` . Perspektiva e frikshme e rajonit problematik - TV-SHENJA

Perspektiva e frikshme e rajonit problematik

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ballafaqohet me kriza politike dhe të sigurisë, të cilat mund të shpërthejnë në konflikte rajonale. Paralajmërimi i Ramës duhet kuptuar si alarm, e jo si kërcënim. Është një rrezik serioz, që strukturat e korruptuara politike t’i fryjnë zjarrit të një lufte rajonale me qëllim që të shpëtojnë nga ballafaqimi me drejtësinë. Bllokimi i formimit të institucioneve dhe refuzimi i dorëzimit të pushtetit në Maqedoni mund të jetë një fitil, ndezja e të cilit do të involvonte në një përplasje të armatosur së paku katër shtete.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shkaktoi reagime të mëdha te establishmenti politik i Beogradit dhe Shkupit kur paralajmëroi se nacionalistët shqiptarë do ta bashkojnë Shqipërinë dhe Kosovën nëse Bashkimi Evropian (BE) i zhduk shpresat e integrimit të Ballkanit. Ai për revistën prestigjioze “Politico” ka mohuar se preferon një union të vogël midis dy shteteve, duke theksuar se preferon një bashkim të madh si ai i BE-së. “Por, nëse nuk do të ketë shpresë, perspektivë, hapësirë, atëherë natyrisht se unionet e vogla mund të ndodhin”, ka thënë Rama.

Kjo deklaratë e tij kuptohet se ishte një analizë individuale, e jo një deklaratë tipike e një kryeministri. Paralajmërimi nuk e nënkupton me domosdo dëshirën. Por, hapësira e lënë për interpretime të ndryshme u ka dhënë material nacionalistëve të politikës serbe e maqedonase, që ta përdorin këtë analizë të kryeministrit shqiptar si mjet për ta forcuar propagandën brenda shtetit të tyre.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë dhe lideri i Partisë Socialiste Serbe (PSS), Ivica Daçiq, kërkoi nga faktori ndërkombëtar ta dënojë deklaratën e Ramës, ndërkohë që në mediat lokale ai deklaroi se “kjo dëshmon se ëndrra për Shqipërinë e madhe ende është gjallë”.

Partia e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, në fakt ishte ajo që përfitoi më shumë nga kjo deklaratë analitike e Ramës. Që nga 29 janari, kur i skadoi afati i mandatit për formimin e qeverisë së re pa një marrëveshje me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit, kjo parti ka arritur të ndërtojë rrëfimin politik se deklarata e përbashkët e partive kryesore të shqiptarëve etnikë të Maqedonisë është përpiluar nga zyra e Ramës në Tiranë. Rrjedhimisht, e quan “Platforma e Tiranës”, por që në kontekstin politik në të cilin përdoret shpesh ka kuptimin e një akti “tiranik” të ushtruar ndaj maqedonasve etnikë nga një shtet tjetër. Nëpërmjet një reagimi me shkrim, VMRO-DPMNE-ja e dënoi deklaratën e Ramës, duke vlerësuar se me veprimet e tij është duke nxitur një destabilizim më i madh në rajon.

Rimëkëmbja e Evropës

Në fakt, deklarata e Ramës i drejtohej opinionit evropian e jo atij në Ballkan. Mesazhi i tij ishte se BE-ja më e rrezikuar është nëse i lë shtetet e këtij gadishulli jashtë sesa t’i integrojë brenda saj. Reformat që i kërkon Brukseli, me theks ato në drejtësi, mbeten të bllokuara për shkak të bojkotit të opozitës. Andaj një presion më i theksuar ndaj të djathtës shqiptare nga ana e Brukselit zyrtar, i dominuar po ashtu nga partitë e djathta, do ta ndihmonin Ramën t’i përmbushë reformat, por edhe t’i fitojë edhe një herë zgjedhjet parlamentare të caktuara për në muajin qershor.

BE-ja mund ta tërheqë vëmendjen nga Ballkani, si pjesë përbërëse e kontinentit, vetëm nëse shpërbëhet si union, pra nëse çdo vend anëtar do ta ndiqte rrugën e Britanisë së Madhe, e cila anuloi anëtarësimin nëpërmjet një referendumi të organizuar në vitin 2016.

Rreziqet e mëdha, që sollën partitë e ekstremit të djathtë dhe të majtë, e që propagandojnë largim nga Unioni, duket se nuk mund t’ia arrijnë qëllimit. Në zgjedhjet e marsit në Holandë promotori i dezintegrimit nga BE-ja – partia PVV e Gert Vilders-it, nuk arriti në fitoren e dëshiruar. Qasja populiste dhe aventurat jovizionare që i rrënojnë vlerat e shoqërisë dhe shtetit holandez, nuk morën mbështetjen e dëshiruar.

Populistët duket se do t’i humbin zgjedhjet presidenciale edhe në Francë. Epërsia e lehtë të kandidatit të partisë “En Marche!” (Përpara), Emanuel Makron, kundrejt ultra-nacionalistes Mari Le Pen nga Fronti Nacional, është vlerësuar jo vetëm si një disfatë për populistët, por edhe si shpresë për Francën. Makron, partia e të cilit është formuar vetëm një vit më parë, dhe Le Pen kanë arritur të shkojnë në raundin e dytë zgjedhor, duke u shkaktuar disfatë kandidatëve të partive të etabluara franceze, si Fransoa Fillon nga Republikanët ose Benoit Amon nga Partia Socialiste. Makron ka marrë menjëherë mbështetjen e Fillonit për raundin e dytë, gjë që i kanë shtuar gjasat që të zgjidhet president i Francës. Makron-i ka paralajmëruar një fazë të re të rimëkëmbjes së BE-së, ndërkohë që Le Pen-i ka parapëlqyer braktisje të unionit. Në rast të fitores së saj, BE-ja do ta shënonte fillimin e fundit të saj. Mediat ndërkombëtare kanë vlerësuar se një shtytje në favor të Le Pen-it ka dhënë edhe sulmi terrorist që ndodhi në prag të votimeve. Liderja e Frontit Nacional njihet për qëndrimet e saja kundër emigrantëve, kryesisht të përkatësisë myslimane. Mbështetje ka marrë edhe nga mediat e kontrolluara ose të ndikuara nga qendra të fuqisë politike ruse. Këto media e akuzuan ish-presidentin amerikan Barack Obama se ka interferuar në zgjedhjet e Francës me atë që ka mbështetur Makronin.

Një mobilizim për t’u mbrojtur nga ndikimi i jashtëm në procesin zgjedhor është duke ndodhur edhe në Gjermani, vend i cili në shtator të këtij viti duhet të mbajë zgjedhjet federale. Sondazhet e nxjerrin fituese partinë e djathtë – CDU-në e kancelares Angela Merkel, e cila një kohë të gjatë udhëheq koalicionin e madh qeverisës, ku bën pjesë edhe partia oponente – e majta SPD.  AFD-ja, subjekti që promovon populizëm dhe dezintegrim të Gjermanisë nga BE-ja, nuk arrin të fitojë ndonjë përkrahje më të madhe. Njëjtë si në Francë, çdo sulm terrorist gjithsesi se kapitalizohet nga ana e kësaj partie.

Vendet e korrupsionit dhe krizave

Evropa duket se po e rimerr veten dhe mendon seriozisht për një ristrukturim rrënjësor, i cili do të përfshinte edhe Ballkanin. Një union i dominuar nga e djathta duket se do të detyrohet të përkrahë qeveritë e majta në Tiranë dhe Shkup, duke sanksionuar kështu partnerët e tyre ideologjikë.

Megjithatë, mungesa e një politike të jashtme të unifikuar shfaqet edhe gjatë tentimit për ta zgjidhur krizën në Maqedoni dhe Shqipëri.

Ngërçi politik në të cilin u gjet Kosova, mungesa e miratimit të demarkacionit me Malin e Zi, pamundësia për ta siguruar shumicën e nevojshme parlamentare për formimin ushtrisë së shtetit dhe prezenca e korrupsionit masiv në institucione, duket se do të rezultojnë me zgjedhje të parakohshme në qershor ose shtator të këtij viti. Mosfunksionimi i koalicionit të madh qeverisës PDK-LDK dhe lufta për dominim të brendshëm në këto parti pritet t’i imponojnë zgjedhjet si rrugë e vetme për dalje nga kriza.

Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ballafaqohet me kriza politike dhe të sigurisë, të cilat mund të shpërthejnë në konflikte rajonale. Paralajmërimi i Ramës duhet kuptuar si alarm, e jo si kërcënim. Është një rrezik serioz, që strukturat e korruptuara politike t’i fryjnë zjarrit të një lufte rajonale me qëllim që të shpëtojnë nga ballafaqimi me drejtësinë. Bllokimi i formimit të institucioneve dhe refuzimi i dorëzimit të pushtetit në Maqedoni mund të jetë një fitil, ndezja e të cilit do të involvonte në një përplasje të armatosur së paku katër shtete.: Greqinë që nuk ia njeh emrin Maqedonis; Bullgarinë, që ia refuzon historinë dhe gjuhën; Serbinë, që ia konteston kishën; dhe Shqipërinë, e cila tenton të shfaqë një lloj kujdesi për shqiptarët etnikë që jetojnë në Maqedoni.

 

 

Postime të Ngjajshme