` . Pit Stop! - TV-SHENJA

Pit Stop!

Shkruan: Driton Demiri

Non progredi est regredi

Me fjalëpakë; Po hamendësoj, pra nuk mund të flas me siguri, mbase ne, e mbyllëm një cikël. Kujtimet fillojnë të akumulohen! Ndërsa, një njeri i matur nuk i lë asgjë rastit, as harresës. I prirur për ti thjeshtësuar gjërat. I pëlqen të mendojë!

…Ndërkohë, të gjithë nganjëherë dhe sa e do e kur e do nevoja duhet të ndalemi tek treçereku i kohës.

Ndalesë në box!

Ritëm, taktikë, për t’i arritur objektivat e synuara. Kujdes maksimal në këtë pikë. Veçse, ma do mendja, për garë e “beteja” nuk është i domosdoshëm vetëm se guximi porse edhe dituria e mençuria. Mbase zgjedhja e mençur bëhet që në fillim. Përndryshe, dhe gabimi më i vogël sjell rezultat të gabuar. Po zgjodhe pistën huq, huq të del! Disfatë! Dëshpërim!

Tashti s’ka si e s’ka pse të sorollatemi. Asnjë njeri nuk është një ishull, as ishujt nuk janë të tillë. Perspektivat edhe ashtu duken shumë të vakëta. Mos sillemi si ato shtojzovallet e mitologjisë e të përrallave që preferojnë këngë e valle në mes të pyjeve e maleve. Epo, me mite e përralla nuk bëhet thjesht asgjë. Siç po bëjmë, vërtetë shkatërrohemi. Nuk para më intereson siç ishim asokohe, porse si jemi sot. Vëzhgoj, vështroj, ndjej se, çfarë lojërash e çfarë gare po luhet, dhe se cilët janë rolet. Qartë e çiltër gjithçka! Kohë fëshfëriçkash që gënjehen për dy groshë më shumë. Teksa ri sjell në mend, heu; Aman,…deri ku shkuam. Një e vërtetë aq më shumë komike se sa fatale.

Ma merr mendja, nuk jemi kungull pa rrënjë, zotrore!

Mbase më është dashur të shpenzoj mjaft kohë duke rrëmuar nëpër ato rrënjë. Edhe kjo duhet ditur! Dhe përsëri asgjë, na parakaluan të gjithë. Madje kjo punë na ka nxjerrë shumë mësime. Për çfarë është kësisoj, ky frenim?! Ky boshllëk i madh! Çështje e pashpresë pothuaj se! Ju mund të befasoheni, vështirë se e teproj, tek them se, esprit de corps s’ka bardhë e zi, ka shpejt dhe ngadalë.

Pit stop! Refresh!

Kthim në pistë,…