` . Përvoja e besimit të pejgamberit Ibrahim dhe skema e njohjes shkencore sipas Karl Poperit - TV-SHENJA

Përvoja e besimit të pejgamberit Ibrahim dhe skema e njohjes shkencore sipas Karl Poperit

Dijet janë rrjetëzime pothuajse të mistershme të informatave, nga burime e fusha të ndryshme, shumë herë kundërthënëse e përjashtuese, por që në interkasionin e tyre përftojnë qasje, koncepte, njohuri e zgjidhje të reja të problemeve.

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Në ajetet 76, 77, 78 të sures El Enam paraqiten dilemat e Ibrahimit lidhur me besimin në Zot, e cila sipas konceptimit poperian mund të quhen sprovat e gabueshme deri në eliminimin e tyre dhe gjetjen e zgjidhjes së duhur. I lindur dhe i rritur në një mjedis ku dominonte idhujtaria, Ibrahimi, për besimin e vet fetar, nuk ka një zgjidhje të gatshme, e cila do ta kënaqte dhe qetësonte shpirtin e tij kërkues dhe të trazuar. Ai vihet në kërkim, ndonëse duke kaluar nga një gabim në një tjetër. Kësisoj, kur e sheh hënën, Ibrahimi thotë se ky ishte zoti i tij. Por, kur hëna zhduket, ai zhgënjehet dhe e kupton se e kishte gabim. Kur del dielli, ai ekzaltohet, duke thënë se ai ishte zoti i tij, meqë edhe ishte më i madhi. Por, kur dielli perëndon, Ibrahimi zhgënjehet edhe më shumë dhe ashtu arrin të bëhet i ndërgjegjshëm për gabimet e veta. Pasi bindet se ato sprova për njohjen e Zotit ishin të gabueshme, ai i eliminon ato sprova të gabueshme dhe i mbështetet Krijuesit të vërtetë, duke kërkuar vetëm ndihmën e Tij. Pra, me anën e eliminimit të gabimeve (sprovave të gabueshme), Ibrahimi arrin te gjetja e së vërtetës. Pastaj i pajisur me besimin e vërtetë, me vendosmërinë e plotë dhe me virtytet e larta që i dhurohen nga Zoti i botëve, Ibrahimi gjendet përballë problemeve të reja, si pejgamber dhe si udhëheqës i madh i njerëzve në rrugën e besimit të drejtë.

Po qe se nuk do ta kërkonte me aq ngulm të vërtetën, po qe se do të dorëzohej në gabimin e parë, po të mos e tejkalonte egon e vet dhe kufizimin e njohjes prej tij, edhe Ibrahimi do të mund të mbetej në sprovën e parë, pra që ta besonte hënën si zot, e shumta diellin dhe ashtu do të ishte idhujtar. (Shumë individë e, madje, edhe popuj të shumtë në rrjedhë të historisë së njerëzimit, deri në ditët tona, kanë ngelur në stad të atillë të idhujtarisë, anekënd botës. Edhe pse të gjithë njerëzit esencialisht janë homo religiosus, jo të gjithë arrijnë ta kalojnë stadin e idhujtarisë, besimeve politeiste, kjo sigurisht për shkak të mungesës së guximit për të ecur përpara në kërkimin e së vërtetës.) Ibrahimi i eliminoi gabimet e veta dhe ashtu dëshmoi se kërkimi i së vërtetës është detyrim dhe se shpërblehet nga Zoti.

Ajo që më ka nxitur shumë të mendoj për këtë metodologji të tij drejt së vërtetës, besimit të vërtetë, është tipologjia që e ka bërë Karl Poperi lidhur me procesin e njohjes shkencore, e cila, proceduralisht, ka ngjashmëri me rrugën që ndoqi pejgamberi Ibrahim drejt së vërtetës. Poperi thotë se kur ekziston problemi, synohet të zgjidhet me anën e sprovave të ndryshme, që nuk janë zgjidhje të gatshme, por në të shumtën e rasteve janë sprova të gabueshme. Testimi i tyre shpie drejt gjetjes së zgjidhjes së problemit. E kur problemi zgjidhet, atëherë eliminohen të gjitha sprovat gabueshme dhe mbahet vetëm ajo që e ka ofruar zgjidhjen e problemit. Ndërkaq, pas zgjidhjes së atij problemi, shfaqen probleme të reja. Skema shkencore poperiane më rezulton paraprakisht skemë e vërtetuar besimore ibrahimiane. Diskutimi i Poperit lidhur me këtë skemë është një trajtesë e gjatë, me detaje, me krahasime, me argumentime të ndryshme, të cilat nuk e shoh të nevojshme t’i përshkruaj. Ajo që më impresionon në këtë mes është se skema e Poperit vërteton se përvoja e pejgamberit Ibrahim është skemë e kërkimit këmbëngulës, gradual, kritik e logjik drejt së vërtetës.

Në këtë kontekst, është e sigurt se Kurani famëlartë, me anën e shembujve, evokimeve dhe ilustrimeve të shumta, ofron shembuj mbresëlënës të kërkimit, njohjes dhe të argumentimit që mund t’i shërbejnë edhe mendimit shkencor. Shembujt e tillë duhet të identifikohen dhe të shfrytëzohen në procesin e njohjes dhe të zgjidhjes së problemeve të reja, që shfaqen me zhvillimet e reja të shoqërive njerëzore anekënd botës. Shembujt mund të gjenden për probleme të përgjithshme e të veçanta, për problemet e vjetra, që kanë mbetur të trajtohen me sprova të gabueshme, por edhe për problemet e reja, që mund të zgjidhen më shpejt, duke i eliminuar gabimet eventuale dhe ato potenciale.

Për një qasje të tillë kanë nevojë më së shumti muslimanët, në trashëgiminë e të cilëve është stivuar një sasi e madhe e diturisë së tejkaluar, por e cila konsiderohet si dije aktive dhe aktuale, pa qenë e tillë dhe asisoj ajo është bërë bllokuese e mendimit dhe kërkimit të ri shkencor. Sot e gjithë ditën disa vepra autorësh të shekujve të largët mbahen si referenca valide për probleme të ndryshme të dijeve sociale e humanistike, ndërsa e vërteta është se ato janë dije të tejkaluara dhe që nuk mund ta përballojnë verifikimin shkencor. Shumica, në fakt, as që kanë pasur për objekt trajtimi problemet e kohës sonë. Rrjedhimisht, nuk mund të ofrojnë as zgjidhje konkrete për problemet konkrete të kohës sonë. Ato sigurisht që kanë vlera të caktuara, si referenca në kuadër të historisë së mendimit e të dijes, por jo si dituri aktive, aq më pak si dituri që mund të aplikohet.

Për dallim prej asaj trashëgimie të dijeve të tejkaluara, Kurani famëlartë, duke përfshirë këtu edhe shembullin e përvojës së Ibrahimit, mund t’u shërbejë edhe sot njerëzve anekënd botës, si përpjekje guximtare dhe këmbëngulëse drejt gjetjes së të vërtetës. Bile, ndihma e tillë për njerëzit në kushtet konfuze të postmodernizmit, ku njerëz të shumtë e kërkojnë të vërtetën e besimit fetar, si ngushëllim dhe si shpëtim, nëpërmjet dyshimeve dhe verifikimeve, mund të jetë signifikante. Njerëzit e kësaj kategorie kulturore, sociale e mentale, mund të gjejnë në shembullin e dilemave dhe kërkimeve ngulmuese të Ibrahimit, shëmbëlltyrën e duhur të njeriut të injoruar e të vetmuar, të njeriut të hutuar, por i cili nuk ndalet së kërkuari zgjidhjen e duhur dhe shpëtimin.

Në këtë kontekst, Kurani ofron mundësi të mëdha të ngushëllimit dhe të kërkimit të shpëtimit të njeriut të sotëm. Gjithsesi, Kurani është dhe mbetet shpallje hyjnore, qëllimi i parë i të cilit është thirrja e njerëzve në rrugën e drejtë të besimit dhe në shpëtim. Por, në vazhdë të kësaj, lehtësimi i gjetjes së zgjidhjeve të problemeve dhe gjetjes së rrugës së duhur në jetë është gjithsesi një ofertë zemërgjerë e tij. Rrjedhimisht, Kurani duhet të vazhdojë të lexohet për adhurim ndaj Zotit e në këtë vazhdë edhe për zbulimin e të vërtetave shkencore, që mund ta forcojnë edhe më shumë besimin që buron prej mesazheve të tij. Në këtë aspekt, dijetarët muslimanë do të duhej të riktheheshin për studime të frymëzuara të përmbajtjeve edhe mesazheve të Kuranit, me çka do të mund të kontribuonin realisht në zbulime të së vërtetave shkencore jo vetëm në shkencat natyrore e mjekësore, por edhe në shkencat sociale e humanistike.

Për fund: edhe pse e sajova një ndërlidhje të skemës poperiane me përvojën jetësore e besimore të pejgamberit Ibrahim, e kam të pamundur ta di se cili ka qenë raporti i Poperit me njohjen e Kuranit dhe të kuptuarit prej tij të përvojës së pejgamberit Ibrahim. Por mbetem në qëndrimin se skema e propozuar prej Poperit ka mundur të iniciohet prej njohjes së asaj përvoje, si asociacion, si figurë, si analogji. Dijet janë rrjetëzime pothuajse të mistershme të informatave, nga burime e fusha të ndryshme, shumë herë kundërthënëse e përjashtuese, por që në interkasionin e tyre përftojnë qasje, koncepte, njohuri e zgjidhje të reja të problemeve. Pavarësisht kësaj, mund të konkludoj se nëse filozofia e shkencës i rikthehet leximit aktiv e korrekt të librave të shenjtë, veçmas shpalljes së fundit, Kuranit, mund të pritet një rigjallërim i saj dhe hapje e shtigjeve të reja të njohjes e që andej edhe të zgjidhjes së problemeve të grumbulluara të shoqërive njerëzore. Gjithsesi, dija e mirëfilltë pastaj do ta dinamizonte edhe gjetjen e rrugëve të njerëzve drejt besimit të vërtetë, ashtu siç ka njoftuar Zoti se Atij ia kanë frikën vetëm dijetarët. Por, dijetarët e vërtetë. Ia kanë frikën vetëm dijetarët, sepse ata arrijnë ta njohin dhe ta kuptojnë më shumë sesa të tjerët ligjshmërinë e krijimit, mrekullinë e krijimit dhe fuqinë absolute që qëndron sovrane mbi mbarë krijimin.