situatë e krijuar ku matematika thotë se faktori politik shqiptar është ai i cili e rikthen ëndrrën europiane të qytetarëve në Maqedoni. Gjë që nuk u kuptua mirë pasi që një takim në Tiranë ku me të drejtë u hekurosën dallimet dhe u firmos një platformë e cila i shpëton shqiptarët nga diskriminimi që u bëhet që nga ekzistenca e shtetit maqedonas.

Shkruan: Arsim SINANI, Tetovë

Maqedonia po hyn në ciklin e fundit të një krize, të cilën nuk e kishim parë në të kaluarën, një dimension i ri, i panjohur që nga pavarësimi e këtej. Situatë më reale Maqedonia realisht nuk ka pasur që nga koha kur është themeluar si republikë në vitin 1945 si pjesë e federatës jugosllave. Them “situatë reale”, pasi që në të kaluarën shqiptarët ishin dekor që ky vend e shfrytëzonte për ta treguar larminë e këtij vendi, kaq.

Rezultatet e fundit zgjedhore në këtë vend nxorën në pah një moment shumë interesant: barazimin mes dy subjekteve politike maqedonase, LSDM dhe DPMNE, që e faktorizoi skajshëm votën shqiptare. Partitë shqiptare fillimisht u duk se dolën dobët për shkak se humbën 9 mandate deputetësh, por në plan afatgjatë ato fituan statusin e faktorit pa të cilin nuk bëhet kalkulim për formim të qeverisë. Me gjasë, ky moment ishte paksa problematik, pasi që nervozizmi të cilin e shprehin maqedonasit e sotëm, që protestojnë, flet për ëndrrat e këqija që i shohin natën udhëheqësit e tyre dhe që ditën i përkthejnë duke e gjykuar gabimisht se janë shqiptarët ata, fajtorët kujdestarë në këtë vend.

Krejt kjo situatë e krijuar thotë se faktori politik shqiptar është ai i cili e rikthen ëndrrën europiane të qytetarëve në Maqedoni. Por, kjo nuk u kuptua mirë pas një takimi në Tiranë, ku shqiptarët me të drejtë i hekurosën dallimet dhe u firmos një platformë, e cila i shpëton shqiptarët nga diskriminimi që u bëhet që nga ekzistenca e shtetit maqedonas. Njëra nga partitë (DPMNE) shpejtoi që platformën e arritur në Tiranë ta prezantojë si një prodhim i shtetit shqiptar, i cili e dëmton qenësinë e shtetit maqedonas. Në të vërtetë, kjo është një gënjeshtër që i duhet këtij mentaliteti për të shpëtuar nga burgu që i pret drejtuesit e lartë të shtetit maqedonas, të cilët nga viti 2006 e deri më sot abuzuan me shtetin dhe pushtetin.

Por, askush nuk e analizoi se çka në të vërtetë sjell platforma e Tiranës, posaçërisht një element i cili do duhej të përshëndetej e që u anashkalua. Elementi i mirëqenies ekonomike dhe përfitimi që do ta ketë Maqedonia nga fqinji i saj, Shqipëria, siç janë portet detare, pasi që Maqedonia nuk ka det dhe shfrytëzimi i porteve të Shqipërisë, do ishte një shpëtim për Maqedoninë. Në të kaluarën Greqia ka ditur jo rrallëherë t’i bllokojë portet e saj, duke i shkaktuar dëme goxha të mëdha ekonomisë së vendit të vogël, Maqedonisë. Por, Gruevski – i gjendur në panik se po i rrëshqet pushteti dhe nuk i dihet fati politik – e paketoi platformën e Tiranës në opinion si diçka që e dëmton këtë vend. E vërteta është se Shqipëria në kontinuitet e ka mbështetur Maqedoninë, por drejtuesit e Shkupit nuk kanë arritur të krijojnë dashamirësi me vendin që i garanton lëvizje të lirë qytetarëve të saj drejt Detit Adriatik, duke mos mohuar asnjë nga vlerat që i ka shteti i ri me probleme të vjetra me të gjithë fqinjët.

Shqipëria, realisht, me veprimet që i ka bërë deri më tani, në asnjë moment nuk e ka lënduar edhe ashtu shtetin e brishtë, por fatkeqësisht Shkupi s’po gjen forcë që ta tejkalojë veten dhe Shqipërinë ta shohë si një partner ekonomik, tregtar dhe si një aleat të fortë në zhvillimet gjeopolitike. Kur bota zien në të gjitha anët, Shkupi – në vend se të bëjë një aleancë me shqiptarët, sepse kjo i siguron prosperitet, kërkon dhe e nxit një nacionalizëm të pakuptueshëm, i cili edhe më tutje e fut në krizë vendin e vogël e me ëndrra të mëdha.

Porti i Durrësit dhe të gjitha rrugët e Shqipërisë janë një garanci për zhvillim të një vendi që nuk ka dalje në det, siç është Maqedonia. Duhet theksuar se Maqedonia kufizohet në dy anë me shtete shqiptare dhe me një faktor të fuqishëm shqiptar brenda në Maqedoni, i cili i garanton një prosperitet ekonomik, pasi që lidhjet shpirtërore janë të forta, gjë që do ta ndihmonte vendin e vogël për të siguruar rrugë tregtare që ekonomia të lulëzojë. Por, një pjesë e lidershipit maqedonas në esencë i ka ëndrrat e këqija: edhe pse e pranuan platformën shqiptare, në momentin që ndërkombëtarët i thanë jo një qeverie me Nikolla Gruevskin, ai u çua si një gjel i keq që kërkon të kafshojë gjithkend që i del para dhe e demonizoi këtë projekt. Shtetet, të cilat mendojnë për të ardhmen e tyre dhe të qytetarëve të tyre, mendojnë se si të bëjnë aleatë të fortë, me vizion, që u sigurojnë mirëqenie vendit të vetë, por rasti i kësaj mendësie është se shqiptarin e shohin si një problem për shkak të vogëlsisë dhe shpirtëngushtësisë. Në rastin e krizës politike në Maqedoni problemi qëndron se klasa politike, e cila realisht ka dalë në opozitë, e sheh të rrezikshme që Tirana të ndikojë dhe ta stabilizojë Maqedoninë: jo se nuk i pëlqen, por për shkak se një pjesë e mirë e politikanëve duhet të përfundojnë pas grilave. Në raste të këtilla, kur zakonisht abuzohet me një çështje, më së lehti është të thuhet se është një ndërhyrje nga jashtë dhe si një gjueti shtrigash për ta frikësuar qytetarin e rëndomtë maqedonas, që pasi që e vodhën, përdhunuan dhe e varfëruan, tash e frikësojnë për të mbijetuar politikisht.

Shqiptarët s’kanë se pse të frikësohen të thonë se platforma shqiptare e Tiranës nuk është as më shumë e as më pak se një projekt i cili e stabilizon Maqedoninë. Por, është vështirë që në rrethana të këtilla, kur situata është e elektrizuar dhe problematike, të gjykosh se çfarë fati është ta kesh një fqinj që ta ofron dorën për të dalë nga kjo situatë. Ndryshe një vend i cili është i konfrontuar me të gjithë fqinjët, por edhe me shqiptarët brenda vendit, realisht ka nevojë për të investuar që këtë mentalitet ta ndryshojë dhe investimet europiane do të duhej të fokusoheshin në këtë drejtim, pasi që ky mentalitet është rrezik për veten dhe rajonin, ngase ai prodhon problem pa nevojë.

Sot Gruevski koketon me Moskën dhe kjo është më se e dukshme, ndërsa shpreson se presidenca e re amerikane e Donald Tramp-it do ta shpëtojë dhe amnistojë, gjë që nuk besoj se do të ndodhë. Por, Gruevski tanimë nuk mërzitet shumë për Maqedoninë, por për veten e tij, sepse rrethi i është ngushtuar jo nga platforma shqiptare e Tiranës, të cilën e kishte pranuar me të dyja duart, por nga frika se do të përfundojë në gjykime pa fund. Prandaj Gruevski kërkon shpëtim dhe dëshiron të përfitojë në kohë që kështu të mjegullojë gjithçka, pasi do ta shpëtojë veten dhe rrethin e tij. Maqedonia ka nevojë për ndryshime, pasi që qeverisja BDI-DPMNE u tregua mjaft problematike dhe krijoi situate konfliktuoze, që një shoqëri demokratike nuk e duron. Platforma shqiptare e Tiranës nuk e rrezikon Maqedoninë, por atë e rrezikon mendja e Nikolla Gruevskit dhe e bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë, që e sollën deri këtu Maqedoninë.

Postime të Ngjajshme