` . Pesëmbëdhjetë milionë eurot e para nga kreditë e lira të BIE për kompanitë e vogla dhe të mesme nga java e ardhshme - TV-SHENJA

Pesëmbëdhjetë milionë eurot e para nga kreditë e lira të BIE për kompanitë e vogla dhe të mesme nga java e ardhshme

Kësti i parë në vlerë prej 15 milionë euro të kredive të lira për kompanitë e vogla dhe të mesme përmes BIE-së, do të transferohet javën e ardhshme. Kjo u theksua në takimin midis ministrit të Financave, Dragan Tevdovski dhe nënkryetarit të Bankës Investuese Evropiane Endru Mekdovel, kumtoi sot Ministria e Financave. “Këto janë mjetet e para nga tërë linja kreditore për ndërmarrje të vogla dhe të mesme në vlerë prej 100 milionë euro. Këshilli e ka miratuar këstin prej 15 milionë euro dhe ajo duhet të tërheqet më 17 prill, gjegjësisht javën e ardhshme. Me këtë do të mbështeten investimet e 39 kompanive të vogla dhe të mesme”, tha Tevdovski.
Pothuajse 90 për qind e projekteve në këstin e parë janë investime afatgjate. Më shumë investohet në objekte afariste, pajisje dhe mjete transportuese, ndërsa më pak në mjete qarkulluese. Kjo do të thotë edhe hapje të shumë vendeve të reja të punës. Tevdovski theksoi se përveç linjës së lirë kreditore për ndërmarrje të vogla dhe të mesme me BIE-në është folur edhe për financimin e pjesës së tretë të grupit ët Korridorit VIII, gjegjësisht deri në kufirin me Bullgarinë. Gjithashtu është folur edhe për 50 milionë euro të reja për projektin për ndërtimin e ujësjellësit dhe kanalizimit. “Veçanërisht është e rëndësishme mbështetja të cilën BIE-ja do ta japë në sektorin energjetik në vend, gjegjësisht lidhjes me gaz me Greqinë”, ka thënë Tevdovski. Delegacioni i kryesuar nga ministri i Financave, Dragan Tevdovski dhe guvernatorja Anita Angelovska-Bezhovska përveç me përfaqësuesit e BIE-së, realizoi takim edhe me Pol Tompsen, drejtorin e FMN-së për Evropën dhe me Jasmin Rahman, shef i misionit të FMN-së për vendin. /MIA/