` . Përse ne, ballkanasit, akoma i shohim ëndrrat tona? Dhe, deri kur? – TV-SHENJA

Përse ne, ballkanasit, akoma i shohim ëndrrat tona? Dhe, deri kur?

Edhe kushtet në të cilat kanë jetuar popujt ballkanas, në mënyrë radikale janë dalluar prej atyre në të cilat kanë jetuar popujt nga pjesa tjetër e Evropës. Derisa ata e kanë planifikuar dhe e kanë realizuar ëndrrën e tyre në një territor kompakt dhe në një kontekst homogjen etnik, kulturor dhe politik, popujt ballkanas kanë jetuar në një territor me kufij politik fluid, në një mjedis etnik, kulturor dhe politik skajshmërisht të përzier.

Shkruan: Ferid MUHIQ, Shkup

Gjatë parashtrimit të temës për këtë numër – Si do të duket Ballkani pas pesëdhjetë vitesh? –redaksia e revistës SHENJA, si sqarim, i shtroi edhe dy pyetjet në vazhdim: “Përse ne ballkanasit nuk e kemi ëndrrën tonë? dhe Përse përherë veten e kërkojmë në ëndrrat e huaja?“ Menjëherë (si i thonë, me të parën) ndjeva se bëhet fjalë për një temë të madhe. Më shumë se kaq, pyetjet provokative qajnë për polemikë! Tashmë me dekada, çdo sulm i drejtpërdrejtë ndaj neve ballkanasve më provokon polemikën, për shkak se Ballkani është kthyer në kontejner ku mbeturinat e veta i hedh kush të mbërrijë, ndërsa ballkanasit trajtohen si thes boksi dhe si hape për të shëruar komplekset e injorantëve dhe mediokërve më ordinerë të kuturisur. Dhe, ja, menjëherë kaloj në ofensivë, me dy kundërteza: “Ne ballkanasit e kemi ëndrrën tonë! Dhe, veten e kërkojmë në ëndrrat që kemi vetë!“ Dhe, menjëherë, në vend që të lejoj që ndokush tjetër ta bëjë këtë, vetë do ta shfryj këtë balonë të mbushur plot me denjësi dhe integritet ballkanik, me të vërtetën e hidhur: “Po, por jo për një kohë të gjatë!“ Ngaqë, për fat të keq, afron fundi i mundësisë që ballkanasit ta ëndërrojnë ëndrrën e vet, ndërkohë që shumica prej tyre tashmë e kërkojnë veten në ëndrrat e huaja!

Se ballkanasit ngaherë e kanë pasur dhe ende e kanë ëndrrën e vet dhe se ngaherë veten e kanë kërkuar në ëndrrat e veta, aq është e qartë, saqë nuk ka nevojë të dëshmohet. Edhe të dy pyetjet provokuese, në të vërtetë, janë paragjykime dhe stereotipa negativë për Ballkanin, të mbështjella me kulturë. Në të vërtetë, mendimi i gjithështrirë, se ne ballkanasit nuk e kemi ëndrrën tonë dhe në vend se ëndrrat tona, e kërkojmë veten në ëndrrat e huaja, pranohet si hazërxhevap, si aksiomë, së cilës nuk i duhen kurrfarë dëshmish. Ndërkohë që ato dëshmi janë dallimet krahasimtare në karakterin e historisë më të re të Ballkanit dhe pjesës tjetër të Evropës. Mungesa e këtyre dëshmive e ka errësuar ose e ka bërë të pamundur që të kuptohen dallimet e thella në receptimin e tyre të kohës së sotme dhe të raportit të tyre drejt planifikimit të ardhmërisë së vet. Planifikimi i ardhmërisë së vet është planifikim i ëndrrës së vet. Çdo planifikim i ardhmërisë është një lloj pushtimi i ardhmërisë, ricaktim dhe harmonizim i saj me ëndrrën e vet, shkurtimisht – akt i kolonizimit të ardhmërisë!

Pjesa më e madhe e popujve evropianë e kanë realizuar ëndrrën e vet gjatë historisë mbi bazë të përvojës konkrete, intensive, imperiale dhe kolonizuese. Historia e tyre më e re është histori e kolonizimit, jo vetëm e kohës, përkatësisht – të ardhmërisë, por edhe të kolonizimit konkret të hapësirës – të territorit! Me këtë rast, popujt evropianë imperialë e kanë kolonizuar ardhmërinë e vet në dy nivele: 1. jashtë territorit të vet, duke ua imponuar ëndrrën e tyre popujve të tjerë; 2. në territorin e vet, me një shkallë të lartë të autonomisë, pa presione vendimtare nga jashtë.

Në këtë shikim, në vend të parë janë anglezët, të cilët në dy shekujt e fundit e kanë realizuar ëndrrën e tyre përmes kolonizimit të territoreve të mëdha nëpër tërë botën, kështu që nën ndikimin e tyre direkt ose indirekt, joformal dhe formal edhe sot janë SHBA-të, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Afrika e Jugut, India, Malajzia (Malaja Britanike e dikurshme), pjesë të Amerikës së Jugut (Guajana Britanike), Malta, Gjibraltari dhe dhjetëra ujdhesa në Paqësor dhe Atlantik; pas pushtimeve të mëdha territoriale të konkuistadorëve, spanjollët deri dhe me gjuhë kolonizuan Meksikën, tërë Amerikën Qendrore dhe Amerikën e Jugut, në përjashtim të Brazilit; deri në mesin e shekullit XX francezët kanë pasur kolonitë e tyre në Afrikën e Veriut, Saharën e paanë, si dhe vise të mëdha të Afrikës Qendrore (“Afrique Noire” – “Afrika e Zezë“), në Karaibe dhe disa arkipelagë në Paqësor; portugezët një kohë të gjatë kanë sunduar dhe përgjithmonë e kanë kolonizuar vetëdijen gjuhësore të Brazilit, ndërsa kanë qenë të pranishëm si pushtet kolonial edhe në pjesë të Angolës, të Indisë perëndimore (Goa) dhe të disa ujdhesave në Oqeanin Indian dhe Atlantik; holandezët kanë qenë zotër kolonialë të Indonezisë, 50 herë më të madhe se vendi i tyre, si dhe i viseve në Karaibe dhe pjesëve të Amerikës së Jugut (Surinam); italianët kanë kolonizuar Libinë dhe Eritrenë; belgjianët kanë qenë zotër të paprekur të territorit dhjetëra herë më të madh të Kongos; danezët edhe sot kanë pushtet mbi Grenlandën; rusët kanë kolonizuar hapësira të mëdha të paana në Azinë Qendrore dhe Siberi, përfshi dhe Alaskën, të cilën më vonë cari rus ia ka shitur SHBA-së.

Përkundër kësaj, asnjëri prej popujve ballkanas nuk ka pasur kurrfarë përvoje imperiale në historinë e vet më të re, as që ndonjëherë ka pasur koloni të veta! Me këtë rast, tërë Gadishulli Ballkanik, në periudha të ndryshme, ka qenë nën pushtet imperial dhe në pozitën e cila më shpesh ishte më e keqe se ajo e kolonive. Megjithatë, ne ballkanasit e kemi ëndërruar ëndrrën tonë, pa marrë parasysh të gjitha presionet që veten ta kërkojmë në ëndrrat e huaja.

Edhe kushtet në të cilat kanë jetuar popujt ballkanas, në mënyrë radikale janë dalluar prej atyre në të cilat kanë jetuar popujt nga pjesa tjetër e Evropës. Derisa ata e kanë planifikuar dhe e kanë realizuar ëndrrën e tyre në një territor kompakt dhe në një kontekst homogjen etnik, kulturor dhe politik, popujt ballkanas kanë jetuar në një territor me kufij politik fluid, në një mjedis etnik, kulturor dhe politik skajshmërisht të përzier. Kështu, për shembull, derisa në Gadishullin Apenin sot ekziston vetëm një shtet ku praktikisht jeton një popull me kulturë homogjene dhe religjion të përbashkët; në Gadishullin Pirinej ekzistojnë dy shtete, ku jetojnë vetëm dy popuj politikisht dominues, me kulturë dhe gjuhë të afërme (spanjollët dhe portugezët, krahas baskëve dhe katalonasve), me religjion të përbashkët; ndërsa praktikisht të gjitha shtetet tjera nga pjesa tjetër e Evropës janë me një homogjenizim të lartë etnik, në atë kohë, në hapësirën relativisht të vogël të Gadishullit Ballkanik, sot ekzistojnë dhjetë shtete, ku, tashmë më shumë se një mijë vjet, jetojnë bashkë dhjetë popuj shumicë dhe një duzinë popujsh të veçantë etnik pakicë, me interesa politike divergjente, me kulturë dhe traditë gjuhësore të shumëllojshme dhe me përkatësi shumëreligjioze!

Nga aspekti metodologjik, absolutisht është e palejueshme në analizën e kësaj teme të injorohen këto dallime krahasimtare, të cilat në perspektivën sociale-psikologjike dhe sociale-politike pakthyeshëm çojnë drejt dallimeve fundamentale në qasjen që u bëhet ëndrrave dhe, në vetë përmbajtjen e tyre, gjatë planifikimit të ardhmërisë së vet!

Duhet të dihet që çdo popull ka ëndrrën e vet. Duhet, por kjo tashmë veç po neglizhohet! Prandaj edhe e rikujtojmë këtë. Të gjitha dallimet e theksuara krahasimtare jo vetëm që konfirmojnë se ne ballkanasit e kemi pasur dhe ende e kemi ëndrrën tonë dhe se veten e kemi kërkuar në ëndrrat e veta dhe jo të huaja, por edhe shpjegojnë se përse ne ballkanasit nuk kemi një ëndërr të përbashkët: për shkak se as që kemi mundur ta kemi! Çdo popull ka ëndrrën e vet – sa për të rikujtuar. Dhe, kështu, çdo popull ballkanas e ka ëndërruar dhe e ëndërron ëndrrën e vet.

Megjithatë, besimi absurd se ballkanasit nuk kanë ëndërr të vet, sot konsiderohet si fakt me nam, madje edhe nga vetë ballkanasit! Kuptohet, ballkanasit nuk kanë një ëndërr të përbashkët, njëfarë vizioni kolektiv të utopisë së vet – por çdo popull ballkanas, gjatë gjithë historisë së vet, deri më sot, e ka ruajtur ëndrrën e vet! Rrjedhimisht, tërësisht i gabuar është edhe mendimi me shtrirje të gjerë se ballkanasit ngaherë janë kërkuar në ëndrrat e huaja, në vend se në të vetat.

Ky kinse “fakt me nam” nuk ka kurrfarë mbështetje tek realiteti. Ballkanasit asnjëherë nuk kanë vuajtur nga insomnia kolektive, nga mungesa e ëndrrave të popujve. Më afër të vërtetës është se ballkanasit ngaherë kanë vuajtur nga numri i madh i ëndrrave!

Vërtet, Ballkani rrallëherë ka pasur projeksion të vetëm të një shoqërie të përbashkët për tërë Ballkanin, edhe pse dy ose tri përpjekje për formimin e federatës ballkanike ishin prerë që në rrënjë nga faktorë të huaj të ndryshëm. Në vend se t’i kritikojnë për këtë, duhet pasur parasysh se përcaktori territorial “ballkanikë!” paraqet vetëm kategorinë nominalisht homogjene, por në realitet atë kategori e përbëjnë dhjetëra nënkategori, përkatësisht popuj autoktonë, historikisht të formuar me prejardhje të ndryshme etnike, të cilët jetojnë bashkë një mijë vjet, më gjatë nga banorët e të tri Amerikave dhe të Australisë (në përjashtim të popullsisë indigjene), secili me historinë e vet kulturore dhe politike, përmes së cilës tashmë ndër mijëvjeçarë janë kristalizuar edhe ëndrrat e tyre specifike dhe të llojllojshme.

Thënë më shkurt, ballkanasit nuk kanë ëndërr të përbashkët, për shkak se objektivisht as që kanë mundur ta kenë! Dhe, për shkak se në tërë historinë e vet të gjertanishme secili popull ballkanas tërësisht natyrshëm e ka ëndërruar ëndrrën e vet! Shtetet moderne në territorin e madh të tri Amerikave (të Veriut, të Mesme, të Jugut), si dhe në Australi, janë formuar përafërsisht gjatë dy-tre shekujve të fundit. Të gjitha ato (në përjashtim të banorëve indigjenë, tashmë prej moti të parëndësishëm për nga përqindja e tyre dhe të margjinalizuar në aspektin social), edhe krahas gjithë atij dallimi mbi bazë të prejardhjes së tyre etnike, kulturore, racore dhe rajonale, objektivisht paraqesin bashkësi politike dhe kulturore me homogjenizim të lartë. Edhe në tërë Evropën, në masë më të vogël ose më të madhe, kjo është kështu: proceset e homogjenizimit kulturor dhe të vetidentifikimit politik kolektiv kanë mundësuar krijimin e ëndrrave instant të dhjetëra, qindra milionë, madje edhe më shumë se një miliardë njerëzve, të bashkuar në shtete të cilat përfshijnë hapësira të mëdha. BE-ja është shembull konkret i organizimit politik dhe ekonomik të themeluar për të realizuar një ëndërr instant të tillë të përbashkët. Megjithatë, Rasti i Brexit-it në mënyrë plotësuese e ilustron shembullin e Ballkanit, meqenëse Mbretëria e Bashkuar doli nga BE-ja, para se gjithash për shkak të ndjesisë për dallim ndërmjet identitetit të vet dhe ëndrrës së vetë britanikëve në raport me identitetin dhe ëndrrën e banorëve të BE-së.

Duke pasur parasysh këtë, pyetja e vërtetë që çon, nëse jo kah tërë e vërteta, atëherë kah të kuptuarit më të mirë të Ballkanit nga ana e Bashkësisë ndërkombëtare (SHBA dhe BE), nuk është “Përse ballkanasit nuk e kanë ëndrrën e vet?“, por “Si është e mundur që ballkanasit akoma t’i kenë ëndrrat e tyre, në vend se tashmë qëmoti u desh t’i pranonin të huajat!?“. Në këtë krahasim, Ballkani mund të paraqitet si BE i përbërë vetëm nga (më shumë) Britania, prej të cilave secila veç e veç vazhdon ta ëndërrojë ëndrrën e vet, por në dallim nga Britania e vërtetë, asnjëra prej tyre, as edhe tërë Ballkani bashkë, nuk e kanë fuqinë objektive ta ndjekin shembullin e Britanisë dhe të dalin nga bashkësia e tyre fiktive. Megjithatë, edhe pse ballkanasit gjer më tani e kërkonin veten në ëndrrat e tyre, punët seriozisht ndryshojnë në dy-tri dekadat e fundit! Sot, në ëndrrat dhe vizionet e tyre për të ardhmen ka hyrë Tjetri!

Një mijë vjet ballkanasit e kanë dashur të vërtetën e vet, kanë qenë të trullosur nga ëndrra për të ardhmen e tyre si për të vërtetën e vet. Ngaqë, në ëndërr shprehet e vërteta më e thellë e çdo ëndërruesi. Por, tashmë u erdhi fundi ëndrrave të ballkanasve! Në një numër gjithnjë e më të madh ata transformohen në ballkanas antiballkanas-epigonë të idealeve të pakryera të BE-së, NATO-së, SHBA-ve, Rusisë – pasues të projekteve të tyre strategjike. Me miliona ballkanas të pabojë, me një bojë dhe laramanë, të kthyer nga flutura endemike në larva gjenetikisht të modifikuara dhe në karikatura të klonuara të Zotërve të rinj të Ëndrrës, psalin: “Ora e fundit ishte!“ “Poshtë e kaluara, rroftë ardhmëria!“; “Mjaft ishim ballkanikë! Duam të bëhemi evropianë!“

“Më mirë pjesë të jesh se synim të kesh!“ – jehon gjithandej Ballkanit.

 

Pikërisht nga emri i kësaj parulle, nga Marrëveshja e Prespës prej maqedonasve në mënyrë ultimative kërkohet që të heqin dorë nga identiteti i tyre etnik dhe nga historia e tyre, ndërsa Republika e Maqedonisë të bëhet shtet pa popull të vet! U ofrohet ardhmëria, por jo para se të heqin dorë nga e kaluara e tyre! Deri në shekullin e shtatë, në favor të Greqisë; pas shekullit të shtatë, në emër të “historisë së përbashkët” me bullgarët! Por, heqja dorë nga historia e vet është amputim nga pjesa themelore e identitetit të vet! Me këtë marrëveshje maqedonasit çapiten në popullsi amorfe pa identitet etnik, pa histori të tyre, pa të kaluar; Robert Musil ka shkruar romanin “Njeri pa cilësi”, ndërsa politikanët tash e shkruajnë romanin “Popull pa cilësi!“.

Modeli i shtetit në të cilin kategoria “qytetarë” (citizens) i ngërthen (lat. subsumere) dhe i pezullon identitetet etnike, ishte i arsyeshëm në situatën objektive të shteteve të krijuara me kolonizimin e territoreve të tri Amerikave dhe të Australisë, por nuk ka kurrfarë arsyetimi që i njëjti model të transplantohet me vendim politik atje ku, në territorin e vet, në vazhdimësi historike, jetojnë me dhjetëra popuj etnikisht të profilizuar. Por, me Marrëveshjen e Prespës, me të cilën nga qytetarët e Republikës së Maqedonisë kërkohet që të heqin dorë nga ëndrra e vet, bëhet pikërisht kjo! Për më tepër, Marrëveshja paraqet hyrje në objektivin strategjik që të gjithë popujt ballkanas të heqin dorë nga ëndrrat e veta, ndërsa veten ta kërkojnë në një ëndërr të përbashkët, të planifikuar prej të tjerëve deri në detajet më të imëta. Konkretisht, kjo do të thotë që aktorët e programit “Më mirë pjesë e huaj të jesh se synim për vete të kesh“ planifikojnë që Ballkanin ose, fundja, një pjesë të tij, nga një vis multietnik dhe multikulturor autokton ta ridisenjojnë në shoqëri civile homogjene politike dhe kulturore, pa identitet etnik (ose skajshmërisht të margjinalizuar), ku të gjithë do të ëndërrojnë, kush më shumë e kush më pak, një ëndërr të njëjtë: atë të SHBA-ve dhe të BE-së. Më shumë ëndrrën e SHBA-ve, më pak të BE-së.

Është e mundur, madje me probabilitet të lartë, të supozohet se, shikuar në perspektivë afatgjatë, rezultatet do ta arsyetojnë këtë ndërmarrje. Gjendja ekonomike, juridike, politike, po edhe kulturore, me gjasë, do të jetë më e mirë nga kjo e sotmja; devalvimi i identitetit etnik dhe fshirja e kujtesës etnike kolektive shkallë-shkallë do të sjellë shuarjen e dhjetëra ëndrrave të veçanta, të cilat popujve të Ballkanit tashmë qe një mijë vjet u japin jetë si themele të identiteteve të veta.

Mbi këtë pamje të ardhmërisë së ndritshme bien dy hije. E para është se shuarja e ëndrrës së vet të një populli, si vetëpezullim dhe amnezi kolektive e tij, jo vetëm që nuk është një punë e lehtë, por shtrohet pyetja se përgjithësisht a është e mundur kjo!? Duke e imponuar modelin e vet të shoqërisë më të mirë, duke e shpallur ëndrrën e vet politike si “Fund të historisë“ (F. Fukujama), SHBA-të dhe, deri diku, BE-ja, faktikisht i japin fur agjendës së vet, përkatësisht e imponojnë ëndrrën e vet. Gjithë politika e tyre globale është projekt për ta imponuar ëndrrën e tyre, çka do të thotë se vetëm ato do ta ëndërrojnë ëndrrën e vet! Megjithatë, shembujt e Kuebekut në Kanada; të daljes së Britanisë nga BE-ja; të ekzistimit të dy shteteve irlandeze; kërkesa për referendum për shkëputjen e Skocisë, të Katalonisë, Korsikës (nga Franca); veçimi i Çekisë dhe Sllovakisë; tensionet ndërmjet valonëve dhe flamanëve në Belgjikë, në zemrën e BE–së vërtetojnë se kudo ku ka bashkësi etnikisht të profilizuara, dorëheqja definitive nga ëndrra e vet jo vetëm që nuk është e lehtë, por e imponon pyetjen se a është e mundur kjo përgjithësisht!? E dyta, heqja dorë nga ëndrra e vet dhe pranimi i ëndrrës së huaj (qoftë edhe me supozimin që ajo me siguri të plotë të çojë drejt një të sotme më të mirë, një të ardhme më të mirë, drejt një jete më të mirë), mund të arsyetohet në një perspektivë humaniste jashtëkohore më të lartë, filozofike dhe, ja, të themi – sub specie aeternitatis!? Në lidhje me pyetjen e parë, me keqardhje të madhe edhe në dëm të asaj çka është më e mirë për gjininë njerëzore, përgjigjja është: “Po, e mundur është!“ Në shtigje të gjata, çdo popull mund të thyhet, të korruptohet, të çorientohet, të mashtrohet, të përulet, vullnetarisht dhe definitivisht të heqë dorë nga ëndrrat e veta. Si qëndrojnë punët tani, edhe do të thyhet më herët ose më vonë, por gjithsesi më shpejt dhe më lehtë seç besojnë ithtarët e së drejtës së çdo populli për të ëndërruar ëndrrat e veta! Në lidhje me pyetjen e dytë, përgjigjja është e përkundërt: “Jo, nuk mund të arsyetohet!“, por sërish me keqardhje, për shkak se ajo e vërtetë melankolike nuk ka kurrfarë fuqie për ta ndalur procesin e veshjes së tërë njerëzimit me një pizhame të njëjtë, të shëmtuar, para se t’i dorëzohet ëndërrimit, për të gjithë të përbashkët dhe për të gjithë – ëndërr e huaj.

Për 50 vjet, që sot, Ballkani me gjasë do ta ëndërrojë ëndrrën sipas skenarit dhe dramaturgjisë së konceptuar në SHBA, pjesërisht dhe në BE, po qe se para kësaj nuk shkatërrohet. Në Ballkan do të punohet më shumë, do të hahet më keq, edhe atë GMO, më shumë do të merret borxhi, por ballkanasit do të fshihen! Ndonjë Diogjen i ri, në mes të ditës, kot do ta kërkojë me fener ballkanasin.

Ballkani, njëri prej vendeve të fundit në botë ku ende ka njerëz që besojnë se ëndërrimi i ëndrrës së vet është e drejtë e vetëkuptueshme e çdo populli, e jo privilegj, atëherë do të bëhet një vend ku të gjithë popujt ballkanas, në vend se në ëndrrat e veta, do të kërkohen në ëndrrat e kushedi kujt.

Përveç, nëse zgjohen.

Edhe atë, një orë e më parë!