` . Pjesa e Katalonjës në ekonominë e Spanjës - TV-SHENJA

Pjesa e Katalonjës në ekonominë e Spanjës

Rajoni autonom i Katalonjës, i cili së fundmi u përfol me referendumin për pavarësi të cilin Spanja e cilësoi si antikushtetues, vitin e kaluar ka shënuar tregti të jashtme në vlerë prej gjithsej 143 miliardë eurosh, shkruan Anadolu Agency (AA).

Me pranimin e kushtetutës demokratike të Spanjës në vitin 1978, Katalonia u njoh si popull dhe më pas fitoi autonominë. Rajoni shkoi në referendum për pavarësi më 1 tetor, të cilin qeveria e Spanjës më herët e cilësoi si të jashtëligjshëm. Në referendum, 90,9 për qind e votuesve votuan “pro” shkëputjes nga Spanja.

Sipas të dhënave të përpiluara nga AA, Katalonja gjeneron afërsisht 19 përqindëshin e prodhimit bruto të brendshëm të Spanjës, duke shfaqur performancë më të fuqishme ekonomike në krahasim me rajonet e tjera të vendit.

Burimet kryesore të të ardhurave të Katalonjës janë sektori i shërbimeve, industrisë dhe ai i bujqësisë. Barcelona, kryeqyteti i rajonit, zë vend të rëndësishëm që kontribuon në ekonominë e rajonit me turizmin dhe si qendër evropiane e dizajnit dhe bioteknologjisë.

Me 7,5 milionë banorë, Katalonja përbën 16 për qind të popullsisë së përgjithshme të Spanjës. Vitin e kaluar, prodhimi kombëtar bruto i saj ka arritur në 222,5 miliardë dollarë. Po atë vit, me 29.576 euro për kokë banori, Katalonja ka lënë mbrapa Spanjën, e cila ka arritur 24.100 euro për kokë banori.

Ky sukses ekonomik i Katalonjës është reflektuar edhe në uljen e papunësisë. Teksa shkalla e papunësisë në tërë Spanjën ka qenë mbi 20 për qind, shkalla e njëjtë në periudhën e njëjtë në Katalonjë është regjistruar në 14,9 për qind.

Kryeqyteti i Katalonjës, Barcelona, në të cilin gjenden objekte të arkitektit të njohur katalan Antoni Gaudi, ka potencial të madh turistik për rajonin.

Ndërsa 15 për qind e të ardhurave të rajonit vijnë nga turizmi, Katolonja vitin e kaluar është vizituar nga 17,9 milionë turistë, ndërsa të ardhurat që ka siguruar nga turizmi në këtë periudhë kanë arritur në 16,6 miliardë euro.

Vëllimi tregtar Turqi-Katalonjë është rritur për 24 për qind

Vitin e kaluar, vëllimi tregtar i rajonit ka arritur në 142,7 miliardë euro. Ndërkaq, tregtia mes Katalonjës dhe Turqisë shënoi një vëllim prej 2,6 miliardë eurosh. Ky vëllim në vitin 2015 ishte 2,4 miliardë euro, kurse në vitin 2014, 2,1 miliardë euro. Në këtë mënyrë, tregtia mes dy palëve është rritur për 24 për qind në tre vitet e fundit.

Vendet ku Katalonja zhvillon eksportin më të madh janë Franca, Gjermania dhe Italia, kurse Turqia radhitet e 11-ta. Ndërkaq, ajo më së shumti importon nga Gjermania, Kina dhe Franca, ndërsa Turqia në këtë listë radhitet e 15-ta.

Aktivitetet e fundit për pavarësi, edhe pse në masë të vogël, kanë shkaktuar zvogëlimin e atraktivitetit në sytë e investitorëve.

Investimet direkte në Katalonjë në vitin 2016 janë zvogëluar për katër për qind në krahasim me një vit më parë, duke rënë në 4,8 miliardë euro. Paqartësia që ende vazhdon në Barcelonë, ka filluar të ndikojë negativisht edhe në investimet në fushën e turizmit në rajon.

Postime të Ngjajshme