` . Përurohet shkolla e re në fshatin Kosturnik, banorët e ndërtuan vetë (Video) - TV-SHENJA

Përurohet shkolla e re në fshatin Kosturnik, banorët e ndërtuan vetë (Video)

Vogëlushi me emrin Altin Qerimi ka qenë donatori i parë i shkollës fillore në fshatin “Kosturnik” që është ndërtuar kryekëput me para të banorëve lokal dhe donatorëve.

Qahil Qahili, kryetar i bashkësisë lokale

Kur ma ka parë fletoren që po mbledh të holla, ky e ka zgjatë dorën. Lotët më shpëtuan. Më tha Aga Qahil merri pesë euro, vetëm ma shkruaj emrin në fletore. E kam shënu në fletore, mi ka dhënë  pesë euro dhe ka vazhduar rrugën. Unë jam mirënjohës ndaj tij.

Altin Qerimi, nxënës

“Kam dashtë shumë të hyjë në shkollë të re, të mësoj më mirë.

A je i kënaqur tash?

Po”

Ky fshat që është afro 9 kilometra larg qytetit të Kumanovës, me 100 përqind popullatë shqiptare, ka ndërtuar një shkollë të re nga themelet, në mënyrë që fëmijët të mos detyrohen të mësojnë në objektin privat tejet të ngushtë që e shfrytëzonin më parë, me kushte elementare.

Nxënës

“Ngushtë ka qenë. Te shkolla re pak më mirë. Klasat janë shumë të mira. Te shkolla e vjetër klasat ishin më të vogla”  

Nxënës

“Po shumë, shumë mirë”

Mësuesi i parë i kësaj shkolle Femi Rexhepi, ka kaluar gjithë jetën e tij profesionale duke edukuar brezat e rinjë, dhe më shumë se 20 vite në shkollën e improvizuar në Kosturnik.  Ai tashmë në prag të pensionit, arriti të shohë një shkollë të denjë për nxënësit e tij, pas viteve të lodhshme të ecjes për kilometra të tëra në këmbë,  deri tek shkolla më afërt në fshatin Konjare të Epërme.

Femi Rexhepi, Mësues në shkollën “Vëllezërit Ribar”

“Vërtetë ka qenë e vështirë që me një lokal, me një objekt të vogël të zhvillohet mësimi. Kemi mësuar me nga dy apo tre klasë të kombinuara. Klasa është shfrytëzuar edhe si zyrë për arsimtarët pasi ata nuk kanë patur as ku të pijnë një gotë ujë ose ta bëjnë një kafe. Ajo që bie në sy këtu është hapësira e përshtatshme, drita e mjaftueshme dhe komoditeti i nxënësve”

Asnjë përfaqësues politik nuk ka ardhur në hapjen solemne të objektit, pasi që banorët ua kanë bërë të qartë se nuk janë të dëshiruar. Ia kanë bërë me dije edhe Ministrisë së Arsimit që nuk mund të vijnë në hapje të një shkolle për të cilën nuk kanë dhënë asnjë denar.

Qahil Qahili, kryetar i bashkësisë lokale

“Nga Ministria e Arsimit deri më tani nuk na kanë dhënë asnjë ndihmë. Deri më tani kërkesat tona kanë shkuar në vesh të shurdhër, prandaj nuk kam çfarë t’u them “

Komuna e Kumanovës e pranon se nuk ka ndihmuar asgjë për ndërtimin e shkollës, por zotohet se tash e tutje do të jetë në dispozicion për çdo nevojë të shkollës, përfshirë edhe procedurën e legalizimit të objektit.

Zhika Stojanovski, komuna Kumanovë

“Ne nuk do ta lëmë këtë shkollë. Për fat të keq, ose ndoshta më mirë do ishte të thoja për fatë të mirë që kur shteti ose komuna nuk munden të ndërtojnë, vetë prindërit organizohen për përmirësimin e kushteve për mësim të fëmijëve të tyre. Ne si komunë e përshëndesim këtë iniciativë qytetare, dhe prej tani e tutje, mirëmbajtja do të jetë puna jonë. Do të sigurojmë mjete nëpërmjet bllok dotacioneve ose ngjashëm”

Nxënësit në këtë shkollë mësojnë deri në klasën e pestë, e më pas transferohen në shkollën e Kumanovës, por ato pesë vite mësim fillestar në fshat, nuk kalonin aq lehtë. Fëmijët e Kosturnikut, para vitit 1994, kanë shkuar në shkollë deri në fshatin Konjare të Konjare të Epërme. Edhe pse shumë të dobët ndaj kushteve atmosferike, dhe nga lodhja, duhej të udhëtojnë disa kilometra për të shkuar në shkollë. Shpesh siç rrëfenin banorët, fëmijët mbeteshin në baltë ose në borë, ndërsa arsimtari i fshatit që udhëtonte me ta, i shkonte koha duke mbledhur fëmijët që i mbeteshin pas, rrugës për në shtëpi.

Shkolla e Kosturnikut numëron 24 nxënës nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Për ndërtimin e shkollës, sipas llogaritjeve të përgjithshme të kryetarit të bashkësisë lokale,janë harxhuar mbi 30 mijë euro para të thata, por ka patur edhe një mori firmash ndërtimore që kanë dhuruar material ndërtimor, dhe kjo vetëm shton koston e objektit. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/