` . Pështjellimi i pushteteve sjell rrënimin e shteteve | TV SHENJA
abdi baleta

Pështjellimi i pushteteve sjell rrënimin e shteteve

Shkruan: Abdi Baleta

Me shqetësim, por pa ngurrim, e them se në këtë fillimviti pyetja më therëse është: çfarë shtetesh dhe shoqërish do të kenë shqiptarët në fund të vitit? Mjaft ia bëmë qejfin vetes se jemi më mirë se kurrë më parë pasi i kemi dy shtete shqiptare: Shqipërinë dhe Kosovën. Disa përmendin edhe FYROM-in si “shtet i përbashkët i maqedonasve dhe shqiptarëve”, paçka se atje shqiptarët trajtohen thjesht si pakicë kombëtare. Por, në përgjithësi, heshtet për të vërtetën se kombi kompakt shqiptar ende nuk ka një “shtet kombëtar”, as gjysmë-shtete të konsoliduara e vitale. Ky shqetësim u shpreh qartë më 9 janar në Prishtinë në demostratën e opozitës me parullën “(Duam)SHTET ME SOVRANITET”. Këtë vit ky do të jetë problemi më i nxehtë që shqiptarët do t’i vë para përgjegjësisë më të madhe se kurrë ndonjëherë për të mos humbur e për të mos lejuar t’ua shkërmoqin shteshmërinë e paplotësuar me sovranitet të Kosovës. Nëse zhvillimet do të ecin si deri tani, duhet të presim patjetër ngjarje më të rënda dhe më tronditëse për të gjithë shqiptarët. Edhe kryeministri i Shqipërisë në fillim të janarit rishpalli se objektivi i tij parësor është “të bëjë shtet”, që nënkupton se shteti nuk është ende shtet solid. Në Shqipëri do të ketë rritje të mëtejshme të tensioneve politike, që do të çojnë në pasiguri më të madhe. Në FYROM politika shqiptare lëkundet midis dy prirjesh iluzore: thellim i integrimit në shtetin sllavomaqedonas ose ridefinim (i mjegullt) i këtij shteti sipas formulës deri tani të dështuar të barazisë së qytetarëve. Shanset për përmirësim janë të pakta. Shqiptarët atje do të përballen me peripeci të reja. Pra, shqiptarët janë kudo në kërkim të “një shteti më të mirë”, por ende jo të “shtetit të mirë” shqiptar .Vetëm Lëvizja Vetëvendosje e shtron me forcë alternativën e bashkimit kombëtar shqiptar. Shqiptarët do të jenë një shënjestjestër intrigash e përgojimesh të reja ndërkombëtare, sidomos në lidhje me përkatësinë e shumicës së tyre në besimin islam. Viti 2016 ka nisur me përgojimet e mediave britanike se ISIS-i kontrolloka parcelat e kanabis sativas në Shqipëri. Shtypi italian e përshkruan Shqipërinë si zyrë punësimi për xhihadistët, e cila rrezikon Italinë dhe shqiptarët si rekrurtues terroristësh për ISIS-in në Itali. Ndodh dhe më keq, kur një shqiptar, si gazetari kosovar i farkës së vjetër jugosllaviste, madje me emër Gani m… “mesazhet e urimit” për vitin e ri shumicës dërrmuese të bashkëkombasve të vet, që janë të besimit islam, ua dërgon nëpërmjet gazetës “Bota Sot”, por nga llogoret e islamofobisë e të turkofobisë në stilin e një zëdhënësi të katolikocentrizmit e të kristosllavizmit. Duke shpalosur mendësi inkuizicioniste e kryqzatare, që ngjajnë më fanatike e më anakronike se në mesjetën e errët, ai shkruan: “Turqia ua nguli thikën pas pas shpine shqiptarëve, i ktheu në mesjetë, i mbërtheu me narkozën e besimit të verbër islamik, i paralizoi si gjarpri bretkosën. Në misionin e shkombëtarizmit e debilizimit e ndihmuan komisarët (oficerët e zbulimit) nga Arabia Saudite, Irani, Egjipti, e ndihmuan edhe shtetarët tanë të korruptuar e të kriminalizuar” (“55” 18 janar 2016). Na mbetet t’i lutemi Zotit ose t’i japë fuqi këtij islamofobi e turkofobi të dalldisur që të shpëtojë shqiptarët nga mënxyrat, që i faniten llahtarshëm atij në kokë, ose t’ia kthjellojë pakëz mendjen që të mos vuajë aq shumë nga islamofobia e turkofobia e të mos neverisë shqiptarët.

Me hidhërim, por pa habi, e them se në Shqipëri lufta për shtetin është katandisur me kohë vetëm në luftë për pushtetin. Kryeministri i sotëm vazhdimisht u thotë shqiptarëve se ai ka si synim parësor të bëjë shtetin e rrënuar nga paraardhësit e vet në qeverisje dhe qorton opozitën politike, pushtetin gjyqësor, të korruptuarit, biznesin spekulues, një pjesë të shtypit dhe të medias etj., se po e pengojnë në punën e nisur. Sikur të ishte krejt kështu, qeverisja e tanishme socialiste Rama-Meta do të meritonte mbështetje të fuqishme. Por, Rama dhe qeveria e tij nuk kanë dhënë prova bindëse se janë vërtet të përkushtuar dhe të aftë për të “rilindur shtetin”. Kundërshtarët e qortojnë pa pushim Ramën se mendon vetëm për pushtetin e tij “absolut e hajdut”, synon të fusë në dorën e tij despotike tërë levat e shtetit, gjithë pushtetet, tërë ekonominë, mjetet e propagandës. Lufta politike për lakmi pasurore midis palëve rivale partiako-mafioze ka degjeneruar deri në atë shkallë sa të vjen neveri të ndjekësh ligjërimin politik të shumë pushtetarëve, të politikanëve opozitarë e të propagandistëve mercenarë. “Po shkatërrohet koalicioni i qelbësirave” shkruhej në “Sot” më 15 janar 2016, duke i bërë jehonë një shpërthimi të ri Berishës së entuziazmuar nga zërat se grindjet midis Ramës e Metës për “Reformën në drejtësi” do të çojnë në prishjen e koalicionit qeverisës, rrëzimin e qeverisë e në zgjedhje të parakohshme. Togfjalëshi “koalicioni i qelbësirave” prej kohësh është bërë si refren përbuzës në propagandën e PD-së, megjithëse njëri krah i këtij koalicioni, LSI e Ilir Metës, i ka dhënë dy herë pushtetin Berishës dhe ka qenë në koalicion qeverisës me PD-në në vitet 2009-2013. Por, nuk është vetëm PD-ja, që demonizimin e fyerjen e rivalit e ka strategji e stil politik. Nuk mbeten mbrapa edhe partitë tjera e politikanët e tyre. Edi Rama tani është konkurrenti kryesor i Berishës në garën demonizuese dhe njëkohësisht i demonizuar sa Berisha. Kështu, lufta për pushtet do të bëhet më e ashpër gjatë vitit 2016, kurse lufta e Ramës “për të bërë shtet” nuk ka gjasa të ngrihet mbi nivelet e tanishme të ulëta. Rama përballet gjithnjë më shumë me manovra politike e fushata propagandistike agresive, që e shpallin atë si e vetmja e keqe për Shqipërinë dhe synojnë të krijojnë “frontin e gjerë anti-Rama”, ku i rezervohet haptazi një vend e rol i posaçëm dhe Ilir Metës, po të braktisë Ramën. Shtetin në Shqipëri vazhdojnë ta destabilizojnë si më parë shumë forca të jashtme. Ato përpiqen ta largojnë edhe më shumë Shqipërinë nga ndeshjet diplomatike rreth Kosovës. Kjo gjë sikur po i pëlqen edhe qeverisë së Kosovës.

Me pikëllim, por pa hutim, them se sot askush nuk po e percepton qartë dhe nuk po e shpjegon dot saktë se çdo të thotë “të luftosh për të bërë shtet” në Shqipëri. Ekziston mendimi i përgjithshëm mpirës se shtetin e kemi, me të gjitha levat që i duhen, por pushtetaët herë nuk dinë e herë nuk duan t’i përdorin mirë ato. Kjo është e vërtetë. Por, që të bësh shtet, duhet të kesh pushtet të konsoliduar, efikas, veprues në çdo rrethanë e për çdo problem, pra pushtet me sovranitet të plotë brenda vendit. Kryeministri Rama nuk ka arritur të ketë një pushtet të tillë, megjithëse e ka ambicien dhe mburret se qeverisja e tij u vendos me 1,000,000 vota. Ai nuk i mbështet dot përbetimet me veprimet; ka braktisur zyrën dhe endet pa busull politike e diplomatike nëpër botë e nëpër Shqipëri, gjë që e ngarkon çdo ditë me përgjegjësi që shteti nuk funksionon, kur i ka mbetur më pak se gjysma e mandatit pushtetor. Një tjetër e keqe madhe është mbushja e administratës shtetërore në shumë hallka e në gjithë nivelet, me njerëz të paaftë, të pandërgjegjshëm e të papërgjegjshëm, me nëpunës që më shumë u përkushtohen veseve e lakmive të tyre të punës shtetërore. Partitë që janë shkëmbyer në qeverisje në vend që t’i prisnin rrugën kësaj të keqeje e kanë nxitur e përhapur atë. Atë nuk e ndryshon dot lehtë e shpejt cilado parti ekzistuese, që qëndron ose vjen në pushtet, edhe sikur të dojë. Administrata është ndërtuar e rindërtuar me militantë të partive pas çdo ndërrimi të qeverisjes. Kështu, një masë e madhe qytetarësh tanimë janë tjetërsuar, janë zhveshur nga përgjegjësia para shtetit dhe janë vënë në shërbim të bandokracisë partiake. Kjo e bën më të vështirë e të largët punën për ndërtimin në Shqipëri të shtetit të së drejtës.

Jo për përgojim, por me bindje nga një përvojë dhe vëzhgime shumëvjeçare, e them se në Shqipëri nuk mund të bëhet shtet i së drejtës me një pushtet gjyqësor (gjykata, prokurori dhe seksero-avokati) të korruptuar, me një kushtetutë të miratuar në antikushtetutshmëri. Debatet e shkapërderdhura që bëhen prej disa kohësh mbi “Reformën e thellë në drejtësi” pas vitit 1991 janë paraprirë nga një mori reformash voluntariste anarko-demokratike, që nuk kanë çuar në vendosjen e një sistemi të qartë, të mbarështruar e të qëndrueshëm jurisprudence. Në dhjetor 1990 – shkurt 1991 kam qenë pjesëmarrës në debatin e parë televiziv, të drejpërdrejtë me disa seanca, të zhvilluar midis 4 jurishtësh të ndarë në “palë kundërshtare” (dy nga Partia e Punës – dy nga lëvizja demokratike opozitare) rreth temës se si duhej të ishin kushtetuta dhe legjislacioni i Shqipërisë në kushtet e pluralizmit politik. Debat bëri shumë jehonë në opinionin publik dhe TVSH mori urdhër nga pushteti, ende komunist, që të ndërpitej pa u trajtuar të gjitha çështjet e planifikuara. Është paradoks që në vitin 2015-’16, midis atyre që po përpunojnë ndryshimet kushtetuese e dipozitat ligjore për të nxjerrë pushtetin gjyqësor nga kolapsi janë edhe dy përfaqësuesit e Partisë së Punës në debatin e atëhershëm. Krahas atij debati PPSH dhe PD përpunonin në heshtje një tekst, që u paraqit papritmas dhe u miratua nxitimthi nga parlamenti i parë pluralist në prill të vitit 1991 nën emërtimin “Dispozita kryesore të përkohshme kushtetuese”. Grupi parlamentar i PD-së fillimisht vendosi të mos e mbështeste atë tekst. Por, një ditë më vonë Sali Berisha arriti të impononte një qëndrim të kundërt, pas pazareve të reja që kishte bërë me Ramiz Alinë. Hapi i parë i bujshëm i Berishës, sapo u zgjodh president në vitit 1992, ishte një atentat ligjor kundër “Dispozitave…”, duke i imponuar grupit parlamentar të PD-së, që zotëronte shumicën në legjislativ, zgjerimin e pushteteve të kryetarit të shtetit deri në kufijtë e një republike presidenciale. Jam penduar që në grupin parlamentar të PD-së nuk këmbëngula deri në fund që të mos kryhej ky atenat. PD-ja e nisi kështu pushtetin, duke minuar vlerat dhe tekstet kushtetuese. Më 1994 nuk gabova më, por luftova fort në parlament dhe jashtë tij kundër praktikave të Berishës për ta përdhosur sërish kushtetutshmërinë në shtetin shqiptar, duke nxjerrë parlamentin jashtë funksionit dhe kompetencave të tij për miratimin e kushtetutës, gjoja për t’i dhënë përparësi “demokracisë direkte”, të miratimit të saj vetëm me referendum popullor. Fatmirësisht referendumi i 6 nëntorit 1994 e hodhi poshtë projektin berishian antikushteues të kushtetutës. “Dipozitat e përkohshme…” mbetën vepruese edhe për 4 vjet të tjera, deri në nëntor 1998, kur parlamenti i kallashit, që kishte dalë pas rebelimit të armatosur të pranverës së vitit 1997, miratoi një tekst kushtetute të përpunuar nën drejtimin e rreptë të juristëve grekë. Opozita mbeti jashtë punës për përgatitjen e tekstit, jashtë miratimit parlamentar të tij dhe e bojkotoi referendumin që pasoi. Në këtë rast kam vepruar në solidaritet me PD-në. Edhe kjo kushtetutë nuk u shpëtoi atentateve politike, sepse ka pësuar disa ndryshime të nxituara qysh atëherë, thjesht për pazare e përfitime partiake dhe individuale. Në vitin 2008 ishin krerët e dy partive politike rivale, Berisha i PD-së në pushtet dhe Rama i PS-së në opozitë, që ndryshuan në fshehtësi sistemin zgjedhor, mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të shtetit dhe rregullat e shpërndarjes së parlamentit në rast se kryemnistri humbet votëbesimin etj. Tani përsëri bëhen përpjekje për ndryshime të tjera kushtetuese (afër 70 të tilla) gjoja për të mundësuar “reformën e thellë në drejtësi”, për të ”dekriminalizuar parlamentin, organet pushtetore qendrore e vendore dhe administratën publike”. Përsëri politikanët dhe ekspertët rekomandojnë shkelje të kushtetushmërisë për të miratuar tekstet e reformës me referendum pa i miratuar më parë në parlament. Në krye të punëve për këto ndryshime qëndrojnë politikanët që kanë kurdisur atentatet e mëparshme dhe shumë nga ekspertët që i kanë ndihmuar ata. Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të ndreqet duke i vënë herë pas here mballoma. Shqipëria ka nevojë për një kushtetutë të përpunuar nga e para, të çliruar nga damka e pakushtetutshmërisë, nga mangësitë e vërtetuara në praktikë dhe nga hija e keqe e diktatit politiko-juridik grek. Drejtësidhënien në Shqipëri e ka dëmtuar rëndë lufta që ka zhvilluar Berisha me 4 nga 6 prokurorët e përgjithshëm, deri në largimin e tyre të parakohshëm ose me keqdashje nga posti. Prokurorin, me të cilin Berisha ishte i kënaqur, e larguan socialistët pas vitit 1997. Prokurori i tanishëm përflitet se është në prag të largimit të parakohshëm. Në vitin 1992 Berisha si president më ofroi vendin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, me synimin që të mos isha në parlament. Unë refuzova e ai mbeti qejfprishur. Në vitin 1993 grupi parlamentar i PD-së ushtroi trysni mbi presidentin, që të më propozonte për prokuror të përgjithshëm dhe ai zyrtarisht më thirri e më tregoi tekstin e bërë gati të propozimit në rast se unë pranoja. Sërish refuzova, sepse doja të vazhdoja luftën politike në parlament. Këtë radhë ai u gëzua shumë nga refuzimi im. Prokurorin ka dashur ta ketë gjithmonë të bindur ndaj tij.

Me keqardhje, por pa tronditje, them se “Reforma në drejtësi” po shkon drejt dështimit, siç po ndodh edhe me “dekriminalizimin e parlamentit”, me “hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit”, me “zgjidhjen e çështjeve të pronësive mbi tokën”, me “vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm zgjedhor” etj. Të trullosur nga një zhurmë e madhe mbi “Reformën në drejtësi”, shqiptarët filluan të shpresonin se diçka me rëndësi të veçantë po ndodhte në drejtim të përmirësimit rrënjësor të gjyqësorit shqiptar. Shpresat bëheshin më të mëdha pasi shqiptarët shihnin gati çdo ditë ambasadorin e SHBA-ve, atë të BE-së, të Gjermanisë e të ndonjë vendi tjetër të madh demokratik, të shfaqeshin para publikut me “këshilla të urta”, me kërkesa ultimative e deri me kërcënime të forta që reforma në drejtësi të bëhej sa më parë, sa më e thellë dhe sa më e pamëshirshme ndaj korrupsionit e të korruptuarve. Ata kërkonin me ngulm, madje shpallnin publikisht sikur të ishin prokurorë shqiptarë, se do të kishte arrestime e burgosje gjyqtarësh e prokurorësh, politikanësh e ministrash dhe verifikime të pasurive të tyre. Nuk munguan thirrjet diplomatike që të korruptuarit të largoheshin vetë nga gjykatat e prokuroritë, duke u premtuar atyre pazare me leverdi (por, gjithsesi korruptuese në parim) se nuk do të kishte më pas ndjekje penale për ta ose verifikime të pasurive. Ky vrull diplomatik filloi të ulej si flaka e krandeve në janar 2016. Pushteti ambasadorial, një pushtet i veçantë (i pesti) në Shqipëri, po provon gjithashtu dështimet e veta, po bëhet edhe objekt humori publik dhe shpotish nëpër gazeta e ekrane televizive. I kërkohet gjithnjë e më shpesh ambasadorit amerikan të flasë konkretisht, e jo vetëm të kërcënojë në përgjithësi kriminelët e shpërdoruesit e ligjit. Shqiptarët po kujtohen për mençurinë e vjetër se “i zoti duhet ta nxjerrë gomarin nga balta”. Kundër premtimeve e paralajmërimeve tërmetndjellëse nga pushteti ambasadorial dhe përbetimeve të kryeministrit Rama u mobilizuan haptazi ose nëpër kulisa, të gjithë të pakënaqurit, të kërcënuarit e të frikësuarit, si nga opozita, por edhe nga brenda koalicionit qeverisës. U trondit koalicioni Rama-Meta. Pushteti gjyqësor mori nga e keqja guxim – të bëjë sfidat e tij ndaj reformës. Grupimet politike-mafioze janë hedhur në sulm të plotë me gjithfarë sorollatjesh brenda në Shqipëri e në kontaktet ndërkombëtare, që ta vonojnë, ta zbehin e ta sabotojnë edhe atë reformë që është përgatitur. Reforma e premtuar dhe e trumbetuar me bujë praktikisht po kthehet në “Anti-reformë në drejtësi”, çka shprehet edhe në tituj shkrimesh si: “Nuk ka reformë, ka shkatërrim të konstitucionalizmit” (“MAPO”,. 18 janar 2016). Gjasat më reale janë që “Reforma” të katandiset në një moratorium për të gjitha krimet e rënda, që janë bërë në çdo fushë, sidomos të grabitjes së “ndershme” të pasurive shtetërore e kombëtare, të ryshfetit, të korrupsionit, të kontrabandës nga njerëzit më të fuqishëm të pushtetit e të politikës dhe nga forcat më të organizuara të krimit. Mekanizmat e komplikuara në organizimin e drejtësisë të parashikuara nga ekspertët mund të rezultojnë të kthehen shpejt në mjete të sofistikuara dinakërish të reja juridike që politikanët t’i bëjnë shantazh njëri-tjetrit. Për reformën reale në drejtësi ka dy rrugë: 1) Fshirje radikale e sistemit të tanishëm partiak, çka nuk bëhet pa revolucion shoqëror; 2) Zëvendësimi i një numri sa më të madh gjyqtarësh e prokurorësh, çka nuk bëhet lehtë pa një pushtet politik autoritarist, të ndershëm e të përkushtuar vetëm ndaj shtetit. Për shkundjen e parë të pushtetit gjyqësor do të vlente më shumë një thirrje diplomatike atyre që e dinë veten të ndershëm që të largohen vullnetarisht dhe të mos mbajnë më tej njollën e mosbesimit të opinionit publik. Këto nuk do të ndodhin në vitit 2016 dhe as për shumë vite.

Postime të Ngjajshme