` . Përtej tribalizmit – TV-SHENJA

Përtej tribalizmit

Aksesimi në informacion, libra e arkiva sot është shumë herë më i lehtë se më parë. Nëse atëherë mund të lexonim vetëm libra të klasifikuar sipas kritereve politike e ideologjike të kohës, sot mund të lexojmë libra të ndaluar, dekadentë, obskurantistë

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Periudha në të cilën jetojmë ka krijuar hapësira të shumta stacionimi dhe ka mundësuar dimensione të reja të vjeljes së diturive dhe informacionit. Rrugët e vjeljes janë “të panumërta”. Ajo çfarë na duhet është ambicia e shoqëruar me vullnet dhe djersitje. Këtu nuk e kemi fjalën për ambicien e verbër, që shuan çdo lloj embrionalizmi serioz në punën për të lexuar dhe interpretuar atë që lexojmë. E kemi fjalën për ambicien që i shërben nxitjes dhe ushqimit të vullnetit për t’iu qasur me pasion të pashtershëm diturive. Për ambicien e çliruar nga egoizmi dhe etja për famë e lavdi përmes diturive. Për ambicien e çliruar nga narcizmi. Për ambicien e çliruar nga etja për të shtypur tjetrin dhe për të rrëmbyer ekskluzivitetin e diturive. Për ambicien e pamolepsur nga puthadorjet për përfitime të pamerituara.

Aksesimi në informacion, libra e arkiva sot është shumë herë më i lehtë se më parë. Nëse atëherë mund të lexonim vetëm libra të klasifikuar sipas kritereve politike e ideologjike të kohës, sot mund të lexojmë libra të ndaluar, dekadentë, obskurantistë.

Nëse atëherë mundtë dëgjonim informacione të ngjyrosura vetëm me një ngjyrë, në orare të kufizuara dhe me lavdërime që ngrinin në qiell sukseset e panumërta në ndërtimin e socializmit me forcat tona, sot mund të dëgjojmë habere nga të katër anët e botës, 24 në 24.

Nëse atëherë vilnim nga arkivat vetëm atë që i shërbente politikës dhe ideologjisë së kohës, sot mund të vjelim frutat e ndaluara ideologjikisht dhe t’i përtypim lirshëm e pa kufizime interesash meskinë.

Nëse atëherë ishim të detyruar të heshtnim dhunshëm për të artikuluar të vërtetat që i preknim dhe na preknin çdo ditë, sot mund t’i bëjmë publike këto të vërteta që kushdo të mund të ndjejë aromë vërtetësie. Nëse ndokush i ka të dëmtuara hojëzat e mushkërive nga ajri ideologjik, i urojmë shërim dhe e këshillojmë të dalë në ajër të pastër në bjeshkë të larta.

Nëse atëherë edhe ëndrrat duhej t’i shihje me natyrë ideologjike, sot mund të shkojmë aty ku lirshëm na çon shpirti.

Nëse atëherë na duhej të ngrinin statuja dhe kulte individësh politikë e ideologjikë, sot mund t’i shkërmoqim me dritën e së vërtetës.

Nëse atëherë ngritëm në piedestal ronxho-bonxho pa shtyllë kurrizore e strukturë skeletore të qëndrueshme, sot kemi mundësinë t’ua lëmë peshqesh atyre qëi kanë qejf këta “sojlinj”.

Nëse atëherë rrahëm gjoksin për trimërira të pashembullta në betejat kundër kapitalizmit e revizionizmit, sot kemi mundësinë të çmeritemi e mbetemi të pataksur nga trimëria jonë. Na mbetet vetëm të pohojmë sesa trima të mëdhenj paskemi qenë e nuk e paskemi ditur.

Nëse atëherë besuam të ngazëllyer se ishim të vetmit në botë që rronim të lumtur e të gëzuar në gjirin e ngrohtë të një nëne të madhe e “të mëshirshme”, sot po e kuptojmë se ç’gabim të madh kemi bërë kur ia prishëm qefin nënës së madhe dhe i vumë në dukje mizerabilitetin e të jetuarit në ergastulum. Dhe, jo vetëm kaq, por duhet të ndihemi të penduar që u bëmë kapriçozë dhe e provuam çorbën e thartuar kapitaliste në vend të çorbës së prodhuar me forcat tona.

Nëse atëherë bënim kompromise me dinjitetin tonë si qenie njerëzore, duke u shndërruar në shërbëtorë të këqij të një ideologjie brilante, sot kemi mundësinë të jetojmë më me dinjitet, duke u bërë shërbëtorë të mirë të ideve jobrilante.

Nëse atëherë ngazëlleheshim dhe mburreshim me fletët e lavdërimit për punën e palodhur në ndërtimin e atdheut dhe nuk na e ndiente për zorrët që ulërinin për bukë, sot nëse tregohemi mendjehollë. duhet t’i bëjmë ndryshe llogaritë me kontratën sociale.

Nëse atëherë dielli lindte e perëndonte vetëm mbi tokën shqiptare dhe botës i kishim lënë dhuratë errësirën, sot kemi kuptuar se dielli lind e perëndon njësoj në të gjitha vendet. Madje, e kemi kuptuar se në disa vende shkëlqen më shumë se te ne. Mos vallë jemi bërë heretikë ideologjikë me këto kuptime të reja?

Mund të vazhdojmë të shtojmë shumë e shumë nëse. Nuk është pak një periudhë gati gjysmëshekullore histori e lavdishme. Por, përtej të gjitha gjërave që ndryshuan e nuk ndryshuan, përtej të gjitha nëse-ve që renditëm e atyre që nuk renditëm, përtej të gjitha hapësirave e mundësive që janë sot të disponueshme për të menduar ndryshe, krimbi i tribalizmit nuk është duke u shqitur nga zemra jonë.

Është pikërisht ky krimb që vazhdon t’i brejë zemrat tona. Dhe ne, duke bashkëjetuar gjatë më këtë krimb, e kemi të vështirë ta përfytyrojmë tashmë të jetuarit pa praninë dhe prezencën e tij. Nëse do ta kishim zbuar, me siguri do të ndiheshim bosh. Do të ishim në sëkëlldi, sepse do ta ndjenim se diçka nuk shkonte me ne, se jetës sonë i mungonte kjo erëz e rëndësishme e kultivuar nga thellësia e shekujve dhe e shartuar me shafran të kuq stepe.

Mundësitë për të përdorur dhe erëza të tjera, veç krimbit të tribadizmit, janë të gjindshme, të arritshme dhe të përthithshme. Duhet punuar që aroma e erëzave nga anë të ndryshme të botës ta zëvendësojë aromën e vetme të shafranit të kuq të stepës.

Toka shqiptare ka edhe zona pjellore, ku mund të kultivohen erëza të shëndetshme dhe me aroma të këndshme për shpirtin njerëzor. Njohësit e mirë të fushës të mos neglizhojnë në mbjelljen e farave të shëndetshme në fusha të shëndetshme, që krimbi i tribalizmit të marrë dalëngadalë rrokopujën dhe ne të hidhemi përtej.