` . Pique: Ishim inferiorë kundër Realit - TV-SHENJA

Pique: Ishim inferiorë kundër Realit

Real Madrid ka arritur tashmë trofeun e dytë të sezonit të ri. Pas Super Kupës të Evropës, klubi “mbretëror” fitoi të njëjtën garë kombëtare pasi dy herë mundi rivalin më të madh Barcelonën, së pari me 3:1 në Camp Nou, kurse në ndeshjen e kthimit mbrëmë me 2:0 në Santiago Bernabeu. Pas sfidës së mbrëmshme Gerard Pique, mbrojtësi i “Barçës”, ka thënë se skuadra e tij kundër Real Madridit ishte inferiore, raporton AA.

Reali në ndeshjen e dytë të Super Kupës së Spanjës luajti pa Cristiano Ronaldon, i cili u dënua me pesë ndeshje, të cilën e mori pas kartonit të kuq në Barcelonë. Përveç kësaj Zinedine Zidane ndeshjen e filloi me Gareth Bale dhe Isco në stol. Por edhe kjo nuk e ka ndihmuar klubit katalanas që të përballet më seriozisht me Realin.

“Ishim inferiorë ndaj Realit. Nuk jemi në momente të mira as si skuadër, as si klub. Ky është një proces i gjatë dhe ka ende shumë hapësirë për përmirësim. E rëndësishme është që të plotësojmë radhët tona dhe t’i kthehemi vazhdimit të sezonit”, ka thënë Pique për mediat spanjolle.

Sigurisht se shkuarja e Neymarit në Paris Saint-Germain ka lënë një shenjë në ekipin e Barcelonës, të paktën fazën fillestare të sezonit. Prandaj, “Barça” është në kërkim të përforcimeve të reja, që mbrëmë e konfirmoi edhe Pep Segura, drejtori i përgjithshëm i klubit.

“Jemi në bisedime me Liverpool për të arritur marrëveshje në lidhje me Philippe Coutinho, por ne nuk e dimë se kur ky proces do të përfundojë. Jemi të vetëdijshëm se duhet të përforcojmë ekipin dhe jemi duke punuar në të. Duam të ndihmojmë ekipin tonë”, tha Segura, duke shtuar se shpreson se së shpejti do të finalizohen negociatat jo vetëm në lidhje me Coutinho, por edhe për Ousmane Dembele nga Borussia Dortmund.

Sezoni në La Liga fillon më 18 gusht. Real dhe Barcelona në xhiron e parë do të luajnë dy ditë më vonë të dielën. “Barça” do të presë Betis, kurse klubi “mbretëror” do të jetë mysafir i Deportivo La Coruna.

Postime të Ngjajshme